Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Çaji kundër viruseve
Studimet paraprake laboratorike tregojnë se «një shumëllojshmëri e madhe e çajeve që dalin në treg duket se i bën viruset joaktivë ose i vret»,—raporton Reuters Health Information. Lloje të ndryshme të çajit të gjelbër dhe të zi, të nxehtë dhe të ftohtë, u provuan tek indet e kafshëve të infektuara me viruse të tilla, si: herpesi simpleks 1 dhe 2, si dhe virusi (bakterial) T1. Sipas studiuesit dr. Miltën Shifenbauer nga universiteti Peis i Nju-Jorkut, «çaji i ftohtë ose çaji i nxehtë shkatërron a e bën joaktiv virusin [herpes] brenda pak minutash». Përfundime të ngjashme u arritën edhe ndaj virusit T1. Edhe pse nuk është ende e qartë sesi çaji pengon mbijetesën e këtyre viruseve, studiuesit kanë zbuluar se çaji jep ende efekt edhe pasi është holluar shumë me ujë. U zbulua se çaji i zi ka një ndikim disi më të efektshëm kundër viruseve, sesa çaji i gjelbër.
Bisedat telefonike çojnë në borxhe
Sipas gazetës The Sunday Telegraph, të rinjtë australianë «rreth moshës 18 vjeç po tregojnë se po humbin të ardhurat financiare për shkak të faturave gjithnjë e në rritje të telefonave celularë». Të ndikuar nga reklamat e fuqishme dhe lehtësia për të telefonuar me kartë krediti, disa të rinj kanë grumbulluar fatura celulari prej mijëra dollarësh. Duke komentuar këtë prirje në rritje mes të rinjve, ministri i tregtisë i Australisë Xhon Vatkinsi tha: «Disa të rinj janë në borxhe kur mbarojnë shkollën e mesme, me një vlerësim jo të mirë kredie. Kjo është vërtet një mënyrë tragjike për të filluar jetën si i rritur.» Gazeta jep sugjerimet e mëposhtme për të ndihmuar të rinjtë që ta shmangin këtë grackë që çon në borxhe. Sigurohuni që të kuptoni plotësisht se sa do të kushtojnë bisedat tuaja telefonike. Shqyrtoni mundësinë për të përdorur një celular të parapaguar që të mos keni një faturë. Për të pakësuar borxhet, përpiquni të përdorni telefonin në oraret kur kushton më pak.
Rreziqe të fshehura në Francë
Rreth 1,3 milion tonë pajisje vdekjeprurëse nga Lufta I dhe II Botërore gjenden të varrosura në Francë, raporton Le Figaro. Ish-fronti është i mbushur me bomba të vjetra dhe predha kimike që vazhdojnë të jenë një kërcënim për njerëzit dhe për mjedisin. Pasi shumë ish-pjesë të papërdorshme toke tani janë të banuara ose zona industriale, skuadrat për heqjen e bombave marrin çdo vit mijëra telefonata. Pavarësisht nga kjo, gjatë viteve 1945-1985, kanë ndodhur qindra aksidente dhe më shumë se 600 specialistë për heqjen e bombave kanë vdekur në krye të detyrës. Sipas specialistëve, me shpejtësinë e tanishme, mund të duhen 700 vjet për të zhdukur këtë arsenal.
Ujë për turistët?
«Shumë nga vendet turistike në botë po luftojnë për të përballuar valën e pashtershme të turistëve, kërkesa e të cilëve për më tepër pishina dhe fusha golfi po i shteron furnizimet e tyre me ujë»,—raporton The Guardian e Londrës. «Ky problem është i rëndë dhe mbarëbotëror,—thotë Trishia Barnet për problemet e turizmit.—Ndonjëherë, shohim një fshat [në Afrikë] me një rubinet të vetëm uji, kurse çdo hotel ka rubineta dhe dushe në çdo dhomë.» Një organizatë mbarëbotërore për mbrojtjen e mjedisit llogarit se një turist në Spanjë përdor 880 litra ujë në ditë, kurse një banor vendës përdor vetëm 250 litra. Një fushë golfi me 18 gropa, në një vend me kohë të thatë, mund të kërkojë aq shumë ujë sa një qytet me 10.000 banorë. Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë përllogaritin se uji që përdorin 100 turistë në 55 ditë, do të bënte të rritej oriz i mjaftueshëm për të ushqyer 100 fshatarë për 15 vjet.
Rreziqet e pirjes së duhanit
«Mes personave që nuk pijnë duhan, një në çdo tetë vdekje prej kancerit të mushkërive shkaktohet nga thithja e tymit të duhanit»,—pohoi Naohito Jamaguki nga Instituti Kombëtar i Qendrës Kërkimore për kancerin në Japoni. Shkencëtarët i mbështetën përfundimet e tyre në një studim të bërë me 52.000 njerëz që vdiqën nga kanceri i mushkërive. Përveç kësaj, gazeta Asahi Shimbun thotë se «një kërkim shumëvjeçar tregon që oksidi helmues i karbonit dhe kancerogjenët janë më të përhapur tek ata që e thithin tymin e duhanit, sesa tek ata që pijnë duhan». Në vitin 1999, një studim i qeverisë në Japoni me 14.000 njerëz tregoi se 35 për qind e atyre që ishin në punë ose në shkollë dhe 28 për qind e atyre në shtëpi gjenden në rrezik nga thithja e tymit të duhanit. Jamaguki thotë: «Duhanpirësit duhet të bëhen të vetëdijshëm se po i dëmtojnë ata që nuk pijnë duhan në një shkallë të tillë, saqë është e nevojshme të bëhet një përpjekje e ndërgjegjshme për t’i ndarë këto dy grupe.»
Tregtia moderne e skllevërve
Tani, «sipas studimit më të fundit të bërë nga një kërkues me origjinë britanike, skllavëria është më e zakonshme përreth botës se kurrë më parë në historinë njerëzore»,—raporton The Independent e Londrës. Sipas kësaj gazete, profesori i sociologjisë Kevin Bals, i universitetit të krahinës Surrei në qytetin Rohampton, «ka llogaritur se sot 27 milionë njerëz jetojnë si skllevër. Kjo shifër është më e madhe sesa në Perandorinë Romake, ose sesa në kohën kur tregëtia e skllevërve përtej Atlantikut arriti kulmin». Edhe pse metodat e sotme të skllavërisë mund të ndryshojnë nga ato të 150 vjetëve më parë, miliona njerëz «janë nën kontrollin e të tjerëve duke iu nënshtruar dhunës ose kërcënimeve për dhunë dhe nuk paguhen fare»,—thotë Balsi. Forma më e zakonshme e skllavërisë së sotme është skllavëria me kontratë, ku për një çmim të caktuar bandat organizojnë kalimin e personave nga njëri vend në tjetrin duke u premtuar një punë me pagë të lartë. Mirëpo, pasi hyjnë në mënyrë të jashtëligjshme në një vend, këta persona shfrytëzohen duke bërë punë të ulëta, pasi janë të detyruar të lajnë borxhet.
Ushtrimet fizike mund të lehtësojnë depresionin
«Për disa pacientë, ushtrimet fizike mund të jenë më të efektshme sesa një kurë e zakonshme me ilaçe për depresionin»,—thotë The Harvard Mental Health Letter, duke komentuar për studimin e bërë në Duke University Medical Center në Shtetet e Bashkuara. Tri grupeve me nga 50 njerëz që vuanin nga depresioni i rëndë iu dha një terapi e ndryshme për katër muaj. Një grup mori ilaçe kundër depresionit, një tjetër bëri vetëm ushtrime fizike dhe i treti i bëri që të dyja. Pas katër muajsh, nga 60 deri në 70 për qind e pacientëve në të tria grupet «nuk ishin më klinikisht me depresion»,—tha The Health Letter. Gjithsesi, gjatë një periudhe pasuese gjashtë mujore, pacientëve të cilëve iu kërkua të bënin terapi me ushtrime fizike «ishin në gjendje më të mirë si emocionale, edhe fizike; ata që e kishin përsëri sëmundjen ishin vetëm 8 për qind». E krahasuar kjo me 38 për qind të atyre që morën ilaçe dhe 31 për qind të atyre që i bënë të dyja.
Rikthimi i shkëmbinjve koralorë nënujorë xhamajkanë
Sipas një artikulli në The Dallas Morning News, duket sikur iriqët e detit po shfaqen përsëri në brigjet veriore të Xhamajkës. Përveç kësaj, «shkencëtarët kanë zbuluar shumë korale të vegjël, përfshirë edhe lloje të qëndrueshme e ato që formojnë shkëmbinj nënujorë të harlisur, bashkë me iriqët e detit». Që nga koha kur një lloj iriqi deti i quajtur Diadema antillarum ngordhi papritur në vitin 1983 dhe 1984, shkëmbinjtë nënujorë kanë kaluar vështirësi për të mbijetuar. Disa lloje iriqësh deti kontrollojnë zhvillimin e algave, të cilat nëse nuk mbahen nën kontroll mund të shkatërrojnë shkëmbinjtë koralorë nënujorë. Megjithatë, gazeta thotë se, «studime të reja tregojnë që Diadema po riprodhohet dhe koralet mund të bëjnë të njëjtën gjë». Biologia detare Nensi Noltën thotë se ky riprodhim është «lajmi më i mirë që nuk është dëgjuar prej dekadash për sa i përket shkëmbinjve koralorë të Karaibeve».
Krijesat e detit të helmuara nga kokrra plastike
«Krijesat e detit përreth globit po helmohen nga kokrra të vogla plastike që pluskojnë në oqean»,—raporton revista New Scientist. Shoqëritë që prodhojnë lëndë kimike, ngarkojnë në anije për prodhuesit në të gjithë botën polimerë në formën e kokrrave të vogla, të cilat i shkrijnë dhe më pas i përdorin për të prodhuar produkte plastike. Por mijëra tonë të këtyre kokrrave kalojnë në det si mbeturina të fabrikës ose të qytetit si edhe nga ngarkesat që anijet humbin ose flakin në det. Studiues nga universiteti i agrokulturës dhe teknologjisë në Tokio, Japoni, zbuluan se kokrrat përmbajnë lëndë kimike toksike me përqendrim të lartë të cilat i marrin nga uji i detit. Këto lëndë kimike dëmtojnë imunitetin e kafshëve, pjellorinë dhe sistemin e tyre hormonal. Zogjtë, peshqit dhe breshkat e ujit i hanë këto kokrra, duke i marrë gabimisht për vezë peshku ose ndonjë ushqim tjetër. Kështu që ka pasoja shqetësuese për gjithë zinxhirin ushqimor.