Greqia mbështet të drejtat fetare
Greqia mbështet të drejtat fetare
PËR TË PARËN HERË, vitin e kaluar, qeveria greke u dha Dëshmitarëve të Jehovait lejen që të përdornin një nga xhevahirët e ndërtesave të saj sportive për një kongres të madh. Është Pallati Olimpik i Sportit për lojërat në salla të mbyllura që ka pothuajse 20.000 vende. Kjo ndërtesë me ajër të kondicionuar është pjesë e kompleksit sportiv që do të përdoret për Lojërat Olimpike më 2004 në Athinë.
Është për t’u përmendur fakti që më 1963 dhe më 1988, Dëshmitarët e Jehovait kishin bërë rregullime që të përdornin ndërtesat e mëdha sportive të Athinës për kongreset e tyre. Megjithatë, në të dyja herët, autoritetet u dorëzuan para kërcënimeve të Kishës Ortodokse Greke dhe nuk pranuan t’i lejonin Dëshmitarët që t’i përdornin ato.
Një përfundim i ndryshëm
Në shkurt të 2001-shit, Dëshmitarët bënë kërkesën për përdorimin e Pallatit Olimpik të Sportit—një nga ndërtesat e pakta për lojëra në salla të mbyllura, e cila është aq e madhe sa t’i nxinte të gjithë ata që ishin. Por ata pyetnin veten nëse historia do të përsëritej. Fillimisht, siç dyshohej, përgjigjja e autoriteteve ishte negative.
Prapëseprapë, iu drejtuan menjëherë disa zyrtarëve të lartë që njiheshin si të paanshëm dhe pa paragjykime. A do të ishin të gatshëm këta zyrtarë të mbështetnin të drejtat kushtetuese për adhurim dhe për grumbullime paqësore? A do t’i bënin ballë presionit fetar? Ata vepruan kështu dhe një vendim i ri përmbysi
mospranimin e mëparshëm. Kjo u dha mundësinë Dëshmitarëve që të programonin për më 27-29 korrik 2001 kongresin e tyre në Pallatin e Sportit.Në të njëjtën kohë, autoritetet u dhanë leje Dëshmitarëve për të përdorur një ndërtesë tjetër për lojëra në salla të mbyllura, e cila është shtetërore, Pallatin e Sportit të Selanikut.
Presioni i fortë dështon
Ndërsa afrohej dita e parë e kongresit në Athinë, mbeteshin ende pyetjet shqetësuese: A do t’u përmbaheshin autoritetet zotimeve të tyre pavarësisht nga presioni i klerit ortodoks? Dhe a do të ishin në gjendje Dëshmitarët të mblidheshin pa u penguar nga elementë të paligjshëm?
Kisha Ortodokse nuk hoqi dorë nga taktikat e vjetra në përpjekje për të ushtruar ndikimin e saj që ta prishte kongresin. Stacionet televizive treguan se kleri ortodoks kishte kërkuar që të mos përmendej fare kongresi. Gjithsesi, përpjekjet e kishës si përfundim nuk patën sukses.
Është ironik fakti që Kisha Ortodokse i ka akuzuar Dëshmitarët se janë një fe e fshehtë. Por, në të vërtetë, ishte kisha ajo që u përpoq ta pengonte publikun të mësonte se çfarë po ndodhte brenda Pallatit të Sportit. Lumturisht, reporterë të guximshëm të mediave nuk u dorëzuan para presionit të klerit. Ata dhanë lajme në të cilat flitej gjerësisht dhe me paanshmëri për kongresin.
Për më tepër, mijëra delegatë bënë pjesën e tyre duke informuar publikun rreth kongresit dhe duke folur me të tjerët për bindjet e tyre. Kudo që shkonin, delegatët njiheshin nga distinktivët me ngjyrë të verdhë të kongresit. Shumë njerëz që nuk ishin Dëshmitarë të Jehovait e që u ftuan në kongres, erdhën dhe pjesëmarrja u rrit në 15.760 veta ditën e fundit në Pallatin e Sportit. Gjatë dy fundjavëve të fundit të muajit korrik, në kongreset që u mbajtën në Pallatin e Sportit të Selanikut pati gjithsej 13.173 të pranishëm.
Vëzhguesve u la mbresa
Kur një shumicë prej 2.604 vullnetarësh—të gjithë Dëshmitarë të Jehovait—vërshuan në Pallatin e Sportit, duke e pastruar, duke e lyer dhe duke e bërë gati për kongresin, administratorët e ndërtesës thanë: «Erdhëm këtu dhe pamë me sytë tanë diçka që nuk ka ndodhur kurrë në këtë vend.» Dikush tha: «Duhet ta përdorni këtë ndërtesë çdo vit, me qëllim që ta ripërtërini tërësisht.»
Andreas Vardakisit, drejtues për çështjet publike në Pallatin e Sportit, i la shumë mbresa. «E keni zbukuruar këtë ndërtesë,—tha ai.—Ne vërtet kemi personelin që drejton këtu, por pjesëmarrja juaj ishte katalizatori që e bëri të suksesshëm këtë kongres.»
Pasi e kuptoi se nuk ishte nevoja që gjatë kongresit të dërgonte njerëz për të kontrolluar turmën paqësore, një drejtor policie thirri: «Nuk kam parë kurrë kaq mirësjellje dhe kaq rregull!»
Një pikë kryesore e kongresit
Në fjalimin përmbyllës të kongresit, u njoftua se Ministria Greke e Arsimit Kombëtar dhe e Feve i kishte pranuar Dëshmitarët e Jehovait si «fe të njohur». Për më tepër, Ministria i kishte dhënë njohjen ligjore selisë së degës të Dëshmitarëve të Jehovait në Athinë. Dokumenti qeveritar pjesërisht thoshte:
«Dëshmitarët e Krishterë të Jehovait konsiderohen nga qeveria si një fe e njohur . . . me të gjitha përfitimet ligjore që vijnë prej kësaj. Neni i sipërpërmendur i Kushtetutës mbron lirinë e adhurimit, mënyrën dhe mjetet e shprehjes së adhurimit dhe zgjedhjen e lirë në lidhje me mënyrën e administrimit dhe të organizimit të secilës kishë ose mbledhjeje fetare. Kjo mbrojtje shtrihet patjetër edhe në pronën dhe në ndërtesat e organizatës në Marusi [zyra e degës e Dëshmitarëve të Jehovait si] një vend i shenjtë dhe i shenjtëruar, i dedikuar adhurimit të Perëndisë. Këto ndërtesa quhen Bethel, d.m.th. ‘Shtëpia e Perëndisë’.»
Dëshmitarët e Jehovait, si edhe çdokush tjetër që e mbështet lirinë fetare, janë mirënjohës për këto zhvillime. Ata luten që, si pasojë, njerëzit të jenë në gjendje të bëjnë një jetë të krishterë ‘të qetë dhe të patrazuar, plot me devocion hyjnor dhe seriozitet’.—1 Timoteut 2:1, 2.
[Figurat në faqen 10]
Asamble e Dëshmitarëve në Pallatin Olimpik të Sportit
[Burimi]
Harry Bilios