Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Pulovra për pinguinët
Në Tasmani të Australisë u dërguan më shumë se 1.000 pulovra të bëra nga vullnetarët përreth botës. Kush do t’i veshë ato? Pinguinët xhuxhë, zogjtë e vegjël që peshojnë rreth një kilogram dhe jetojnë në një zonë shpesh të mbuluar nga derdhjet e naftës. «Kur pastrojnë pendët me sqep,—shpjegon National Post e Kanadasë,—ata gëlltitin naftën helmuese që u është ngjitur në pendë. Vullnetarët ua veshin pulovrat zogjve të llangosur me naftë për t’i penguar që ta gëlltitin atë [para] se të pastrojnë pendët.» Veç kësaj, siç raporton Post, pulovrat ndihmojnë për t’i mbajtur ngrohtë pinguinët. Xho Kasëlli, zëdhënësja e Shoqatës Tasmaniane për Ruajtjen e Natyrës, thotë se pulovrat janë përdorur për zogjtë e detit në hemisferën e veriut, por modeli «u përshtat edhe për pinguinët e vegjël në hemisferën e jugut».
Polemikë për rrufitjen
Të rrufitësh a të mos rrufitësh: kjo është çështja, të paktën për klientët e restoranteve të njohura japoneze ku gatuhet supë me makarona petë. Shumë japonezë në moshë të mesme dhe të shkuar mendojnë se petët e gjata, në të vërtetë, shijojnë më shumë nëse rrufiten së bashku me lëngun e mishit e kur janë ende të nxehta. Për ta rrufitja me zhurmë është normale dhe një mënyrë për të treguar që dikush po e shijon vërtet ushqimin. Por, brezi i ri në Japoni ka një pikëpamje të ndryshme për rregullat e mirësjelljes kur hanë makarona petë. Gazeta Japan Times raporton: «Japonezët më të rinj janë më tepër të shqetësuar se mos i pikojnë me supë kravatat prej mëndafshi dhe veshjet [e firmuara]. Meqë janë rritur kryesisht sipas mënyrës perëndimore të sjelljes, madje edhe për sa i përket ushqimit, ka të ngjarë që të fyhen kur dikush pranë tyre rrufit.» Kjo çështje e rrufitjes është bërë një nga shkaktarët e hendekut midis brezave në Japoni, duke bërë që disa të moshuar të mos ndihen rehat nga frika se mos prishin qetësinë kur hanë makarona në publik. Duke marrë anën e brezit më të vjetër, një gazetë e madhe japoneze ankohej: «Do të ketë një ndjenjë të vërtetë vetmie kur askush të mos bëjë më zhurmë duke rrufitur.»
Rreziqet e pijeve alkoolike
«Dëmtimet, gjymtimet dhe vdekjet për shkak të pijeve alkoolike te grupmoshat e reja në Evropë janë rritur në mënyrë shqetësuese në vitet e fundit»,—raporton gazeta mjekësore britanike The Lancet. Në Evropë, ku përdorimi i pijeve alkoolike është më i larti në botë, pijet alkoolike vrasin 55.000 të rinj çdo vit. Kur i pyetën për zakonet e të pirit, një e treta e studentëve të anketuar në Britani, në Danimarkë, në Finlandë, në Grënlandë dhe në Irlandë pranuan se gjatë muajit të kaluar ishin dehur të paktën tri herë. Sipas një studimi me 100.000 studentë nga mosha 15 deri në 16 vjeç në 30 vende evropiane, rritjet më të mëdha të përdorimit të pijeve alkoolike nga të rinjtë kanë ndodhur në Lituani, në Poloni, në Republikën e Sllovakisë dhe në Slloveni. Siç raportohet në gazetën e Londrës Independent, Kolegji Mbretëror i Mjekëve në Britani lajmëron se te gratë në fillim të të 20-ve «tani po diagnostikohet cirroza e përparuar e mëlçisë, që zakonisht shfaqet pikërisht tek ata burra që pinë rëndë në të 40-at dhe në të 50-at». Kolegji «i identifikoi pijet alkoolike si një nga problemet më të kushtueshme të shëndetit publik në Britani».
Kalon Paqësorin me varkë me rrema
Pa ndihmën e velave ose të një motori, një burrë i vetëm lundroi mespërmes Oqeanit Paqësor me një varkë të vogël, të mbuluar pjesërisht. Gazeta e Limës El Comercio raporton se anglezi Xhim Shekdar u largua nga bregu i Perusë në qershor të vitit 2000. Lundërtari aventurier mori me vete një shkripëzues portativ për ujin, një radio, katër sisteme komunikimi satelitore dhe një panel diellor për t’i furnizuar me energji të gjitha këto. Në mars të 2001-shit, pas nëntë muajsh dhe pas 8.000 miljesh detare, burri, të cilin disa e kishin quajtur «lundërtari i marrë», arriti në brigjet e Australisë. Gjatë udhëtimit të tij, ai u shpëtoi dhjetë sulmeve të peshkaqenëve dhe për pak sa s’u përplas me një anije-cisternë me naftë. Por, sfida përfundimtare erdhi ditën e fundit kur dallgët ia përmbysën varkën dhe iu desh t’i bënte me not 100 metrat që i mbeteshin për të arritur te familja e tij që po e priste.
Përzemërsia e mjekut shpejton shërimin
«Një mjek miqësor, inkurajues dhe i përzemërt arrin përfundime me të vërtetë më të mira»,—pohon gazeta The Times e Londrës. Pas shqyrtimit të 25 studimeve në lidhje me këtë çështje, kërkuesit nga universitetet e Jorkut, të Ekseterit dhe të Lidsit në Angli, nxorën përfundimin: «Mjekët që u përpoqën të krijonin një lidhje të ngrohtë dhe miqësore me pacientët e tyre dhe i siguronin ata se së shpejti do të bëheshin më mirë, ishin më të efektshëm se mjekët që mbanin një qëndrim zyrtar, të ftohtë dhe ishin të paqartë gjatë konsultave të tyre.» Në Suedi një studim tregoi se pacientët «shëroheshin më shpejt dhe ishin më të kënaqur kur kuroheshin nga një mjek, i cili i siguronte se do të bëheshin më mirë, i nxiste të bënin pyetje dhe kalonte disa minuta më shumë me ta».
Vlera e ushtrimeve të rregullta
Sipas gazetës Süddeutsche Zeitung të Gjermanisë shumë njerëz përpiqen të parandalojnë dhjamosjen, sëmundjet koronare dhe problemet e tjera shëndetësore që shkaktohen nga një jetë sedentare në zyrë, duke bërë shumë rrallë ushtrime të lodhshme. Megjithatë, një studim i kohëve të fundit tregon se ushtrimet e shpeshta pa teprime janë më të mira për rritjen e metabolizmit të trupit, sesa stërvitjet e rënda, por të rralla. Kërkuesi danez dr. Klas Vesterterpi studioi energjinë që harxhuan në një minutë 30 vullnetarë. Përfundimet treguan se në vend që një person të përpiqet «të baraspeshojë periudhat e pasivitetit me periudha veprimtarie të fuqishme», është më dobiprurëse të përfshijë më shumë veprimtari fizike në jetën e përditshme. Artikulli këshillon: «Ndërthurni qëndrimin ulur dhe në këmbë me veprimtari të thjeshta si të ecësh ose të ngasësh biçikletën sa më shpesh të jetë e mundur.»
Trena të shpejtë në Francë
Më 1867, udhëtimi me tren nga Parisi për në Marsejë, në jug, zgjaste më tepër se 16 orë. Në vitet 60 të shekullit të kaluar, ende bëhej për shtatë orë e gjysmë. Por, në qershor të vitit 2001, Hekurudhat Kombëtare të Francës vunë në punë një linjë të re hekurudhore me trena me shpejtësi të lartë midis dy qyteteve. Tani, pasagjerët mund të udhëtojnë me shpejtësi më se 300 kilometra në orë dhe largësia prej 740 kilometrash mund të përshkohet vetëm në tri orë. Në jug të Lionit, në një pjesë të hekurudhës prej 250 kilometrash, trenat kalojnë më shumë se 500 ura, kalojnë mbi 17 kilometra mbikalime të hijshme dhe ecin me shpejtësi përmes një tuneli gati 8 kilometra të gjatë. Nëse nevojitet, më shumë se «20 trena në orë mund të kalojnë në të dyja drejtimet, në kushte mjaft të mira sigurie»,—vëren e përditshmja franceze Le Monde. Pra, një tren në çdo tri minuta.
Fëmijë nën stres
«Fëmijëria nuk është më periudha e lojërave jashtë shtëpisë, e kohës së lirë dhe e qetësisë, siç ishte vite më parë»,—pohon gazeta e Meksikos El Universal. Kërkuesit kanë arritur në përfundimin se sot një fëmijë 10-vjeçar duhet të përballojë një shkallë stresi të përafërt me atë të një 25-vjeçari më 1950. Shumica e këtij stresi vjen nga kurset dhe nga veprimtaritë e tjera, të cilat prindërit shpresojnë se do ta ndihmojnë fëmijën të ketë një të ardhme më të mirë. Por, ngarkesa shtesë «ndikon në shëndetin, çlodhjen dhe në vetë zhvillimin e tij»,—thekson gazeta. Artikulli këshillon që prindërit të rishikojnë detyrat e fëmijëve të tyre, në mënyrë që fëmijët të kenë mundësi të kalojnë më tepër kohë në shtëpi. Por, në vend që të rrinë pa bërë asgjë ose të ngulen para televizorit, ose para kompjuterit pasi kanë dalë nga shkolla, «synimi është që ata të dalin jashtë dhe të luajnë me fëmijët e tjerë, të vrapojnë, të ngasin biçikletën, të gjejnë gjëegjëza ose të pikturojnë».
Ndikimet e ngrohjes së deteve
Në një vizitë të kohëve të fundit në ishullin e largët Hërd, që ndodhet 2.500 milje detare në jugperëndim të Australisë, shkencëtarët zbuluan ndryshime të jashtëzakonshme në popullatat e bimëve dhe të kafshëve që rriten në këtë vend. «Popullatat e një lloj pinguini, të fokave dhe të karabullakut janë shumëfishuar dhe zona dikur të mbuluara me akullnaja janë mbuluar me një bimësi të dendur»,—raporton gazeta West Australian. Biologu Erik Vëler tha se më 1957, ishin vërejtur vetëm tri çifte pinguinësh që bënin folenë në ishull. «Tani,—vëren ai—ka më shumë se 25.000.» Vëleri tha se temperatura e deteve në sipërfaqe është ngritur afro treçerek gradë Celsius gjatë 50 viteve të fundit. Ai shtoi: «Ndonëse nuk duket [si] shumë, kjo ngritje është më se e mjaftueshme për të ndikuar në këto lloj ndryshimesh që po shohim.» Vëleri hodhi mendimin se me kalimin e kohës klima e ishullit mund të bëhet tepër e ngrohtë për disa bimë dhe kafshë që të mbijetojnë.