Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zinxhiri i ndërlikuar i jetës

Zinxhiri i ndërlikuar i jetës

Zinxhiri i ndërlikuar i jetës

«Shumëllojshmëria e jetës është dëftesa jonë e sigurimit. Vetë jeta jonë dhe mjetet e jetesës varen nga ajo.»—Programi i Kombeve të Bashkuara për mjedisin.

JETA në tokë është e pasur dhe me një larmi të pafund. Termi «shumëllojshmëri biologjike» ose thjesht «biodiversitet», përfshin të gjitha llojet në botë, që nga bakteri më i vogël deri te sekuoja gjigante, nga krimbi i tokës deri te shqiponja.

E gjithë kjo larmi jete është pjesë e një zinxhiri të madh të ndërvarur që përfshin edhe elemente jo të gjallë. Jeta varet nga përbërës të tillë jo të gjallë, si: atmosfera e tokës, oqeanet, uji i ëmbël, shkëmbinjtë e llojet e tokave. Tërësia e qenieve të gjalla së bashku me mjedisin quhet biosferë dhe njerëzit janë një pjesë thelbësore e saj.

Biodiversiteti përfshin të gjitha bakteret dhe mikrobet e tjera. Shumë nga këto dihet se kryejnë funksione kimike jetësore që i mbajnë ekosistemet në punë. Biodiversiteti, përfshin, gjithashtu, bimët e gjelbra që prodhojnë oksigjen me anë të fotosintezës, duke marrë energjinë diellore dhe duke e depozituar atë në formën e sheqernave, të cilat përbëjnë burimin themelor të energjisë për shumicën e formave të tjera të jetës.

Humbja e shumëllojshmërisë

Mjerisht, me gjithë bukurinë dhe shumëllojshmërinë e formave të jetës, një numër kërkuesish thonë se njeriu po i shtyn llojet drejt zhdukjes me një ritëm alarmues. Në cilat mënyra?

Shkatërrimi i habitatit. Kjo radhitet si shkaku i parë i zhdukjes. Këtu përfshihen prerjet e drurëve, punimet minerare, prerja e pemëve për kullotë dhe ndërtimi i digave dhe i autostradave në vende dikur të paprekura nga njeriu. Ndërkohë që ekosistemet zvogëlohen, llojet humbin burimet për të cilat kanë nevojë që të mbijetojnë. Mjediset natyrore janë izoluar, janë dëmtuar dhe janë zhdukur. Po ndërpriten itineraret normale të shtegtimit. Është ulur larmia gjenetike. Popullata e kufizuar e qenieve të gjalla nuk mund ta marrë veten nga sëmundjet dhe streset e tjera. Si rrjedhim, një nga një, llojet gradualisht po zhduken.

Zhdukja e disa llojeve të veçanta mund të shkaktojë madje një zinxhir zhdukjesh, sepse, nëse një hallkë e zinxhirit të jetës nuk është më, mund të dëmtohen pjesë të tjera. Zhdukja e llojeve bazë, siç janë pjalmuesit, mund të ketë një ndikim në një numër të madh llojesh.

Futja e llojeve të huaja. Kur njerëzit futin një lloj të huaj në një ekosistem, ky lloj mund të pushtojë habitatin që kanë zënë llojet e tjera. Lloji i huaj, gjithashtu, mund ta ndryshojë në mënyrë të tërthortë ekosistemin deri në atë masë, sa t’i përzërë llojet vendëse ose mund të sjellë me vete sëmundje, ndaj të cilave llojet vendëse nuk kanë imunitet. Veçanërisht në ishuj, ku llojet jetojnë gjatë të izoluara dhe s’kanë të bëjnë me të sapoardhur, llojet vendëse mund të mos jenë në gjendje për t’u përshtatur e për të mbijetuar.

Një shembull tipik është një algë «vrasëse», Caulerpa taxifolia, e cila po shkatërron lloje të tjera detare në Mesdhe. E futur rastësisht nga brigjet e Monakos, ka filluar të përhapet tani në fundin e detit. Është helmuese e nuk dihet të ketë grabitqarë. «Mund të jemi duke parë fillimin e një katastrofe ekologjike»,—thotë Aleksandër Menezhi, profesor i biologjisë detare në Universitetin e Nicës në Francë.

Shfrytëzimi i tepruar. Ky ka sjellë zhdukjen e disa llojeve. Një rast tipik është pëllumbi shtegtar. Në fillim të shekullit të 19-të, ishte zogu që gjendej me shumicë në Amerikën e Veriut. Kur shtegtonin—në tufa prej milionash ose më shumë—errësonin qiellin për disa ditë me rradhë. Por, nga fundi i shekullit të 19-të ishte gjuajtur kaq shumë, sa ndodhej në prag të zhdukjes dhe në shtator të vitit 1914 në një kopsht zoologjik të Cincinatit ngordhi edhe pëllumbi i fundit i këtij lloji. Ngjashëm, bizoni amerikan i Pllajave të Mëdha gjuhej aq shumë, sa gati u zhduk.

Rritja e popullsisë së njerëzve. Familja njerëzore në gjysmën e shekullit të 19-të kishte një popullsi prej një miliardi. Pas një shekulli e gjysmë, me një shtim prej pesë miliardësh, njerëzit po fillojnë të vrasin mendjen nëse rrezikojnë të kalojnë caqet e burimeve natyrore. Çdo vit, ndërsa popullsia njerëzore vazhdon të rritet, llojet po zhduken në një shkallë alarmuese.

Kërcënimi i ngrohjes globale. Sipas Komitetit Ndërqeveritar për Ndryshimet Klimatike, është e mundur që temperaturat të ngrihen të paktën me 3,5 gradë Celsius brenda këtij shekulli. Për disa lloje, kjo mund të jetë një rritje shumë e shpejtë që të mbijetojnë. Sipas kërkuesve, duket se një arsye e rëndësishme që ndikon në shkatërrimin e sharrave koralore (mbështetëset kryesore të pjesës më të madhe të shumëllojshmërisë detare) është ngrohja e ujit.

Shkencëtarët thonë se një metër ngritje në nivelin e deteve mund të shkaktojë zhdukjen e një sasie të madhe të kënetave bregdetare të botës, vendbanim i një biodiversiteti të bollshëm. Disa prej tyre besojnë se ngrohja globale mund të jetë duke dëmtuar mbulesën e akullit të Grënlandës dhe të Antarktidës. Nëse këto do të shkrinin, mund të ndodhte një katastrofë për mjedisin.

Një epidemi zhdukjesh

Sa shpejt po humbin llojet? Përgjigjet për këtë pyetje janë shumë të pasakta. Shumica e atyre që po zhduken mbetet ende një mister për shkencëtarët. Së pari, u duhet të përcaktojnë sa lloje ekzistojnë. Xhon Harti, shkencëtar ekolog në Universitetin e Kalifornisë, në Berkli, thotë: «Në botë ka rreth një milion e gjysmë lloje të identifikuara, por e dimë që ekzistojnë shumë lloje që nuk janë identifikuar dhe numri i përgjithshëm shkon ndoshta nga 5 deri në 15 milionë.» Disa e çojnë këtë numër në 50 milionë lloje ose më tepër. Përcaktimi i numrit të saktë është pothuajse i pamundur, sepse «shumica e zhdukjeve do të ndodhin përpara se llojet të jenë identifikuar e të jenë përshkruar»,—thotë shkencëtari Antoni C. Janetos.

Shkenca moderne sapo ka filluar të kuptojë mekanizmat e ndërlikuar ekologjik që e ruajnë ekosistemin në një gjendje të qëndrueshme. Nëse njerëzit nuk e dinë sa lloje ka, si mund të kuptojnë zinxhirin kompleks të jetës dhe se si ndikojnë tek ai zhdukjet e llojeve? Si mund të kuptojnë se çfarë do të thotë zhdukja e llojeve për sistemin që mbështet jetën e planetit?

Kur shkencëtarët përpiqen të përcaktojnë ritmin e zhdukjes, llogaritjet e tyre edhe pse të ndryshme, shpesh janë shkurajuese. Një shkrimtare vëren: «Brenda 100 vjetëve afro 50 për qind e florës dhe faunës së botës mund të jetë në rrugën e zhdukjes.» Ajo që parashikon Harti është edhe më e zymtë: «Biologët llogarisin që shpyllëzimi tropikal do të çojë në humbjen e gjysmës ose dhe më shumë të llojeve ekzistuese në tokë gjatë 75 vjetëve të ardhshëm.»

Bazuar në llogaritjet e Stjuart Pimit, shkencëtar në Universitetin e Tenesit, National Geographic pohon se «11 për qind e shpendëve ose 1.100 lloje nga afërsisht 10.000 në të gjithë botën, janë në prag të zhdukjes; lë vend për dyshim nëse pjesa më e madhe e këtyre 1.100 do të arrijnë të jetojnë gjatë pas fundit të shekullit [të 21-të]». E njëjta revistë pohon: «Një skuadër botanistësh të nderuar raportuan kohët e fundit se një në tetë bimë është në rrezik për t’u zhdukur. ‘Në rrezik nuk janë vetëm llojet në ishuj a në pyjet e shiut ose vetëm shpendët o gjitarët e mëdhenj tërheqës,—thotë Pimi.—Është kushdo dhe kudo. . . . Është një epidemi mbarëbotërore zhdukjeje.’»

A kemi nevojë për të gjitha këto lloje?

A ka arsye për t’u shqetësuar rreth humbjes së shumëllojshmërisë së jetës? A kemi nevojë vërtet për një larmi të tillë llojesh? Shumë specialistë të nderuar këmbëngulin se përgjigjja është po. Bollëku i tokës me lloje iu siguron njerëzve ushqim, substanca kimike të dobishme dhe shumë prodhime e shërbime të tjera. Mendoni edhe rreth dobive të mundshme që llojet e pazbuluara mund të ruajnë për njerëzimin. Për shembull, është llogaritur se 120 nga 150 ilaçet më të rëndësishme që merren me recetë në Shtetet e Bashkuara vijnë nga përbërës natyrorë. Si rrjedhim, duke humbur florën e botës, njerëzimi humbet mundësinë për të gjetur ilaçe dhe substanca kimike të reja. «Çdo herë që humbim një lloj, humbim një alternativë për të ardhmen,—thotë Sër Giljan Pransi, drejtor i Kopshteve Kju në Londër.—Humbim një mjekim të mundshëm për SIDA-n ose një prodhim që është rezistent ndaj virusit. Kështu, në një mënyrë apo në një tjetër, ne duhet të ndalojmë humbjen e llojeve, jo vetëm për hir të planetit tonë, por edhe për vetë . . . nevojat dhe përdorimet tona.»

Veç kësaj kemi nevojë që ekosistemet natyrore të sigurojnë shërbimet e domosdoshme nga të cilat varen të gjitha gjallesat. Prodhimi i oksigjenit, pastrimi i ujit, filtrimi i ndotësve dhe parandalimi i erozionit të tokës janë të gjitha funksione jetësore që kryhen nga ekosisteme të shëndetshme.

Insektet kryejnë shërbime pjalmimi. Bretkosat, peshqit dhe shpendët mbajnë nën kontroll insektet e dëmshme; midhjet dhe organizmat e tjerë detarë pastrojnë rezervat tona ujore; bimët dhe mikroorganizmat formojnë tokën e punueshme. Vlera ekonomike e të gjitha këtyre shërbimeve është shumë e madhe. Një llogaritje e kujdesshme për përfitimet monetare që sjell biodiversiteti në mbarë botën, është rreth 3.000 miliardë dollarë në vit, me çmimet e 1995-ës.

Edhe pse jemi të varur nga shumëllojshmëria e jetës, sidoqoftë, bota duket se është në krizë zhdukjeje që kërcënon zinxhirin e ndërlikuar të jetës. Tani në një kohë kur po fillojmë të kuptojmë rolin jetësor të biodiversitetit, njerëzit janë duke shkaktuar më shumë zhdukje se kurrë më parë! Megjithatë, a është në gjendje njeriu të zgjidhë problemin? Çfarë ruan e ardhmja për shumëllojshmërinë e jetës në tokë?

[Kutia dhe figura në faqen 6]

Sa vlen jeta?

Mund të duket se gjithë diskutimi rreth vlerës së biodiversitetit tregon se ne duhet të kujdesemi për format e tjera të jetës vetëm për aq kohë, sa ato i shërbejnë nevojave tona. Disa mendojnë se një mënyrë e tillë të menduari është mendjengushtë. Paleontologu Nils Eldrexh thekson vlerën e qenësishme që ka jeta duke thënë: «Ne njerëzit, gjithashtu, e vlerësojmë jetën përreth nesh për vlerën e saj natyrore—llojet e bukura që të tërheqin tepër, vendet e mrekullueshme të paprekura nga njeriu. Diçka brenda nesh e ndjen se jemi të lidhur me këtë botë të natyrës dhe se fitojmë paqe e kënaqësi sa herë që kemi mundësi të jemi mes saj.»

[Kutia dhe figurat në faqen 7]

Lista e llojeve të rrezikuara

Kjo listë është botuar nga Bashkimi Ndërkombëtar për Ruajtjen e Natyrës dhe Burimeve Natyrore, një organizatë që vlerëson situatën e llojeve të rrezikuara. Disa nga llojet e përfshira në këtë listë për vitin 2000 janë treguar në këtë faqe:

Albatrosi endacak (Diomedea exulans)

Ky është një nga 16 llojet e albatrosit që është identifikuar si i kërcënuar në mbarë botën. Thuhet se një numër i madh mbyten pasi ngecin rastësisht në grepat me karrem të tojave të gjata të vendosura nga varkat e peshkimit.

[Burimi]

Foto nga Tony Palliser

Languri duk (Pygathrix nemaeus)

Ky majmun simpatik (i llojit të kolobëve) gjendet në pjesën jugqendrore të Vietnamit dhe në pjesë të Laosit në Azi. Kërcënohet nga shkatërrimi i habitatit dhe nga gjuetia. Gjuhet për ushqim dhe për pjesët e trupit të cilat përdoren si përbërës të ilaçeve popullore.

[Burimi]

Majmuni në faqet 7 dhe 32: Foto nga Bill Konstant

Kërmilli i Korsikës (Helix ceratina)

Habitati i këtij kërmilli të rrezikuar rëndë është vetëm 7 hektarë, në periferi të Ajaçios në bregun jugperëndimor të Korsikës. Mbijetesa e tij mund të jetë në rrezik për shkak të zhvillimeve që përfshijnë ndërtimin e një aeroporti dhe rrugëve që të çojnë në plazh.

[Burimi]

Foto nga G. Falkner

Pagoda e artë (Mimetes chrysanthus)

Kjo lule e bukur u zbulua në vitin 1987 në Kepin Perëndimor, në Afrikën e Jugut. Sëmundjet e shpeshta dhe llojet që përhapen shumë, të cilat janë të huaja për vendbanimin e pagodës së artë, janë një kërcënim i vazhdueshëm për këtë bimë.

[Burimi]

Foto nga Craig Hilton-Taylor

Peshku-sharrë i ujërave të ëmbla (Pristis microdon)

Ky peshk i kërcënuar me zhdukje gjendet në Oqeanin Indian e në perëndim të Oqeanit Paqësor, si dhe në gjiret përgjatë tyre në lumenjtë dhe grykëderdhje. Për shkak se është i pambrojtur ndaj dëmtimeve nga peshkimi, ka pësuar një rënie serioze. Kërcënohet, gjithashtu, nga humbja dhe dëmtimi i habitatit.

[Burimi]

Foto me mirësjelljen e Sun International Resorts, Inc.

[Kutia dhe figura në faqen 8]

Shfarosja e jetës detare

Pasuria e oqeaneve, e cila dikur mendohej e pashtershme, ka dalë se është e kufizuar. Paleontologu Nils Eldrexhi, duke shkruar në revistën Natural History përshkroi përhapjen e shfrytëzimit tej mase të oqeaneve: «Teknologjia moderne e ka bërë peshkimin detar kaq efikas, sa zona të mëdha të fundit të oqeaneve po shkretohen në atë mënyrë që ngjan me prerjen e pyjeve të tëra. Por, po kjo teknologji shkakton dhe një shpërdorim të tmerrshëm: foka e breshka deti, së bashku me shumë lloje peshqish që nuk shiten dhe jovertebrorësh, ngordhin nga çdo tërheqje e rrjetës fundore të përdorur nga varkat e peshkimit.»

Duke komentuar mbi atë që e quajti «shpërdorim nga peshkimi i karkalecave» revista National Geographic shpjegonte se «përgjatë bregut të Gjirit të Meksikës [afër Teksasit, SHBA] shumë kilogramë gjallesa detare—pjesa më e madhe peshq të vegjël—mund të sakrifikohen për gjysmë kilogrami karkaleca deti». Këta peshq dhe molusqe të padëshiruar quhen gjah i dorës së dytë. Një biolog federal tha me keqardhje: «Raporti i gjahut të dorës së dytë mesatarisht është katër me një.» S’është për t’u çuditur që oqeanet janë kthyer në fusha vrasjeje për shumë lloje të rrezikuara.

[Kutia dhe figura në faqen 9]

Jeta që fshehin pyjet

Pyjet e planetit tonë gëlojnë nga jeta, duke përfshirë lloje që ende nuk janë zbuluar nga njeriu. Shkencëtari ekolog Xhon Hart vërejti: «Pyjet tropikale të shiut mbulojnë më pak se dy për qind të planetit dhe, megjithatë, janë banesa e vetme e të paktën 50 për qind dhe ndoshta afro 90 për qind të të gjitha llojeve në tokë. Shifra e lartë bazohet në supozimin se pjesa më e madhe e llojeve që janë për t’u zbuluar do të jenë tropikale, pasi eksplorimi biologjik i tropikut është bërë në zona të vogla e të izoluara. Megjithatë, edhe habitate të tjera janë eksploruar pak dhe, pa dyshim, përmbajnë lloje të shumta të panjohura për shkencën sot. Ndër to janë tokat e pyjeve të një klime të butë të tilla, si pyjet e moçme me shumë lagështirë në Paqësor, në veriperëndim të Shteteve të Bashkuara.»

Kush e di çfarë surprizash e presin njeriun nëse ndonjëherë do të provonte të eksploronte jetën që fshehin pyjet!

[Figura në faqen 5]

Pëllumbi shtegtar, tani i zhdukur

[Burimi]

U.S. Fish & Wildlife Service, Washington, D.C./Luther C. Goldman