Rrotullamja gjigante e dashur e Vjenës
Rrotullamja gjigante e dashur e Vjenës
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRI
QYTETI piktoresk i Vjenës shtrihet në plan të parë, kurse në sfond ngrihen kodrat e saj me pyje. Skena është kaq e përkryer, sa pothuajse mund të dëgjosh në ajër tingujt e gëzueshëm të valseve të Shtrausit. Një djalë i ri e ka zgjedhur qëllimisht këtë vend, por tani përpiqet të qetësojë zemrën që i rreh fort ndërsa i propozon të dashurës së zemrës të martohen. Janë në 60 metra lartësi nga toka. Si ka mundësi? Ai nuk është as i pari dhe patjetër s’do të jetë as i fundit që viziton në një rast të tillë të veçantë Risenradin ose rrotullamen gjigante të dashur të Vjenës.
Rrotullamja gjigante, e vendosur në Vjenë në një park të madh të quajtur Prater, ka qenë një pikë e rëndësishme referimi për qytetin për më shumë se 100 vjet. ‘Vjenën e ke njohur vetëm po ta kesh parë që nga rrotullamja gjigante’—tregon ftesa e vendosur në hyrjen e parkut. Por, edhe pse ka ekzistuar më gjatë se çdo rrotullame tjetër argëtuese në botë, kjo nuk është se ka arritur pa vështirësi deri në ditët tona. Cila është origjina e këtij kolosi çeliku? Si mbijetoi gjatë stuhive të kohës?
Rrotullamja e parë argëtuese
Për të analizuar historinë e rrotullames gjigante, duhet të kthehemi në shekullin e 19-të dhe në Revolucionin Industrial. Gjatë asaj periudhe, çeliku u bë materiali ndërtues më i pëlqyer industrial. Në kryeqytete të ndryshme të botës u ngritën struktura çeliku me projekte të guximshme të tilla, si: në Londër, Crystal Palace, prej çeliku e xhami; në Vjenë, Palm House dhe në Paris, kulla Eifel. Sidoqoftë, qyteti më i njohur për këtë lloj arkitekture ishte Çikago dhe pikërisht atje, me rastin e Panairit Botëror
të vitit 1893, inxhinieri amerikan Xhorxh Ferris ndërtoi të parën rrotullame gjigante.Rrotullamja e Ferrisit, e cila bëri bujë, kishte një diametër prej 76 metrash dhe mbartte 36 kosha, secili në gjendje për të mbajtur 40 pasagjerë që të shihnin për 20 minuta pamjen e mrekullueshme të Çikagos dhe të rrethinave të tij. Për shumë vizitorë në panair, ai ishte sigurisht gjëja më tërheqëse për t’u mbajtur mend. Por, me kohë, rrotullamja e Çikagos nuk ishte më një gjë e re dhe, pasi u zhvendos dy herë, u shkatërrua në vitin 1906 për të marrë prej saj hekurishtet. Sidoqoftë, ideja e një rrotullameje gjigante tashmë kishte filluar të ndizte imagjinatën diku tjetër.
Rrotullamja gjigante ndërtohet në Vjenë
Entuziazmi për rrotullamen gjigante të Çikagos, me sa duket, lëvrinte në mendjen e inxhinierit dhe oficerit në pension të marinës britanike Uollter Baset. Në vitin 1894, ai filloi të projektonte një rrotullame të madhe për t’u vendosur në Earl’s Court në Londër dhe, më vonë, ndërtoi edhe të tjera në Blekpull të Anglisë dhe në Paris. Ndërkohë, një sipërmarrës shfaqjesh vjenez, Gabor Shtineri, po kërkonte gjëra të reja zbavitëse për Vjenën. Një ditë, një përfaqësues i Uollter Basetit i propozoi Shtinerit që të bëheshin partnerë për të ngritur një rrotullame gjigante në Vjenë. Bënë menjëherë një marrëveshje dhe u gjet një vend i përshtatshëm për këtë shpikje të re nga Anglia. Por, si do të merrej leja për ndërtimin?
Kur Shtineri paraqiti projektet e ndërtimit, një zyrtar i pa, vështroi përsëri Shtinerin, e përsëri projektet. Pastaj tundi kokën dhe pyeti: «A mendoni vërtet z. drejtor se do të gjeni dikë që t’ju lejojë të ndërtoni këtë përbindësh dhe të mbajë përgjegjësinë për të?» Shtineri doli në mbrojtje: «Por, rrotullame si kjo ka në Londër e Blekpull dhe punojnë pa asnjë problem.» Zyrtarit nuk i mbushej mendja. «Anglezët mund të bëjnë ç’të duan,—u përgjigj ai,—unë s’kam ndërmend të rrezikoj lëkurën time.» Pa u stepur, Shtineri ngulmoi dhe, më në fund, e mori lejen për ndërtim.
Vetë ngritja e strukturës gjigante prej çeliku bëri bujë. Shikues kureshtarë mblidheshin përditë në kantierin e ndërtimit për të shkëmbyer mendime rreth përparimit të punimeve. U përfundua vetëm për tetë muaj. Më 21 qershor 1897, zonja Horës Ramboldi, bashkëshortja e ambasadorit anglez në oborrin e Vjenës, i dha rrotullames goditjet e fundit me çekan. Pak ditë më pas, rrotullamja gjigante u vu në përdorim. Më vonë, kujton Shtineri: «Çdokush ishte i mrekulluar dhe biletaritë ishin të tejmbushura.»
Të përpjetat dhe të tatëpjetat e rrotullames gjigante
Arkidukës Franc Ferdinand, trashëgimtarit legjitim të kurorës mbretërore austro-hungareze, i pëlqente ta shihte kryeqytetin e perandorisë nga pika më e lartë e rrotullames gjigante. Vrasja e tij në qershor të vitit 1914—që i parapriu Luftës I Botërore—pati pasoja edhe
për rrotullamen gjigante. Jo vetëm që u privua nga mysafiri i saj i famshëm, por, gjithashtu, u mbyll edhe për publikun kur u bë një pikë ushtarake vëzhgimi. Rrotullamja gjigante u vu përsëri në punë në maj të vitit 1915. Gjithsesi, në atë kohë, vendi po vuante nga një mungesë hekuri dhe rrotullamja gjigante ishte aty para syve të të gjithëve, duke pritur vetëm që ta çmontonin. Në vitin 1919, rrotullamja iu shit një tregtari nga Praga, i cili do ta çmontonte për tre muaj. Por të çmontoje këtë strukturë të ndërlikuar do të kushtonte më shtrenjtë sesa do të vlente vetë hekuri. Kështu, kjo pikë referimi, tashmë e famshme, i shpëtoi për një qime ‘dënimit me vdekje’ dhe vazhdoi të zbaviste publikun që e çmonte.Lufta dhe rënia e monarkisë austro-hungareze sollën ndryshime të mëdha në Vjenë. Në vitet 30 të shekullit të 20-të, ekonomia u keqësua dhe gjendja politike u bë e paqëndrueshme. Shtinerit, më parë njeri i famshëm, iu desh të arratisej për të shpëtuar jetën, për shkak të origjinës së tij hebraike. Prapëseprapë, në vitin 1939 dhe në vitin 1940 rrotullamja gjigante pati një numër rekord vizituesish. Lufta II Botërore, që kishte filluar në këtë kohë, dukej se i dalldiste njerëzit që kërkonin vetëm të zbaviteshin. Por, në shtator të vitit 1944, në qytet u përhap një lajm alarmues: rrotullamja gjigante kishte marrë zjarr! Një qark i shkurtër në trenin «fluturues» që ndodhej aty pranë shkaktoi një zjarr që u përhap deri te rrotullamja gjigante, duke shkatërruar gjashtë nga koshat e saj. Por më e keqja duhej ende të vinte.
Në prill të vitit 1945, gjatë ditëve të fundit të Luftës II Botërore, rrotullamja mori përsëri zjarr. Këtë herë u dogjën të 30 koshat, si edhe sistemet e kontrollit. E vetmja gjë që mbeti ishte skeleti i djegur prej hekuri. Por edhe kjo nuk shënoi fundin e rrotullames. Ndonëse lagje të tëra me shtëpi gjendeshin të shkatërruara pas luftës, rrotullamja gjigante, edhe pse vetëm një skelet hekuri, qëndronte kryelartë. Edhe një herë u arrit në përfundimin se çmontimi do të kushtonte tepër. A kishte ndonjë mundësi tjetër?
Po! Rrotullamja gjigante u rindërtua, edhe pse, për arsye sigurie, në vend të dy koshave u vendos vetëm një. Që nga maji i vitit 1947 e deri sot, ajo ka vazhduar të bëjë rrotullimet e veta, duke i çuar poshtë e lart me ngadalë pasagjerët e vet të lumturuar. Me anë të filmave, si The Third Man, me kolonën e paharrueshme zanore të luajtur me qeste, rrotullamja gjigante është bërë e njohur edhe shumë më larg Vjenës.
Rrotullamja gjigante e Vjenës ka mbijetuar, kurse ato që u ngritën në fillim në Çikago, Londër, Blekpull dhe Paris të gjitha janë kthyer në hekurishte. Ajo mbetet një dëshmi që tregon vullnetin e fortë të brezit të pasluftës për të rindërtuar dhe është bërë një simbol i Vjenës. Nëse do ta vizitoni ndonjëherë Vjenën, patjetër që do të doni të bëni një xhiro në rrotullamen gjigante. Ndërkohë që jeni atje, ndoshta do t’ju zërë syri një burrë të moshuar duke u treguar nipërve të tij se si, atje lart, në rrotullamen gjigante, ishte përpjekur të qetësonte zemrën që i rrihte fort, kur gjyshja kishte pranuar të martohej me të.
[Kutia dhe figura në faqen 19]
RISENRADI (RROTULLAMJA GJIGANTE)
Ndërtuar më 1897
Lartësia: 64,75 metra
Diametri: 60,96 metra
Pesha e rrotullames: 245 tonë
Pesha e gjithë strukturës prej hekuri: 430 tonë
Shpejtësia: 2,7 km/orë
[Burimi]
Burimi: The Vienna Giant Ferris Wheel, nga Helmut Jahn dhe Peter Petritsch, 1989, faqja 39
[Figura në faqen 21]
Pamje e pjesës verilindore të Vjenës, e parë nga rrotullamja gjigante