Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Përvoja besimi nga një burg historik

Përvoja besimi nga një burg historik

Përvoja besimi nga një burg historik

Përreth botës, disa Dëshmitarë të Jehovait vullnetarë vizitojnë institucionet ndëshkimore për të ndihmuar të burgosurit që duan me të vërtetë t’i afrohen Perëndisë. Për më shumë se 20 vjet, kemi drejtuar me sukses një program të tillë arsimimi biblik në burgun federal të Atlantës në Xhorxhia, SHBA. Të studiosh Biblën në mjediset e burgut është një sfidë interesante. Si shërbëtorë vullnetarë, jemi takuar me vjedhës bankash, zhvatës, vrasës, shpërndarës droge, mashtrues dhe përdhunues. Si janë ndihmuar njerëz të tillë?

SË PARI, ndoshta dëshironi të dini kur dhe si hynë fillimisht në këtë burg Dëshmitarët e Jehovait. Ishte data 4 korrik 1918. Një grup prej tetë shërbëtorësh të nderuar të krishterë, të shoqëruar nga rojat, ngjitën 15 shkallët prej graniti të këtij burgu federal. Sipas zakonit që ndiqej në atë kohë, në duar u kishin vënë pranga të lidhura me «zinxhirë në mes» dhe në këmbë u kishin vënë vargonj. Të porsaardhurit ishin burra të kualifikuar frymësisht, të cilët merrnin drejtimin midis Studentëve Ndërkombëtarë të Biblës, siç njiheshin atëherë Dëshmitarët e Jehovait. Ata burra nuk mund ta merrnin me mend se do të duhej më pak se një vit që të përcaktohej se burgimi i tyre ishte një gabim shumë i madh gjyqësor. Në mars të vitit 1919, të tetë Dëshmitarët zbritën po nëpër ato shkallë burgu, pa pranga dhe të lirë. Më vonë u shfajësuan, pasi autoritetet vendosën ta tërhiqnin padinë. *

Gjatë burgimit në Atlanta, këta burra të krishterë drejtuan klasa për studimin e Biblës. Njëri nga tetë të burgosurit, A. H. Mekmilëni, më vonë raportoi se zëvendësdrejtori i burgut në fillim ishte i ashpër, por në fund, u nxit të thoshte: «Këto mësime që po mbani këtu [me të burgosurit] janë të mrekullueshme!»

Sot, më shumë se 80 vjet më vonë, klasat frytdhënëse për studimin e Biblës vazhdojnë të lënë mbresa të pashlyeshme te personat e po atij burgu. Në disa raste, nëpunësit e burgut kanë zgjedhur anëtarët e grupit tonë për t’u dhënë çmime nderi dhe vlerësim të veçantë. Për efektshmërinë e programeve të arsimimit të Dëshmitarëve të Jehovait është folur edhe në Volunteer Today, një buletin informativ kombëtar botuar nga Departamenti Amerikan i Drejtësisë, Zyra Federale e Burgjeve.

Një nga dobitë e programit të studimit të Biblës me të burgosurit është përmirësimi i dukshëm i sjelljes së tyre. Për pasojë, disa kanë dalë më shpejt nga burgu. Disa vëzhgues cinikë mund të pohojnë se të burgosurit e studiojnë Biblën me ne vetëm për këtë arsye. Edhe pse kjo ka qenë e vërtetë në pak raste, përvoja jonë shpesh ka treguar të kundërtën. Emocionohemi gjithnjë kur marrim vesh se studentët tanë po mbajnë ende një sjellje të mirë të krishterë edhe pas shumë vjetësh që janë liruar nga burgu. Më poshtë janë vetëm disa nga përvojat e shumta që kemi pasur pas mureve të larta të këtij burgu historik.

Të burgosurit emigrantë gjejnë shpresë

Në fillim të viteve 80 të shekullit të kaluar, disa prej nesh që predikonin në burgun e Atlantës patën privilegjin të ndihmonin shumë të burgosur emigrantë. Disa nga ndryshimet ishin të jashtëzakonshme.

Rauli * në fillim ishte një i burgosur vërtet i rrezikshëm. Ai dhe një shok i tij ishin kriminelë profesionistë që vuanin dënimin për vrasje. Siç thonë pleqtë që i ndihmuan, ata ishin jashtëzakonisht të dhunshëm. Rauli kishte armiq për vdekje. Një burrë ishte betuar ta vriste Raulin dhe Rauli, nga ana e vet, ishte betuar ta vriste atë. Rauli u tmerrua kur këtë armik të betuar e transferuan në Atlanta. Dukej sikur ishte vetëm një çështje kohe para se këta armiq të vjetër të këmbeheshin në oborr, në kafene ose në bllokun e qelive. Sidoqoftë, pasi studioi Biblën me Dëshmitarët e Jehovait, Rauli bëri ndryshime rrënjësore në mënyrën e të menduarit, në sjelljen dhe në pamjen e tij. Kur dy burrat më në fund u këmbyen me njëri-tjetrin në oborrin e burgut, armiku i betuar i Raulit as që e njohu. Ballafaqimi i përgjakshëm që dukej i pashmangshëm nuk u realizua kurrë.

Kur Rauli vendosi ta simbolizonte dedikimin e tij ndaj Perëndisë me pagëzimin, duhej gjetur një vend i përshtatshëm me ujë. Kapelani i burgut na erdhi në ndihmë, duke siguruar një arkivol të zi si vaskë për pagëzimin. Arkivoli u mbush me ujë deri në buzë. Por dukej se Rauli ishte më i madh se arkivoli. Kështu dy pleqve iu desh të punonin së bashku për t’u siguruar që Rauli ishte zhytur tërësisht në ujë, siç kërkon Bibla. (Luka 3:21, shënimi) Sot, Rauli është një njeri i lirë dhe vazhdon të shërbejë si një shërbëtor i zellshëm i krishterë.

Më 1987, një urdhër për të ekstraduar shumë të burgosur emigrantë shkaktoi në burg një shpërthim dhune të zjarrtë e shkatërrimtar që bëri bujë ndërkombëtare. U morën pengje. Megjithatë, pak njerëz i dinë përvojat e të burgosurve të guximshëm emigrantë, të cilët vunë jetën e tyre në rrezik duke mos pranuar të merrnin pjesë në revoltën e dhunshme që kishte shpërthyer. Ata ishin studentë të klasave tona për studimin e Biblës. Këta njerëz, të cilët dikur ishin gati për të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut, qëndruan asnjanës, duke mos marrë pjesë në dhunë dhe në vandalizëm. Ç’dëshmi e shkëlqyer e fuqisë së Biblës për t’i ndryshuar madje edhe kriminelët e egër në të krishterë paqedashës!—Hebrenjve 4:12.

Gjen falje

Një përvojë tjetër e paharrueshme ishte ajo e Xhejmsit. Ai kishte qenë Dëshmitar i Jehovait, por e kishte lënë veten të dobësohej frymësisht. I ishte dorëzuar tundimit dhe kishte bërë një mashtrim bankar. Ishte përjashtuar nga kongregacioni i krishterë dhe ishte dërguar në burgun federal të Atlantës. Më vonë ai na tha: «Ishte pa dyshim pika më e ulët e jetës sime.»

Jeta në burg ishte e vështirë. «Vuaja tmerrësisht nga ndjenjat e veçimit dhe të dëshpërimit»,—sillte ndër mend Xhejmsi. Megjithatë, burgosja në një qeli të vogël burgu e shtyu të bënte një vetëshqyrtim serioz. Ai e përshkroi në këtë mënyrë: «Ajo që më lëndonte më shumë në burg nuk ishte parehatia që ndieja vetë, por mënyra se si e kisha zhgënjyer Atin tim qiellor.» Pas disa muajsh, një nga të burgosurit, i cili po studionte Biblën me vullnetarët Dëshmitarë, iu afrua Xhejmsit dhe e ftoi të ndiqte klasat e studimit të Biblës. Nga turpi, në fillim Xhejmsi nuk pranoi. Por i riu këmbënguli dhe si përfundim, Xhejmsi ndoqi një mbledhje të së dielës.

Ai u prek thellë kur pa interesimin e dashur që tregonin ndaj studentëve Dëshmitarët që drejtonin klasën. Më vonë, e preku edhe diçka tjetër. Për shkak të përvojave të mëparshme, Xhejmsi mendonte se të gjithë vullnetarët fetarë paguheshin mirë për punën që bënin me të burgosurit. Por, për habinë e tij, mori vesh se Dëshmitarët nuk paraqitnin ndonjë faturë dhe nuk merrnin pagesë në të holla për shërbimet e tyre.—Mateu 10:8.

Xhejmsi filloi t’i priste me padurim mbledhjet. Ai pa se vëllezërit që drejtonin mbledhjet ishin të sjellshëm dhe inkurajues. Një plak në veçanti i la shumë mbresa. «Numëroja ditët deri në vizitën e tij të ardhshme,—sjell ndër mend Xhejmsi,—sepse ai e bënte të gjallë të vërtetën e Fjalës së Perëndisë; fryma e tij ishte ngjitëse. Nguliti tek unë nevojën për ta lexuar Biblën në mënyrë hulumtuese, me qëllim që të kapja kuptimin e vërtetë të mesazhit, ta bëja vërtet timin dhe, ç’është më e rëndësishmja, të zhvilloja mendjen e Krishtit.»

Xhejmsi e kishte shumë të vështirë të besonte se Perëndia do t’ia falte gabimet. Çfarë e ndihmoi? «Falja e Perëndisë u pasqyrua në trajtimin që na u bë nga ata burra besimplotë e vetëmohues. * Një gjë u bë shumë e qartë: pavarësisht nga mëkatet e mia të rënda, vëllai nuk më la kurrë as përshtypjen më të vogël që Perëndia nuk mund të më falte. Jehovai nuk më braktisi kurrë. Ai e pa pendimin tim të çiltër dhe përbuzjen për atë drejtim kaq të pamend e mashtrues dhe më ka bekuar në mënyrë të pasur.» Në të vërtetë, Xhejmsi u rivendos në kongregacionin e krishterë. I liruar nga burgu rreth dhjetë vjet më parë, ai ka mbetur aktiv dhe i zellshëm. Sa e kënaqur ndihet e shoqja dhe familja, tani që ai është një shërbëtor ndihmës dhe kohët e fundit mbajti fjalimin e tij të parë publik!

Gjen rrugën

Xhonin e takuam në fillim të viteve 90 të shekullit të 20-të. Familja e tij kishte njëfarë lidhjeje me Dëshmitarët e Jehovait, por asnjë nuk kishte qenë i fortë frymësisht gjatë viteve të formimit të Xhonit, kur ai kishte pasur nevojë për udhëheqje frymore dhe morale. Xhoni u zhyt në botën e krimit. E dënuan me burgim në kampin e burgut federal afër burgut të Atlantës. Gjatë qëndrimit të tij në kamp, mësoi për klasat tona të studimit të Biblës dhe vendosi t’i ndiqte ato.

Në fillim, Xhoni mezi arrinte të lexonte. Prapëseprapë, ishte kaq i etur për të marrë më shumë njohuri për Jehovain dhe për Jezu Krishtin, saqë ishte i vendosur të mësonte të lexonte rrjedhshëm. (Gjoni 17:3) Klasat tona të studimit shpesh i ndihmojnë të burgosurit në këtë drejtim, sidomos kur bëhet fjalë për të kuptuar atë që lexohet dhe për leximin publik. Xhoni punonte kaq shumë gjatë studimit të tij, saqë studentët e tjerë filluan ta shihnin si shembull, se si duhet të jetë një student i zellshëm i Biblës.

Disa muaj më vonë, Xhoni u transferua në burgun federal në Talladega, Alabamë, për të marrë pjesë në një nga programet edukative kundër drogës. Sapo arriti, mori pjesë menjëherë në mbledhjet e krishtere të Dëshmitarëve të Jehovait që mbaheshin atje. Ai luajti një rol aktiv derisa u lirua. Kur erdhi ajo ditë e gëzuar, Xhoni pa humbur kohë u lidh me Dëshmitarët në qytetin e vogël ku jetonte. Ai u prit me ngrohtësi dhe vazhdoi të studionte e të bënte përparim frymor.

Entuziazmi dhe dashuria e Xhonit për të vërtetën biblike e ka nxitur edhe të ëmën të marrë pjesë më shumë në veprimtaritë e kongregacionit. Ai është një burim i madh force dhe ndihme praktike për të. Kohët e fundit, Xhoni u pagëzua në simbol të dedikimit të tij ndaj Perëndisë Jehova dhe vazhdon të ketë një pjesëmarrje aktive në shërbimin e krishterë.

Korrje e bollshme

Gjatë dy dhjetëvjeçarëve të shkuar, më shumë se 40 të burgosur në burgun e Atlantës janë ndihmuar të bëhen Dëshmitarë të pagëzuar të Jehovait, kurse më shumë se 90 të burgosur të tjerë kanë përfituar nga studimet biblike javore. Të tjerë të burgosur janë pagëzuar pasi kanë dalë nga burgu ose pasi janë çuar në një burg tjetër.

Ne që shkojmë çdo javë në këtë burg historik për të ndihmuar të burgosurit që janë vërtet të penduar, jemi mirënjohës që marrim pjesë në këtë shërbim të krishterë të veçantë. (Veprat 3:19; 2 Korintasve 7:8-13) Në sfondin e zymtë të kullave me roja të armatosura, të gardianëve, të portave elektrike dhe të spiraleve të shndritshme të telave me gjemba, jemi mbushur me gëzim dhe mahnitje kur kemi parë të burgosur kriminelë të ndryshojnë tërësisht jetën e tyre dhe të bëhen shtetas të ndershëm e adhurues besimplotë të Perëndisë.—1 Korintasve 6:9-11.—Nga bashkëpunëtorët tanë.

[Shënimet]

^ par. 3 Për një tregim më të hollësishëm të këtij rasti, shih Dëshmitarët e Jehovait—Lajmëtarë të Mbretërisë së Perëndisë, faqet 647-656, botuar nga Dëshmitarët e Jehovait, anglisht.

^ par. 9 Emrat e të burgosurve janë ndryshuar.

^ par. 17 Kulla e Rojës e 15 prillit 1991, anglisht, i inkurajonte pleqtë e krishterë t’u bënin vizita të mëshirshme shumë prej të përjashtuarve nga kongregacioni i krishterë. Qëllimi i një gjëje të tillë do të ishte t’u jepnin zemër atyre që të ktheheshin te Jehovai.—2 Korintasve 2:6-8.

[Kutia dhe figurat në faqet 20, 21]

«Keni mbajtur disa nga miqtë e mi më të mirë»

NË PRILL të vitit 1983, Frederik U. Franci, i cili atëherë shërbente në Trupin Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait, vizitoi burgun e Atlantës në SHBA. Mezi priste ta vizitonte këtë burg të veçantë. Duke hyrë në ndërtesë, i tha me zë të lartë rojës që ishte ulur në tryezën në hyrje: «Dua që ta dish se keni mbajtur këtu disa nga miqtë e mi më të mirë.» Nuk e teprojmë po të themi se roja dukej i çuditur. Për çfarë po fliste Franci?

Rreth 64 vjet më parë, Xhozef F. Radhërfordi dhe shtatë bashkëpunëtorë të tij u shpallën fajtorë në mënyrë të rreme për thurje komploti. Më vonë, Radhërfordi dhe Franci u bënë miq dhe bashkëpunëtorë të ngushtë. Tani, më shumë se 40 vjet pas vdekjes së Radhërfordit—dhe kur vetë Franci ishte rreth 90 vjeç—ai ishte i kënaqur të vizitonte vendin ku ishte burgosur shumë kohë më parë miku i tij. Pa dyshim, ai mendonte për punën që Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij kishin bërë brenda atyre mureve. Çfarë pune?

Pak pasi Radhërfordi dhe bashkëpunëtorët e tij mbërritën në burg, zëvendësdrejtori i burgut u tha: «Do t’ju japim ndonjë punë për të bërë. Çfarë dini të bëni?»

«Zëvendësdrejtor,—u përgjigj A. H. Mekmilëni, një nga të tetët,—në jetën time s’kam bërë asgjë tjetër veç predikimit. A keni diçka të tillë këtu?»

«Jo, zotëri. Ju gjendeni këtu pikërisht për shkak të predikimit dhe, ja ku po ju them, këtu nuk keni për të predikuar aspak.»

Kaluan disa javë. Të gjithë të burgosurve u kërkohej që të dielave të merrnin pjesë në shërbimet kishtare dhe më pas, ata që donin, mund të qëndronin për të ndjekur shkollën e së dielës. Tetë burrat vendosën të krijonin klasën e tyre për studimin e Biblës, të cilën e drejtonin me radhë. «Në fillim erdhën disa kureshtarë dhe më pas erdhën shumë të tjerë.»—shpjegoi më vonë Radhërfordi. Shumë shpejt, grupi i vogël prej tetë vetash u rrit në 90.

Si reaguan të burgosurit për këtë klasë të studimit të Biblës? Një i burgosur tha: «Jam 72-vjeçar dhe m’u desh të isha pas hekurave të burgut që të dëgjoja të vërtetën. Për këtë arsye, jam i lumtur që u futa në burg.» Një tjetër komentoi: «Edhe pak dhe më mbaron koha e burgimit. Më vjen keq që më duhet të largohem . . . A mund të më tregoni ku mund të gjej njerëz si ju kur të dal?»

Natën para se të liroheshin, tetë burrat morën një letër prekëse nga një i ri që kishte ndjekur klasën e tyre. Ai shkruante: «Dua që të dini se keni nxitur tek unë dëshirën për të qenë një njeri më i mirë, më i aftë, nëse një njeri i tillë mund të dalë nga kjo kërmë kaq e njollosur dhe e mërzitur nga jeta, siç jam unë. . . . Jam i dobët në karakter, shumë i dobët, askush nuk e di këtë më mirë se unë, por do të përpiqem dhe do të luftoj me veten nëse është e nevojshme, për të marrë frytet e plota të kësaj fare që ju keni mbjellë. Kështu mund të ndihmoj jo vetëm veten, por edhe ata që më rrethojnë. Kjo mund të tingëllojë e çuditshme, e thënë nga një njeri si puna ime, por, çdo fjalë që po them e kam ndier thellë, në brendësi të zemrës.»

Sot, më tepër se 80 vjet më vonë, Dëshmitarët e Jehovait po mbjellin ende farëra të së vërtetës biblike në burgun e Atlantës, si edhe në shumë burgje të tjera.—1 Korintasve 3:6, 7.