Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Si duhet të sillem me njerëzit e zemëruar?

Si duhet të sillem me njerëzit e zemëruar?

Të rinjtë pyesin . . .

Si duhet të sillem me njerëzit e zemëruar?

«Ai ishte i tërbuar nga zemërimi. Mendoj se, meqë më pa që isha i vogël, donte të më rrihte. Ndërsa sprapsesha, i thashë: ‘Ndalu një sekondë! Prit një minutë! Prit pak! Pse do të më rrahësh? Nuk të kam bërë asgjë. Madje as nuk e di përse je i zemëruar. A mund të flasim?’»—Davidi 16 vjeç.

A KE qenë ndonjëherë shënjestra e inatit të ndonjë ngacmuesi? Bibla paratha se, në ditët tona, njerëzit do të ishin «të egër, pa dashuri për mirësinë». (2 Timoteut 3:3) Edhe pasi mund të kesh bërë gjithçka për të shmangur ‘shoqërinë me njeriun zemërak . . . , që ka shpërthime tërbimi’, mund të ketë raste kur thjesht nuk mund t’i shmangësh njerëzit e zemëruar. (Fjalët e urta 22:24, BR) Si duhet të sillesh kur gjendesh në një rrethanë të tillë?

Përgjigjja ndaj zemërimit

Shumë të rinj sot mund të kundërpërgjigjen duke shfaqur edhe ata zemërim. Por, duke bërë një gjë të tillë vetëm sa shkaktohet më shumë vuajtje. Për më tepër, duke humbur kontrollin do të binim në nivelin e atij që zemërohet. Te Fjalët e urta 26:4 thuhet: «Mos iu përgjigj budallait sipas budallallëkut të tij, që të mos bëhesh edhe ti si ai.» I riu Xheremi e mësoi vërtetësinë e këtyre fjalëve nga një përvojë e vështirë. Ai sjell ndër mend kur ulej në tavolinën ku hahej drekë në shkollë: «Ishin një grup djemsh që gjithmonë talleshin me njëri-tjetrin dhe me të tjerët. Shumë shpesh ata flitnin për mua. Në përgjithësi nuk u kushtoja vëmendje fjalëve që thoshin. Megjithatë, kur një nga ata filloi të fliste për nënën time, humba kontrollin dhe iu vërsula me zemërim.» Përfundimi? «Më rrahu keqas»,—thotë Xheremi.

Bibla jep këtë këshillë të mençur: «Përgjigjja, kur është e butë, largon tërbimin, por një fjalë që shkakton dhembje ngjall zemërim». (Fjalët e urta 15:1, BR) Po, përgjigjja ndaj zemërimit me «një fjalë që shkakton dhembje» vetëm sa e keqëson gjendjen. Kurse, një përgjigje e butë, shpesh mund t’i qetësojë gjakrat dhe të zbutë një gjendje të tensionuar.

Kujto Davidin, e përmendur në fillim. Ai qe në gjendje të fliste me atë që e ngacmoi, për të ditur se përse ishte i zemëruar. U mor vesh se dikush i kishte vjedhur ushqimin e drekës dhe ai vetëm sa po shfrynte zemërimin mbi personin e parë që takonte. «Duke më rrahur mua nuk do të të zëvendësohet dreka»,—arsyetoi Davidi. Më pas i sugjeroi që të dy të shkonin në mensë. «Meqë e njihja shitësen,—kujton Davidi—arrita t’ia zëvendësoja drekën. Ai më shtrëngoi dorën dhe pas kësaj, ishte miqësor me mua.» A e sheh se sa të fuqishme mund të jenë fjalët e buta? Siç thotë një fjalë e urtë «gjuha e butë mund të thyejë kocka».—Fjalët e urta 25:15, BR.

Butësia—Dobësi apo fuqi?

Kuptohet, mendimi për të patur ‘një gjuhë të butë’ mund të mos duket tërheqës. Mund të duket se je më i fuqishëm ose burrëror kur i përgjigjesh zemërimit me zemërim. Madje, mund të kesh frikë se nëse je i butë, të tjerët do të mendojnë që je me të vërtetë i dobët. Por, çfarë do të thotë të jesh i butë? Sipas një vepre referimi, të jesh i butë do të thotë të jesh i sjellshëm. Megjithatë, i njëjti burim, shton: «Pas sjelljes së mirë, qëndron fuqia e çelikut.» Prandaj, në vend që të jetë një shenjë dobësie, butësia mund të jetë një shenjë fuqie. Si është e mundur kjo?

E pra, nga njëra anë, njeriu me natyrë të butë e kontrollon veten dhe nuk e humbet me lehtësi drejtpeshimin. Nga ana tjetër, një person të cilit i mungon butësia, duket i pasigurt, i mërzitur e madje i dëshpëruar. Gjithashtu, i mungon vetëkontrolli. Duke mos qenë në gjendje të kontrollojë ndjenjat, ka të ngjarë që ta gjejë veten vazhdimisht në mosmarrëveshje me të tjerët. Po, «njeriu që nuk di të frenojë zemërimin e tij është si një qytet i shkrehur pa mure». (Fjalët e urta 25:28) Pra, me të vërtetë, person zemërbutë është ai që është i fortë!

Shembuj biblikë të butësisë

Shqyrto Jezu Krishtin. Ai e quajti veten «me natyrë të butë e i përulur në zemër». (Mateu 11:29) Jezui nuk u bë kurrë i ashpër ose i paarsyeshëm, duke ua kthyer të tjerëve me të njëjtën monedhë. Në të vërtetë, apostulli Pjetër, një mik i ngushtë i Jezuit, raportoi: «Kur [Jezuin] e shanin, ai nuk e kthente sharjen. Kur vuante, nuk kërcënonte, por e linte veten në duart e atij që gjykon me drejtësi.» (1 Pjetrit 2:23) Megjithatë, kujto se i njëjti Jezu «hyri në tempull, flaku jashtë të gjithë ata që shitnin e blinin». (Mateu 21:12) Dhe nëse ndonjëherë do të kishte pasur nevojë për mbështetjen hyjnore, Jezui mund të thërriste «më shumë se dymbëdhjetë legjione engjëjsh»! (Mateu 26:53) Jo, ai nuk ishte aspak i dobët.

Shqyrto gjithashtu, shembullin që la gjykatësi Gideon siç është dokumentuar në Bibël tek Gjykatësit 8:1-3 (BR). Pas një fitoreje të madhe ushtarake, disa ushtarë nga fisi i Efraimit u fyen, pasi mendonin se nuk iu qe dhënë mundësia për të marrë pjesë në lavdinë e betejës. «Ç’është kjo që na ke bërë, duke mos na thirrur kur shkove të luftosh kundër Midianit?—pyetën ata.—Kështu tërë zjarr ata kërkuan sherr me të.» Tani, Gideoni, ishte «luftëtar trim». (Gjykatësit 6:12) Me lehtësi, mund t’u përgjigjej me dhunë provokimeve të tyre. Në vend të kësaj, u dha një përgjigje të butë, që i zbuti plotësisht ata njerëz gjaknxehtë. «Çfarë kam bërë unë në krahasim me ju?»—pyeti Gideoni. Pasoja e kësaj përgjigjeje modeste? «Fryma e tyre u qetësua ndaj tij.»

Së fundi, shqyrto tregimin e Biblës për një grua të quajtur Abigail. Davidi fshihej si një i arratisur nga armiku i tij Sauli, mbreti i Izraelit. Edhe pse ishin të mërguar, njerëzit e Davidit shpesh i ruanin dhe i mbronin izraelitët e tjerë. Një nga ata që ndihmuan ishte Nabali, bashkëshorti i Abigailës, një njeri shumë i pasur. Por, Nabali ishte «i ashpër dhe i keq për sa u përket praktikave të tij». Kur njerëzit e Davidit kishin nevojë për furnizime, i kërkuan Nabalit ushqime. Në vend që të shprehte vlerësim për mbrojtjen pa pagesë të Davidit dhe të njerëzve të tij, Nabali «iu hakërrua» lajmëtarëve të Davidit dhe i dërgoi duarbosh.—1 Samuelit 25:2-11, 14, BR.

Me të dëgjuar këtë, Davidi u zemërua dhe i urdhëroi njerëzit e tij: «Secili të ngjeshë shpatën e vet.» Davidi dhe njerëzit e tij po shkonin për të vrarë Nabalin dhe të gjithë meshkujt e pafajshëm të shtëpisë së tij, kur ndërhyri Abigaila. Ajo e përshëndeti Davidin me një dhuratë bujare ushqimi dhe pijeje. I kërkoi të falur për sjelljen e papranueshme të burrit të saj, dhe iu lut Davidit të kursente jetët e pafajshme.—1 Samuelit 25:13, 18-31.

Kërkesa e përulur e Abigailës e frenoi zemërimin e Davidit. Me të vërtetë, duke kuptuar se sa i rrezikshëm ishte bërë zemërimi i tij, Davidi tha: «Bekuar qoftë Jehovai, Perëndia i Izraelit që të ka dërguar sot të më dalësh përpara! Bekuar qoftë gjykimi yt i shëndoshë dhe bekuar qofsh ti që më frenove sot për të mos hyrë në faj gjaku dhe që shpëtimi të mos vinte nga dora ime!» (1 Samuelit 25:32-35, BR) Po, në shumë raste, ‘një përgjigje e butë’ mund ta fashitë zemërimin e të tjerëve. Megjithatë, po sikur përgjigjja jote e butë të mos ketë këtë ndikim?

«Largohu!»

Mund ta shmangësh keqësimin e situatës, thjesht duke u larguar. «Kur mungojnë drutë, zjarri shuhet»—thotë Bibla. Gjithashtu, ajo këshillon: «Largohu, përpara se të shpërthejë sherri.» (Fjalët e urta 17:14; [BR] 26:20) «Një djalë që admirohej shumë në shkollë, erdhi tek unë dhe donte të bisedonte—tha Merisa 17-vjeçare.—Më tha se isha e bukur. Pak kohë më pas, e dashura e tij erdhi tek unë e tërbuar nga zemërimi. Më akuzoi se kisha flirtuar me të dashurin e saj dhe donte të bënte sherr! U përpoqa t’i shpjegoja se çfarë kishte ndodhur, por s’donte të dëgjonte. Pas mësimit u kthye me disa vajza të tjera për të më rrahur. Thirra me shpejtësi rojën e sigurimit dhe i shpjegova vajzës së zemëruar se nuk dëshiroja të zihesha dhe se ishte i dashuri i saj që kishte ardhur tek unë. Më pas, u largova». Merisa nuk u lëshoi pe ndjenjave të saj. Ajo jo vetëm sa u largua, por ndërmori hapa për të mbrojtur veten. Siç thuhet te Fjalët e urta 17:27, (BR): «Kush i frenon fjalët e veta zotëron njohuri dhe njeriu me aftësi dalluese është gjakftohtë në frymë.»

Megjithatë, po sikur në të vërtetë ta kesh ti fajin që ke provokuar zemërimin e dikujt, ndoshta pa dashje? Kërko falje dhe shpejt madje! Kjo mund të jetë gjithçka që duhet për të zbutur zemërimin e personit tjetër. Këto janë kohë plot me presione dhe shumë njerëz janë gjaknxehtë. Por, nëse zbaton parimet biblike në marrëdhëniet me të tjerët, ka të ngjarë që të mos bëhesh viktimë e zemërimit të dikujt.

[Figurat në faqen 24]

«Përgjigja, kur është e butë largon tërbimin»

[Figura në faqen 25]

Ndonjëherë duhet që thjesht të largohesh