Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vizitë magjepsëse në Parkun Olimpik Kombëtar

Një vizitë magjepsëse në Parkun Olimpik Kombëtar

Një vizitë magjepsëse në Parkun Olimpik Kombëtar

I RRITUR afër malit të vërtetë Olimp në jug të Evropës, ishte e natyrshme të bëhesha kureshtar për veçoritë mbresëlënëse të një gadishulli mijëra kilometra larg këtij mali, i cili shtrihet në drejtim të Paqësorit nga një cep i Amerikës së Veriut. Mjaftoi që një shok të më përmendte pyjet e shiut në atë vend të largët​—8.000 kilometra në veriperëndim të Amazonës​—dhe u josha për të shkuar në Parkun Olimpik Kombëtar.

Nga disa kërkime që bëra përpara vizitës zbulova se ky park prej 350.000 hektarësh ndodhet në skajin veriperëndimor të Shteteve të Bashkuara, në shtetin e Uashingtonit. Ai është stolisur në mënyrë magjepsëse me mrekullitë e natyrës. Të zhytura në mjegullën e Paqësorit që mbështjell brigjet dhe pjesët më të larta të pyjeve në male, mund të shihen pemë të mëdha e një vijë bregdetare e dhëmbëzuar. Këtu, klima është një nga më të lagështat në tokë. Në park ka male të larta, me maja të mbuluara me borë e plot me akullnaja që lëvizin shumë ngadalë, si edhe një pyll shiu po aq misterioz dhe të errët, sa të gjitha pyjet në zonën e Amazonës.

Në vitin 1788, një kapiten anglez e quajti majën më të lartë​—që ngrihet më shumë se 2.500 metra mbi nivelin e detit​—mali Olimp, sipas legjendave ai ishte vendbanimi i perëndive mitike të Greqisë. Për ta ruajtur këtë natyrë të virgjër, në vitin 1938 u krijua Parku Olimpik Kombëtar.

Pyje shiu në Amerikën Veriore?

Në një mëngjes të këndshëm vjeshte, Majku, një vendas dhe, gjithashtu, një udhërrëfyes, na priste mua dhe gruan time në qendrën administrative të parkut, në Port-Anxheles. Majku një burrë i gjatë e shpatullgjerë krenohet duke u treguar vizitorëve si ne, thesaret e pyllit të shiut. «Pyjet e shiut janë ndoshta dukuria më e jashtëzakonshme në Parkun Olimpik Kombëtar,​—tha ai me një entuziazëm të dukshëm.​—Termi ‘pyje shiu’ përdoret zakonisht për pyjet tropikale. Pyjet tona këtu janë pyje shiu që në gjerësi të tilla gjeografike me klimë të butë kanë një shtrirje më të vogël.» Kur e pyes të më shpjegojë përse është kështu, Majku është i shpejtë për të dhënë statistika: pyjet ushqehen me shira të bollshme që bien në shpatet perëndimore të Maleve Olimpik. Këto reshje bien rreth 200 centimetra në vit afër brigjeve, kurse përgjatë luginave lumore rrëzë maleve arrijnë në 400 centimetra ose më shumë. Pjesa më e madhe e pyjeve të shiut gjendet në tri kodra: në ato të lumenjve Hou, Kuits, Kuinolt.

Në humusin e pyllit gati gjysmë metri të trashë, hapat tanë pothuajse nuk dëgjohen fare. Dendësia e pemëve e mban erën, madje dhe shiu që bie shumë shpesh këtu, depërton si një lloj mjegulle e gjelbër. Në pyll, rrezet e diellit depërtojnë deri te ne duke ndriçuar vetëm sipërfaqe shumë të vogla. Edhe kënga më e lehtë e zogjve duket shurdhuese e hera-herës drerët kalojnë shpejt si hije kafe mes trungjeve të mbuluara me myshk.

Atje ku pemët rriten mbi pemët e tjera

Meqë humusi në tokë është kaq i dendur, farërat rrallë kanë mundësi të rriten​—kjo është arsyeja që shumica e pemëve më të mëdha në pyll kanë mbirë mbi pemë që përmbajnë lëndët ushqyese të nevojshme për rritjen e tyre. Këto janë pemë të rëna, të dekompozuara që shërbejnë si vend pjellor për farërat që bien në to. Nuk është e jashtëzakonshme të shikosh disa pemë të mëdha që rriten njëra pas tjetrës përgjatë një peme gjigante të rrëzuar. Përhapja e gjerë e këtyre pemëve shpjegon zhvillimin e herëpashershëm të kolonadave të pemëve​—sikur ato të jenë mbjellë me kujdes në rreshta.

Ndërsa ngjitemi më lart në Malet Olimpik duke lënë mbrapa rrugët e sheshta, pylli ndryshon pamje. Mbizotëron bredhi ngjyrë argjendi i Paqësorit në lartësinë e tij më të madhe dhe bredhi alpin. Në faqet e malit Olimp ka 7 akullnaja, të cilat në disa vende kanë një trashësi prej 300 metrash, dhe ka më shumë se 50 akullnaja në zonën malore.

Maja të thepisura dhe kreshta të mbuluara me akullnaja

Duhet t’i rifitonim energjitë e humbura në atë udhëtim të mundimshëm. Kështu që ditën tjetër e filluam me një mëngjes të bollshëm në një restorant në Port-Anxheles. Arlinit, kamarieres sonë miqësore, i ngjallte më shumë emocione dëbora, sesa shiu që binte në atë zonë. Ajo këmbënguli duke thënë se nëse nuk do të ngjiteshim drejt shpateve të mbuluara me borë në lindje të parkut do të ishte njësoj sikur s’kishim parë asgjë nga mrekullitë e Parkut Olimpikut.

Duke ndjekur rrugën në lindje të Port-Anxhelesit drejt Parkut të Drerëve, shpejt u gjendëm në një rrugë kryesisht të thepisur e të pashtruar, me kthesa të forta njëra pas tjetrës. U shpërblyem me një pamje madhështore! Në veri mund të shihnim ishullin Vankuver që ndodhej matanë ngushticës Huan-de-Fuca, dhe në jug vështrimi arrinte deri në zemrën madhështore dhe plot akuj të Maleve Olimpik. Në livadhet alpine mund të shihnim drerë të shumtë dhe disa bimë të brishta që s’rriten asgjëkundi tjetër në tokë, ndër të cilat një lloj lulekëmbane (Campanula piper) dhe një lloj manushaqeje (Viola fletti).

Pastaj arritëm te Kreshta Uragan. Shihet qartë sepse rruga që çon drejt saj është një rrugë e njohur malore në park. Është një rrugë e mirë, që fillon afër qendrës administrative të parkut dhe përfundon në luginat me lule pikërisht rrëzë Maleve Olimpik në një lartësi prej 1.755 metrash. Që këtu malet shtrihen larg drejt jugut, si një varg majash me borë me akullnajat që mbulojnë luginat mes tyre. Ishim duke kundruar pamjen kur grumbuj resh të mëdha vinin nxitimthi që nga perëndimi.

Zambakët e parë lulëzojnë kur dëbora fillon të zhduket nga luginat dhe për tre muajt pasues dalin me radhë lule të tjera shumëngjyrëshe. Mund të shihet ndonjë dre që kullot në këtë mjedis malor madhështor dhe ndonjëherë dhitë e malit mund të dallohen që ngjiten nëpër shkëmbinjtë e rrëpira sipër rrugës.

Dallgët e fuqishme shkumëzuese të Paqësorit

Pjesa më e bukur e plazheve të Parkut Olimpik mund të arrihet duke ecur më këmbë, jo me makinë. Duke ecur përmes pyjeve nga qyteti lindor Forks, arritëm në brigjet me pellgje të formuara nga batica. Këtë pellgje gëlonin nga një faunë detare gjithmonë mahnitëse. Pasi kaluam Kepin Tiuiti, larg nga bregu na u shfaq para papritmas Xhajënts Greivjardi, një grumbull i ndërlikuar formacionesh shkëmbore me forma të çrregullta, ku përplaseshin dhe shkumëzonin dallgët e mëdha të Paqësorit. Pemët përgjatë këtyre brigjeve janë përkulur pothuajse deri në tokë nga era e fortë e detit që fryn vazhdimisht. Edhe pse frynte erë e fortë vazhduam të ecnim gjatë bregut të detit. Përreth shihnim gurë të lëmuar mirë dhe drurë që i kishte nxjerrë deti në breg. Me format e tyre si të gdhendura nga deti dukeshin shumë të këndshme.

Përvoja jonë në Parkun Olimpik Kombëtar lidhej kryesisht me natyrën e virgjër dhe përjetësinë. Kjo përvojë na mbushi me nderim të thellë për Krijuesin, pasi «në duart e tij janë thellësitë e tokës dhe të tijat janë majat e larta të maleve. I tij është deti, sepse ai e ka bërë, dhe dheu i thatë që duart e tij kanë modeluar». (Psalmi 95:4, 5)​—Nga një bashkëpunëtor.

[Kutia në faqen 25]

Pse kaq shumë reshje?

Retë e ngarkuara, të cilat i sjell në brendësi të vendit një rrymë bregdetare e ngrohtë e Paqësorit, detyrohen të ngrihen për shkak të pengesës që paraqesin Malet e larta Olimpik. Kur retë ulen, ftohen dhe avujt e tyre kondensohet, duke dhënë shira të bollshme ose dëborë. Kështu, në shpatin perëndimor të maleve bien më shumë se 350 centimetra reshje në vit. Në malin Olimp bien rreth 500 centimetra reshje, kryesisht në formën e borës. Sidoqoftë, toka në pjesën lindore të malit qëndron relativisht e thatë. Prandaj ky vend njihet si një strehë për shiun.

[Harta në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

OQEANI PAQËSOR

KANADA

SHBA

PARKU OLIMPIK KOMBËTAR

[Figurat në faqen 23]

Mali Olimp i mbuluar me akullnaja shtrihet deri në pyllin e shiut Hou

[Figura në faqen 23]

Liqeni Houm në krye të luginës së lumit Dënxhënes

[Figurat në faqen 24]

Në livadhet alpine, ka shumë drerë dhe bimë të veçanta, si kjo lloj manushaqeje

[Figura në faqet 24, 25]

Bregu i Paqësorit në plazhin Kalalok

[Figura në faqen 25]

Ujëvarat Sol Duk

[Figura në faqen 25]

Pemë e nxjerrë në breg nga deti përgjatë plazhit Rialto