Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Ajër i kondicionuar me borë

Sipas gazetës Asahi Evening News të Japonisë, bora tani po përdoret si burim i ri energjie gjatë verës. Qyteti i Bibait në Hokaido, në Japoninë Veriore, ka verë të shkurtër e të nxehtë dhe reshje të mëdha bore në dimër. Në vend që ta heqin borën, punëtorët e grumbullojnë atë nëpër depo. Pastaj, gjatë verës, «ajri qarkullohet brenda një dhome-frigorifer të madhe të mbushur plot e përplot me borë, para se të nxirret si ajër i ftohtë, i njëjtë me atë që përdoret për ngrirje në frigoriferë»,—thotë gazeta. Ky ajër i ftohtë përdoret për të freskuar ndërtesat që janë pajisur me «kondicionerë me borë», të projektuar në mënyrë të veçantë për sistemet e ajrit të kondicionuar që përdorin borë. Një dobi tjetër është se depot e mbushura me borë kanë nivel të lartë lagështie, e cila ndihmon për pastrimin e ajrit, duke thithur pluhurin dhe erërat e këqija.

Turbekulozi vdekjeprurës, rezistent ndaj ilaçeve

«Një lloj tuberkulozi vdekjeprurës rezistent ndaj shumë ilaçeve (MDRTB), që po përhapet gjithnjë e më shumë, ka aftësinë të zhdukë familje të tëra»,—raporton gazeta Star e Johanesburgut. «Brenda pak viteve, do ta kalojë numrin e rasteve me tuberkuloz të zakonshëm (TB)» në Afrikën e Jugut. Sipas Organizatës Kombëtare të Tuberkulozit në Afrikën e Jugut, pacientët me TB mund të zhvillojnë MDRTB-në, nëse e ndërpresin shumë shpejt kurën ose nëse nuk e marrin rregullisht atë. Më pas, TB-ja rezistent ndaj ilaçeve, që është shumë më i rrezikshëm, mund t’u kalojë njerëzve që nuk e kanë pasur kurrë TB-në. Kurimi i TB-së rezistent ndaj ilaçeve është 20 herë më i kushtueshëm se kurimi i TB-së së zakonshëm dhe është më pak i suksesshëm, pasi gjysma e pacientëve me TB rezistent ndaj ilaçeve vdesin. Raporti thotë se kriza e TB-së në Afrikën e Jugut «po del jashtë kontrollit pavarësisht nga gatishmëria për ta kuruar TB-në falas». Dy të tretat e popullsisë kanë TB të fshehtë, i cili mund të kthehet me lehtësi në aktiv nga virusi i HIV-it.

A është e rrezikshme mosha 49-vjeçare?

‘Ruhuni, janë 49-vjeçarë!’—paralajmëron gazeta Asahi Shimbun. Në Japoni po arrestohen më tepër burra të kësaj moshe se të çdo moshe tjetër për vrasje dhe tentativë për vrasje. Dyzetenëntëvjeçarët renditen ndër të parët edhe për shkaktimin e dëmtimeve fizike. Pas tyre vijnë 47-vjeçarët, që ndiqen nga 48 dhe 45-vjeçarët. Pse kaq shumë burra nga kjo grup-moshë? Një psikiatër në Tokio thotë se burrat që u afrohen të 50-ve kanë arritur në një udhëkryq në jetë. «Fëmijët e tyre bëhen të pavarur, atyre vetë u duhet të kujdesen për prindërit e moshuar dhe marrëdhënia me bashkëshorten bëhet e vështirë,—thotë ai.—Ata janë në një fazë kur zotërimi i impulseve dobësohet e disa veprojnë në mënyrë impulsive edhe kur mund ta parashikojnë rrezikun.» Sipas gazetës, huatë për shtëpinë, taksat për shkollën e fëmijëve, presionet në punë, asistencat dhe puna e paqëndrueshme shkaktojnë, gjithashtu, stres në jetën e burrave rreth të 50-ve.

A ka lidhje humbja e kujtesës me teknologjinë?

Sipas The Sunday Times të Londrës, disa mjekë në Japoni, në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani kanë filluar të fajësojnë teknologjinë e kompjuterëve të tillë, si axhendat elektronike dhe sistemet kompjuterike të udhëtimit nëpër makina, për humbje të rënda të kujtesës te të rriturit. Këta mjekë pohojnë se pajisjet elektronike moderne bëjnë që të përdoret më pak truri për të zgjidhur problemet, duke i lënë punonjësit (përfshirë edhe ata që janë ende në të 20-at dhe në të 30-at) të paaftë për të kujtuar emrat, fjalët e shkruara ose takimet. Dr. Dejvid Kantëri i Institutit të Shërbimeve Psikologjike në Atlanta, Xhorxhia, SHBA, thotë: «Shumë ekspertë besojnë se mbingarkesa e informacioneve po ua bën të vështirë disa njerëzve të përvetësojnë informacionin e ri . . . Këta njerëz i harrojnë gjërat, sepse, pikësëpari, ishin shumë të shpërqendruar për t’i kapur ato.» Dr. Takashi Tsukijama nga Tokioja vëren se këto probleme «nuk kanë të bëjnë aspak me moshën, por janë të lidhura me mënyrën [tuaj] të jetesës, si për shembull, me faktin që nuk e përdorni sa duhet trurin».

«Një problem serioz për shëndetin publik»

Sipas statistikave shtetërore, tek amerikanët vetëvrasja radhitet e teta ndër shkaqet e vdekjeve. Çdo vit, më shumë se 30.000 amerikanë bëjnë vetëvrasje dhe më shumë se 650.000 veta përpiqen t’i japin fund jetës. Agjencia e lajmeve Rojters thotë se për çdo dy vrasje ka më shumë se tri vetëvrasje. Si grupet shtetërore, edhe ato private e shohin vetëvrasjen si një «problem serioz për shëndetin publik». Dejvid Saçëri, autoriteti më i lartë i shëndetësisë në SHBA, thotë: «Të paktë janë ata që nuk preken nga tragjedia e vetëvrasjes gjatë jetës së tyre.» Disa nga faktorët që shoqërohen me vetëvrasjen përfshijnë «depresionin, ndjenja të dëshpërimit dhe të pavlefshmërisë, si edhe alkoolin e abuzimin me droga të tjera»,—raporton Rojters.

Injorancë rreth Biblës

Megjithëse në Shtetet e Bashkuara Bibla është nderuar gjithnjë, një studim i kohëve të fundit zbuloi se vetëm 16 për qind e atyre që pohojnë se janë të krishterë atje thonë se e lexojnë Biblën çdo ditë. Siç raportohet në The Sun Herald të Biloksit, Misisipi, SHBA, një tjetër anketë tregoi se vetëm 2 në 10 njerëz ishin në gjendje të thoshin emrin e personit që mbajti Predikimin në Mal. Veç kësaj, ata që u anketuan mund të citonin vetëm tri ose katër nga Dhjetë Urdhërimet.

Lëngu i greipfrutit dhe ilaçet

Të pish ilaçe që janë marrë me recetë duke i shoqëruar me lëng greipfruti mund ta shtojë «rrezikun e efekteve anësore dhe, në disa raste, [të shkaktojë] reaksione të rënda»,—raporton UC Berkeley Wellness Letter. Tek ilaçet kryesore të përfshira këtu futen disa ilaçe për ulje të kolesterolit, ilaçe për tensionin e lartë (të njohura si bllokueset e kanaleve ku kalon kalciumi) dhe disa qetësues. Megjithatë, është interesante se jo të gjithë njerëzit reagojnë negativisht ndaj kësaj përzierjeje dhe jo të gjitha lëngjet e greipfrutit e shkaktojnë këtë problem. «Nëse po merrni ilaçe dhe pini lëng greipfruti,—thotë Wellness Letter,—këshillohuni me farmacistin për ndonjë reaksion të mundshëm.»

Kujtesë si e një elefanti?

Kërkuesit që punojnë në Parkun Kombëtar Amboseli të Kenias kanë zbuluar se një nga faktorët kryesorë të mbijetesës së kopeve të elefantëve është kujtesa e femrave më të moshuara. «Më të vjetrat e matriarkatit të elefantëve, femrat që janë të paktën 55 vjeçe, kanë provuar se i dallojnë miqtë nga të panjohurit më mirë se . . . 35-vjeçaret»,—raporton Science News. Duke mbajtur mend të ashtuquajturat thirrje komunikimi ose uturimat me frekuencë të ulët, nënat e moshuara dallojnë thirrjet e panjohura dhe e grumbullojnë tufën në pozicion mbrojtjeje. Raporti thotë se «femra zakonisht njeh rreth 100 pjesëtarë të kopesë së vet nga thirrjet e tyre». Kështu që, kur gjahtarët kundërvajtës vrasin një elefant femër të moshës së rritur, kjo nënkupton humbjen e një depoje të madhe të dhënash për gjithë tufën e elefantëve.

Vrasësi numër një

«Alkooli vret 55.000 të rinj në vit»,—raporton e përditshmja franceze Le Figaro. Sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), alkooli është vrasësi numër një i meshkujve evropianë të moshës 15-29 vjeç dhe është një faktor në 25 për qind të të gjitha vdekjeve. Këtu përfshihen vdekjet nga «dehja, aksidentet rrugore, vetëvrasjet dhe vrasjet»,—thotë gazeta. Gjendja është veçanërisht e rëndë në disa vende të Evropës Lindore, ku «një e treta e të rinjve meshkuj janë të dënuar të vdesin para kohe si pasojë e përdorimit të tepërt të alkoolit». Në një konferencë në Stokholm, Suedi, dr. Gro Harlëm Bruntlendi, drejtoreshë e përgjithshme e OBSH-së, denoncoi teknikat agresive të shitjes që përdorin prodhuesit e alkoolit, teknika që ua bëjnë gjithnjë e më të vështirë të rinjve të mbajnë «një qëndrim të drejtpeshuar dhe të shëndetshëm ndaj alkoolit».

Si të jemi të lumtur?

«Çelësi për një jetë të kënaqshme nuk gjendet në një llogari të madhe bankare. Në të vërtetë, të jesh i pasur, i famshëm dhe me pushtet është rruga më e largët për të gjetur kënaqësinë»,—sipas një kërkimi të ri të bërë nga psikologët. Kenon Sheldëni nga Universiteti i Misurit dhe Kolumbias, në Shtetet e Bashkuara, thotë: «Në kulturat perëndimore shumë reklama hedhin idenë se duhet të jemi të bukur, të famshëm dhe të pasur. Kjo mund t’i sjellë sukses tregut, por ata që përpihen prej kësaj ideje nuk janë njerëzit më të lumtur.» Siç raportonte gazeta The Independent e Londrës, nga një studim i bërë me më shumë se 700 nxënës të kolegjit u zbulua se sipas nxënësve «respekti për veten» dhe «lidhjet e ngushta me të tjerët» ishin faktorët më të rëndësishëm për lumturinë e tyre. Paratë u përmendën jo edhe aq shpesh si shkak lumturie. Besimi se «‘ata që mendojnë se paratë nuk mund ta blejnë lumturinë nuk dinë ku ta bëjnë pazarin’ është shembur»,—thotë gazeta.