Dita kur Kullat Binjake u shembën
Dita kur Kullat Binjake u shembën
NGJARJET e 11 shtatorit 2001, në qytetin e Nju-Jorkut, Uashington D.C., dhe në Pensilvani, do të nguliten në mënyrë të pashlyeshme në mendjet e miliona, ndoshta miliarda banorëve të tokës. Ku ishit kur patë ose dëgjuat lajmet lidhur me sulmin mbi Qendrën Tregtare Botërore në Nju-Jork dhe mbi Pentagonin në Uashington?
Ai shkatërrim jashtëzakonisht i shpejtë i kaq shumë pasurive dhe ç’është më e rëndësishmja, i kaq shumë jetëve, i ka dhënë njerëzimit arsye për t’u ndalur e për të menduar.
Çfarë kemi mësuar për përparësitë dhe zgjedhjet tona në jetë? Në ç’mënyrë këto ngjarje tragjike nxorën në dritë disa nga cilësitë më të mira të njerëzimit, si: vetëmohimin, dhembshurinë, qëndrueshmërinë dhe altruizmin? Ky artikull dhe ai në vazhdim, do të përpiqen t’i japin përgjigje kësaj pyetjeje të fundit.
Të mbijetuarit tregojnë historitë e tyre
Menjëherë pas katastrofës në Nju-Jork, metroja u mbyll dhe turma njerëzish dilnin nga Manhatani i poshtëm, shumë prej të cilëve duke kaluar urën e Bruklinit dhe atë të Manhatanit. Ata mund të shihnin qartë ndërtesat e zyrave dhe të fabrikës së selisë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Disa që u larguan nga katastrofa u drejtuan me shpejtësi te këto ndërtesa.
Alisha, (në të djathtë) vajza e një Dëshmitareje, ishte ndër njerëzit e parë që mbërritën. Ishte e mbuluar me pluhur dhe hi. * Ajo shpjegoi: «Duke shkuar në punë me tren, pashë tymin që dilte nga Qendra Tregtare Botërore. Kur arrita në zonën e katastrofës, kudo përtokë kishte xhama dhe ndihej nxehtësi. Njerëzit vraponin në çdo drejtim, kurse policia përpiqej të zbrazte zonën. Dukej si një zonë lufte.
Vrapova te një ndërtesë aty afër për t’u mbrojtur. Më pas dëgjova shpërthimin kur avioni i dytë goditi kullën
jugore. Pamja ishte e papërshkrueshme. Kudo kishte tym të zi. Na thanë të largoheshim nga zona e rrezikshme. Hipa në një traget që shkonte në Bruklin dhe kalonte nëpër East River. Arrita në anën tjetër, ngrita kokën dhe pashë një tabelë të madhe, ‘WATCHTOWER’. Selia botërore e fesë së mamasë sime! Menjëherë mora rrugën për në godinën e zyrave. E dija se nuk mund të isha në duar më të sigurta. Pata mundësi të pastrohesha dhe të merrja në telefon prindërit.»Uendëlli (në të djathtë) punonte si portier në hotelin Marriott që ndodhej ndërmjet dy kullave. Ai shpjegoi: «Isha duke punuar në recepsion kur ndodhi shpërthimi i parë. Pashë të binin kudo copa të ndryshme mbeturinash. Vështrova matanë rrugës dhe pashë një njeri të shtrirë në tokë që kishte marrë flakë. Hoqa xhaketën dhe këmishën e vrapova që të shuaja flakët. Një kalimtar tjetër më erdhi në ndihmë. Ia shuam flakën në të gjithë trupin, përveç pjesës së këpucëve dhe çorapeve. Pastaj erdhën zjarrfikësit dhe e morën për t’i dhënë ndihmë mjekësore.
Pak pas kësaj, Brajënt Gambëll, gazetar lajmesh në televizionin CBS, më mori në telefon që si dëshmitar okular të tregoja atë që po ndodhte. Familja ime në Ishujt Virxhin më dëgjoi kur tregoja në televizor ngjarjen dhe si pasojë mori vesh se isha gjallë.»
Donaldi, një burrë trupmadh, i gjatë 1,95 metra, punonjës në Qendrën Financiare Botërore, ishte në katin e 31-të të ndërtesës, duke parë drejt Kullave Binjake dhe hotelit Marriott. Ai tha: «Mbeta i shtangur dhe i tmerruar nga ajo që pashë. Njerëzit binin dhe hidheshin nga dritaret e kullës veriore. U tmerrova tej mase dhe dola me vrap nga ndërtesa sa më shpejt që munda.»
Një përvojë tjetër ishte ajo e një nëne në të 60-at dhe e dy vajzave të saj rreth të 40-ave. Rutha dhe motra e saj Xhoni, po rrinin me mamanë e tyre, Zhanisën, në një hotel afër Kullave Binjake. Rutha, që është infermiere, tregon historinë: «Po bëja dush. Papritur, mamaja dhe motra më thanë duke bërtitur që të dilja nga dushi. Ishim në katin e 16-të dhe ato mund të shihnin copa të ndryshme mbeturinash të binin pranë dritares. Në të vërtetë, mamaja pa trupin e një burri të fluturonte mbi një çati aty afër, sikur ta kishin hedhur nga ndonjë vend.
U vesha shpejt dhe zbritëm nga shkallët. Dëgjoheshin ulërima. Dolëm në rrugë. Dëgjuam shpërthime dhe pamë shkëndija zjarri. Na urdhëruan të nxitonim për në jug të parkut Battery, ku ndodhej trageti që shkonte në Staten-Island. Gjatë rrugës i humbëm lidhjet me mamanë, e cila vuan nga astma kronike. Si do të mbijetonte në gjithë atë tym, hi dhe pluhur? Kaluam gjysmë ore duke e kërkuar, por pa sukses. Megjithatë, në fillim nuk ishim tepër të shqetësuara, sepse ajo është shumë e aftë dhe di të ruajë gjakftohtësinë.
Përfundimisht, na udhëzuan të ecnim drejt urës së Bruklinit dhe të kalonim në anën tjetër. Përfytyroni lehtësimin tonë kur shkuam në anën tjetër të urës, në Bruklin, dhe pamë tabelën e madhe WATCHTOWER! E dinim se ishim të sigurta.
Na u dha mirëseardhje dhe strehë. Siguruan për ne edhe rroba, meqënëse nuk kishim asgjë me vete. Por, ku ishte mamaja? Kaluam më kot gjithë natën duke u përpjekur ta gjenim në spitale. Rreth orës njëmbëdhjetë e gjysmë të mëngjesit tjetër, morëm një mesazh. Mamaja ishte poshtë në recepsion! Çfarë i kishte ndodhur?»
Zhanisa, mamaja, vazhdon historinë: «Kur dolëm me nxitim nga hoteli isha e shqetësuar për një shoqe të moshuar, e cila nuk kishte mundur të largohej me ne. Doja të kthehesha dhe ta ndihmoja vetë që të dilte. Por, ishte shumë e rrezikshme. Gjatë atij pështjellimi të madh u ndava nga vajzat. Gjithsesi, nuk isha shumë e shqetësuar, pasi ato e dinë se ç’bëjnë dhe Rutha është infermiere.
Kudo që hidhja sytë, shihja njerëz që kishin nevojë për ndihmë, sidomos fëmijët dhe foshnjat. Ndihmova aq sa kisha mundësi. Shkova në zonën ku të plagosurit klasifikoheshin dhe mjekoheshin sipas shkallës së dëmtimeve të tyre. Ndihmova
policët dhe zjarrfikësit, të cilët ishin mbuluar me bloz dhe pluhur, që të lanin duart dhe fytyrën. Qëndrova deri rreth orës tre të mëngjesit. Më pas i hipa tragetit të fundit për në Staten-Island. Mendoja se ndoshta vajzat e mia kishin kërkuar strehim atje. Por, nuk i gjeta.Në mëngjes u përpoqa të merrja tragetin e parë për t’u kthyer në Manhatan, por nuk mund të hipja, sepse nuk isha punonjëse e ndërhyrjes së shpejtë. Më pas, pashë një nga policët të cilin e kisha ndihmuar. I thirra: ‘Xhoni! Duhet të kthehem në Manhatan.’ Ai u përgjigj: ‘Më ndiq.’
Sapo mbërrita në Manhatan, u ktheva në hotelin Marriott. Ndoshta kishte ende mundësi për ta ndihmuar shoqen e moshuar. Por jo! Hoteli ishte shkatërruar. Zona në qendrën e qytetit ishte e vdekur, nuk gjendej askund asnjë gjurmë jete. Kishte vetëm policë dhe zjarrfikës të pikëlluar, në fytyrat e të cilëve shihej veçse trishtim i thellë.
Vazhdova të ecja drejt urës së Bruklinit. Teksa i afrohesha anës tjetër të urës, mund të shihja një tabelë të njohur, WATCHTOWER. Mbase do t’i gjeja vajzat atje. Në të vërtetë, ato zbritën në recepsion për të më takuar. Sa shumë u përqafuam e sa lot që derdhëm!
Çuditërisht, nuk pata asnjë krizë nga astma, pavarësisht nga gjithë ai tym, pluhur dhe hi. Vazhdoja të lutesha, pasi doja të isha e dobishme, jo një barrë.»
«Nuk kishte ku të ulej!»
Rakela, një vajzë në të 20-at i tha një shkrimtari të Zgjohuni!: «Po kaloja nëpër bllokun e banesave, aty ku banoja, në Manhatanin e poshtëm, kur dëgjova zhurmën e një avioni. Ishte kaq e fortë, sa më bëri të ngrija kokën. Nuk mund ta besoja: një avion udhëtarësh i stërmadh, që dukej qartë se po ulej. Pyetja veten përse fluturonte kaq ulët e kaq shpejt. Nuk kishte ku të ulej! Ndoshta piloti kishte humbur kontrollin. Pastaj dëgjova një grua që ulëriti: ‘Ai avion goditi ndërtesën!’ Një lëmsh i madh i zjarrtë shpërtheu në kullën veriore. Pashë një vrimë të zezë gjigante në kullë.
Ishte gjëja më e tmerrshme që kam parë në jetën time. Nuk dukej e vërtetë. Mbeta në vend gojëhapur. Brenda pak kohësh, një avion tjetër goditi kullën e dytë dhe përfundimisht, të dyja kullat u shembën. U tmerrova jashtë mase. Ishte më tepër nga ç’mund të duroja!»
«Nëse duhet të notoj, do të notoj»
Denisa, 16 vjeçe, sapo kishte shkuar në shkollë afër Bursës Amerikane (American Stock Exchange), e cila ndodhet tri blloqe ndërtesash në jug të Qendrës Tregtare Botërore. «Sapo kishte kaluar ora 9.00. E dija që kishte ndodhur diçka, por nuk e dija se çfarë. Ndodhesha në katin e 11-të të shkollës, duke ndjekur orën e historisë. Të gjithë nxënësit dukej sikur kishin shtangur nga frika. Prapëseprapë, mësuesja donte të bënim provim. Ne donim të dilnim e të shkonim në shtëpi.
Më vonë, kur avioni i dytë goditi kullën jugore, ndërtesa u trondit. Por përsëri nuk e kuptonim se çfarë kishte ndodhur. Papritur dëgjova radio marrësen e mësueses: ‘Dy avionë kanë goditur Kullat Binjake!’ Thashë me vete: ‘S’ka kuptim të rrimë në vend. Ky është veprim terrorist dhe do ta ketë radhën Bursa.’ Kështu që dolëm jashtë.
Vrapuam drejt parkut Battery. U ktheva për të parë se ç’po ndodhte. Munda të shoh kullën jugore që ishte gati të shembej. Mendova atëherë se do të ndodhte një reaksion zinxhir, pra, do të shembeshin njëra pas tjetrës të gjitha ndërtesat e larta. Përpiqesha me mundim për të marrë frymë, ngaqë hundët dhe grykët i kisha të bllokuara me hi dhe pluhur. Nxitova për në East River, duke menduar: ‘Nëse duhet të notoj, do të notoj.’ Duke ikur me vrap, i lutesha Jehovait që të më shpëtonte.
Së fundi, hipa në një traget që shkonte në Nju-Xhersi. Për të më gjetur, mamasë sime iu deshën më shumë se pesë orë, por të paktën isha jashtë rrezikut.»
«A është kjo dita e fundit e jetës sime?»
Xhoshua, 28 vjeç, nga qyteti Prinston i Nju-Xhersit, po jepte mësim në një klasë në katin e 40-të të kullës veriore. Ai kujton: «Papritur, u duk sikur shpërtheu një bombë. Kishte lëkundje, prandaj mendova: ‘Jo, është një tërmet.’ Shikoja jashtë, nuk u besoja syve, tym dhe copa të ndryshme mbeturinash formonin shtjellë rreth e qark ndërtesës. I thashë klasës: ‘Lini çdo gjë. Ikim!’
U drejtuam për te shkallët, të cilat po mbusheshin me tym, ndërsa nga sistemet kundër zjarrit dilte ujë. Por nuk u shkaktua panik. Vazhdoja të lutesha që të kishim zgjedhur shkallët e duhura, me qëllim që të mos gjendeshim ballë për ballë me zjarrin.
Duke vrapuar nëpër shkallë, mendoja: ‘A është kjo dita e fundit e jetës sime?’ Vazhdoja t’i lutesha Jehovait dhe provoja një ndjenjë të çuditshme paqeje. Nuk e kam përjetuar kurrë atë lloj paqeje të brendshme. Nuk do ta harroj kurrë atë çast.
Kur më në fund dolëm nga ndërtesa, policët po largonin çdo njeri. Ngrita kokën nga kullat dhe pashë se të dyja ndërtesat ishin çarë në mes. Nuk dukej e vërtetë.
Më pas ndjeva diçka të frikshme—një qetësi të panatyrshme sikur mijëra njerëz po mbanin frymën. Dukej sikur qyteti i Nju-Jorkut ishte shtangur. Kjo u pasua nga ulërima. Kulla jugore po shembej! Një valë e vrullshme tymi, hiri dhe pluhuri po vinte me poterë drejt nesh. Dukej si efekt special i ndonjë filmi. Por kjo po ndodhte me të vërtetë. Pasi na arriti reja, mezi merrnim frymë.
Ia dola të shkoja deri në urën e Manhatanit, u ktheva dhe pashë kullën veriore me antenën e saj të stërmadhe televizive të shembej përdhe. Ndërkohë që kaloja urën, vetëm vazhdoja të lutesha që të mund të arrija në Bethel, në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait. Gjatë gjithë jetës nuk kam qenë kurrë aq i lumtur të shihja atë vend. Dhe atje, në murin e fabrikës, ishte tabela e madhe që mijëra veta mund ta shohin përditë: ‘Lexojeni Fjalën e Perëndisë, Biblën e shenjtë, çdo ditë!’ Mendova: ‘Thuajse arrita. Vetëm vazhdo të ecësh.’
Duke menduar për këto ngjarje, arrita në përfundimin se është me të vërtetë e nevojshme të vendos siç duhet përparësitë, me qëllim që gjërat më të rëndësishme në jetë të jenë në vend të parë.»
«Pashë njerëz që binin nga kulla»
Xhesika, 22 vjeçe, i pa këto ngjarje kur doli nga një stacion metroje në qendër të qytetit. «Ngrita kokën dhe pashë hi, copa të ndryshme mbeturinash dhe lloj-lloj copash metalike që binin poshtë. Njerëzit pritnin të përdornin telefonat publikë dhe për shkak të vonesave bëheshin gjithnjë e më tepër të papërmbajtur. U luta të isha e qetë. Më pas një shpërthim tjetër. Nga lart binin copa çeliku dhe xhami. Dëgjova të bërtitura: ‘Ishte një avion tjetër!’
Ngrita kokën dhe një pamje e tmerrshme m’u shfaq: njerëz që binin nga katet e sipërme ku tymi dhe flakët vërshonin me furi. I kam ende para syve: një burrë dhe një grua. Për pak kohë ishin varur në një dritare. Më pas u lëshuan dhe binin, e binin, e binin. Pamja ishte e padurueshme.
Së fundi, arrita në urën e Bruklinit, hoqa këpucët e parehatshme dhe vrapova për në anën tjetër të lumit, në Bruklin. U futa në ndërtesën e zyrave Watchtower, ku më ndihmuan menjëherë të qetësohesha.
Atë mbrëmje, në shtëpi në revistën Zgjohuni! të 22 gushtit 2001, lexova serinë ‘Përballimi i stresit pas-traumatik’ (anglisht). Sa shumë nevojë kisha për atë informacion!»
Kjo katastrofë e tmerrshme i nxiti njerëzit që të ndihmonin në çdo mënyrë që mundnin. Artikulli vijues shpjegon këtë pjesë të historisë.
[Shënimi]
^ par. 7 Zgjohuni! intervistoi shumë më tepër të mbijetuar, sesa mund të përfshiheshin në këtë përmbledhje të shkurtër. Bashkëpunimi i tyre ndihmoi për të plotësuar e për të mbështetur këto tregime.
[Diagrami dhe figurat në faqet 8, 9]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
TË SHKATËRRUARA
1 KULLA VERIORE 1 Qendra Tregtare Botërore
2 KULLA JUGORE 2 Qendra Tregtare Botërore
3 HOTELI MARRIOTT 3 Qendra Tregtare Botërore
7 QENDRA TREGTARE BOTËRORE
TË DËMTUARA RËNDË
4 4 QENDRA TREGTARE BOTËRORE
5 5 QENDRA TREGTARE BOTËRORE
L ONE LIBERTY PLAZA
D BANKA GJERMANE Rr. Liberty 130
6 ZYRË DOGANORE SHB 6 Qendra Tregtare Botërore
N S URAT VERIORE E JUGORE PËR KËMBËSORË
TË DËMTUARA PJESËRISHT
2F 2 QENDRA FINANCIARE BOTËRORE
3F 3 QENDRA FINANCIARE BOTËRORE
W KOPSHTI I DIMRIT
[Burimi]
Më 4 tetor 2001, Hartë 3D e Manhatanit të poshtëm nga Urban Data Solutions, Inc.
[Figurat]
Në majë: Kulla jugore u shemb e para
Sipër: Disa vrapuan drejt ndërtesave Watchtower për t’u strehuar
Djathtas: Qindra zjarrfikës dhe skuadra shpëtimi punuan pa u lodhur në Ground Zero
[Burimet]
AP Photo/Jerry Torrens
Andrea Booher/FEMA News Photo
[Burimi i figurës në faqen 3]
AP Photo/Marty Lederhandler
[Burimi i figurës në faqen 4]
AP Photo/Suzanne Plunkett