Bëjeni të sigurt mjedisin ku punoni
Bëjeni të sigurt mjedisin ku punoni
PAVARËSISHT nga ligjet për shëndetin dhe sigurinë në punë, dëmtimet dhe vdekjet në punë mbeten ende një problem thelbësor. Është e qartë, pra, se siguria në vendin e punës nuk mund të arrihet thjesht me anë të ligjeve. Punëdhënësit dhe punonjësit duhet të marrin përsipër një pjesë të përgjegjësisë për sigurinë e tyre dhe atë të të tjerëve.
Prandaj të gjithë punonjësit duhet të shqyrtojnë me kujdes e mençuri mjedisin ku punojnë dhe zakonet e tyre në punë. Për shembull, a keni vënë re nëse vendi ku punoni është vërtet i sigurt? A punoni me ndonjë substancë helmuese? Nëse po, a jeni të mbrojtur siç duhet? A jeni vazhdimisht nën stres? A i pranoni oraret e punës
që bien ndesh me kufijtë ose oraret e vendosura nga ligji?Duke iu përgjigjur pyetjeve si këto, mund të zbuloni fare mirë se sa të sigurt jeni në punë.
Të vetëdijshëm për rreziqet
Përpjekjet për të mbajtur orare pune të paarsyeshme mund të jenë të rrezikshme. Pasi shqyrtoi përfundimet e një ankete me 3,6 milionë punëtorë dhe 37.200 vende pune, profesor Lousën Sejvëri i Universitetit Kërtin, në Australi, së bashku me një kërkues, botuan një dokument me titull: «Punët me orar të zgjatur: A janë të rrezikshme dhe a i pranojnë njerëzit?» Përgjigjja për të dyja pjesët e kësaj pyetje ishte me pak fjalë ‘Po’.
E vërteta është se punëtorët e lodhur janë më pak të frytshëm dhe bëjnë më shumë gabime. Siç tha profesor Sejvëri, raportuar në gazetën e Australisë The Sun-Herald: «Shumë firma kanë nxitur maninë pas punës dhe në mënyrë aktive kanë kërkuar e kanë shpërblyer maniakët e punës.» Pasojat janë jashtë mase shkatërruese. Ndoshta ky problem nuk është asgjëkundi më i dukshëm sesa në industrinë e transportit, ku shoferët mund të nxiten ose madje të detyrohen të ngasin makinën për orë të tëra pa pushuar, e në disa vende kjo është e paligjshme.
Zakonet e këqija në punë, të cilat mund të përfshijnë mungesën e rregullit dhe të pastërtisë, paraqesin një rrezik tjetër. Lënia e veglave të punës të shpërndara në dysheme ose e telave elektrike të lidhura me rrjetin e energjisë shpesh çon në aksidente, e madje në vdekje. E njëjta gjë mund të thuhet kur shpërfillen masat e sigurisë gjatë përdorimit të veglave dhe të makinerive elektrike. Dëmtimet dhe vdekja mund të shkaktohet edhe kur lëngjet e derdhura në dysheme lihen pa pastruar, sidomos ato helmueset. Shumë dëmtime janë shkaktuar ngaqë punëtorët kanë rrëshqitur në dysheme me vaj ose të lagura. Prandaj mund të thuhet se ligji kryesor i një pune të mirë është pastërtia dhe rregulli.
Megjithatë shumë veta janë të prirur t’i shpërfillin masat e sigurisë. Gazeta Monthly Labor Review pohoi: «Presioni i punës mund të na bëjë të mendojmë se për të plotësuar nevojat është e domosdoshme të bëjmë ca shkurtime.» Prandaj, lidhur me ndonjë masë sigurie, disa mund të arsyetojnë: ‘Kur s’e kam zbatuar, nuk më ka ndodhur kurrë
ndonjë problem.’ Duke folur për këtë çështje, një administrator me përvojë i një fabrike vërejti: «Një nga gjërat më të këqija që mund të bëni në punë është të shpërfillni masat e sigurisë dhe të shpëtoni pa ju ndodhur gjë.» Përse? Sepse kjo gjë çon në besim të tepërt tek vetja dhe në pakujdesi, duke shkaktuar më shumë aksidente.Shpërthimi i centralit bërthamor të Çernobilit në Ukrainë në vitin 1986, shpesh është përshkruar si «aksidenti bërthamor më i rëndë në botë». Përse ndodhi ky aksident? Një raport për këtë katastrofë përmend një «listë me procedura të pakujdesshme pune» dhe «shpërfilljen e vazhdueshme të masave të sigurisë».
Punëdhënësi dhe punonjësi mund të bashkëpunojnë për të parashikuar rreziqet e mundshme ndaj sigurisë. Një proverb i mençur biblik thotë: «Njeriu i matur e shikon të keqen dhe fshihet.» (Fjalët e urta 22:3) Po, njeriu i mençur e vëren një situatë që mund të dalë se është e rrezikshme dhe kërkon mënyra për të mbrojtur veten dhe të tjerët.
Kur punëdhënësit bëjnë këtë gjë, nxjerrin dobi ata vetë dhe punonjësit. Për shembull, një firmë që e rimodeloi mjedisin e punës për të shmangur «sindromën nga ndërtesa e sëmurë», vuri re se s’kaloi shumë e prodhueshmëria u rrit dhe niveli i kënaqësisë së kolektivit të punës u përmirësua dukshëm. Gjithashtu u kuptua se më pak njerëz mungonin në punë për shkak të sëmundjeve. Një vlerësim i tillë për shëndetin e të tjerëve, jo vetëm që krijon një mjedis më të këndshëm për punëdhënësin dhe punonjësin, por, siç u pa në këtë rast, mund edhe të sjellë dobi nga ana ekonomike.
Siç u vërejt në artikullin e kaluar, vendi i punës është pushtuar nga dhuna. Çfarë mund të bëni për t’u mbrojtur?
Hapa që mund të merren
Edhe incidentet e vogla të një sjelljeje agresive në vendin e punës janë shndërruar në raste të rënda ngacmimesh. Harvard Business Review jep këtë këshillë që të vë në mendime: «Për të ndalur dhunën në vendin e punës, kini parasysh se njerëzit që kryejnë veprime të vogla agresive, shpesh shkojnë edhe më tej, duke kryer veprime edhe më të mëdha.»
Një grua mund të mos ketë si qëllim të tërheqë vëmendjen e kolegëve të punës, por nëse mënyra e saj e të veshurit, e të folurit dhe e të sjellurit nuk është modeste, te të tjerët mund të krijohet përshtypja se ajo grua është e pamoralshme. Kohët e fundit sjelljet që nuk kanë pasur si qëllim të tërheqin vëmendje të papërshtatshme, disa herë kanë sjellë si pasojë probleme të rënda, përfshirë ndjekjen, përdhunimin madje edhe vrasjen. Prandaj kini parasysh se si po ndikon te të tjerët veshja dhe sjellja juaj. Vërini veshin këshillës së Biblës: ‘Stolisuni me veshje të rregullt, me modesti dhe mendje të shëndoshë.’—1 Timoteut 2:9.
Monthly Labor Review vuri në dukje një situatë tjetër që mund të jetë shumë e rrezikshme, duke thënë: «Shqetësime ngrihen për punonjësit që punojnë të vetëm natën në zona të izoluara.» Prandaj mendoni me kujdes: A është e mençur të pranojmë rreziqet e mundshme që vijnë shpesh duke punuar vetëm, sidomos natën vonë? A ia vlen me të vërtetë të rrezikojmë në këtë mënyrë për të marrë ndonjë shpërblim në para?
Gjithashtu është jetësore të shqyrtojmë se si reagojmë ndaj sjelljeve acaruese dhe agresive të punëtorëve të tjerë të stresuar. Çfarë mund të bëhet për të mënjanuar thellimin e një situate që mund të bëhet e rrezikshme? Një proverb biblik këshillon: «Përgjigjja e ëmbël e fashit zemërimin, por fjala therëse e nxit zemërimin.» (Fjalët e urta 15:1) Po, duke qenë të sjellshëm dhe plot respekt, mund të bëni shumë për të ulur tensionin dhe për të shmangur një konflikt.
Në mjedisin e sotëm stresues të punës është e zakonshme sjellja acaruese dhe agresive. Edhe pse mund të duket se po na drejtohet neve, personi ndoshta vetëm sa po shfryn stresin dhe mërzitjen e ndrydhur brenda. Ne thjesht mund të jemi në vendin e gabuar, në çastin e gabuar. Prandaj mënyra se si përgjigjemi është e rëndësishme. Mund ta përmirësojë ose ta keqësojë situatën.
Megjithatë, ndoshta mund të keni vërtet ndryshime në pikëpamje. Libri Resolving Conflicts at Work bën këtë vërejtje të dobishme: «Kur jemi në konflikt, . . . vështirë se komunikojmë sinqerisht dhe qartësisht atë që ndiejmë me të vërtetë.» Cila mund të jetë arsyeja? Libri vazhdonte të thoshte: «Konfliktet kanë aftësinë të na pështjellojnë e të na hutojnë aq sa arrijmë të besojmë se nuk ka rrugë tjetër veçse të zihemi.»
Cila është zgjidhja? DËGJONI! Libri i cituar më sipër vëren: «Duke i dëgjuar vërtet njerëzit me të
cilët kemi mosmarrëveshje . . . mund të pushojmë së qeni të përfshirë kaq shumë emocionalisht në dëshirën për të vazhduar konfliktin dhe të kërkojmë zgjidhjet.» Kjo është një këshillë e mirë për të parandaluar që mosmarrëveshjet dhe keqkuptimet të kthehen në konflikte të mëdha.Prandaj përdorni me mençuri një mënyrë të thjeshtë për të arritur sigurinë. Kjo do të përfshinte të qenët të zellshëm për të ndjekur rregullat vendëse lidhur me sigurinë. Një gjë e tillë mund t’ju ndihmojë shumë për ta bërë më të sigurt vendin e punës.
Mund të thuhet edhe se qëndrimi që kemi ndaj jetës, punës dhe kohës së lirë, mund të ndikojë në llojin e punës që zgjedhim dhe në qëndrimin që kemi ndaj sigurisë. Artikulli vijues mund të na ndihmojë të bëjmë zgjedhje të mençura në këtë drejtim.
[Figura në faqen 5]
Pastrojini plotësisht vajrat e derdhura në tokë
[Figura në faqen 7]
Një përgjigje e butë mund ta qetësojë një gjendje të acaruar