Një vend që ta quajnë shtëpia e tyre
Një vend që ta quajnë shtëpia e tyre
«Sado e thjeshtë që mund të jetë, s’ka si shtëpia jote.»—Xhon Hauard Pejni.
NË FILLIM erdhi lufta, një luftë që s’pushonte më. Më pas erdhi thatësira, një thatësirë që nuk donte të zbutej. Menjëherë pas thatësirës erdhi zia e bukës. Dhe njerëzit bënë të vetmen gjë që mund të bënin—braktisën shtëpitë për të kërkuar ujë, ushqim dhe punë.
Arritën me mijëra e mijëra në pikën kufitare. Por vitet e fundit, kishin pranuar tashmë një milion refugjatë, prandaj vendi fqinj nuk pranonte më të tjerë. Policët e kufirit, me shkopinj gome në dorë, rrinin në gatishmëri që asnjë të mos e kalonte kufirin.
Një nëpunës vendës i zyrës së emigrimit ishte shumë i drejtpërdrejtë kur përshkroi se për ç’arsye e ndalonin dyndjen në rritje të refugjatëve. «Nuk paguajnë taksat. Shkatërrojnë rrugët. Presin pemët. Mbarojnë rezervat e ujit. Jo, nuk duam të tjerë.» *
Skena të tilla tragjike po bëhen shumë të zakonshme. Njerëzit e shpërngulur zbulojnë se është gjithnjë e më e vështirë të gjejnë një vend të cilin mund ta quajnë shtëpia e tyre. «Ashtu siç është rritur numri i njerëzve që kërkojnë strehim, po ashtu është shtuar ngurrimi nga ana e shteteve për ta siguruar këtë strehim»,—shpjegoi një raport i kohëve të fundit i Amnesty International.
Ata fatlumë që arrijnë të strehohen në një kamp refugjatësh, mund të gjejnë njëfarësoj sigurie, por rrallëherë do t’u duket sikur janë në shtëpi. Veç kësaj, kushtet në kamp mund të jenë shumë larg ideales.
Jeta në kampe refugjatësh
«[Në vendin tënd] mund të vdesësh nga një plumb, por këtu [në kampin e refugjatëve] fëmijët vdesin urie»,—u ankua një refugjat afrikan. Ashtu siç e zbuloi ky baba i dëshpëruar, në shumë kampe mungon vazhdimisht ushqimi dhe uji, higjiena dhe vendet e përshtatshme për të jetuar. Arsyet janë të thjeshta. Vendet në zhvillim, në të cilat papritur dynden me mijëra e mijëra refugjatë, tashmë mund të jenë duke luftuar për të ushqyer shtetasit e tyre. Nuk mund të sigurojnë shumë ndihmë për turmat që u zënë derën papritur. Kurse kombet më të pasura, që kanë edhe ato problemet e tyre, mund të ngurrojnë t’u sigurojnë ndihmë refugjatëve të shumtë që ndodhen në vende të tjera.
Kur në vitin 1994 më shumë se dy milionë njerëz u larguan nga një vend afrikan, ishte e pashmangshme që kampeve të refugjatëve të ndërtuara me ngut t’u mungonte uji dhe kushtet e duhura higjieno-sanitare. Për pasojë, shpërthimi i kolerës shkaktoi vdekjen e mijëra vetave, para se të arrihej më në fund të vihej në kontroll. Si për t’i keqësuar gjërat, luftëtarët e armatosur u përzien me refugjatët civilë dhe shpejt morën nën kontroll shpërndarjen e ndihmave. Ky problem nuk ndodhte për herë të parë. «Prania e individëve të armatosur mes popullsisë refugjate i ka vënë civilët përballë një rreziku të madh. I ka bërë t’i nënshtrohen më lehtë kërcënimit, ngacmimeve dhe rekrutimit të detyruar»,—thotë një raport i Kombeve të Bashkuara.
Edhe banorët vendës mund të kenë pasoja nga dyndja e madhe e refugjatëve të uritur. Në rajonin afrikan të Liqeneve të Mëdhenj, disa nëpunës u ankuan: «[Refugjatët] na kanë shkatërruar rezervat ushqimore, arat, gjedhët, parqet natyrore, na kanë shkaktuar zi buke dhe kanë përhapur epidemi
. . . [Ata] përfitojnë nga ndihmat në ushqime, kurse ne nuk përfitojmë asgjë.»Prapëseprapë, problemi më i ndërlikuar mund të jetë fakti se shumë kampe të përkohshme refugjatësh, përfundojnë në vendbanime të përhershme. Për shembull, në një vend në Lindjen e Mesme, rreth 200.000 refugjatë banojnë ngucur e ngucur në një kamp, i cili në fillim u ndërtua për një të katërtën e këtij numri. «Nuk kemi ku të shkojmë»,—shpjegoi i pikëlluar njëri prej tyre. Këta refugjatë që kanë vuajtur për një kohë të gjatë, hasin kufizime të rënda punësimi në vendin mikpritës dhe rreth 95 për qind e tyre janë llogaritur se janë të papunë ose të punësuar pjesërisht. «Sinqerisht nuk e di se si ia dalin të nxjerrin bukën e gojës»,—pranoi një nëpunës që merret me refugjatët.
Por, nëse kushtet duken të këqija në kampet e refugjatëve, gjendja mund të jetë edhe më e keqe për ata njerëz të shpërngulur të cilët nuk largohen dot nga vendi i tyre.
Mjerimi që shkakton shpërngulja
Sipas Komisionerit të Lartë të Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, «madhësia dhe shtrirja e këtij problemi, vuajtjet njerëzore që e shkaktojnë atë, si edhe ndikimi i fuqishëm që ka në paqen e në sigurinë ndërkombëtare, me të drejtë e kanë bërë shpërnguljen brenda vendit një çështje me rëndësi të madhe ndërkombëtare». Për disa arsye, këta njerëz pa shtëpi janë zakonisht më të prekshëm ndaj rreziqeve se refugjatët.
Për mirëqenien e të shpërngulurve nuk kujdeset asnjë organizatë ndërkombëtare dhe gjendja e tyre e dëshpëruar shpesh nuk tërheq shumë vëmendjen e mjeteve të informacionit. Qeveritë e tyre, të përfshira në konflikte ushtarake të një lloji ose të një tjetri, mund të mos kenë dëshirë ose mundësi për t’i mbrojtur. Herë pas here, familjet ndahen ndërsa janë duke u larguar nga zonat e rrezikut. Shpesh të detyruar të ecin për kilometra të tërë, disa të shpërngulur as nuk arrijnë të mbijetojnë marshimin për në një vend më të sigurt.
Shumë nga këta të shpërngulur kërkojnë strehim në qytete, ku mjaftohen me një jetë të mjerë, nëpër lagje me baraka ose nëpër ndërtesa të braktisura. Të tjerë mblidhen në kampe të sajuara aty për aty, të cilat, herë pas here, përjetojnë sulme të armatosura. Zakonisht, shkalla e vdekshmërisë së tyre është më e lartë se e çdo grupi tjetër në vend.
Edhe përpjekjet dashamirëse të organizuara për të lehtësuar vuajtjet e këtyre të shpërngulurve mund të kenë efektin e kundërt. The State of the World’s Refugees 2000 shpjegon: «Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit të shekullit të 20-të, organizatat humanitare që vepronin në vendet e shkretuara nga lufta, shpëtuan mijëra jetë dhe ndihmuan shumë për të lehtësuar vuajtjet njerëzore. Megjithatë,
një nga mësimet thelbësore të këtij dhjetëvjeçari, ishte se në situatat ku ka konflikte, veprimet humanitare mund të manipulohen me lehtësi nga grupet ndërluftuese dhe mund të sjellin si pasojë të paqëllimtë forcimin e pozitave të autoriteteve që janë përgjegjëse për dhunimin e të drejtave të njeriut. Gjithashtu, ndihmat e siguruara nga organizatat humanitare mund të furnizojnë ekonominë e luftës, duke ndihmuar për të mbështetur e për të zgjatur luftën.»Në kërkim të një jete më të mirë
Përveç refugjatëve dhe të shpërngulurve brenda vendit, ka një dyndje në rritje të emigrantëve për arsye ekonomike. Për këtë ka disa arsye. Hendeku midis vendeve të pasura të botës e atyre të varfra vazhdon të thellohet dhe programet televizive, çdo ditë u valëvitin disa njerëzve më të varfër të botës stilin e begatë të jetës në disa vende. Udhëtimi në mbarë botën është bërë më i lehtë e, po kështu, po bëhet gjithnjë e më e lehtë të kalosh kufirin. Luftërat civile, si edhe diskriminimi etnik e fetar, janë një arsye e fortë për të cilën njerëzit transferohen në vendet më të begata.
Por, ndërkohë që disa emigrantë—sidomos ata që tashmë kanë të afërm në vendet e industrializuara—ia dalin me sukses, të tjerët përfundojnë duke rrënuar jetën e tyre. Sidomos të rrezikuar janë ata që bien në duart e trafikantëve kriminelë. (Shih kutinë shoqëruese.) Një familje bën mirë t’i shqyrtojë me vëmendje këto rreziqe para se të emigrojë për arsye ekonomike.
Në vitin 1996, një anije e vjetër u fundos në detin Mesdhe dhe 280 veta u mbytën. Viktimat ishin emigrantë nga India, Pakistani dhe Sri-Lanka, të cilët kishin paguar nga 6.000 deri në 8.000 dollarë amerikanë për të shkuar në Evropë. Para se anija të fundosej, kishin duruar javë të tëra urie, etjeje dhe abuzimesh fizike. «Udhëtimi drejt mirëqenies» u kthye për ta në një ankth që përfundoi në tragjedi.
Thuajse çdo refugjat, çdo i shpërngulur ose çdo klandestin mund të tregojë ankthin që ka kaluar ai vetë. Cilado qoftë arsyeja që këta njerëz shpërngulen nga shtëpitë—qoftë kjo lufta, përndjekja ose varfëria,—vuajtjet e tyre bëjnë të lindin pyetjet: A do të zgjidhet ndonjëherë ky problem? Apo vala e refugjatëve vetëm sa do të vazhdojë të rritet?
[Shënimi]
^ par. 5 Ngjarja e përshkruar më sipër, ndodhi në mars të vitit 2001 në një vend aziatik. Por probleme të ngjashme kanë lindur edhe në disa vende afrikane.
[Kutia dhe figura në faqen 8]
Gjendja e vështirë e refugjatëve klandestinë
Përveç emigrantëve dhe njerëzve të shpërngulur, në gjithë botën ka afërsisht nga 15 deri në 30 milionë «klandestinë». Shumica e tyre janë njerëz që shpresojnë të shpëtojnë nga varfëria, nga paragjykimet dhe përndjekja, duke shkuar në vende më të pasura.
Pasi mundësitë për emigrimin ligjor kohët e fundit janë zvogëluar, është përhapur një tregti e re e paligjshme emigrantësh. Në të vërtetë, trafiku i refugjatëve tani është bërë një biznes fitimprurës për organizatat ndërkombëtare të krimit. Disa hetues llogaritin se trafiku i refugjatëve jep fitime rreth 12 miliardë dollarë në vit, me shumë pak rrezik për trafikantët. Pino Arlaki, nënsekretar i përgjithshëm i Kombeve të Bashkuara, e quajti këtë tregti si «tregtia kriminale me rritjen më të shpejtë në botë».
Klandestinët nuk kanë pothuajse asnjë mbrojtje ligjore dhe pasaportat e tyre konfiskohen gjithnjë nga trafikantët. Refugjatë të tillë mund t’i gjesh nëpër uzina, duke punuar nëpër shtëpi, në industrinë e peshkimit ose në punë bujqësie. Disa gra përfundojnë si prostituta. Nëse kapen nga autoritetet, ka të ngjarë që të riatdhesohen pa asnjë para në xhep. Nëse kundërshtojnë për kushtet e rënda të punës, mund të rrihen ose abuzohen seksualisht, kurse kriminelët mund t’u kërcënojnë me dhunë familjet që i kanë në vendlindje.
Shpesh bandat kriminale i mashtrojnë ata që duan të emigrojnë, duke u premtuar punë me një pagë të lartë. Si përfundim, një familje e varfër mund të lërë peng të gjitha zotërimet materiale vetëm për të dërguar një pjesëtar të familjes në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara. Nëse refugjati nuk mund të paguajë shpenzimet, nga ai pritet të punojë për të larë borxhet, të cilat mund të arrijnë deri në 40.000 dollarë. ‘Jeta e re’ që i është premtuar del se është më shumë një punë skllevërish.
[Figura]
Refugjatë klandestinë në Spanjë
[Kutia dhe figura në faqen 9]
Shkatërrohet pafajësia
Familja e Sirit jetonte në kodrat a Azisë Juglindore, ku prindërit e saj kultivonin oriz në fushat që kishin. Një ditë, një grua u tha prindërve të saj se mund t’i gjente Sirit një punë me pagë të lartë në qytet. Oferta e saj prej 2.000 dollarësh, një shumë mjaft e madhe për bujqit që kultivonin oriz, vështirë të mos pranohej. Megjithatë, shumë shpejt Siri përfundoi e mbyllur në një shtëpi publike. Pronarët i thanë se për të fituar lirinë, duhej t’u paguante 8.000 dollarë. Në atë kohë, ajo ishte 15 vjeçe.
Siri nuk kishte mundësi ta paguante këtë borxh. Rrahjet dhe abuzimi seksual e detyruan që të bashkëpunonte. Për sa kohë të ishte e dobishme, nuk do t’i jepej kurrë liria. Realiteti i hidhur është se shumë prostituta të tilla përfundimisht lirohen, por vetëm për t’u kthyer në fshatrat e tyre e për të vdekur nga SIDA.
Një tregti e tillë po lulëzon edhe në vende të tjera të botës. Në një raport të vitit 1999, me titull International Trafficking in Women to the United States, tregohej se nga 700.000 deri në 2.000.000 gra dhe fëmijë bien pre e trafiqeve çdo vit, shumë prej tyre për motive prostitucioni. Disa mund t’i mashtrojnë, të tjerat thjesht i rrëmbejnë, por pothuajse të gjitha i detyrojnë të punojnë kundër dëshirës së tyre. Një adoleshente nga Evropa Lindore, të cilën e shpëtuan nga një bandë prostitucioni, tha për ata që e kishin rrëmbyer: «Nuk e mendoja kurrë se ishte e mundur një gjë e tillë. Këta njerëz janë si kafshë.»
Disa viktima të shkreta, madje, i kanë marrë nga kampet e refugjatëve, ku premtimet për punë dhe për fitime të mëdha në Evropë ose në Shtetet e Bashkuara mund të jenë shumë tërheqëse. Një numër i pallogaritshëm grash që ishin në kërkim të një jete më të mirë kanë përfunduar në skllavëri seksuale.
[Kutia dhe figurat në faqen 10]
Llogaritni koston para se të emigroni për arsye ekonomike
Duke pasur parasysh bandat e shumta kriminale që merren me trafikun e refugjatëve, dhe vështirësitë për të emigruar në mënyrë të rregullt në vendet e zhvilluara të botës, bashkëshortët dhe baballarët, para se të marrin një vendim, duhet të shqyrtojnë me kujdes pyetjet e mëposhtme.
1. A është vërtet gjendja jonë ekonomike kaq e keqe, saqë një familjar ose e gjithë familja duhet të transferohet në një vend ku pagat janë më të larta?
2. Sa borxh do të marrim për të paguar udhëtimin dhe si do të paguhet ai?
3. A ia vlen të ndash familjen për përfitime ekonomike, të cilat mund të dalin se nuk janë realiste? Shumë klandestinë e kanë pothuajse të pamundur të gjejnë një punë të rregullt në vendet e zhvilluara.
4. A duhet t’u besoj tregimeve që flasin për paga të larta dhe për përfitime sociale? Bibla thotë se «budallai i beson çdo fjale, por njeriu i matur tregon kujdes të veçantë për hapat e tij».—Fjalët e urta 14:15.
5. Çfarë më siguron se familja nuk do të bjerë në duart e ndonjë organizate kriminale?
6. Nëse udhëtimin e organizoi një grup i tillë kriminal, a e kuptoj se gruan ose vajzën time mund t’i detyrojnë të punojnë si prostituta?
7. A e kuptoj se nëse hyj në një vend si klandestin, mund të mos arrij të gjej një punë të qëndrueshme dhe mund të më riatdhesojnë, duke humbur të gjitha paratë që kisha shpenzuar për udhëtimin?
8. A e marr parasysh faktin se mund të bëhem një klandestin ose mund të përdor mjete të paligjshme për të hyrë në një vend më të pasur?—Mateu 22:21; Hebrenjve 13:18.
[Diagrami dhe harta në faqet 8, 9]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
Lëvizja e refugjatëve dhe e punëtorëve emigrantë
Zona me popullsi më të madhe refugjatësh dhe personash të shpërngulur
→ Lëvizjet kryesore të punëtorëve emigrantë
[Burimet]
Burimet: The State of the World’s Refugees; The Global Migration Crisis; dhe World Refugee Survey 1999.
Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.
[Figura në faqen 7]
Një refugjate e shpërngulur që pret për t’u strehuar
[Burimi]
UN FOTO 186226/M. Grafman