Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Çamçakëzi modern, por edhe i lashtë

Çamçakëzi modern, por edhe i lashtë

Çamçakëzi modern, por edhe i lashtë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

QË NË KOHËT E HERSHME njerëzve u ka pëlqyer çamçakëzi. Grekët e lashtë përtypnin rrëshirën e xinës. Actekët përtypnin tsikli ose rrëshirën e pemës së sapotores. Dhe amerikanët indigjenë të Anglisë së Re i mësuan kolonizatorët që të përtypnin rrëshirën e bredhit. Në të vërtetë, në fillim të shekullit të 19-të, peta prej rrëshire bredhi u bënë çamçakëzët e parë që u tregtuan në Shtetet e Bashkuara. Më vonë u përhap përtypja e parafinës së ëmbëlsuar.

Thuhet se çamçakëzi i sotëm e ka zanafillën në gjysmën e dytë të shekullit të 19-të. Gjatë internimit të ish-presidentit meksikan Santa Ana në Shtetet e Bashkuara, u vu re që ai përtypte copa prej rrëshire të sapotores, të cilat i kishte sjellë me vete nga Meksika. Një shpikës amerikan kuptoi potencialin e saj po të ëmbëlsohej e t’i jepej aromë dhe e importoi këtë lloj rrëshire në Shtetet e Bashkuara që të bënte çamçakëzin.

Ajo është lëngu qumështor i sapotores, një pemë përherë e gjelbër e quajtur pema e çamçakëzit. Rritet në Gran Petén, pylli tropikal i shiut në Guatemalën Veriore, në Belize dhe në gadishullin Jukatan në Meksikë. Atje, në disa zona, në një hektar të vetëm mund të gjenden më shumë se njëqind e shtatëdhjetë e pesë pemë sapotore. Gjatë stinës së shirave, mbledhësit e rrëshirës bëjnë prerje zigzage në trungun e sapotores së egër, në mënyrë që lëngu qumështor të rrjedhë ngadalë në një enë në fund të trungut. Pastaj ky lëng mblidhet, zihet deri sa të trashet në masën që dëshirohet dhe i jepen forma të ndryshme për t’u shitur. Ndërkohë që rrëshira e sapotores ende përdoret në njëfarë mase në industrinë e çamçakëzit, veçanërisht për çamçakëzin e reklamuar si natyror, në vitet 40, në Shtetet e Bashkuara ajo u zëvendësua kryesisht nga prodhimet sintetike.

Përse çamçakëzi është kaq i përhapur? Shumë veta përtypin çamçakëz për të freskuar frymëmarrjen dhe që të pastrojnë dhëmbët kur nuk kanë mundësi që t’i lajnë pas vakteve dhe pas ndonjë ushqimi të lehtë. * Të tjerë mendojnë se çamçakëzi të qetëson dhe të ndihmon të përqendrohesh. Në të vërtetë, meqenëse është pranuar se çamçakëzi pakëson stresin dhe ndihmon të jesh më i vëmendshëm, forcat e armatosura të SHBA-së gjatë luftës së parë dhe të dytë botërore i furnizuan me çamçakëzë trupat e tyre dhe ende e përfshijnë në racionet e ushqimit për ushtarakët. Për disa shoferë, për t’i mbajtur zgjuar, çamçakëzi është më i dobishëm se kafeja. Njerëzit që po përpiqen të lënë duhanin mund të vërejnë se çamçakëzi i ndihmon. Gjithashtu është i përhapur edhe sepse kënaq dëshirën për të ngrënë diçka të lehtë, duke pasur mesatarisht më pak se dhjetë kalori në një copë.

Sidoqoftë, shumë njerëzve u duket i pakëndshëm ky zakon. Dhe mund të ketë raste kur, të përtypësh çamçakëz, shihet si mungesë edukate. Kështu, nëse e keni këtë zakon të lashtë, por edhe modern, që të përtypni çamçakëz, do t’ju duhet të jeni të matur. *

[Shënimet]

^ par. 6 Përtypja e çamçakëzit shton prodhimin e pështymës, e cila ndihmon për të neutralizuar acidet në pllakat bakteriale të formuara në dhëmbë, duke i kontribuar shëndetit të gojës. Dentistët këshillojnë përdorimin e çamçakëzit pa sheqer si një mbrojtje më të madhe kundër prishjes së dhëmbëve.

^ par. 7 Kujdes: Çamçakëzi nuk duhet të gëlltitet, meqë mund të shkaktojë bllokimin e zorrëve dhe të ezofagut. Gjithashtu, përtypja e tepruar e çamçakëzit bën që të çlirohen sasi më të mëdha mërkuri nga amalgama e dhëmbëve.

[Figura në faqen 31]

Mbledhësit e rrëshirës bëjnë prerje zigzage në trungun e sapotores

[Burimi]

Copyright Fulvio Eccardi/vsual.com