Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Interesimi për okultizmin: Ç’të keqe ka?

Interesimi për okultizmin: Ç’të keqe ka?

Të rinjtë pyesin . . .

Interesimi për okultizmin: Ç’të keqe ka?

A JANË adoleshentët me të vërtetë të interesuar për okultizmin (ose gjërat e mistershme)? Një grup kërkuesish u përpoq ta zbulonte këtë duke bërë një anketë me nxënës të 115 shkollave 8-vjeçare dhe të mesme. Nga anketa dolën këto të dhëna domethënëse: Më shumë se gjysma e atyre që u anketuan (54 për qind) thanë se janë të interesuar për okultizmin dhe për gjërat e mbinatyrshme, kurse çereku i të anketuarve (26 për qind) thanë se janë «shumë të interesuar».

Disa kërkues nga universiteti i Alaskës në Ankorixh shkruajnë: «Artikujt e gazetave dhe të revistave që flasin për një shpërthim të supozuar të aktivitetit të kultit satanik . . . janë shtuar shumë vitet e fundit.» Ekspertët thonë se dëshmitë faktike që mbështetin supozimet e përhapjes së satanizmit mes të rinjve janë të pakta. Gjithsesi, nuk ka dyshim se shumë të rinj janë të interesuar për fusha të satanizmit dhe të okultizmit, edhe sikur një interes i tillë të jetë vetëm i rastësishëm.

Prandaj, disa të rinj mund të pyesin: ‘Ç’të keqe ka të interesohesh për okultizmin?’ Për t’u përgjigjur, le të shohim së pari disa mënyra në të cilat të rinjtë përfshihen në okultizëm.

Joshja e okultizmit

Një artikull në U. S. News & World Report vëren se «fëmijët dhe adoleshentët sot kanë në dispozicion dhe janë të ekspozuar ndaj një numri të madh çoroditës e shpesh shqetësues pamjesh dhe informacionesh, që edhe 20 vjet më parë do të kishin qenë të paimagjinueshme». Kureshtja i shtyn shumë të rinj të lexojnë libra dhe revista, të shohin videokaseta ose të hyjnë në faqet e Internetit që përmbajnë materiale të okultizmit.

Sipas emisionit të lajmeve të BBC-së, programet e njohura televizive që paraqesin shtriga dhe vampirë «nxitin te fëmijët një interes për shtrigërinë». Ngjashëm, ka disa lloj muzike heavy-metal që trajtojnë tema të dhunshme ose demonike. Gazetari Tom Harpër shkroi në gazetën e Torontos The Sunday Star: «Duhet të jap paralajmërimin më të fortë që ekziston rreth asaj që po ndodh [me muzikën]. . . . Nuk kam parë kurrë një gjë kaq të degjeneruar. Këngët janë plot me çmenduri, pushtim nga demonët, demonë, gjakderdhje, mallkime, dhunë të çdo lloji, përfshirë përdhunimet, vetëgjymtimet, vrasjet dhe vetëvrasjet. Vdekja dhe shkatërrimi, profecitë për katastrofat, mohimi i gjithçkaje që është e mirë dhe miratimi i çdo gjëje që është e neveritshme dhe e keqe​—këto janë temat.»

A çon me të vërtetë dëgjimi i një muzike të tillë në një sjellje shkatërrimtare? Me sa duket ky ishte përfundimi në të paktën një rast, tek një i ri 14-vjeçar në Shtetet e Bashkuara, i cili vrau me thikë nënën dhe më pas vrau veten. Muret e dhomës së tij ishin të mbushura me afishet e këngëtarëve të muzikës heavy-metal. Më pas babai i tij u përgjërua, duke thënë: «Thuajuni prindërve që të kontrollojnë se çfarë muzike dëgjojnë fëmijët e tyre.» Ai tha se një javë para se i biri të vriste nënën, këndonte vazhdimisht një këngë rok «që fliste për gjakderdhje dhe për vrasjen e nënës».

Në kompjuter ka edhe lojëra me role, disa prej të cilave i lejojnë pjesëmarrësit të bëjnë rolin e magjistarit, si dhe role të tjera që lidhen me okultizmin. Shumë nga këto lojëra paraqesin dhunë demonike. *

Megjithatë, instituti kërkimor Mediascope raporton: «Studimet tregojnë se parapëlqimi i muzikës heavy-metal mund të jetë një tregues i rëndësishëm i veçimit, i abuzimit me substancat që shkaktojnë varësi, i çrregullimeve psikiatrike, i rreziqeve për vetëvrasje ose . . . i sjelljeve të rrezikshme gjatë adoleshencës, por, gjithsesi, nuk është muzika shkaku i këtyre sjelljeve. Mendohet se adoleshentët që tashmë po luftojnë me këto probleme, mund të tërhiqen drejt muzikës heavy-metal, pasi teksti shpreh ndjenjat e tyre të trazuara.»

Jo të gjithë kërkuesit mund të jenë të të njëjtit mendim për rreziqet që vijnë duke dëgjuar muzikë satanike. Por, a nuk do të ishte veçse helmues përdorimi rregullisht i videokasetave, i muzikës ose i lojërave që theksojnë dhunë ose vetëgjymtim? Megjithatë, për të krishterët, interesimi për okultizmin paraqet një rrezik edhe më të madh.

Pikëpamja e Perëndisë për okultizmin

Te 1 Korintasve 10:20 apostulli Pavël i paralajmëroi të krishterët: «Unë nuk dua që ju të bëheni pjesëmarrës me demonët.» Por, kush janë demonët dhe përse është kaq e rrezikshme të kesh të bësh me ta? E thënë thjesht, demonët në fillim ishin engjëj, të cilët zgjodhën të ndjekin Satana Djallin. Satana do të thotë «kundërshtar» dhe Djall do të thotë «shpifës». Sipas Biblës, ky, që më parë ishte një bir engjëllor i Perëndisë, e bëri veten kundërshtar dhe shpifës duke zgjedhur të rebelohej kundër Perëndisë. Me kalimin e kohës, ai tërhoqi engjëj të tjerë në udhën e tij të rebelimit. Në këtë mënyrë, këta përkrahës u bënë demonë.​—Zanafilla 3:1-15; 6:1-4; Judës 6.

Jezui e quajti Satanain «sundimtari i kësaj bote». (Gjoni 12:31) Për shkak se po u kanoset shkatërrimi, Satanai dhe demonët e tij kanë «zemërim të madh». (Zbulesa 12:9-12) Nuk është për t’u habitur që ata që kanë pasur lidhje me demonët kanë parë se demonët janë të degjeneruar. Një grua nga Surinami, e cila u rrit në një familje që praktikonte spiritizmin, e pa me sytë e saj se si demonët «kënaqeshin duke i torturuar viktimat e tyre të pafajshme». * Prandaj, të kesh çfarëdolloj lidhjeje me këto krijesa mizore frymore, është jashtëzakonisht e rrezikshme.

Për këtë arsye, Perëndia e urdhëroi popullin e tij të lashtë, Izraelin, që të shmangte çdo praktikë okultizmi. «Të gjithë ata që merren me këtë punë neveriten nga Zoti»,​—paralajmëron Ligji i përtërirë 18:10-12. Në mënyrë të ngjashme, të krishterët u paralajmëruan se «ata që praktikojnë spiritizmin» do të shkatërrohen nga Perëndia. (Zbulesa 21:8) Qoftë edhe interesimi për okultizmin dënohet nga Perëndia. «Mjaft e prekët gjënë e ndyrë»,​—urdhëron Bibla.​—2 Korintasve 6:17.

Lirohuni nga praktikat e okultizmit

A keni gabuar duke u interesuar për okultizmin? Nëse po, shqyrtoni se çfarë ndodhi në shekullin e parë, në qytetin e Efesit. Në këtë vend shumë veta «kishin praktikuar artet magjike». Por disa prej tyre u prekën nga veprat e fuqishme që kreu apostulli Pavël me ndihmën e frymës së shenjtë. Përfundimi? «Mjaft nga ata që kishin praktikuar artet magjike, i grumbulluan librat e tyre dhe i dogjën para të gjithëve. Dhe llogaritën çmimin e tyre të përbashkët dhe gjetën se vlenin pesëdhjetë mijë monedha argjendi. Kështu, në mënyrë të fuqishme fjala e Jehovait vazhdoi të rritej e të forcohej.»​—Veprat 19:11-20.

Çfarë kuptojmë nga kjo? Se nëse një person dëshiron të lirohet nga kthetrat e demonëve, ai ose ajo duhet të shkatërrojë të gjitha sendet që lidhen me adhurimin satanik! Këtu përfshihen të gjitha librat, revistat, posterat, librat komikë, videokasetat, hajmalitë (sende që mbahen për «mbrojtje»), si edhe materialet demonike që merren nga Interneti. (Ligji i përtërirë 7:25, 26) Zhdukni çdo send që mund të përdoret për shortari, si sfera e kristaltë ose tabelat Ouija. Zhdukni, gjithashtu, muzikën ose videokasetat që kanë tema satanike.

Për të marrë hapa të tillë të guximshëm duhet kurajë dhe vendosmëri. Por dobitë mund të jenë të mëdha. Një e krishterë që quhej Xhejn * bleu një lojë kompjuteri që në fillim i dukej e padëmshme. Ndërsa kalonte nga një fazë e lojës në një tjetër, ajo zbuloi se disa aspekte të lojës kishin ngjyrime spiritiste. S’kaloi shumë e filloi të shihte ëndrra të dhunshme. «U zgjova në mes të natës,​—thotë Xhejni,​—dhe i shkatërrova disqet që kishin lojën.» Përfundimi? «Që nga ajo kohë nuk kam pasur më shqetësime.»

Nëse tregoni se jeni vërtet të vendosur që të liroheni nga praktikat e okultizmit, do t’ia dilni mbanë. Sillni ndër mend vendosmërinë që tregoi Jezui kur Djalli u përpoq ta tundonte që ai ta adhuronte. «Jezui i tha: ‘Ik, Satana! Sepse është shkruar: “Jehovain, Perëndinë tënd duhet të adhurosh dhe vetëm atij duhet t’i bësh shërbim të shenjtë.’” Atëherë, Djalli e la.»​—Mateu 4:8-11.

Mos luftoni vetëm

Apostulli Pavël na kujton se të gjithë të krishterët ‘kanë një përleshje . . . kundër forcave të liga frymore në vendet qiellore’. (Efesianëve 6:12) Por, mos u përpiqni të luftoni të vetëm kundër Satanait dhe demonëve të tij. Kërkoni ndihmë nga prindërit me frikë Perëndie dhe nga pleqtë në kongregacionin tuaj të krishterë. Të tregoni që jeni përfshirë në një gjë të tillë mund të jetë e vështirë, por kjo mund t’ju sjellë mbështetjen për të cilën keni kaq shumë nevojë.​—Jakovit 5:14, 15.

Gjithashtu, mos harroni se Bibla thotë: «Kundërvijuni Djallit, dhe ai do të ikë nga ju. Afrojuni Perëndisë dhe ai do t’ju afrohet juve.» (Jakovit 4:7, 8) Po, keni mbështetjen e Perëndisë Jehova! Ai do t’ju ndihmojë të çliroheni nga gracka e okultizmit.

[Shënimet]

^ par. 10 Shih artikullin «Të rinjtë pyesin . . . A ka ndonjë rrezik në lojërat me role?» në Zgjohuni! të 22 gushtit 1999, anglisht.

^ par. 15 Shiko artikullin «Jam liruar nga zgjedha e spiritizmit», në Kulla e Rojës të 1 shtatorit 1987 (anglisht), revistë tjetër botuar nga Dëshmitarët e Jehovait.

^ par. 20 Emri është ndryshuar.

[Figura në faqen 26]

Zhdukni të gjitha objektet që kanë lidhje me adhurimin satanik

[Figura në faqen 26]

Ruhuni nga faqet e Internetit që nxitin spiritizmin