Çfarë i bën të rrezikshme vendet e punës?
Çfarë i bën të rrezikshme vendet e punës?
«Në vendin e punës vdesin më shumë njerëz, sesa në aksidente rrugore.» Ky ishte titulli me shkronja të zeza i një afisheje të shpërndarë nga WorkCover, një organizatë për sigurinë në vendin e punës, në Uellsin e Ri Jugor, Australi.
AKSIDENTET vdekjeprurëse sigurisht janë vetëm një pjesë e problemit. Çdo vit miliona njerëz pësojnë dëmtime të rënda në vendin e punës, dëmtime që disa herë ua ndryshojnë rrjedhën e jetës. Shumë të tjerë vdesin para kohe për shkak se në punë ekspozohen ndaj substancave të rrezikshme ose për shkak të stresit në vendin e punës.
Pasi vdekjet dhe dëmtimet e rënda lidhur me punën ndodhin pothuajse në të gjithë sektorët e industrisë dhe të tregtisë, është e përshtatshme pyetja: Sa të sigurt jeni në vendin e punës? Cilat rrethana mund t’ju kërcënojnë shëndetin dhe jetën?
Mjedis plot me presione
Shpesh punëtorëve u bëhen presione shumë të mëdha për të qenë të frytshëm. Në Japoni, termi karoshi që do të thotë «vdekje nga puna e tepërt» u përdor për herë të parë në kërkesat për dëmshpërblim të bëra nga familjet që kishin humbur një pjesëtar. Sipas një ankete të bërë atje disa vjet më parë, 40 për qind e japonezëve që punonin në zyra i frikësoheshin vdekjes së mundshme nga puna e mbingarkuar. Një avokat që po specializohet për kërkesa të tilla, llogariti se kishte «të paktën 30.000 viktima karoshi çdo vit në Japoni».
Policia në Japoni ka parashtruar idenë se problemet që lidhen me punën janë një faktor kyç për rritjen e numrit të vetëvrasjeve midis personave të moshës 50-59 vjeç. Sipas librit The Violence-Prone Workplace, një gjykatë për vetëvrasjen e një punëtori, i cili ishte tepër i shqetësuar lidhur me punën, quajti përgjegjës punëdhënësin e tij.
Gazeta e Australisë The Canberra Times tha se ‘amerikanët ua kanë kaluar japonezëve duke pasur orarin e punës më të gjatë në botë’. Kështu nëpër gazeta ka artikuj me tituj të tillë, si për shembull «Punët me orar të zgjatur po i rraskapitin njerëzit deri në vdekje», të cilët flasin për punëtorë të lodhur, si: shoferë ambulance, pilotë, punëtorë ndërtimi e transporti, si edhe punëtorë të turnit të natës që vdesin në vendin e punës.
Ndërsa firmat bëjnë riorganizime dhe shkurtime që të vazhdojnë të kenë përfitim financiar, mbi punonjësit bëhet më shumë presion për të qenë më të frytshëm. Gazeta The British Medical Journal raportoi se shkurtimet kanë një ndikim negativ për shëndetin e punonjësve.
Dhuna në vendet e punës
Punonjësit e mbingarkuar e të stresuar nuk përbëjnë një rrezik vetëm për veten e tyre. Një anketë britanike zbuloi se shumë nga ata që punojnë
në zyra e kalojnë një pjesë të mirë të kohës së punës në gjendje acarimi me kolegët dhe se shpesh konflikte të tilla çojnë në reagime të dhunshme.«Rreth 15 punëtorë amerikanë vriten çdo javë në vendin e punës»,—thotë revista Business Week. Harvard Business Review komenton: «Dhuna në vendin e punës nuk është argument i pëlqyer bisede për asnjë administrator. Megjithatë, është fakt se çdo vit qindra punonjës sulmojnë ose madje vrasin kolegët e tyre.»
Nga ana tjetër, shumë hasin dhunë në vendin e punës nga klientët ose nga blerësit. Një raport australian i kriminologjisë thotë se disa mjekë kanë kaq shumë frikë se mos i sulmojnë, saqë mbajnë një shoqërues kur bëjnë vizita në shtëpi. Edhe policët dhe mësuesit janë në rrezik.
Një formë tjetër e dhunës në vendin e punës është abuzimi emocional, dukuri që njihet nga Organizata Ndërkombëtare e Punës si dhunë psikologjike. Një formë kryesore e këtij abuzimi është kërcënimi me fjalë.
Profesori Robert L. Veninga i Universitetit të Minesotës, SHBA, raporton se «stresi dhe sëmundjet që vijnë si pasojë, ndikon fuqimisht te punëtorët pothuajse në çdo cep të botës». Ai komentoi se «sipas raportit botëror të punës për vitin 1993 nga Organizata Ndërkombëtare e Punës e Kombeve të Bashkuara, problemi kryesor është që stresi krijohet nga vendet e punës që të bëjnë të ndihesh i parëndësishëm, që janë gjithnjë në ndryshim e sipër e që janë shpesh jomikpritëse».
Prandaj pyetja është: Çfarë mund të bëjnë punëdhënësit dhe punonjësit për ta bërë më të sigurt vendin e punës? Kjo do të shqyrtohet në artikullin vijues.