«Kamionët» mikroskopikë të trupit tonë
«Kamionët» mikroskopikë të trupit tonë
PESË ditë më parë ishte një qelizë me një bërthamë. Por, pas një periudhe intensive pjekjeje dhe shumëfishimi, me tkurrje të fuqishme ajo e nxori jashtë bërthamën e saj. Tani është një retikulocit. Çfarë është ky? Një rruazë e kuqe gjaku e papjekur, gati për të hyrë në rrjedhën e gjakut. Pas dy deri katër ditësh që nga ky çast, ajo do të kthehet në një rruazë të kuqe gjaku plotësisht të pjekur.
Kjo qelizë e vogël është shumë e ngjashme me një kamion. Mjeti me të cilin e mbart «ngarkesën» është hemoglobina, një proteinë që transporton oksigjen. Është përllogaritur se gjatë jetës së tij katërmujore, «kamioni» do të udhëtojë afërsisht 250 kilometra nëpër trup. Trupi përmban rreth dhjetë miliardë kapilarë (enë gjaku mikroskopike), që së bashku kanë një gjatësi dy herë sa perimetri i tokës. Nevojiten miliarda e miliarda eritrocite (rruaza të kuqe gjaku) për ta mbartur oksigjenin në të gjitha pjesët e trupit.
Ky «kamion» mikroskopik është pothuajse gjithmonë në lëvizje në rrymën e gjakut. Shpejtësia e tij ndryshon në varësi të rrethanave. Qeliza e arrin shpejtësinë më të madhe prej rreth 120 centimetrash në sekondë kur është në «autostradën» e gjakut pasi del nga zemra, domethënë në aortë. Ndërsa futet në «rrugët anësore» të trupit, qeliza pak nga pak e ngadalëson shpejtësinë derisa arrin në një mesatare prej 0,3 milimetrash në sekondë në kapilarët fundorë.
Nga vijnë rruazat e gjakut?
Në kushte normale, te njerëzit e rritur shumica e rruazave të gjakut prodhohen në palcën e kockave. Çdo ditë, për çdo kilogram të peshës së trupit palca e kockave prodhon dy miliardë e gjysmë rruaza të kuqe, një miliard granulocite (rruaza të bardha) dhe dy miliardë e gjysmë pllakëza gjaku. Këto zëvendësojnë qelizat që vdesin çdo ditë. Te një i rritur normal, miliona rruaza të kuqe gjaku shkatërrohen dhe zëvendësohen çdo sekondë.
Tani, që të kalojë nga palca e kockave në rrjedhën e gjakut, rruaza e kuqe e papjekur i afrohet murit të jashtëm të enëve të vogla (sinuseve) në palcën e kockave, kalon me vështirësi përmes një hapësire të vogël të quajtur vrimëz kalimi dhe futet në gjak. Edhe për gati tri ditë të tjera do të vazhdojë të prodhojë hemoglobinë. Por, pastaj, kur të bëhet një rruazë e kuqe gjaku e pjekur ose një eritrocit, do ta ndërpresë këtë veprimtari.
Qarkullimi i madh dhe i vogël i gjakut
Në shekullin e 17-të, mjekët përcaktuan se ka dy lloj qarkullimesh gjaku. Në qarkullimin e madh të gjakut, «kamionët» mikroskopikë të trupit—rruazat e kuqe—nisen nga zemra për në indet e trupit. Aty çlirojnë oksigjen dhe marrin mbeturinat në formën e dyoksidit të karbonit. Ky proces është quajtur frymëmarrja e brendshme. Rruazat e kuqe pastaj kthehen përsëri në zemër. Në qarkullimin e vogël të gjakut, «kamionët» dërgohen në mushkëri. Aty shkarkojnë mbeturinat dhe ngarkojnë oksigjen. Kështu, qarkullimi i vogël i gjakut bën të mundur që trupi të marrë frymë.
Kur nuk ka rruaza sa duhen
Nganjëherë ka më pak rruaza të kuqe gjaku se normalisht. Kjo është gjendja të cilën mjekët e quajnë anemi. Shkaqet mund të jenë të ndryshme, duke përfshirë: (1) një të metë në prodhimin ose në pjekjen e rruazave të kuqe, (2) rritje të shkatërrimit të tyre dhe (3) gjakrrjedhje të madhe. Gjithashtu, anemia mund të shkaktohet edhe nga pezmatimet kronike ose nga tumoret.
Probleme mund të lindin nëse ka tepër ose pak hekur në gjak. Kur ka shumë pak hekur, rruazat e kuqe nuk piqen dot normalisht. Si rrjedhim, rruazat do të jenë më të vogla dhe më të zbehta se zakonisht. Në shumë raste, kura me hekur e rregullon këtë mangësi. Nganjëherë niveli i hekurit në gjak është tepër i lartë. Kjo mund të ndodhë kur rruazat e kuqe të dëmtuara çahen duke çliruar hekur në rrymën e gjakut. Dalëngadalë, të gjitha organet e trupit helmohen. Helmimi i zemrës është sidomos shumë i rrezikshëm. Pacientët që vuajnë nga kjo gjendje vdesin pothuajse gjithmonë nga pamjaftueshmëria kronike e zemrës.
Do të nevojiteshin shumë libra për të shpjeguar gjithë punën që bëjnë qelizat e gjakut në trup, por është e qartë se kompleksiteti i tyre i mrekullueshëm, i përshkruar këtu vetëm pjesërisht, lartëson mençurinë e Atij që projektoi dhe krijoi jetën. Për Krijuesin e madh dhe inteligjent, një nga adhuruesit e tij të lashtë tha: «Prej tij ne kemi jetë, lëvizim dhe ekzistojmë.»—Veprat 17:28.