Ndryshon mendimi për digat
Ndryshon mendimi për digat
DIKUR TË SHPALLURA SI ZGJIDHJA e nevojës për ujë e për elektricitet, tani në shumë vende digat nuk po shihen me një sy dhe aq të mirë si më parë. «Supozimi se përfitimet i tejkalojnë dëmet nuk është më dhe aq bindës,—thotë revista World Watch.—Tani që përreth botës janë ndërtuar më shumë se 45.000 diga të mëdha (më se 15 metra të larta), gjithnjë e më shumë kërkime tregojnë se dëmet e tyre mund të jenë më të mëdha sesa shumë veta mund të kenë menduar ndonjëherë.» Cilat janë disa nga këto dëme?
Një nga dëmet kryesore është prishja në masën 60 për qind e ujërave të lundrueshme të botës. World Watch komenton: «Lumenjtë po sulmohen nga ana ekologjike. Ata po i shterojnë, po u ndërrohet rrjedha, po ndoten dhe po bllokohen me një shpejtësi të tillë që ka prishur ekosistemet e ujërave të ëmbla në mbarë botën. Meqë më shumë se gjysma e lumenjve të botës janë bllokuar secili nga të paktën një digë e madhe . . . , digat kanë luajtur një rol të madh në prishjen e ekuilibrit ekologjik të lumenjve. Për shembull, të paktën një e pesta e peshqve të ujërave të ëmbla tani janë në rrezik ose janë zhdukur.» Madje, edhe në oqeane janë prekur peshq të tillë si salmoni, të cilët digat mund t’i pengojnë që të notojnë për t’u futur në lumenj e për t’u riprodhuar.
Edhe pikëpamja që kishin në përgjithësi njerëzit se energjia e hidrocentraleve nuk shkakton ndotje tani po vihet në dyshim. Përse? Sepse lënda organike që përfundon në rezervuare kalbëzohet e çliron sasi të mëdha gazesh që shkaktojnë efektin serrë. Gjithashtu, ka edhe dëmin shoqëror. Për shkak të digave, 40 deri në 80 milionë njerëz janë shpërngulur—më tepër se popullsia e shumë vendeve—shpesh nga disa prej tokave më pjellore të botës.
Ky ndryshim i qëndrimit në lidhje me vlerën e digave sa vjen e përhapet. Për shembull, Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë gjithsej një shifër marramendëse prej 75.000 digash të të gjitha përmasave, të shpërndara në ujërat e lundrueshme të vendit, tani janë në vend të parë në botë për heqjen nga funksionimi dhe për shembjen e digave. Edhe Banka Botërore i ka pakësuar fondet për projektet e ndërtimit të digave.
Është e vërtetë se digat shërbejnë për disa qëllime të dobishme. Por, ashtu si edhe në shumë përpjekje të tjera, mania e shfrenuar e njerëzimit për të ndërtuar diga ka treguar mungesën e mençurisë dhe të largpamësisë, duke vërtetuar fjalët e profetit Jeremia se «nuk i përket njeriut që ecën, as të drejtojë hapin e tij».—Jeremia 10:23, BR.
[Burimi i figurës në faqen 31]
FOTO: MOURA