Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Zebra​—Kali i egër i Afrikës

Zebra​—Kali i egër i Afrikës

Zebra​—Kali i egër i Afrikës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AFRIKË

NJË mijë zebra vrapojnë lirisht mespërmes savanës afrikane. Ijët e tyre vija-vija ulen e ngrihen, kurse jelet e dendura të qafës tunden nga ritmi i lëvizjeve të fuqishme. Zhurma e thundrave që godasin tokën e thatë buçet përmes rrafshinave. Një re prej pluhuri të kuq ngrihet lart pas tyre dhe mund të shihet me kilometra larg. Ato rendin të lira dhe pa kurrfarë kufizimi.

Duket sikur një sinjal i padukshëm i bën të ngadalësojnë vrapin dhe pastaj të ndalojnë. Me dhëmbët e tyre të fortë e të trashë, këpusin barin e thatë. Tufa është vigjilente: herë pas here ngrenë kokën, mbajnë vesh dhe nuhatin ajrin. Në veshët e tyre era sjell tingullin e largët të ulërimës së një luani dhe ato ngrijnë në vend. E njohin mirë atë tingull. Me veshët e ngritur lart, me barin që u varet ende në buzë, zebrat vështrojnë në drejtimin e britmës së përvajshme. Meqë nuk ndiejnë ndonjë rrezik të menjëhershëm, përkulin sërish kokën dhe vazhdojnë të kullotin.

Kur nxehtësia e diellit nis të shtohet, janë përsëri në lëvizje. Këtë radhë është era e ujit që i tërheq kuajt e egër drejt lumit. Ndalen në një breg të lartë dhe ia ngulin sytë ujit ngjyrë kafe që lëviz ngadalë, ndërsa turfullojnë e godasin me thundra tokën e thatë. Ngurrojnë, duke qenë të vetëdijshme për ndonjë rrezik të mundshëm nën sipërfaqen e patrazuar të lumit. Por, etja është e fortë dhe disa fillojnë të shtyhen përpara. Me një vrull të fundit, vrapojnë për në breg të lumit. Një nga një, ato pinë sa ngopen, pastaj kthehen e drejtohen prapë për në lëndinat e paana.

Aty nga mbrëmja, tufa ecën shtruar përmes barit të gjatë. Të rrethuara nga bukuria e savanave afrikane zebrat duken mahnitëse, ndërsa siluetat e tyre spikatin në sfondin e përflakur nga ngjyra e kuqe e mbyllur e diellit që perëndon.

Me vija dhe të shoqërueshme

Rutina e përditshme e zebrave është gjithmonë e njëjtë. Kërkimi i vazhdueshëm për ujë dhe për ushqim i mban gjithmonë në lëvizje. Teksa kullotin në lëndinat e paana, zebrat duken të pastra dhe të shëndosha, lëkura e tyre vija-vija tendoset mirë mbi trupin muskulor. Vijat e zebrave janë të pashoqe dhe, siç pohojnë disa, nuk ka dy zebra me vija tamam njësoj. Vijat e tyre të pazakonta bardhë e zi ngjajnë të çuditshme midis kafshëve të tjera të savanës. Megjithatë, pamja e tyre është tërheqëse dhe është pjesë e natyrës së virgjër të vetë Afrikës.

Zebrat nga natyra janë jashtëzakonisht të shoqërueshme. Zebra të veçanta formojnë lidhje të forta që mund të zgjasin një jetë të tërë. Megjithëse në një tufë të madhe mund të numërohen me mijëra kokë, ajo ndahet në shumë njësi familjare më të vogla që përbëhen nga një hamshor dhe nga disa femra. Në këtë njësi të vogël familjare rregulli ruhet duke i ndarë rreptësisht anëtarët e familjes sipas rangut. Femra sunduese përcakton lëvizjet e familjes. Ajo merr drejtimin dhe femrat e tjera me të vegjlit e tyre e ndjekin duke ecur në rresht për një sipas rangut. Megjithëse, përgjegjës, në fund të fundit, është hamshori. Nëse dëshiron që familja e tij të ndërrojë drejtim, ai i afrohet femrës udhëheqëse dhe e shtyn lehtë në drejtimin e ri.

Zebrat kanë shumë qejf kur u fërkojnë lëkurën dhe është e zakonshme t’i shohësh duke kruar dhe duke ndukur ijët, supet dhe shpinën e njëra-tjetrës. Fërkimet e ndërsjella duket se forcojnë lidhjet midis individëve të veçantë dhe fillojnë kur bebet janë vetëm disaditëshe. Nëse nuk ka ndonjë anëtar tjetër të familjes që t’i fërkojë, zebrat gjejnë lehtësim nga ndjesia e kruajtjes duke u rrotulluar në pluhur ose duke fërkuar trupin e tyre pas ndonjë peme, në një fole termitesh a në diçka tjetër të palëvizshme.

Lufta për mbijetesë

Jeta e një zebre është plot me rreziqe. Luanët, qentë e egër, hienat, leopardët dhe krokodilët, që të gjithë e kanë një pre të dëshirueshme këtë kafshë 250 kilogramëshe. Një zebër mund të vrapojë me shpejtësi deri në 55 kilometra në orë, por, nganjëherë, kapet e papërgatitur nga grabitqarët që përdorin befasinë dhe dinakërinë. Luanët zënë pusi, krokodilët rrinë të fshehur nën ujërat e turbullta dhe leopardët zënë pritë të maskuar nga errësira.

Mbrojtja e zebrave varet nga vigjilenca dhe nga veprimet e përbashkëta të anëtarëve të tufës. Ndërkohë që shumica e zebrave flenë gjatë natës, gjithmonë ka disa që rrinë zgjuar, të cilat mbajnë vesh e bëjnë rojë. Nëse një zebër shquan një grabitqar që po afrohet, ajo lëshon një turfullimë alarmi që lajmëron gjithë tufën. Shpesh, kur një pjesëtar i kopesë është i sëmurë ose i moshuar dhe nuk mund të ecë në një hap me të, zebrat e tjera qëllimisht e ngadalësojnë ecjen ose presin derisa kafsha më e ngadalshme të bashkohet përsëri me tufën. Kur kanoset rreziku, hamshori me guxim vendoset midis grabitqarit dhe femrave, duke e kafshuar e duke e shkelmuar armikun me qëllim që t’i japë kohë tufës për t’ia mbathur.

Kjo lidhje e ngushtë familjare ilustrohet me një ngjarje të jashtëzakonshme që ndodhi në rrafshnaltën Serengeti në Afrikë, siç dëshmoi natyralisti Hugo van Laviku. Duke rrëfyer se si një tufë qensh të egër filluan të ndiqnin një kope zebrash, ai tha se qentë mundën të veçonin një zebër femër dhe dy të vegjlit e saj, njëri prej të cilëve ishte njëvjeçar. Ndërkohë që pjesa tjetër e kopesë së zebrave largohej me galop, nëna dhe i vogli njëvjeçar luftonin me guxim për të zmbapsur qentë. Shumë shpejt qentë u bënë më të egër dhe zebra femër e më i vogli filluan të lodhen. Fundi i tyre dukej i sigurt. Van Laviku kujton skenën e pashpresë: «Papritur, ndjeva tokën që po dridhej dhe duke vështruar përreth, për habinë time, pashë dhjetë zebra që po afroheshin me të shpejtë. Një çast më pas, kjo tufë mbylli radhët përreth nënës dhe dy të vegjëlve të saj dhe pastaj, duke u rrotulluar përnjëherë i gjithë grupi i kafshëve si një trup i vetëm vrapoi me galop në drejtimin nga kishin ardhur ato të dhjeta. Qentë i ndoqën afro 50 metra, por nuk qenë në gjendje të depërtonin brenda tufës dhe shpejt u dorëzuan.»

Rritja e familjes

Zebra femër e mbron shumë të voglin e saj të porsalindur dhe në fillim e mban larg pjesëtarëve të tjerë të kopesë. Gjatë kësaj periudhe veçimi, foshnja mund të lidhet ngushtë me nënën. I vogli ngulit në kujtesë modelin e vijave bardhë e zi, që është karakteristik vetëm për nënën e tij. Pas kësaj, ai do të njohë britmën, erën dhe modelin e vijave të nënës e nuk do të pranojë ndonjë femër tjetër.

Të vegjlit e porsalindur nuk i kanë vijat karakteristike bardhë e zi të prindërve të tyre. Vijat e tyre janë të kuqërreme dhe do të shndërrohen në të zeza vetëm me kalimin e moshës. Brenda tufës së madhe, mblidhen për të luajtur së bashku të vegjël nga grupe të ndryshme familjare. Ata bëjnë gara e ndjekin njëri-tjetrin, duke hedhur vickla e duke vrapuar midis të rriturve, të cilët nganjëherë bashkohen me ta në lojë. Duke rendur me galop me këmbët e tyre të holla, të vegjlit luajnë duke ndjekur zogj dhe kafshë të tjera të vogla. Të vegjlit e zebrave me këmbët e tyre të gjata e hollake, me sytë e zinj e të mëdhenj dhe me lëkurën e butë e të shndritshme janë kafshë të bukura dhe të këndshme për t’u soditur.

Të egra dhe të mrekullueshme

Sot mund të shihen ende tufa të mëdha me zebra që vrapojnë të lira dhe pa kurrfarë kufizimi nëpër savanat e arta e të gjera të Afrikës. Është një pamje mahnitëse.

Kush do ta mohonte se zebra, me mantelin e veçantë të vijave bardhë e zi, me besnikërinë e fortë familjare dhe me shpirtin e lirë e të egër, është një krijesë mbresëlënëse dhe e mrekullueshme? Duke mësuar për këtë kafshë merr përgjigje një pyetje që u ngrit mijëra vjet më parë: «Kush e lëshoi zebrën të lirë?» (Jobi 39:5, BR) Përgjigjja është e qartë. Është Projektuesi i gjithë krijesave të gjalla, Perëndia Jehova.

[Kutia në faqen 14]

Përse zebra ka vija?

Ata që besojnë tek evolucioni e kanë të vështirë t’i shpjegojnë vijat e zebrave. Disa kanë mendimin se ato mund të veprojnë si një mekanizëm paralajmërues. Megjithatë, është e dukshme se luanët dhe grabitqarë të tjerë të mëdhenj as që tremben fare nga vijat e zebrave.

Të tjerë kanë hedhur idenë se vijat shërbejnë për tërheqje seksuale. Sidoqoftë, kjo nuk duket se është e mundur, meqë të gjitha zebrat kanë vija të ngjashme dhe vijat e tyre nuk janë specifike për ndonjërin nga sekset.

Një tjetër teori është ajo se modeli bardhë e zi u zhvillua për të ndihmuar që të shpërndahet nxehtësia e diellit përvëlues afrikan. Por, pse atëherë nuk kanë vija kafshët e tjera?

Një teori e përhapur është që zebra i ka zhvilluar vijat si një mënyrë maskimi. Shkencëtarët kanë zbuluar se afshi i nxehtë që ngrihet nga savanat afrikane në të vërtetë shtrembëron dhe mjegullon formën e zebrës, duke e bërë të vështirë të shihet në largësi. Prapëseprapë, një maskim i tillë në largësi të madhe nuk do të sillte shumë dobi, meqë luanët, armiqtë kryesorë të zebrave, sulmojnë vetëm në afërsi.

Gjithashtu, është pohuar se kur ikën në rrëmujë, turma e lëvizshme me vija i ngatërron luanët që gjuajnë, duke i penguar të përqendrohen mbi një zebër të vetme. Megjithatë, në të vërtetë, studimet për faunën kanë treguar se luanët janë po aq të zotët dhe të suksesshëm në gjuetinë e zebrave sa janë edhe në gjuetinë e kafshëve të tjera.

Çështja ngatërrohet edhe më shumë ngaqë vijat e zebrës ndonjëherë mund të jenë madje një e keqe për kafshën. Natën, në savanat ku bie drita e hënës, vijat bardhë e zi e bëjnë zebrën edhe më të dukshme se kafshët e tjera që janë vetëm me një ngjyrë. Kjo gjë do të ishte e pafavorshme për zebrën, pasi luanët zakonisht gjuajnë natën.

Atëherë, nga erdhën vijat e zebrës? Përgjigjja për këtë mund të gjendet në këtë pohim të thjeshtë: «Dora e Zotit i ka bërë këto.» (Jobi 12:9) Po, Krijuesi i projektoi krijesat e tokës me tipare dhe cilësi dalluese, të cilat​—për arsye që njeriu nuk mund t’i kuptojë plotësisht​—i pajisin ato në mënyrë të mrekullueshme për jetën. Projektimi i mahnitshëm i qenieve të gjalla i shërben edhe një qëllimi tjetër. Ai u sjell lumturi, kënaqësi dhe ëndje zemrave të njerëzve. Në të vërtetë, bukuria e krijimit i ka shtyrë shumë veta sot të ndihen si Davidi kohë më parë: «Sa të shumta janë veprat e tua, o Jehova! Ti i ke bërë të gjitha me mençuri. Toka është plot me prodhimet e tua.»​—Psalmi 104:24, BR.