Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

A duhet ta festojnë të krishterët Vitin e Ri?

A duhet ta festojnë të krishterët Vitin e Ri?

Pikëpamja e Biblës

A duhet ta festojnë të krishterët Vitin e Ri?

«PASDITJA, në prag të Vitit të Ri, është jashtëzakonisht e qetë,​—thotë Fernandoja, një mjek në Brazil.​—Më pas, rreth orës 11 të natës fillojnë të mbërrijnë një lumë i vazhdueshëm pacientësh të plagosur me thikë ose me armë zjarri, adoleshentë të plagosur në aksidente automobilistike dhe gra të rrahura. Alkooli është thuajse gjithmonë një faktor.»

Duke pasur parasysh sa më sipër, nuk është e habitshme që një gazetë braziliane e quajti ditën e parë të vitit si dita ndërkombëtare e turbullirave. Një agjenci evropiane lajmesh thotë se «Viti i Ri është për hedonistët e papërvojë» duke shtuar se është «një cikël tjetër në luftën e përjetshme të njeriut kundër alkoolit».

Vërtet, jo të gjithë e festojnë Vitin e Ri duke pirë tepër dhe duke kryer akte dhune. Në të vërtetë, shumë veta kanë kujtime të bukura nga ky rast. «Si fëmijë që ishim, mezi e pritnim ardhjen e Vitit të Ri,​—thotë Fernandoja i përmendur më sipër.​—Kishte gjithmonë shumë lojëra, ushqim dhe pije. Në mesnatë, përqafoheshim, putheshim dhe i uronim njëri-tjetrit: ‘Gëzuar Vitin e Ri!’»

Në mënyrë të ngjashme, sot shumë veta mendojnë se marrin pjesë në festimet e Vitit të Ri pa kaluar në ekstreme. Megjithatë, të krishterët bëjnë mirë të shqyrtojnë origjinën dhe domethënien e kësaj feste popullore. A bien ndesh festimet e Vitit të Ri me mësimet e Biblës?

Të dhëna nga e kaluara

Festimet e Vitit të Ri nuk janë gjë e re. Mbishkrimet e lashta tregojnë se ato mbaheshin në Babiloni që në mijëvjeçarin e tretë p.e.s. Festimet që mbaheshin në mes të marsit ishin vendimtare. «Në atë kohë, perëndia Marduk vendoste fatin e vendit për vitin pasues»,​—shkruan The World Book Encyclopedia. Festimi i Vitit të Ri nga babilonasit vazhdonte 11 ditë dhe në të përfshiheshin flijme, kortezhe dhe rite për pjellorinë.

Për njëfarë kohe, edhe romakët e fillonin vitin në muajin mars. Por, në vitin 46 p.e.s., perandori Jul Cezari dekretoi që viti duhej të fillonte më 1 janar. Kjo ditë i ishte kushtuar tashmë Janusit, perëndisë së fillimeve, dhe tani do të shënonte ditën e parë të vitit për romakët. Edhe pse data ndryshoi, atmosfera festive vazhdoi. Më 1 janar, njerëzit «jepeshin pas teprimeve të shfrenuara dhe llojeve të ndryshme të besëtytnive»,​—thotë enciklopedia e autorëve Meklinton dhe Strong.

Edhe sot, ritualet besëtytnore luajnë një rol në festimet e Vitit të Ri. Për shembull, në disa vende të Afrikës së Jugut, shumë veta e presin Vitin e Ri duke qëndruar mbi këmbën e djathtë. Të tjerë u bien brirëve dhe hedhin fishekzjarre. Sipas një zakoni çek, gjatë pragut të Vitit të Ri hahet supë me thjerrëza, kurse sipas një tradite sllovake, njerëzit vendosin para ose luspa peshku nën mbulesën e tavolinës. Zakone të tilla që kanë si qëllim të shmangin fatin e keq dhe të sigurojnë mbarësi, thjesht përjetësojnë besimin e lashtë se ndërrimi i viteve është një kohë për të vendosur fatet.

Pikëpamja e Biblës

Bibla i paralajmëron të krishterët ‘të ecin siç ka hije . . . jo në ahengje të shfrenuara e në dehje’. * (Romakëve 13:12-14; Galatasve 5:19-21; 1 Pjetrit 4:3) Pasi festimet e Vitit të Ri shpesh i shoqërojnë pikërisht teprime që Bibla i dënon, të krishterët nuk marrin pjesë në to. Kjo nuk do të thotë që të krishterët u prishin gëzimin të tjerëve. Përkundrazi, Bibla vazhdimisht tregon se adhuruesit e Perëndisë së vërtetë mund të gëzojnë, dhe këtë e bëjnë për disa arsye. (Ligji i përtërirë 26:10, 11; Psalmi 32:11; Fjalët e urta 5:15-19; Predikuesi 3:22; 11:9) Bibla pranon, gjithashtu, se ushqimi dhe pija shpesh shoqërojnë gëzimin.​—Psalmi 104:15; Predikuesi 9:7a.

Megjithatë, siç e kemi parë, festimet e Vitit të Ri i kanë rrënjët te zakonet pagane. Adhurimi i rremë është i papastër dhe i neveritshëm në sytë e Perëndisë Jehova dhe të krishterët, nuk i pranojnë praktikat që kanë një origjinë të tillë. (Ligji i përtërirë 18:9-12; Ezekieli 22:3, 4) Apostulli Pavël shkroi: «Ç’lidhje ka drejtësia me paligjshmërinë? Apo, ç’pjesë ka drita me errësirën? Për më tepër, ç’harmoni ka mes Krishtit dhe Belialit?» Duke pasur arsye të vlefshme, Pavli shton: «Mjaft e prekët gjënë e ndyrë.»​—2 Korintasve 6:14-17a.

Të krishterët e kuptojnë edhe se duke marrë pjesë në ritualet besëtytnore nuk sigurojnë lumturinë dhe mbarësinë, veçanërisht kur pjesëmarrja në këto festime sjell mospëlqimin e Perëndisë. (Predikuesi 9:11; Isaia 65:11, 12) Për më tepër, Bibla i paralajmëron të krishterët të jenë të përkorë dhe të kenë vetëkontroll në sjelljen e tyre. (1 Timoteut 3:2, 11) Është e qartë, se do të ishte e papërshtatshme për dikë që pohon se ndjek mësimet e Krishtit të marrë pjesë në një festë që shoqërohet me teprime të shfrenuara.

Edhe pse festimet e Vitit të Ri mund të duken tërheqëse dhe të kënaqshme, Bibla na thotë të mos ‘e prekim gjënë e ndyrë’ dhe «të pastrohemi nga çdo ndotje e mishit dhe e frymës». Atyre që i binden, Jehovai u jep këtë siguri që të ngroh zemrën: «Unë do t’ju pranoj. . . . Unë do të jem për ju një atë dhe ju do të jeni për mua bij e bija.» (2 Korintasve 6:17b–7:1) Vërtet, ai premton bekime dhe mirëqenie të përhershme për ata që i qëndrojnë besnik.​—Psalmi 37:18, 28; Zbulesa 21:3, 4, 7.

[Shënimi]

^ par. 12 Citimi i Pavlit për «ahengje të shfrenuara e dehje» mund të përfshinte ata që merrnin pjesë gjatë festimeve të Vitit të Ri, pasi ishin të përhapura në Romë gjatë shekullit të parë.