Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Në kërkim të delfinëve në Zelandën e Re

Në kërkim të delfinëve në Zelandën e Re

Në kërkim të delfinëve në Zelandën e Re

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË ZELANDËN E RE

«ËSHTË e vetmja krijesë që e do njeriun pa ndonjë arsye të veçantë»,​—shkroi eseisti grek Plutarku. Për kë e kishte fjalën? Për asgjë tjetër përveçse për delfinin, një gjitar që është shumë i ngjashëm me balenën.

Sipas një enciklopedie (The World Book Encyclopedia), «shumë shkencëtarë besojnë se delfinët renditen mes kafshëve më inteligjente, së bashku me shimpazetë dhe qentë». Megjithatë, siç tha Plutarku, delfinët nuk u afrohen njerëzve vetëm për t’u ushqyer nga ata. Përkundrazi, duket sikur shumë prej tyre thjesht u pëlqen të jenë në shoqëri me ne. «Edhe pse delfini mund të mos ketë nevojë për njeriun,​—vëren libri Misteret e Thellësive,​—është kureshtar dhe ka mundësi të kënaqet me numrat tona po aq shumë sa kënaqemi ne me të tijat.» Nga të 32 llojet e delfinëve, 4 lloje e kanë habitatin e tyre në Zelandën e Re: delfini i zakonshëm, delfini hundëshishe, delfini i murrmë dhe delfini më i vogël në botë, delfini hektor. *

Në Gjirin e Ishujve, një zonë bregdetare piktoreske në Zelandën e Re, ka një numër të madh delfinësh. Mezi presim t’i vizitojmë, kështu që nisemi me varkë nga qyteti i Rusellit. Udhërrëfyesja na tregon se përveç delfinëve hundëshishe dhe delfinëve të zakonshëm, mund të shohim balenat vrasëse dhe balenat pilot​—që të gjithë pjesëtarë të familjes së delfinëve. Ajo sugjeron se për të përcaktuar vendndodhjen e tyre duhet të shohim ose për stërkalat që dalin nga vrimat e hundës, ose për pendët shpinore. «Ndonjëherë,​—vëren ajo​—janë ata që na gjejnë të parët.»

Të notosh me delfinët

Pas pak, para nesh shfaqen forma të mëdha e të errëta, delfinët hundëshishe​—deri në katër metra të gjatë​—me pendët e tyre shpinore duke çarë me lehtësi përmes valëve. Ndërsa zbaviten, ndjekin nga pas valët që krijon kiçi i anijes. Varka ndalon dhe udhërrëfyesja e unë rrëshqasim me kujdes në ujin e thellë e të gjelbër, ku delfinët na lejojnë të notojmë me ta.

I rrethuar nga pendët shpinore dhe i pasigurt se ku të shoh më parë, marr frymë thellë, ia ngul sytë i shtangur nga frika formave ngjyrë gri që lëviznin poshtë meje. Një delfin del nga thellësitë e ujërave për të më parë nga afër e më pas kthehet mbrapsht me ngadalë për të më treguar barkun e tij të bardhë. Edhe pse delfinët na rrinë larg, fishkëllimat e tyre me tinguj dëgjohen qartësisht. Me sa duket, nuk u bëjnë përshtypje përpjekjet e mia për të imituar tingujt e tyre, kështu që delfinët zmbrapsen e më pas rishfaqen për të vazhduar rrotullimet.

Peshkojnë dhe luajnë

Pasi kthehemi në varkë, i ndjekim delfinët drejt një limani të qetë. Aty shohim aq shumë delfinë duke kërcyer e spërkatur kudo, sa nuk mund t’i numërojmë. Në të vërtetë, janë duke gjuajtur. Dieta e tyre përbëhet kryesisht nga kallamarët, peshqit dhe krustacet. Madje, shikojmë se si po zhvillohet ai që mund të jetë një leksion mbi peshkimin. Mamaja duket sikur e trullos me ultratingujt një peshk të vogël dhe delfini i vogël duke e qëlluar me bisht, me sa duket, përpiqet ta kapë. Është e dukshme se delfini i vogël ka nevojë për disa leksione të tjera.

Pjesën më të madhe të ditës, delfinët e kalojnë duke luajtur dhe duke u shoqëruar njëri me tjetrin. Një prej tyre noton përpara duke treguar me krenari disa alga në pendët shpinore. Udhërrëfyesja na shpjegon se algat janë një lodër e pëlqyeshme për delfinët. Ata e vënë në një pendë ose në hundë e luajnë me të për një kohë të gjatë. Kur njëri ka mbaruar së luajturi, dikush tjetër do ta kapë e do të luajë me të.

‘Figura mendore të përshkruara nga tinguj’

Për të «parë» më me saktësi mjedisin e tyre nën ujë, delfinët përdorin një sistem me jehona ose tinguj për të përcaktuar vendndodhjen, sistem i cili vepron me një frekuencë të njëjtë me atë të një radiolokatori me ultratinguj. Delfinët nxjerrin jashtë tinguj të mprehtë dhe «figurat» që marrin u japin mundësi të përcaktojnë vendndodhjen e ushqimit dhe objekteve të tjera me interes, përfshirë edhe ne. Delfinët komunikojnë me njëri-tjetrin duke përdorur fishkëllima me ton të lartë, të cilat përhapen me një frekuencë dhjetë herë më të lartë dhe katër herë e gjysmë më shpejt se zëri i njeriut. Në vend që të përdorin një gjuhë ashtu si ne, delfinët duket sikur krijojnë ‘figura mendore të përshkruara nga tinguj’.

Qartë, ka ende shumë gjëra për të mësuar rreth delfinëve. Ndoshta një ditë do t’i kuptojmë plotësisht ata, si mendojnë dhe çfarë mendojnë për ne. Të mbushur me admirim e dashuri, ua lëmë delfinëve këtë liman të këndshëm e të pabanuar, me shkëmbinjtë e mjegullt dhe rërën e bardhë. Kemi fituar respekt për këto krijesa dhe na është rritur frika me nderim për Krijuesin e tyre.​—Zbulesa 4:11.

[Shënimi]

^ par. 4 Lloje të tjera që gjenden rastësisht në Zelandën e Re janë delfinët Lagenorhynchus cruciger dhe Lissodelphis peronii.

[Kutia dhe figura në faqet 18, 19]

Rritja e delfinëve

Delfinët nuk janë peshq, por gjitarë. Prandaj, një delfin i vogël ushqehet me qumësht që prodhohet në trupin e nënës. Gjatë periudhës trevjeçare që kujdeset për të, nëna do t’i mësojë të voglit të saj se si të mbijetojë. Për shembull, do t’i mësojë atij si të përdorë sistemin e jehonave ose të tingujve, duke përfshirë «shenjën» dalluese me anë të së cilës do të mbarojë çdo «fjali». Do t’i mësojë edhe si të peshkojë, si të çiftohet dhe si të komunikojë me delfinët e tjerë.

I vogli, pasi ka qenë i palosur më dysh brenda nënës së tij, në fillim nxjerr bishtin. Tek të sapolindurit janë të dukshme vijat vertikale, të cilat tregojnë se ku ishin palosur në mitër. I vogli pi qumësht ndërsa noton gjatë gjithë kohës duke qëndruar afër nënës për të përfituar nga efektet hidrodinamike të notimit të saj.

[Burimi]

© Jeffrey L. Rotman/CORBIS

[Harta në faqen 19]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

ZELANDA E RE

Gjiri i ishujve

[Figura në faqen 17]

Delfini hundëshishe

[Burimi]

© Jeff Rotman

[Figura në faqen 17]

Delfini hektor

[Burimi]

Foto nga Zoe Battersby

[Figura në faqen 18]

Delfini i murrmë

[Burimi]

Mark Jones

[Figura në faqen 18]

Delfini i zakonshëm

[Burimi]

© R.E. Barber/Visuals Unlimited