Masait—Një popull i veçantë dhe plot ngjyra
Masait—Një popull i veçantë dhe plot ngjyra
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË KENIA
KËNGA kumbuese e një djaloshi masai (maasai) ushtonte nëpër lëndinë, e përhapur tej nga ajri i agimit i ngopur me lagështirë. Ashtu siç ngrihej lart e më lart dielli i mëngjesit, ashtu bëhej edhe më i fortë zëri melodioz i djalit, ngjashëm një zogu këngëtar që lëshon fuqishëm zërin e tij në dritën e parë të mëngjesit.
Vazhdova të dëgjoja, ndërsa dielli që po ngrihej në horizont zbulonte bariun masai, që rrinte pranë gjedhëve të babait. I mbështjellë me një rrobë të gjatë të kuqe që ia mbulonte pjesërisht trupin, ai qëndronte mbi një këmbë si lejlek, duke u përkulur mbi shkopin e tij të bariut e duke i kënduar tufës së tij të kënaqur. Dëshiroj t’ju tregoj diçka më tepër për këtë popull të veçantë, për masait.
Mirësevini në vendin e masaive
Masait, një popull barinjsh plot ngjyra, jetojnë në hapësirat e gjera e të paana të Luginës Greit Rift në Afrikën Lindore. Masait janë vendosur me banim në shtetet e Kenias dhe të Tanzanisë. Ata janë mbetje e një epoke të kaluar dhe jetojnë pak a shumë po në atë mënyrë që jetonin paraardhësit e tyre shekuj më parë. Duke mos e vrarë mendjen për kalimin e kohës, ata e rregullojnë jetën sipas lindjes dhe perëndimit të diellit e sipas stinëve që ndryshojnë vazhdimisht.
Mjeshtëritë e masaive përfshijnë aftësinë e tyre për të mbijetuar në natyrën e egër dhe në relievin e thyer të Luginës Rift. Duke ecur me hapa të ngadaltë e të mëdhenj, përshkojnë largësi të mëdha në kërkim të kullotave të gjelbra dhe të burimeve të ujit për gjedhët. I kullosin gjedhët midis kopeve të antilopave, të zebrave, të gjirafave dhe të kafshëve të tjera të rrafshinave që gjenden në territorin e tyre.
Mbarështues gjedhësh
Masait besojnë se të gjithë gjedhët e tokës u përkasin atyre. Ky besim ka rrjedhur nga gojëdhëna se në fillim Perëndia kishte tre bij dhe u dha nga një dhuratë secilit. Biri i parë mori një shigjetë për gjueti, i dyti mori një shat për të punuar tokën dhe biri i tretë mori një shkop për të ruajtur gjedhët. Thuhet se ky bir i tretë u bë ati i kombit masai. Megjithëse edhe fise të tjera kanë gjedhë, masait besojnë se këto kafshë në thelb u përkasin atyre.
Në popullsinë masai, pozita dhe rëndësia e një burri përcaktohen nga madhësia e kopesë dhe nga numri i fëmijëve që ka. Për shembull, një njeri që ka më pak se 50 kokë gjedhë quhet i varfër. Një burrë masai shpreson që, me ndihmën e fëmijëve të shumtë dhe të grave, të grumbullojë një kope të madhe që mund të ketë deri në një mijë kokë gjedhë.
Në familjet masai, pjesëtarët e familjes lidhen emocionalisht me gjedhët e tyre. Familja njeh mirë zërin dhe karakterin e veçantë të secilës kafshë. Gjedhët shpesh i damkosin dhe i shënojnë me vija të gjata të lakuara e me modele të ndërlikuara që kanë për qëllim t’i zbukurojnë më tepër kafshët. Këndohen këngë në të cilat përshkruhet bukuria fizike e disa kafshëve të tufës dhe shprehet përzemërsia ndaj tyre. Demat me brirë të mëdhenj të kthyer janë veçanërisht të çmuar dhe për një viç të vogël kujdesen dhe e përkëdhelin me butësi sikur të ishte një fëmijë i porsalindur.
Sipas zakonit, shtëpitë e masaive i ndërtojnë gratë, me degë të thurura me bar dhe pastaj i suvatojnë dhe i izolojnë me bajga lope. Të rrumbullakëta dhe si kubé, shtëpitë janë ndërtuar në një rreth të madh që shërben për të mbrojtur një vathë të brendshme, ku gjatë natës flenë gjedhët. I tërë perimetri rrethohet me gardh me degë të forta e me gjemba, gardh që mbron edhe masait, edhe gjedhët e tyre nga hienat, nga leopardët dhe nga luanët grabitqarë.
Vetë mbijetesa e masaive varet nga shëndeti dhe forca e kopeve të tyre. Qumështi i kafshëve përdoret për ushqim dhe bajgat e lopës përdoren për të mbuluar e për të izoluar shtëpitë. Masait rrallëherë i therin gjedhët për ushqim dhe zakonisht për të ngrënë mbahen disa dele e dhi. Por, kur vritet një gjedh, përdoret çdo pjesë e kafshës. Brirët përdoren si enë mbajtëse, thundrat dhe kockat modelohen si zbukurime. Kurse lëkurët regjen për të bërë këpucë, veshje, mbulesa shtrati dhe për litarë.
Plot ngjyra dhe të veçantë
Të gjatë e të hollë, me tipare fizike të shkëlqyera, masait janë një popull i pashëm. Veshjet i kanë plot ngjyra të mrekullueshme. Rroba e ngjyer në nuanca të ndezura të së kuqes dhe të blusë mbështjell lirshëm trupat e tyre të zhdërvjellët. Gratë zakonisht zbukurohen me
gjerdanë me rruaza të vendosura në formë rrethore si pjatë dhe me shirita shumëngjyrësh që vihen në kokë. Krahët dhe kyçet mund t’i lidhin fort me fije të trasha prej dredhëzash bakri. Edhe burrat, edhe gratë shpesh i zgjatin bulat e veshit, duke vënë vathë të rëndë e stoli me rruaza. Ohreja, një mineral i kuq i shtypur në pluhur të imët, përzihet shpesh me dhjamin e lopës dhe me të lyhet trupi tërë mjeshtëri.Një mbrëmje, nën dritën e zjarrit vështroj teksa një grup masaish mblidhen së bashku për të vallëzuar. Lëvizin me ritëm, duke qëndruar në këmbë e duke formuar kështu një rreth. Ndërsa ritmi i valles përshpejtohet, gjerdanët e rëndë me rruaza të vajzave ulen e ngrihen ritmikisht përmbi supet e tyre. Pastaj, një nga një, luftëtarët masai hyjnë me radhë në qendër të rrethit, ku bëjnë një sërë kërcimesh vertikale mahnitëse, duke u hedhur lart në ajër. Vallëzimi mund të vazhdojë deri natën vonë, derisa të gjithë janë të sfilitur.
Jeta familjare e masaive
Gjatë ditës së nxehtë, u ula me një grup grash masai, nën hijen e një akacieje, duke i soditur kur me mjeshtëri qepnin mbi lëkurë të regjura punime me rruaza. Duke qeshur e duke folur me njëra-tjetrën, ato nuk i vënë re zogjtë endës që cicërojnë sipër kokave të tyre, ndërkohë që thurin çerdhet me fije të thata bari. Gjatë ditës gratë janë të zëna duke mbushur ujë e duke marrë dru zjarri, duke rregulluar shtëpitë dhe duke u kujdesur për fëmijët e vegjël.
Ndërsa drita e diellit që perëndon fillon të zbehet mbi tokë, barinjtë nisin të kthehen bashkë me gjedhët. Dalëngadalë kopeja drejtohet për në shtëpi dhe thundrat e tyre ngrenë një re pluhuri të kuq që ndriçohet nga rrezet e zbehta horizontale të dritës së qelibartë të diellit. Kur gratë e shohin nga larg renë e pluhurit, e lënë menjëherë punën që të përgatiten për afrimin e kopesë.
Pasi gjedhët janë të sigurt brenda vathës, burrat ecin midis kafshëve, duke fërkuar brirët e demave dhe duke admiruar bukurinë e tyre. Një djalë i vogël thith nga gjiri i lopës një curril të hollë qumështi të ngrohtë dhe në çast e ëma e qorton. Vajzat e reja që hyjnë e dalin në labirintin e mbushur plot me brirë dhe me thundra, mjelin lopët me shkathtësi, duke i mbushur deri në buzë enët e gjata prej kungullujësi.
Në mbrëmje të gjithë mblidhemi përreth zjarrit, i cili largon të ftohtit e ajrit. Ndihet aroma e tymit dhe e mishit të pjekur, po ashtu edhe era e fortë e gjedhëve të tufës aty pranë. Një burrë plak ulet e tregon ngjarje nga historia e masaive dhe nga bëmat heroike të luftëtarëve masai në të kaluarën. Ndalet pak vetëm kur një luan ulërin nga larg dhe pastaj i qetë vazhdon të thurë rrëfenjën e hollësishme, duke kënaqur dëgjuesit e vet. Në fund, një nga një, zhduken të gjithë në errësirën e shtëpive përdhese me kubé, për të fjetur. Me përjashtim të frymëmarrjes së lehtë të gjedhëve që flenë, nata është e qetë, e pushtuar nga errësira dhe nga hapësira e paanë e savanës.
Fëmijëria e masaive
Kur zbardh agimi, fshati zien nga gjallëria. Fëmijët e vegjël, të cilët mbajnë vetëm rripa mesi dhe varëse me rruaza, luajnë në ajrin e freskët të mëngjesit. E qeshura e tyre është një tingull ngushëllues për masait, të cilët i duan fëmijët me gjithë zemër dhe te këta pasardhës i varin shpresat për të ardhmen dhe për vetë mbijetesën e tyre.
Rritja e fëmijëve është një punë që u përket të gjithëve, në bashkësi çdo i rritur mund të disiplinojë dhe të ndëshkojë një fëmijë të pabindur. Fëmijët mësojnë të respektojnë të moshuarit dhe shumë shpejt mësojnë zakonet e jetës familjare të masaive. Vitet e para të jetës janë pa kokëçarje, por ndërkohë që rriten vajzat mësojnë të merren me punët e shtëpisë, kurse djemtë stërviten për t’u kujdesur për gjedhët dhe për t’i mbrojtur ato. Prindërit u japin fëmijëve njohurinë për ilaçet popullore dhe u mësojnë ritet e zakonet masai që kanë të bëjnë me të gjitha veçoritë e jetës së masaive.
Hyjnë në moshën madhore
Ndërsa rriten, të rinjtë mësojnë zakonet dhe ceremonitë që do të shënojnë kalimin nga fëmijëria në moshën madhore. Midis riteve të mësuara janë ato se si të përballojnë sëmundjet, fatin e keq, martesën dhe vdekjen. Masait besojnë se nëse nuk ia dalin t’i ndjekin këto rite, kjo mund të sjellë si pasojë mallkime.
Prindërit masai mund të rregullojnë martesën e vajzës që kur është ende foshnjë. Vajza i premtohet një burri që ka mjaft gjedhë sa të paguajë çmimin e nuses që kërkon babai i saj. Shpesh do të martohet me një burrë shumë më të madh se vetja dhe do të zërë një vend midis grave të tjera të tij.
Teksa rriten, djemtë e popullsisë masai shoqërohen më shumë me të rinjtë e tjerë të moshës së tyre. Lidhja e veçantë që kanë me këta bashkëmoshatarë mund të zgjatë një jetë të tërë. Nga djem të papërvojë që ishin së bashku do të shndërrohen në luftëtarë. Si luftëtarë do të pranojnë përgjegjësitë e mbrojtjes së shtëpive, të ruajtjes së burimeve të ujit për bashkësinë dhe të mbrojtjes së gjedhëve nga kafshët e egra dhe nga vjedhjet. Të njohur për trimërinë dhe për guximin e tyre, masait zakonisht nuk i sheh kurrë pa heshtat e mprehura mirë.
Kur luftëtarët janë pak a shumë 30 vjeç, hyjnë në etapën përfundimtare të kalimit në pjekuri. Me entuziazëm e me ceremoni të mëdha futen në moshën madhore; tani do t’u lejohet të martohen. Me këtë pozitë të respektuar, do të përqendrohen për të gjetur një nuse dhe për të shtuar tufën e gjedhëve. Gjithashtu, nga ata do të pritet që të japin këshilla dhe të shërbejnë si ndërmjetës nëpër debate.
Masait dhe e ardhmja e tyre?
Sot zakonet dhe kultura e veçantë e masaive po zhduken me të shpejtë. Në disa zona masait nuk mund të enden më lirisht me gjedhët në kërkim të kullotave të reja. Ngastra të paana toke që përbënin mëmëdheun e tyre prej kohësh, tani po i kthejnë në rezervate për të mbrojtur florën dhe faunën e egër ose po përdoren për strehim dhe për agrikulturë, me qëllim që të sistemohet popullsia në rritje. Thatësira dhe vështirësitë ekonomike po i detyrojnë shumë masai që të shesin gjedhët e tyre të dashura për të mbijetuar. Ndërkohë që masait zhvendosen drejt qyteteve të mëdha, hasin të njëjtat probleme që pllakosin pjesën tjetër të botës moderne që i rrethon.
Sot, shërbimi i Dëshmitarëve të Jehovait po arrin edhe në bashkësitë masai të Afrikës Lindore. Në gjuhën masai janë shtypur më shumë se 6.000 kopje të broshurës Gëzo jetën në tokë përgjithmonë! Kështu masait po ndihmohen që të shohin ndryshimin mes bestytnive të pathemelta dhe të vërtetës biblike. Në të vërtetë, të ngrohet zemra kur sheh se Krijuesi ynë, Perëndia Jehova, i ka dhënë këtij populli plot ngjyra dhe të veçantë një mundësi për t’u numëruar midis shumë ‘kombeve, fiseve, popujve dhe gjuhëve’ që do të mbijetojnë nga shkatërrimi i këtij sistemi të trazuar.—Zbulesa 7:9.
[Figura në faqen 25]
Shtëpi tradicionale masai
[Figura në faqen 26]
Masai të mbledhur së bashku për të vallëzuar
[Figurat në faqen 26]
Dy Dëshmitare masai