Përndjekja fetare në Gjeorgji: Deri kur?
Përndjekja fetare në Gjeorgji: Deri kur?
GJEORGJIA, E CILA SHTRIHET nga bregdeti i ngrohtë i Detit të Zi deri te malet Kaukaz të mbuluara me akuj, është një vend me bukuri natyrore. Pyje të dendura, përrenj të rrëmbyer dhe lëndina me bar të harlisur i japin hijeshi këtij rajoni malor, i cili qëndron me një këmbë në Evropë e tjetrën në Azi. Kryeqyteti i Gjeorgjisë, Tbilisi, është një qytet plot gjallëri, ku ndërtesat moderne gërshetohen me monumentet arkitekturore të lashtësisë. Por pasuria më e madhe e Gjeorgjisë është populli i saj, i njohur për lidhjet e forta familjare dhe për mikpritjen e përzemërt.
Gjatë historisë populli i Gjeorgjisë ka përjetuar shtypje. Vendin e tyre e kanë pushtuar romakët, persët, bizantinët, arabët, turqit, mongolët, rusët e të tjerë. Sipas një llogaritjeje, Tbilisi është shkatërruar 29 herë. * Megjithëkëtë, gjeorgjianët kanë ruajtur jo vetëm dashurinë për jetën, për artin, për këngët dhe për vallet, por edhe emrin e mirë se janë një shoqëri tolerante.
Por, mjerisht, kjo nuk mund të thuhet më për të gjithë banorët e Gjeorgjisë. Gjatë dy viteve të kaluara, një grup i vogël gjeorgjianësh e kanë njollosur emrin e mirë të vendit të tyre, duke sulmuar qindra bashkëkombës. Turma sulmuesish të tërbuar kanë rrahur burra, gra e fëmijë, si edhe persona të moshuar dhe invalidë, që të gjithë të pafajshëm. Këta sulmues, duke i goditur me shkopinj gome të pajisur me gozhdë dhe me shufra hekuri, ua kanë nxirë trupat viktimave të tyre, u kanë çjerrë fytyrën dhe u kanë rrjepur lëkurën e kokës. Përse po rrihen kaq egërsisht këta shtetas të pafajshëm gjeorgjianë? Sepse janë Dëshmitarë të Jehovait, një bashkësi e krishterë që ka qenë e pranishme në Gjeorgji, madje, para se të lindnin shumica e sulmuesve.
Nga denoncimet te sulmet
Megjithëse në Gjeorgji garantohet liria fetare, literatura e Dëshmitarëve të Jehovait është konfiskuar shpesh. Në prill të vitit 1999, punonjësit e doganës pohuan se literatura mund të zhdoganohej vetëm me lejen e patrikut, kreut të Kishës Ortodokse Gjeorgjiane. * Muajin pasues, Kisha Ortodokse u përmend përsëri—kësaj here në gjykatën krahinore të Isani-Samgorit, në Gjeorgji. Atje, Guram Sharadze, deputet në parlament dhe udhëheqës i lëvizjes politike «Gjeorgjia mbi gjithçka!» ngriti një padi, duke kërkuar shpërbërjen e enteve ligjore që përdornin Dëshmitarët e Jehovait. Ai i akuzoi Dëshmitarët se ishin antikombëtarë dhe të rrezikshëm. Kush e përkrahu pretendimin e Sharadzes? E bashkëngjitur me padinë ishte edhe një letër nga sekretari i Patrikanës Ortodokse të Gjeorgjisë.
Më 20 maj 1999, Gjeorgjia miratoi Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore, duke marrë kështu zotimin se do të zbatonte nenet e konventës. Neni 10 pohon: «Gjithkush ka të drejtën e lirisë së fjalës. Kjo e drejtë përfshin lirinë e opinionit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informata ose mendime pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë shtetërorë.» A i pengoi kjo e drejtë kundërshtarët e Dëshmitarëve që të vazhdonin përpjekjet e tyre për të ndaluar literaturën fetare? Aspak!
Më 21 qershor 1999, Zyra e Patrikanës së Gjeorgjisë, në një letër drejtuar kreut të kontrollit doganor, këmbëngulte se «shpërndarja e literaturës së huaj fetare duhej ndaluar». Për më tepër, Giorgi Andriadzeja, zëdhënësi zyrtar i Kishës Ortodokse Gjeorgjiane, deklaroi se Dëshmitarët e Jehovait ishin të rrezikshëm dhe duheshin ndaluar. Këto denoncime nuk ranë në vesh të shurdhër. Fanatikët fetarë, të cilët kishin djegur literaturën e Dëshmitarëve të Jehovait në të kaluarën, tani u ndien të sigurt se mund të sulmonin vetë Dëshmitarët dhe të dilnin pa u lagur. Të dielën, më 17 tetor 1999, ata u hodhën sërish në sulm.
Veprimet e turmave nuk ndëshkohen
Atë të diel, rreth 120 Dëshmitarë të Jehovait në Tbilis, burra, gra dhe fëmijë, ishin të pranishëm në një mbledhje fetare. Befas Vasili Mkalavishvili, një prift ortodoks i zhveshur nga rroba priftërore, bashkë me 200 pasuesit e tij, hyri me dhunë në vendin e mbledhjes. * I rrethuan Dëshmitarët dhe i goditën vazhdimisht me shkopinj druri e me kryqe hekuri. Katër sulmues e kapën një Dëshmitar nga krahët dhe nga qafa. Filluan t’i rruanin kokën pasi ia vunë poshtë me forcë, kurse turma ngazëllehej me poshtërimin që po i bënin. Kur më në fund turma e tërbuar u largua, 16 Dëshmitarë kishin nevojë për mjekim në spital. Një burrë kishte tri brinjë të thyera. Një Dëshmitare tjetër, një grua 40-vjeçare me emrin Fati, më vonë sjell ndër mend: «Ata filluan të më bërtitnin dhe një prej tyre më qëlloi me sa fuqi që kishte. Më qëllonte në fytyrë e në sy. U përpoqa ta mbuloja fytyrën me duar. Gjaku po më kullonte nëpër gishta.» Kur ky njeri mizor mbaroi së rrahuri Fatin, ajo nuk mund të shihte me syrin e majtë. Sot, Fati vazhdon ta ketë të dëmtuar syrin si pasojë e sulmit.
Ky sulm mizor, i shfaqur në televizion, bëri që
presidenti Eduard Shevernadze të fliste hapur. Një ditë pas sulmit, ai deklaroi: «Unë e dënoj këtë ngjarje dhe besoj se organet e rendit duhet të fillojnë hetimet për këtë çështje penale.» Pamjet e filmuara e identifikonin udhëheqësin e turmës dhe keqbërësit e tjerë, prandaj edhe ndëshkimi i tyre do të ishte një çështje tepër e thjeshtë. Megjithatë, pas dy vjetësh, asnjë nga autorët e krimit nuk është ndëshkuar.Marrin zemër nga mosndëshkimi
S’është për t’u habitur që pasiviteti i autoriteteve—qeveritare dhe fetare—përcolli te keqtrajtuesit mesazhin se dhuna do të tolerohej. Duke marrë zemër nga mungesa e ndëshkimit, ata e shtuan hovin e grabitjeve, të rrahjeve e të goditjeve me shkelma ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, nëpër shtëpi, në rrugë dhe në vendet e adhurimit. Nga tetori i vitit 1999 deri në gusht të vitit 2001, pati më shumë se 80 sulme të dokumentuara ndaj Dëshmitarëve të Jehovait, që prekën më shumë se 1.000 viktima. Megjithëkëtë, më 9 shkurt 2001, një prokuror i qytetit të Tbilisit u tha reporterëve se hetimet për Vasili Mkalavishvilin «janë ende në vazhdim». Mjerisht, në kohën e përgatitjes së këtij artikulli, autoritetet e Gjeorgjisë po i lejojnë ende kundërshtarët e Dëshmitarëve të Jehovait të kryejnë krime të urryera.—Shih kutinë «Veprimet e turmave vazhdojnë».
Cili është roli i policisë? Lajmet dhe pamjet e filmuara tregojnë se policia jo vetëm që i ka lejuar sulmet kundër Dëshmitarëve të Jehovait, por edhe ka marrë pjesë në to. Për shembull, më 8 shtator 2000, në qytetin e Zugdidit, një grup policësh me shkopinj gome në duar ndërprenë një kongres paqësor të 700 Dëshmitarëve të Jehovait. Dëshmitarët okularë raportuan se disa policë të maskuar «u futën me forcë mes njerëzve», duke rrahur më
shumë se 50 Dëshmitarë. «Të copëtohej zemra»,—tha pronari i vendit të kongresit, duke sjellë ndër mend fytyrat e tmerruara të fëmijëve, ndërkohë që predhat kundërtanke pa mbushje po flakëronin sipër kokave të tyre. Policët hynë me dhunë në ndërtesë dhe i vunë zjarrin. Megjithatë, deri sot e kësaj dite, ata nuk janë ndëshkuar.Kjo ngjarje e ulët nuk është aspak një rast i veçantë (shih kutinë «Pjesëmarrja e policisë»). Prandaj, më 7 maj 2001, Komiteti i Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës, me të drejtë shprehu shqetësimin e tij për «veprimet e vazhdueshme të torturës dhe veprimet e tjera të trajtimit ose të ndëshkimit mizor, çnjerëzor a poshtërues në Gjeorgji, të kryera nga personeli i policisë». Gjithashtu, u shpreh i shqetësuar «për dështimin e vazhdueshëm të këtij shteti për të siguruar në çdo rast hetime të menjëhershme, të paanshme e të plota për akuzat e shumta për torturë». * Në të vërtetë, as edhe njëra nga më tepër se 400 ankesat që Dëshmitarët e Jehovait i kanë paraqitur policisë nuk ka çuar në dënimin e keqbërësve që njihen se cilët janë. Avokati i Mbrojtjes Ligjore i Gjeorgjisë ose avokati i popullit, i cili është zgjedhur nga parlamenti, si rrjedhim komentoi: «Të drejtat e njeriut janë shkelur nga njerëz, të cilët janë të detyruar, për vetë punën që bëjnë, që t’i mbrojnë këto të drejta. Për ta, të drejtat e njeriut s’janë gjë tjetër veçse diçka që mbetet në letër.»
Vendimi i Gjykatës së Lartë shkakton pështjellim
Sikur të mos mjaftonin sulmet e paligjshme nga turmat dhe nga policia,
Gjykata e Lartë e Gjeorgjisë kohët e fundit nxori një vendim që shkaktoi pështjellim për sa u përket të drejtave të Dëshmitarëve të Jehovait.Le të shqyrtojmë disa të dhëna sqaruese. Politikani Guram Sharadze ngriti një padi, duke kërkuar shpërbërjen e enteve ligjore të Dëshmitarëve të Jehovait. Padia e tij u rrëzua më 29 shkurt 2000. Megjithatë, Sharadze apeloi dhe fitoi. Nga ana e tyre, Dëshmitarët e Jehovait apeluan në Gjykatën e Lartë. Më 22 shkurt 2001, Gjykata e Lartë mori një vendim kundër Dëshmitarëve të Jehovait, kryesisht për disa hollësi teknike ligjore. Gjykata e Lartë arsyetoi se kushtetuta përcakton që fetë duhet të jenë të regjistruara në përputhje me të drejtën publike, sipas një ligji që nuk ekzistonte ende, i cili shpjegon me hollësi regjistrimin e shoqatave fetare. Gjykata nxori përfundimin se, meqë ky ligj mungonte, Dëshmitarët e Jehovait nuk mund të regjistroheshin në ndonjë mënyrë tjetër. Sidoqoftë, rreth 15 shoqata të tjera që mbështetin veprimtari fetare janë të regjistruara ligjërisht në Gjeorgji.
Si kundërpërgjigje ndaj vendimit të Gjykatës së Lartë, Ministri i Drejtësisë i Gjeorgjisë, Mikail Sakashvili, në një intervistë televizive tha: «Vendimi është shumë i dyshimtë nga pikëpamja ligjore. Nuk mendoj se kjo është faqja më e suksesshme në historinë e Gjykatës së Lartë.» Zurab Adeishvili, kryetari i përkohshëm i komisionit të ligjeve në parlamentin e Gjeorgjisë, tha për Keston News Service se ishte «shumë i shqetësuar» për vendimin, sepse «i nxit forcat ekstremiste në Kishën tonë [Ortodokse Gjeorgjiane] që të shtypin grupet e pakicave fetare». Mjerisht, shqetësimet e Adeishvilit dolën me vend. Pak ditë pas vendimit, dhuna kundër Dëshmitarëve të Jehovait filloi përsëri. Në vitin 2001, Dëshmitarët u sulmuan nga turmat, nga policia dhe nga priftërinjtë ortodoksë më 27 shkurt, më 5, 6 dhe 27 mars, më 1, 7, 29 dhe 30 prill, më 7 dhe 20 maj, më 8 dhe 17 qershor, më 11 korrik, më 12 gusht dhe më 28 e 30 shtator. Lista vazhdon edhe më tej.
Në mes të kësaj vale të re përndjekjeje, Gjykata e Lartë ndërmori një hap të pazakontë, një sqarim publik të vendimit të saj, duke deklaruar: «Mjerisht, publiku e ka keqinterpretuar anulimin e regjistrimit të Bashkimit të Dëshmitarëve të Jehovait nga Gjykata e Lartë . . . Kur gjykata anuloi regjistrimin e të pandehurve si një ent ligjor i së drejtës private, e drejta e tyre për lirinë e mendimit, të ndërgjegjes dhe të fesë nuk u shkel e as u kufizua, qoftë drejtpërdrejt, qoftë tërthorazi. Liria e tyre për të ndryshuar besimin, qoftë vetë, qoftë bashkë me të tjerë, publikisht ose privatisht, nuk u kufizua. . . . Vendimi i Gjykatës nuk e ka kufizuar të drejtën e të pandehurve për të marrë dhe për të shpërndarë idetë dhe informatat e tyre. Ky vendim nuk ua ndaloi të drejtën për të mbajtur mbledhje paqësore.»
Mijëra gjeorgjianë ngrenë zërin kundër përndjekjes
Ndërkohë që duket se kjo deklaratë e Gjykatës së Lartë nuk ka pasur shumë ndikim tek autorët e dhunës së turmave, të ngrohet zemra kur vëren se mijëra shtetas të Gjeorgjisë e kanë dënuar tashmë përndjekjen që po vazhdon ende. Duke filluar nga 8 janari i vitit 2001,
Dëshmitarët e Jehovait shpërndanë një peticion, ku kërkohej mbrojtje nga sulmet e turmave, si edhe ndjekje penale për ata që kanë marrë pjesë në sulmet e dhunshme kundër shtetasve gjeorgjianë. Brenda dy javëve, 133.375 shtetas të rritur, nga të gjitha krahinat e Gjeorgjisë, e firmosën peticionin. Duke pasur parasysh se në Gjeorgji ka vetëm 15.000 Dëshmitarë të Jehovait, shumica dërrmuese e atyre që firmosën ka të ngjarë të ishin anëtarë të Kishës Ortodokse Gjeorgjiane. Por, më 22 janar 2001, peticioni u zhduk. Çfarë ndodhi?Atë ditë, në zyrën e Avokates së Popullit të Gjeorgjisë, Nana Devdarianit, u mbajt një konferencë shtypi për të njoftuar zyrtarisht për peticionin. Papritur, gjatë konferencës, Vasilji Mkalavishvili dhe dhjetë të tjerë hynë me dhunë në zyrë për të rrëmbyer 14 vëllimet që përbënin peticionin. Një përfaqësuese e Institutit Kaukazian për Paqen dhe për Demokracinë u përpoq ta mbronte peticionin, por ata që kishin hyrë me forcë e sulmuan. Ndërkohë që Mkalavishvili vazhdonte të villte sharje, përkrahësit e tij ua morën me forcë organizatorëve 12 nga 14 vëllimet dhe ia mbathën bashkë me ta. Një diplomat i huaj, i cili ishte dëshmitar okular i ngjarjes thirri: «Kjo është krejt e pabesueshme.» Lumturisht, më 6 shkurt, peticioni ra përsëri në duart e Dëshmitarëve dhe më 13 shkurt 2001 iu paraqit presidentit të Gjeorgjisë.
«Të gjitha veprimet ngacmuese . . . do të ndiqen penalisht»
Dëshmitarët e Jehovait në Gjeorgji dhe përreth botës, kanë shpresë se presidenti i Gjeorgjisë do ta marrë parasysh këtë peticion. Në fund të fundit, në të kaluarën presidenti Shevernadze e ka dënuar disa herë përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait. Për shembull, më 18 tetor 1999, presidenti i përshkroi sulmet ndaj Dëshmitarëve të Jehovait si «pogrome» që ishin «të pafalshme». Më 20 tetor 2000, presidenti Shevernadze i shkroi një anëtari të Trupit Udhëheqës të Dëshmitarëve të Jehovait: «Do të bëjmë më të mirën tonë për ta çrrënjosur dhunën.» Ai shtoi: «Më lejoni t’ju siguroj se autoritetet gjeorgjiane do të mbeten fortësisht të angazhuara për të mbrojtur të drejtat e njeriut dhe lirinë e ndërgjegjes.» Përsëri, më 2 nëntor 2000, në një letër drejtuar Komisionit për Sigurimin dhe Bashkëpunimin në Evropë, presidenti Shevernadze pohoi: «Kjo çështje [e statusit të pakicave fetare në Gjeorgji] ka qenë, gjithashtu, qendër e shqetësimeve të mëdha të popullit dhe të qeverisë sonë.» Ai e siguroi komisionin: «Të gjitha veprimet ngacmuese dhe të dhunshme do të ndiqen penalisht dhe autorët e tyre do të përgjigjen para ligjit.»
Vëzhgues të shqetësuar në Evropë dhe në pjesë të tjera të botës shpresojnë se fjalët e presidentit Shevernadze të shprehura me vendosmëri së shpejti do të bëhen realitet. Ndërkohë, Dëshmitarët e Jehovait në mbarë botën ngulmojnë në lutje në interes të bashkëbesimtarëve të tyre në Gjeorgji, ndërsa këta Dëshmitarë të guximshëm vazhdojnë t’i shërbejnë Jehovait, me gjithë përndjekjen e egër.—Psalmi 109:3, 4; Fjalët e urta 15:29.
[Shënimet]
^ par. 3 Për më shumë të dhëna rreth Gjeorgjisë shih artikullin «Gjeorgjia—Një trashëgimi e lashtë e ruajtur», botuar në Zgjohuni! janar 1998.
^ par. 6 Megjithatë, gjatë vitit 2001, zyra e doganës e anuloi konfiskimin e literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait.
^ par. 10 Vasilji Mkalavishvili u përjashtua nga Kisha Ortodokse Gjeorgjiane (KOGJ) në mesin e viteve 90, pas kritikave të ashpra që kishte bërë ndaj KOGJ-së për anëtarësinë e saj në Këshillin Botëror të Kishave (KBK). (Më vonë, KOGJ-ja hoqi dorë nga anëtarësia në KBK.) Ndërkohë Mkalavishvili u bashkua me Kalendaristët e Vjetër Grekë nën Mitropolitin e Qipros.
^ par. 15 Gjeorgjia është një nga 123 shtetet që marrin pjesë në Konventën e Kombeve të Bashkuara Kundër Torturës dhe Trajtimeve ose Ndëshkimeve të tjera Mizore, Çnjerëzore a Poshtëruese. Prandaj, Gjeorgjia është zotuar që «ta shpallë torturën të paligjshme».
[Diçitura në faqen 24]
«Të gjitha veprimet ngacmuese dhe të dhunshme do të ndiqen penalisht dhe autorët e tyre do të përgjigjen para ligjit.»—Presidenti i Gjeorgjisë, Eduard Shevernadze, 2 nëntor 2000
[Diçitura në faqen 24]
«Shpresojmë që kjo çështje [e dhunës kundër pakicave fetare] të zgjidhet dhe të gjitha grupet fetare në Gjeorgji të gëzojnë liri të plotë për të shprehur bindjet e tyre fetare.»—David Sumbadze, këshilltar i lartë i Ambasadës së Gjeorgjisë në Uashington D.C., SHBA, 3 korrik 2001
[Kutia dhe figura në faqen 20]
VEPRIMET E TURMAVE VAZHDOJNË
Duke qenë se autoritetet gjeorgjiane nuk ia kanë dalë mbanë të ndëshkojnë ata që sulmojnë Dëshmitarët e Jehovait, kjo gjë i ka lënë të pambrojtur këta të fundit ndaj përndjekjes së vazhdueshme.
Për shembull, më 22 janar 2001, në rajonin e Svanetis-Ubanit në Tbilis, ish-prifti ortodoks Vasilji Mkalavishvili dhe banda e tij hynë me forcë në një mbledhje fetare të 70 Dëshmitarëve. Keqbërësit i qëlluan me grushta e me shkelma dhe i goditën Dëshmitarët me kryqe druri e hekuri. Njëri prej tyre e goditi një Dëshmitar në kokë me një kryq të madh të drunjtë me kaq shumë fuqi, saqë një pjesë e kryqit u këput. Disa Dëshmitarë i tërhoqën zvarrë në një dhomë të errët, ku disa sulmues i rrahën. Dëshmitarët e moshuar i detyruan të kalonin mes dy rreshtave me njerëz dhe i qëllonin me grushta e me kryqe. Dy burra iu turrën një djali 14-vjeçar dhe e qëlluan me grushta dhe me shkelma djaloshin e pambrojtur. Një burrë 30-vjeçar ndoqi një djalë 12-vjeçar dhe i përplasi në kokë një Bibël të madhe në gjuhën gjeorgjiane. Në atë çast, një Dëshmitar doli me vrap nga shtëpia për të thirrur policinë, por e kapën. Turma e qëllonte vazhdimisht në fytyrë derisa goja iu mbush me gjak dhe filloi të vjellë. Më në fund, turma e pamëshirshme u shpërnda. Megjithatë, autorët e krimit ende mbeten të pandëshkuar.
Përsëri, më 30 prill 2001, pasuesit e Mkalavishvilit prishën një mbledhje fetare të po atij kongregacioni të Dëshmitarëve të Jehovait. Sulmuesit i nxorën jashtë Dëshmitarët duke i tërhequr zvarrë dhe i rrahën me shkopinj të mbushur me gozhdë. Një Dëshmitari me emrin Tamaz, këto gozhdë i çorrën krahun e djathtë, dorën e majtë, këmbën e majtë dhe faqen e majtë. Përveç kësaj, Tamazit iu deshën pesë qepje për të mbyllur një të çarë të thellë që i kishin bërë në kokë. Gjithashtu, turma plaçkiti shtëpinë ku po mbahej mbledhja, duke shkatërruar mobiliet, pajisjet elektrike dhe të gjitha dritaret. Pastaj, ndezën një zjarr të madh dhe dogjën literaturën e botuar nga Dëshmitarët e Jehovait. Më 7 qershor 2001, Human Rights Watch kërkoi zyrtarisht të dhëna nga Ministri i Punëve të Brendshme të Gjeorgjisë, Kakha Targamadze dhe nga Prokurori i Përgjithshëm i Gjeorgjisë, Gia Mefarishvili, lidhur me atë që është ndërmarrë për të ndjekur penalisht autorët e këtij sulmi, si edhe të sulmeve të tjera të kohëve të fundit. Deri tani, asnjë nga sulmuesit nuk është ndjekur penalisht.
[Kutia në faqen 21]
PJESËMARRJA E POLICISË
Më 16 shtator 2000, policia e qytetit të Marneulit ngriti postblloqe për të penguar 19 autobusë me Dëshmitarë të Jehovait që të arrinin në vendin e kongresit. Në një postbllok sulmuesit i gjuajtën me gurë autobusët që bartnin Dëshmitarët, duke e goditur një udhëtare në kokë. Disa Dëshmitarë i nxorën nga autobusi duke i tërhequr zvarrë dhe i rrahën, kurse udhëtarët e tjerë i grabitën. Në të njëjtën kohë, policia ua la të lirë kalimin autobusëve me përkrahësit e Mkalavishvilit, të cilët kishin si synim të shkatërronin vendin e kongresit. Turma dogji një ton e gjysmë literaturë fetare. Policia që ndodhej në vendngjarje mori pjesë në rrahjen e Dëshmitarëve.
Caucasus Press raportoi se Ministria e Punëve të Brendshme do të hetonte për këtë sulm dhe do të merrte «masat e duhura». Hetuesit kanë arsye të forta për të paditur kriminelët. Kushtetuta e Gjeorgjisë, në nenin 25, siguron të drejtën e të gjithë njerëzve për të mbajtur mbledhje publike. Megjithatë, asnjë nga kriminelët nuk është ndjekur penalisht. Pesë muaj pas këtij sulmi, Keston News Service raportoi se një avokat i Guram Sharadzes, udhëheqësit të lëvizjes politike «Gjeorgjia mbi Gjithçka!» pranoi se Sharadze ka ndërhyrë tek autoritetet në Marneuli dhe në Zugdidi, që të pengonin mbajtjen e dy kongreseve të Dëshmitarëve të Jehovait.
[Kutia në faqen 21]
KUSHTETUTA E GJEORGJISË GARANTON MBROJTJE
Kushtetuta e Gjeorgjisë e 24 gushtit 1995, garanton lirinë e fesë dhe mbrojtjen kundër sulmeve mizore, siç tregojnë pjesët e mëposhtme:
Neni 17—(1) Nderi dhe dinjiteti i personit janë të pacenueshëm. (2) Tortura dhe trajtimi ose ndëshkimi çnjerëzor, mizor a poshtërues nuk janë të lejueshme.
Neni 19—(1) Çdo person ka të drejtën e lirisë së fjalës, të mendimit, të ndërgjegjes, të fesë dhe të besimit. (2) Ndalohet përndjekja e individit për mendimet, për bindjet ose për fenë e tij.
Neni 24—(1) Çdo person ka të drejtën të marrë ose të shpërndajë lirisht informacione, të shprehë dhe të shpërndajë mendimin e tij gojarisht, me shkrim ose në ndonjë formë tjetër.
Neni 25—(1) Çdo person, me përjashtim të anëtarëve të forcave të armatosura, të policisë dhe të shërbimeve të sigurimit, ka të drejtën të mbajë mbledhje publike pa armë, brenda ose në vend të hapur, pa marrë leje më parë.
[Kutia në faqen 22]
BOTA PO VËZHGON
Si e sheh komuniteti ndërkombëtar faktin që Gjeorgjia nuk arrin ta ndalë përndjekjen e Dëshmitarëve të Jehovait?
Qeveritë e Shteteve të Bashkuara dhe të Britanisë së Madhe, njëzëri deklaruan: «Një mbledhje e Dëshmitarëve të Jehovait u ndërpre, një numër i madh njerëzish u keqtrajtuan dhunshëm dhe të tjerë u penguan që të hynin në mbledhje. Ambasadat e Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe të Britanisë së Madhe janë tepër të shqetësuara nga kjo dhe nga shkelje të tjera të rënda të kohëve të fundit mbi ata që ushtrojnë të drejtën e tyre të lirisë fetare në Gjeorgji. . . . I kërkojmë Qeverisë së Gjeorgjisë që të hetojë për këto raste dhe të jetë syçelë për të siguruar respektimin e të drejtave fetare të të gjithëve.»
Kryetarja e Delegacionit pranë Komitetit Parlamentar të Bashkëpunimit ndërmjet Bashkimit Evropian dhe Gjeorgjisë, Ursula Shlajker, pohoi: «Në emër të delegacionit të Parlamentit Evropian, dëshiroj të shpreh se sa jam shtangur nga ngjarja më e fundit në vazhdën e sulmeve të dhunshme ndaj gazetarëve, ndaj aktivistëve të të drejtave të njeriut dhe ndaj Dëshmitarëve të Jehovait në Gjeorgji. . . . Këto lloj veprimesh i quaj si një sulm i turpshëm kundër të drejtave themelore të njeriut ndaj të cilave Gjeorgjia është zotuar, si një shtet që ka nënshkruar Konventën Evropiane për Mbrojtjen e të Drejtave të Njeriut dhe të Lirive Themelore.»
Komisioni i Shteteve të Bashkuara për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë i shkroi presidentit Shevernadze lidhur me sulmet ndaj Dëshmitarëve të Jehovait: «Ngjarjet më të fundit janë me të vërtetë alarmuese dhe ngrenë shqetësimin se gjendja në Gjeorgji po del jashtë kontrollit. Nëse nuk bëhet asgjë, ata që ushtrojnë dhunë ndaj pakicave fetare do të nxiten të vazhdojnë me hovin e tyre. Shpresojmë se ju, si kreu i shtetit, do të lini një shembull për publikun dhe për funksionarët e Gjeorgjisë dhe do të përçoni dy mesazhe të qarta e të forta: cilado qoftë pikëpamja që ka një person për fetë e tjera, është e palejueshme të përdoret çfarëdolloj forme dhune kundër praktikuesve të këtyre feve; individët që përfshihen në një dhunë të tillë—veçanërisht policët të cilët ose e lehtësojnë kryerjen e këtyre veprimeve të turpshme, ose marrin pjesë në to—do të ndiqen penalisht me dënimin më të rëndë që parashikon ligji.» Kjo letër ishte nënshkruar nga shtatë anëtarë të Kongresit të SHBA-së.
Kristofer H. Smithi, bashkëpresident i Komisionit për Sigurinë dhe Bashkëpunimin në Evropë dhe kongresist në SHBA, deklaroi: «Përse nuk po e mbron Gjeorgjia lirinë fetare dhe të drejtat e njeriut, siç tha se do të bënte? . . . Djegia e literaturës është tërësisht në kundërshtim me Aktin final të Helsinkit dhe disave në Komision u kujton djegien e librave që ndodhi gjatë kohës së nazizmit.»
Drejtoresha e përkohshme Ekzekutive e Sektorit të Azisë Qendrore dhe të Evropës të Human Rights Watch i shkroi presidentit Shevernadze: «Human Rights Watch-i është thellësisht i shqetësuar për mundësinë që dhuna të shtohet më tej, duke pasur parasysh dështimin e qeverisë gjeorgjiane për të ndjekur penalisht kriminelët për sulmet e mëparshme të dhunshme kundër pakicave fetare. Ju nxitim që të kërkoni fundin e menjëhershëm të sulmeve dhe të nxirrni para drejtësisë ata që janë përgjegjës për to.»
Bota po vëzhgon. A do t’u përmbahet Gjeorgjia zotimeve të saj ndërkombëtare? Është në rrezik vetë emri i mirë i Gjeorgjisë.
[Kutia në faqen 23]
APEL NË GJYKATËN EVROPIANE
Më 29 qershor 2001, Dëshmitarët e Jehovait i paraqitën Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut një kërkesë, duke protestuar zyrtarisht për mosveprimin e vazhdueshëm të organizmave për zbatimin e ligjit në Gjeorgji. Pak ditë më vonë, më 2 korrik 2001, Gjykata Evropiane u përgjigj. Sekretari i Gjykatës shkroi që presidenti i Dhomës së Drejtësisë ishte i mendimit se këtij rasti «i duhet dhënë përparësi».
[Harta në faqen 18]
(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)
RUSI
GJEORGJI
DETI I ZI
TURQI
[Figura në faqen 18]
13 MAJ 2001-Familja Shamojan e humbi shtëpinë, kur një zjarrvënës i vuri flakën
[Figura në faqen 18]
17 QERSHOR 2001-Giorgi Bagishvili u sulmua egërsisht, ndërsa po ndiqte një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait
[Figura në faqen 19]
11 KORRIK 2001-David Salaridze u godit në kokë me një shkop gome dhe u qëllua në shpinë e në brinjë kur u sulmua, ndërkohë që ndiqte një mbledhje të Dëshmitarëve të Jehovait
[Figura në faqen 23]
28 QERSHOR 2000-Zjarrvënësit shkatërruan depon e literaturës së Dëshmitarëve të Jehovait në Tbilis
[Figura në faqen 23]
16 GUSHT 2000-Në sallën e gjyqit në Gldani-Nadzaladevi, një përkrahës i Vasili Mkalavishvilit sulmoi Uoren Shjufeltin, një Dëshmitar kanadez
[Burimi i figurës në faqen 24]
Fotografi e AP/Shakh Aivazov