Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ëndrra ime: Ja si u plotësua!

Ëndrra ime: Ja si u plotësua!

Ëndrra ime: Ja si u plotësua!

TREGUAR NGA ALENA ZHITNIKOVA

Ndërsa rritesha, në Çekosllovaki, një vend satelit sovjetik, familja jonë mezi priste të shihte botën paqësore që premtonte komunizmi. Megjithatë ëndrra e komunizmit për të krijuar një shoqëri të lumtur e të bashkuar mori fund në vitin 1991, kur u shpërbë Bashkimi Sovjetik. Më lini t’ju përshkruaj se si u plotësua në një mënyrë tjetër kjo ëndërr.

LINDA më 12 shtator 1962, në një familje komunistësh të flaktë, të cilët jetonin në Horni-Benesov, një fshat rreth 290 kilometra larg Pragës. Babai im u besonte idealeve komuniste dhe jetonte sipas tyre. Edhe mua, dy vëllezërit e mi dhe motrën na rriti sipas këtyre idealeve. Na mësoi se me punë të ndershme dhe me një jetë të ndershme mund të ndihmonim për të krijuar një shoqëri më të mirë. Ai e shihte komunizmin si mënyrën më të mirë të qeverisjes dhe e mbështeste atë aktivisht.

Babai shpesh merrte pjesë në mbledhje, në të cilat komunizmi ngrihej në qiell. Ai e përbuzte fenë për shkak të hipokrizisë së kishave dhe na mësoi e arritëm të besonim se nuk ka fare Perëndi. Babai besonte se me kalimin e kohës, kur të gjithë njerëzit të kishin një shtëpi dhe ushqim të mjaftueshëm, do të bëheshin njerëz më të mirë dhe do të jetonin në paqe. Ishte një shpresë e bukur, rreth së cilës dëgjoja të flitej shumë ndërsa rritesha. Besoja gjithçka që na kishte mësuar babai dhe madje isha e vendosur që të mbështetja komunizmin.

Kur isha vajzë e vogël, u përgatita për t’u bërë pioniere, siç quheshin anëtarët e organizatës së famshme të rinisë komuniste Pionierët e Rinj. Pionierët nxiteshin që të zhvillonin cilësi të mira dhe ta donin atdheun. Kur isha nëntëvjeçe, bëra betimin solemn të pionierit dhe më dhanë një shall të kuq që ta vija në qafë. Gjithashtu, më lejohej të vishja uniformën zyrtare të pionierit, një fustan, për raste të veçanta. Përpiqesha të isha një pioniere shembullore. Kur dëgjoja shoqet e shkollës të përdornin një gjuhë të ulët, i qortoja duke u kujtuar se pionieret nuk flitnin ashtu.

Sidoqoftë, me kalimin e kohës, fillova të kuptoja se shumë veta që pohonin se ishin komunistë nuk i mbështetnin idealet e komunizmit. Në vend që t’i bënin ballë prirjes njerëzore për të qenë lakmitarë e ziliqarë, ata vidhnin pronën shtetërore. Shumë njerëz, megjithëse i nxitnin të tjerët që të punonin për të mirën e popullit, vetë nuk bënin kështu. Në të vërtetë, u bë e njohur shprehja: «Kush nuk vjedh, vjedh nga shtëpia e vet.» Fillova të pyetja veten: ‘Përse ka kaq shumë hipokrizi? Përse bëhet kaq pak punë për të mbështetur idealet e shkëlqyera të komunizmit? Përse përpjekjet janë kaq të pasuksesshme?’

Periudhë rishqyrtimi

Kur isha në vitet e adoleshencës, kalova një pjesë të pushimeve verore me Alenën, një shoqe shkolle. Një mbrëmje, shoqja e Alenës që ishte e rritur e quhej Tanja erdhi të na takonte. «Duhet t’ju flas për diçka shumë të rëndësishme,​—tha ajo.​—U binda se Perëndia ekziston.» U mahnitëm që kishte arritur në këtë përfundim. Pasi e morëm veten nga kjo e papritur, e mbytëm me pyetje. «Çfarë provash ke?» «Ç’pamje ka Perëndia?» «Ku jeton?» «Përse nuk vepron?»

Tanja iu përgjigj pyetjeve tona një për një. Ajo na shpjegoi se qëllimi fillestar i Perëndisë ishte që toka të ishte një shtëpi parajsore për njerëzimin dhe na tregoi se si do të përmbushej ky qëllim në të ardhmen. Kur na tregoi nga Bibla premtimet për një tokë të pastruar, të banuar nga njerëz të moralshëm e të shëndetshëm, të cilët kujdeseshin për njëri-tjetrin, m’u duk se këto ishin të ngjashme me premtimet në të cilat besoja. Por isha e sigurt se po t’i thuhej babait që këto gjëra të mrekullueshme do të arriheshin me anë të Mbretërisë së Perëndisë dhe jo me anë të komunizmit, atij nuk do t’i pëlqente.

Puna është se, njëherë, kur isha ndoshta 6 a 7 vjeçe, një vajzë që ishte fqinja jonë, më mori në kishë pa dijeninë e prindërve të mi. Prifti rrëfeu një tregim biblik që më pëlqeu kaq shumë, saqë desha të dija më tepër. Madje, mora edhe disa materiale fetare për t’i lexuar. Kur ua tregova prindërve të mi, më ndaluan prerazi të shkoja përsëri në kishë dhe shkatërruan gjithçka që kisha sjellë në shtëpi. Babai më dha një të rrahur të mirë, që të ma bënte krejtësisht të qartë këtë punë.

Pas kësaj, Perëndia nuk përmendej kurrë në shtëpinë tonë. Kisha arritur të besoja se vetëm njerëzit e thjeshtë e të pashkolluar besonin te Perëndia dhe se feja ishte shpikje e njeriut. Në shkollë na mësonin se, meqë ka dukuri që nuk mund t’i kuptojmë, njerëzit thjesht kishin shpikur idenë e Perëndisë. Por, tani, ja ku ishte Tanja, një grua inteligjente (pasi ishte mësuese), e cila besonte te Perëndia. «Duhet të ketë diçka këtu»,​—mendova.

Tanja foli në një mënyrë kaq bindëse, saqë u bindëm se i besonte ato që thoshte. Kështu e pyetëm: «Tanja, çfarë të bindi ty se Perëndia ekziston me të vërtetë?»

«Bibla,​—u përgjigj ajo.​—Të gjitha pyetjet që ju bëtë i kanë përgjigjet në Bibël. A do t’ju pëlqente ta kuptonit më mirë?»

E dija që prindërive të mi nuk do t’u pëlqente nëse filloja të studioja Biblën. Prapëseprapë, dëshiroja kaq shumë që të mësoja. Kështu Tanja më dha adresën e Ludmillës, një Dëshmitare e Jehovait që jetonte afër shtëpisë sonë në Horni-Benesov. Ndërsa shqyrtoja me Ludmillën premtimet e Perëndisë për parajsën tokësore, pyetja veten: ‘Çfarë sigurie kam se këto do të realizohen?’

Ludmilla tha se duhej të mësoja më shumë për Perëndinë, që të mund të besoja tek ai dhe te premtimet e tij. Nga studimi që bëmë, u binda se toka dhe format e shumta të ndërlikuara të jetës në të nuk janë fryt i një rastësie të verbër. Më duhej të pranoja se duhet të ketë një Krijues jashtëzakonisht inteligjent. Kuptova se sa e arsyeshme është Bibla kur thotë: «Sigurisht, çdo shtëpi ndërtohet prej dikujt, por ai që ka ndërtuar gjithçka është Perëndia.»​—Hebrenjve 3:4.

Doja që familja ime t’i mësonte këto gjëra. Megjithatë, dyshoja që nuk do t’u interesonin, kështu e lashë t’ua tregoja më vonë. Pastaj, një ditë midis gjërave të mia personale, nëna gjeti një faqe e cila kishte rënë nga një Bibël e vjetër e grisur që ma kishin dhënë. Prindërit u shqetësuan shumë.

Biseda me babanë

Kur u vërtetua dyshimi i babait që isha lidhur me Dëshmitarët e Jehovait, ai më ftoi për një shëtitje të gjatë. «Duhet t’i presësh menjëherë të gjitha lidhjet me këta njerëz,​—më tha.​—Nëse nuk e bën, nuk do të mundem të vazhdoj si kryetar fshati. Do të më shkatërrosh karrierën. Do të më duhet të largohem nga zyra dhe të kthehem në fabrikë ku punoja më parë. Do të mbulosh me turp gjithë familjen.»

«Por, babi, Bibla është një libër i arsyeshëm dhe ka këshilla të shkëlqyera se si të jetojmë»,​—u mbrojta unë.

«Jo, Alenka,​—shpjegoi babai,​—unë nuk kam pasur kurrë nevojë as për Biblën, as për Perëndinë për të qenë i lumtur. E kam bërë gjithçka vetë me duart e mia. Askush nuk më ndihmoi. Habitem se si mund t’i besosh këto gjepura. Duhet të hysh në jetën reale, të martohesh e të kesh fëmijë dhe atëherë do të shohësh se mund të jesh e lumtur pa Perëndinë.»

Këmbëngulja e babait më bëri përshtypje. Për një çast nisa të vë në dyshim besimin tim, i cili nuk kishte ende një themel të fortë. Ishte e vërtetë që e njihja babanë nga shumë më tepër kohë sesa Dëshmitarët e Jehovait dhe gjithmonë isha ndier e sigurt në shtëpi. Babai e kishte për të mirën time dhe për këtë nuk kisha dyshim. E dija që më donte, kështu i premtova se do ta ndërprisja studimin e Biblës. Pak kohë pas kësaj, në moshën 18-vjeçare, mbarova shkollën dhe shkova të punoja në Pragë, në kryeqytetin e vendit tonë.

Jeta ime në Pragë

Zura punë në një bankë dhe mezi pritja të mësoja rreth jetës reale, për të cilën babai tha se po arrihej me anë të komunizmit. Megjithatë, brenda një kohe të shkurtër, pashë se njerëzit në qytet nuk ishin më të lumtur se ata në fshatin tim. Në të vërtetë, imoraliteti, hipokrizia, egoizmi dhe pirja e tepërt ishin të zakonshme.

Pas ca kohësh, një Dëshmitar që banonte afër shtëpisë sime në Horni-Benesov bëri rregullime që Dëshmitarët të lidheshin me mua. Në këtë mënyrë rifillova studimin e Biblës në Pragë me një grua të quajtur Eva. Në fund të çdo studimi, Eva më pyeste: «A dëshiron që të vij përsëri javën tjetër?» Kurrë nuk më detyroi që të pranoja mendimet e saj, megjithëse ndonjëherë unë e pyesja se çfarë do të kishte bërë po të kishte qenë në vendin tim.

«Nuk mund të të them çfarë do të bëja unë»,​—thoshte. Pastaj e drejtonte vëmendjen te diçka në Bibël që më ndihmonte të merrja vendimin. Një gjë që më shqetësonte shumë ishte marrëdhënia ime me prindërit, kështu e pyeta nëse duhej ta ndërprisja shoqërimin me ta. Eva hapi Eksodin 20:12, ku Bibla thotë se duhet të nderojmë prindërit tanë. Pastaj ajo më pyeti: «Megjithatë, a ka ndonjë person që duhet ta vëmë përpara prindërve?»

Meqë nuk isha e sigurt, ajo hapi Biblën te fjalët e Jezu Krishtit: «Ai që ka më për zemër babanë ose nënën sesa mua, nuk është i denjë për mua.» (Mateu 10:37) Kështu arrita të kuptoja që, megjithëse prindërit e mi meritojnë nderim, Jezui, si edhe Ati i tij qiellor, meritojnë një dashuri edhe më të madhe. Eva gjithmonë përpiqej të nxirrte në pah një parim biblik përkatës dhe pastaj më linte të vendosja vetë.

Përplasje interesash

Përfundimisht, në shtator të 1982-shit, u pranova si studente në një kolegj në Pragë, që të studioja për agronomi. Gjithsesi, shpejt kuptova se nuk mund të merresha siç duhet me kurset e kolegjit dhe në të njëjtën kohë t’i kushtoja vëmendjen që dëshiroja studimit biblik. Kështu i thashë një pedagogeje se po mendoja të lija kolegjin. «Do të të dërgoj te dikush që të të kuptojë dhe të të ndihmojë»,​—më tha. Ajo e rregulloi që dekani i kolegjit të fliste me mua.

Dekani më priti me kënaqësi, dhe më pyeti: «Përse studentja jonë më e mirë dëshiron të lërë shkollën?»

«Sepse nuk kam kohë për gjëra të tjera që më interesojnë»,​—u përgjigja. Meqenëse Dëshmitarët e Jehovait atëherë ishin të ndaluar në Çekosllovaki, nuk kisha ndër mend t’i tregoja përse po mendoja të largohesha. Por, pasi kisha folur me të për gati dy orë, mendova se ishte i besueshëm. Kështu, i tregova që po studioja Biblën.

«Të studiosh edhe Biblën, edhe Marksin,​—tha ai.​—Pastaj bëj zgjedhjen tënde.» Dukej, madje, sikur po më nxiste të studioja Biblën.

Një komplot dështon

Sidoqoftë, ditën tjetër, ai dhe pedagogia udhëtuan deri në fshatin tim, që të vizitonin prindërit e mi. Ata i paralajmëruan se kisha lidhje me një sekt të rrezikshëm e të ndaluar dhe se doja të lija kolegjin. «Nëse vajza juaj vendos të lërë shkollën,​—i premtoi dekani babait,​—ne do të sigurohemi që ajo të mos jetë në gjendje të gjejë punë në Pragë dhe atëherë ka për t’u kthyer tek ju e do t’i shkëputë lidhjet me atë sekt.»

Në janar të vitit 1983, e lashë shkollën. Një shoqe, e cila gjithashtu, studionte Biblën, më ndihmoi të merrja një dhomë me qira te një grua e moshuar. Duke qenë se nuk dija asgjë për vizitën e dekanit te prindërit dhe premtimin që i kishte bërë babait, nuk arrija ta kuptoja përse të gjitha përpjekjet e mia për të gjetur punë nuk kishin sukses. Edhe pronarja e shtëpisë ishte kureshtare për këtë, kështu pa dijeninë time shkoi te dekani i kolegjit dhe e pyeti se përse e kisha lënë shkollën.

«Ki kujdes!​—e paralajmëroi ai.​—Ajo është anëtare e sektit të rrezikshëm të Dëshmitarëve të Jehovait. Ja përse iu desh ta linte shkollën. Ajo duhet të kthehet në shtëpi dhe t’i japë fund kësaj. Unë do të bëj që ajo të mos gjejë asnjë punë në Pragë.»

Kur pronarja erdhi në shtëpi atë natë, më thirri dhe tha: «Atëherë, Alenka, sot shkova te kolegji yt.» Mendova se duhej të bëja gati plaçkat po atë natë dhe të ikja nga apartamenti i saj. Por ajo tha: «Nuk i miratoj veprimet e dekanit. Ti mund të besosh çfarë të duash, e rëndësishme është se si sillesh. Do të të ndihmoj të gjesh punë.» Atë natë, në lutje falënderova Jehovain për këtë ndihmë.

Shumë shpejt pas kësaj, babai erdhi në Pragë që të më merrte në shtëpi. Por këtë herë argumentet e tij nuk më bindën. Besimi im te Jehovai dhe te premtimet e tij kishte themele më të forta. Në fund, babai iku pa mua dhe për herë të parë në jetën time e pashë të qante. Megjithëse ishte një takim tepër prekës, kjo përvojë më afroi më shumë me Jehovain. Dëshiroja t’i përkitja dhe t’i shërbeja Atij. Kështu, më 19 nëntor 1983, e simbolizova dedikimin tim ndaj Jehovait duke u pagëzuar në një vaskë me ujë në një apartament në Pragë.

Vendimi im u shpërblye

Me kalimin e kohës, u përfshiva edhe unë në grupin që ndihmonte për prodhimin e literaturës së ndaluar të Dëshmitarëve. Puna kërkonte masa të rrepta sigurie, meqë autoritetet kishin burgosur tashmë disa që ishin kapur duke e bërë këtë. Detyra ime e parë ishte që me makinë shkrimi të bëja kopje të Kullës së Rojës të përkthyer në çekisht. Këto kopje më pas u dorëzoheshin Dëshmitarëve që t’i përdornin në studimin e Biblës.

Më vonë, më ftuan të bashkohesha me një grup që mblidhej për të përgatitur libra në një apartament në Pragë. Shumica e mobilieve të një dhome u hoqën dhe pastaj faqet e shtypura nga secili prej nesh i mblidhnim në një tavolinë të gjatë, e cila ishte vendosur në mes të dhomës. Më pas, këto faqe ngjiteshin ose qepeshin së bashku për të bërë një libër. Shpesh, mendoja se sa e këndshme do të ishte ta bëja në kohë të plotë këtë punë.

Si pioniere në organizatën e rinisë komuniste, isha përpjekur t’u mësoja fëmijëve që të ishin njerëz më të mirë. Si një Dëshmitare e Jehovait vazhdoj të punoj me të rinjtë dhe kam ndihmuar disa prej tyre që të bëhen shërbëtorë të pagëzuar të Jehovait. Megjithëse asnjë anëtar i familjes sime nuk është bërë ende një Dëshmitar, kam arritur të kem, siç premtonte Bibla, shumë baballarë, nëna, vëllezër e motra frymore.​—Marku 10:29, 30.

Në vitin 1989, një qeveri demokratike zëvendësoi qeverinë komuniste në vendin tonë. Ky ndryshim solli lirinë ligjore për Dëshmitarët e Jehovait, e cila ka sjellë si pasojë mundësinë për t’u mbledhur lirisht për studimin e Biblës, për të predikuar nga shtëpia në shtëpi pa rrezikun e arrestimit dhe për të udhëtuar jashtë shtetit që të ndjekim kongrese ndërkombëtare. Për më tepër, nuk na duhet të shqetësohemi më për marrjet në pyetje, për arrestimet ose për kërcënimet.

Shërbej bashkë me tim shoq

Në vitin 1990, u martova me Petrin, një i bashkëkrishterë. Në prill të vitit 1992, të dy patëm mundësinë të arrinim synimin për t’u bërë pionierë, siç i quajnë Dëshmitarët ata që predikojnë në kohë të plotë. Përfundimisht, në qershor të vitit 1994, na ftuan të punonim në zyrën e degës së Dëshmitarëve të Jehovait në Pragë. Tani, në vend që të prodhojmë literaturë biblike në fshehtësi, mund të marrim pjesë lirisht për t’u shërbyer interesave frymore të njerëzve në gjithë Republikën Çeke.

Para disa vjetësh, së bashku me Petrin u ngazëllyem jashtë mase kur prindërit e mi pranuan ftesën që u bëmë për të vizituar ndërtesat ku jetojmë dhe punojmë bashkë me 60 anëtarë të tjerë të familjes së degës sonë. Pasi këqyri shtëpinë tonë dhe zyrat, babai tha: «Po, e ndiej se keni dashuri të vërtetë midis jush.» Këto ishin fjalët më të bukura që kam dëgjuar ndonjëherë nga im atë.

Gëzojmë atë që premtonte komunizmi

Shpresa jonë për të gëzuar një botë më të mirë me anë të komunizmit s’ishte gjë tjetër veçse një fantazi. Historia e njerëzimit ka zbuluar se edhe përpjekjet më të sinqerta të njerëzve nuk kanë pasur sukses për të krijuar një shoqëri të drejtë. Besoj se ka ende shumë njerëz që do të arrijnë të kuptojnë se njeriu nuk mund të gëzojë një jetë të lumtur pa ndihmën e Perëndisë.​—Jeremia 10:23.

Shpesh e kujtoj dëshirën e babait që unë të gëzoja atë që ai e quante «një jetë reale», të cilën na mësoi se do ta bënte të mundur komunizmi. Sidoqoftë kam kuptuar nga studimi i Biblës se ajo që quhet ‘jetë e vërtetë’​—jeta në botën e re të drejtë të Perëndisë​—është i vetmi premtim i sigurt tek i cili njerëzit mund të mbështeten. (1 Timoteut 6:19) E them këtë sepse, megjithëse janë nën pushtetin e mëkatit dhe të papërsosmërisë njerëzore, ata që me çiltërsi janë përpjekur të zbatojnë mësimet e Biblës në jetën e tyre kanë mundur të jetojnë së bashku në paqe në një mënyrë të jashtëzakonshme. Dhe u kanë bërë ballë me sukses të gjitha përpjekjeve për të thyer unitetin e tyre ose për t’i larguar nga dashuria besnike ndaj Jehovait, Perëndisë së tyre.

Kjo sidomos m’u ngulit në mendje kur unë dhe burri im patëm privilegjin të ishim midis të ftuarve që morën pjesë në dedikimin e ndërtesave të reja të degës së Dëshmitarëve të Jehovait afër Lvovit në Ukrainë, më 19 maj 2001. Atje takova Dëshmitarë të tjerë që kishin qenë anëtarë të organizatës së rinisë komuniste Pionierët e Rinj. Ata kishin shpresuar, ashtu si unë, që komunizmi të sillte paqe të vërtetë dhe të vendoste unitetin mes gjithë njerëzve. Vladimir Grigorjevi, i cili tani shërben me gruan e tij në zyrën e degës së Rusisë, kishte qenë edhe ai një pionier i ri.

Tani dukej ironike që Dëshmitarët e Jehovait kishin ndërtuar degën e tyre të re këtu, në një vend që kishte shërbyer si kamp veror për Pionierët e rinj. Duke qenë se në degë hapësira ishte e kufizuar, për programin e dedikimit mund të strehoheshin vetëm 839 veta nga 35 vende. Megjithatë, mëngjesin pasues, 30.881 veta u mblodhën në një stadium futbolli në Lvov për të dëgjuar një rishikim të programit të ditës së mëparshme. * Disa prej tyre që të ishin të pranishëm kishin udhëtuar nga vende të largëta deri gjashtë orë e më shumë.

Mirëpo, kur këta njerëz mësuan për rregullimin që të bënin një vizitë në ndërtesat e reja të degës, ata hipën në autobusët e shumtë me të cilët kishin ardhur në stadium. Nga mesi i pasdites autobusët filluan të vinin në degë për vizitën. Në këto ndërtesa, im shoq dhe unë patëm privilegjin të ishim mysafirë një natë më parë. Deri në mbrëmjen e asaj dite, më shumë se 16.000 nga këta bashkëbesimtarë të dashur përfunduan vizitën e tyre, hipën në autobusë dhe nisën udhëtimin për në shtëpi. Për shumë prej tyre ky ishte një udhëtim i gjatë.

Në Ukrainë, si edhe në vende të tjera të Evropës Lindore, miliona njerëz besonin se komunizmi ishte shpresa më e mirë për të krijuar një shoqëri të re paqësore. Sidoqoftë, sot, vetëm në Ukrainë ka më shumë se 120.000 njerëz që mbahen të zënë, duke u treguar të tjerëve për Mbretërinë e Perëndisë. Në të vërtetë, shumë nga ne ish-komunistët kemi arritur të besojmë se qeveria e Perëndisë është e vetmja shpresë e vërtetë për të pasur një vëllazëri të vërtetë dhe paqe midis njerëzve.

[Shënimi]

^ par. 51 41.143 të tjerë u mblodhën në të njëjtën kohë në një stadium në Kiev, rreth 500 kilometra larg, ku dëgjuan gjithashtu, një rishikim të programit të dedikimit. Pjesëmarrja e përgjithshme prej 72.024 vetash përbënte grumbullimin më të madh që kanë pasur ndonjëherë Dëshmitarët e Jehovait në Ukrainë.

[Figura në faqen 12]

Kur isha 10 vjeçe, pak pasi kisha hyrë në organizatën komuniste Pionierët e Rinj

[Figura në faqen 16]

Me burrin tim, Petrin

[Figura në faqen 16]

Vladimiri, një ish-pionier i ri, të cilin e takova në dedikimin e degës së Ukrainës.

[Figura në faqet 16, 17]

Më shumë se 30.000 veta dëgjuan një rishikim të programit të dedikimit

[Figura në faqen 17]

Më shumë se 16.000 veta vizituan ndërtesat e degës