Njerëz në kërkim të sigurisë
Njerëz në kërkim të sigurisë
«Fundi i shekullit të 20-të nuk solli fundin e gjakderdhjes dhe të përndjekjes që i detyron njerëzit të largohen me nxitim për të shpëtuar jetën. Dhjetëra milionë njerëz e kanë nisur mijëvjeçarin e ri në kampe refugjatësh dhe në strehime të tjera të përkohshme, të frikësuar se mos i vrasin nëse guxojnë të kthehen në shtëpitë e tyre.»—Bill Frelik, nga Komiteti i Shteteve të Bashkuara për Refugjatët.
JAKOBI kishte një ëndërr. Ai ëndërronte një vend ku njerëzit të jetonin në paqe, ku bombat nuk do të vritnin dhitë e familjes së tij dhe ku ai mund të shkonte në shkollë.
Njerëzit në qytetin e tij i thanë se një vend i tillë ekzistonte me të vërtetë, edhe pse ishte shumë larg. Babai i tha se udhëtimi ishte shumë i rrezikshëm, pasi disa njerëz kishin vdekur rrugës nga etja dhe nga uria. Por kur pa një fqinjë, së cilës ia kishin vrarë burrin, që nisi udhëtimin me dy fëmijët e saj, Jakobi vendosi ta bënte udhëtimin vetëm.
Jakobi nuk mori me vete as ushqim, as veshje, dhe ditën e parë vetëm vrapoi. Rruga drejt sigurisë ishte e mbuluar me kufoma njerëzish. Ditën tjetër takoi një grua nga qyteti i tij, e cila i tha se mund të shkonte bashkë me të dhe me bashkudhëtarët e saj. Ecën për ditë të tëra, duke kaluar fshatra të lëna të shkreta. Në një rast duhej të kalonin në një fushë të minuar, ku një nga grupi i tyre mbeti i vrarë. Si ushqim hanin gjethe.
Dhjetë ditë më vonë, njerëzit filluan të vdisnin nga uria e nga rraskapitja. Shumë shpejt pas kësaj, u sulmuan nga disa avionë. Përfundimisht, Jakobi e kaloi kufirin dhe arriti në një kamp refugjatësh. Tani shkon në shkollë dhe zhurma e avionëve nuk e frikëson më. Të gjithë avionët që sheh mbartin ushqime e jo bomba. Por e ka marrë malli për familjen, prandaj do të donte të kthehej në shtëpi.
Anembanë botës ka me miliona Jakobë. Shumë prej tyre kanë pësuar trauma nga lufta dhe vuajnë nga uria e nga etja. Pak kanë provuar një jetë familjare normale dhe shumë nuk do të kthehen kurrë më në shtëpitë e tyre. Janë më të varfërit e të varfërve të botës.
Komisioneri i Lartë i Kombeve të Bashkuara për Refugjatët, i ndan në dy grupe këta endacakë të varfër. Refugjat quhet ai që largohet nga vendi i tij, për shkak të një frike nga përndjekja ose dhuna. Kurse një person i shpërngulur brenda vendit është detyruar po ashtu të largohet nga shtëpia për shkak të luftës ose të rreziqeve të ngjashme të mëdha, por ende banon në vendin e tij.Asnjeri nuk e di me siguri se sa refugjatë dhe të shpërngulur mezi arrijnë të nxjerrin jetesën në kampet e sajuara aty për aty, ose se sa veta enden të pashpresë nga njëri vend në tjetrin, në kërkim të sigurisë. Sipas disa burimeve, shifra e përgjithshme në mbarë botën mund të jetë rreth 40 milionë dhe gjysma e tyre janë fëmijë. Nga vijnë të gjithë këta?
Një problem i kohëve tona
Problemi i refugjatëve mori përmasa të reja në fund të Luftës I Botërore. Në periudhën që pasoi atë luftë, pati një shpërbërje të perandorive dhe një përndjekje të pakicave etnike. Si pasojë, miliona evropianë kërkuan strehim në vende të tjera. Lufta II Botërore—shumë më shkatërruese se ajo që i parapriu—bëri që miliona të tjerë të largoheshin nga shtëpitë e tyre. Që nga viti 1945, luftërat janë bërë më të kufizuara, por ende janë po aq tronditëse për popullsinë civile që gjendet mes shkëmbimeve të zjarrit.
«Edhe pse lufta është shoqëruar gjithmonë me refugjatë, vetëm në shekullin e 20-të konfliktet ndërkombëtare kanë përfshirë gjithë popullsinë e vendeve në konflikt,—shpjegon Gil Lësheri në librin e tij të vitit 1993, Beyond Charity—International Cooperation and the Global Refugee Crisis.—Duke qenë se nuk bëhej më dallim ndërmjet atyre që luftojnë dhe atyre që nuk luftojnë, kjo shkaktoi një numër të madh refugjatësh, të cilët kërkonin me çdo mënyrë t’u shpëtonin shkretimeve të shkaktuara nga dhuna pa dallim.»
Për më tepër, shumë nga konfliktet e sotme janë luftëra civile, të cilat shkaktojnë jashtëzakonisht shumë të vrarë, jo vetëm burra në moshën për të shkuar ushtarë, por edhe gra e fëmijë. Të nxitura nga përçarjet e rrënjosura thellë, etnike dhe fetare, disa nga këto konflikte duken sikur s’do të mbarojnë kurrë. Në një vend të Afrikës, kur faza e fundit e luftës civile ka zgjatur për18 vjet, ka katër milionë të shpërngulur brenda vendit dhe me qindra mijë të tjerë që janë larguar jashtë shtetit.
Në çdo rast, mënyra e vetme për civilët e lodhur nga lufta që t’i shmangen dhunës, është të largohen nga shtëpia. «Refugjatët lënë vendlindjen dhe kërkojnë të pranohen në një vend tjetër, jo se ashtu zgjedhin vetë ose për rehati personale, por sepse është absolutisht e nevojshme»,—shpjegon libri The State of the World’s Refugees 1997-98. Megjithatë, sot të pranohesh në një vend tjetër mund të mos jetë aq e lehtë.
Gjatë viteve 90 të shekullit të 20-të, numri i përgjithshëm i refugjatëve në mbarë botën nga rreth 17 milionë u ul në 14 milionë. Gjithsesi, ky përmirësim në dukje të mashtron. Është llogaritur se gjatë të njëjtit dhjetëvjeçar, numri i të shpërngulurve brenda vendit arriti 25 deri në 30 milionë. Çfarë po ndodh?
Njohja ligjore si refugjat është bërë më e vështirë për arsye të ndryshme. Disa shtete mund të ngurrojnë të pranojnë refugjatë ose ngaqë nuk mund ta përballojnë një vërshim në masë, ose ngaqë shqetësohen me të drejtë se mos numri i madh i refugjatëve sjell paqëndrueshmëri ekonomike dhe politike. Megjithatë, disa herë civilët e tmerruar nuk kanë as rezistencë, as ushqim dhe as para për udhëtimin e gjatë deri në kufi. Mundësia e vetme për ta është që të transferohen në një zonë më të sigurt brenda vendit të tyre.
Dyndja në rritje e refugjatëve ekonomikë
Përveç miliona refugjatëve në kuptimin e vërtetë të fjalës, ka edhe miliona njerëz të tjerë të varfër, të cilët përpiqen ta përmirësojnë jetesën e tyre në të vetmen mënyrë që dinë: duke u shpërngulur në një vend ku kushtet e jetesës janë shumë më të mira.
Më 17 shkurt 2001, një anije e ndryshkur dhe e vjetër mallrash ngeci në bregdetin francez. Ngarkesa e saj përbëhej nga rreth një mijë burra, gra dhe fëmijë, të cilët kishin qenë në det për afro një javë pa ushqim. Për këtë udhëtim të rrezikshëm kishin paguar 2.000 dollarë për person, pa e ditur as edhe në cilin vend po shkonin. Kapiteni dhe ekuipazhi u zhdukën menjëherë, pasi anija preku bregun. Por, lumturisht, pasagjerët e frikësuar u shpëtuan dhe qeveria franceze premtoi se do ta shqyrtonte kërkesën e tyre për strehim. Çdo vit, miliona njerëz si ata bëjnë udhëtime të ngjashme.
Shumica e këtyre refugjatëve ekonomikë janë gati që të përballojnë edhe vështirësi të mëdha e pasiguri. Në njëfarë mënyre arrijnë t’i mbledhin bashkë paratë për udhëtimin, pasi në shtëpi varfëria, dhuna, diskriminimi ose regjimi shtypës,—dhe disa herë një kombinim i këtyre të katërtave,—e bën jetën të duket e pa shpresë.
Nuk janë pak ata që humbasin jetën duke u përpjekur të gjejnë një jetë më të mirë. Gjatë dhjetëvjeçarit të fundit, rreth 3.500 refugjatë u mbytën ose u zhdukën, teksa përpiqeshin të kalonin ngushticën e Gjibraltarit, nga Afrika për në Spanjë. Në vitin 2000, pesëdhjetë e tetë refugjatë kinezë vdiqën të asfiksuar, ndërsa fshiheshin në një kamion që po i çonte nga Belgjika në Angli. Shumë refugjatë të tjerë vdesin nga etja në Sahara, kur kamionët e tyre të shkatërruar e të mbingarkuar prishen në mes të shkretëtirës.
Me gjithë rreziqet, radhët e refugjatëve ekonomikë në botë po rriten pa u ndalur. Çdo vit, rreth gjysmë milion njerëz futen klandestinë në Evropë dhe 300.000 të tjerë në Shtetet e Bashkuara. Në vitin 1993, Fondi i Kombeve të Bashkuara për Popullsinë përllogariti se, në mbarë botën, numri i refugjatëve është 100 milionë, nga të cilët më shumë se një e treta janë vendosur në Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara. Që nga ajo kohë, ky numër pa dyshim që është rritur shumë.
Shumë nga këta refugjatë nuk e gjejnë kurrë sigurinë që kërkojnë. Po ashtu, janë të paktë refugjatët që gjejnë vendbanim të sigurt e të përhershëm. Shumë shpesh, këta endacakë ndërrojnë një palë probleme me një palë të tjera. Artikulli vijues do të shqyrtojë më nga afër disa nga këto probleme dhe shkaqet e tyre.
[Shënimi]
^ par. 8 Në këtë seri artikujsh, kur flasim për personat e shpërngulur, nuk përfshijmë 90 deri 100 milionë njerëzit që janë shpërngulur me forcë për shkak të programeve për zhvillim, si: digat, punimet minerare, pylltaria ose programet bujqësore.