Një pikëpamje e drejtpeshuar për punën
Një pikëpamje e drejtpeshuar për punën
NJË oficer ushtrie punoi me përkushtim gjatë pushimit të drekës, për të përfunduar një punë që i nevojitej me ngut eprorit të tij, një oficeri të rangut të lartë. Kur kolegët e tij u kthyen nga dreka, e gjetën përmbys mbi tavolinën e punës . . . të vdekur.
Kolegët e tij u shtangën kur, as dy orë më vonë, eprori i tyre u telefonoi dhe u tha: «Më vjen keq për———, por nesër në mëngjes më duhet dikush që ta zëvendësojë!» Kjo gjë i bëri të pranishmit të pyetnin veten: A ishte puna që bënte ai oficer vlera e vetme që kishte në sytë e eprorit të tij?
Kjo përvojë e vërtetë thekson një realitet: shpesh vlera e një personi matet vetëm nga dobia që i sjell punëdhënësit. Kjo mund ta bëjë dikë të pyesë: A jetoj për të punuar apo punoj për të jetuar? Cilat fusha të jetës po i sakrifikoj për punën?
Të bëjmë zgjedhje të mençura
Dy nga vendimet që disa i quajnë më të rëndësishmet në jetë, zgjedhja e bashkëshortit dhe përzgjedhja e punës, shpesh merren në mënyrë të rrëmbyer. Si puna, ashtu edhe martesa dikur shiheshin si diçka e qëndrueshme. Për këtë arsye, zgjedhjes së secilës prej tyre i jepej një vëmendje e veçantë. Shpesh kërkohej këshillë nga miqtë më të mëdhenj ose nga prindërit.
Megjithatë, këto ditë shumë veta duken se e zgjedhin një bashkëshort thuajse vetëm duke u bazuar në tërheqjen fizike, me kusht se nëse gjërat nuk shkojnë mirë, mund të kërkojnë një partner tjetër. Në mënyrë të ngjashme, shumë veta
e zgjedhin një punë kryesisht për shkak të magjepsjes që mund të ndiejnë pas saj, pa i shqyrtuar anët e mundshme negative. Ose të paktën anët negative i heqin me shpejtësi nga mendja me mendimin: ‘Do të jem në gjendje t’u bëj ballë.’Mjerisht, në vendet më të varfra gratë shpesh reagojnë pozitivisht ndaj reklamave joshëse për punë që premtojnë një jetë më të mirë diku gjetkë. Megjithatë, sapo mbërrijnë në vendin tjetër, i dërgojnë shpesh nëpër shtëpi publike, ku jeta si prostituta është më e keqe se jeta që bënin më parë. Sipas një artikulli në World Press Review, ky lloj i neveritshëm i skllavërisë moderne është një «plagë që nuk do të largohet».
A mund të mashtrohen gjithashtu njerëzit për të pranuar një propozim normal pune e më pas të përfundojnë në një gjendje në të cilën ndihen të skllavëruar? Pikërisht kjo gjë ka ndodhur! Për shembull, disa firma ofrojnë shpesh komoditete të jashtëzakonshme për dobinë e punëtorëve të tyre. Këto mund të përfshijnë dhoma ngrënieje për t’u përdorur nga pjesëtarët e familjes dhe miqtë, shërbim taksie e pastrim kimik falas, dentistë brenda ndërtesave të firmës, përdorim falas të palestrave dhe darka të paguara në restorante të shtrenjta.
Gazetari Riçard Rivz raporton se «një firmë kishte paguar madje për kolektivin e saj të rraskapitur nga puna një agjenci që rregullonte takime mes burrave dhe grave». Por, kini kujdes! Ai shpjegon: «Këto firma vënë në përdorim mjete për t’jua bërë jetën më të lehtë, vetëm me një kusht: që ju t’i lini t’jua kontrollojnë jetën; që të punoni 18 orë në ditë dhe, gjatë fundjavëve, të hani, të bëni ushtrime, të luani e madje të flini në zyrë që t’u shërbeni përfitimeve të tyre.»
Zgjedhja e një mundësie më të mirë
Një proverb i lashtë thotë: «Një qen i gjallë vlen më tepër se një luan i ngordhur.» (Predikuesi 9:4) Një proverb i tillë ngre pyetjen: A vlen puna që bëj më shumë se jeta ose mirëqenia ime? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje shumë veta kanë rishqyrtuar situatën e tyre dhe kanë gjetur një mënyrë për të siguruar gjërat e nevojshme për vete—si edhe për familjet, nëse kanë—e për të bërë gjithashtu një jetë të lumtur e domethënëse.
Është e vërtetë se bërja e kësaj gjëje shpesh kërkon modesti dhe mund të kërkojë që një person
të vendosë se cilat janë në të vërtetë nevojat e tij, jo se cilat janë dëshirat jo të domosdoshme. Ata që kërkojnë pozitë dhe prestigj, mund t’i hedhin poshtë zgjedhjet më të thjeshta e madje mund t’i quajnë të marrë ata që bëjnë këto zgjedhje. Por, çfarë është me të vërtetë e rëndësishme në jetë? A jeni ndalur së fundi për të menduar për këtë?Mbreti i mençur Solomon, i cili shkroi proverbin e cituar më sipër, kishte fituar gjëra materiale ndoshta shumë më tepër se çdo njeri tjetër. Por, duke e përmbledhur shkurtimisht atë që është vërtet e rëndësishme, nën frymëzim hyjnor ai shkroi: «Të dëgjojmë, pra, përfundimin e gjithë ligjëratës: ‘Ki frikë nga Perëndia dhe respekto urdhërimet e tij, sepse kjo është tërësia e njeriut.’»—Predikuesi 12:13.
Në të njëjtën kohë, Solomoni e vlerësonte punën. «Për njeriun nuk ka gjë më të mirë,—shkroi ai,—sesa të hajë e të pijë dhe të gëzohet në mundin e tij.» (Predikuesi 2:24) Ngjashëm Jezu Krishti, Solomoni më i Madh, e vlerëson punën ashtu siç bën Ati i tij qiellor. «Ati im ka vazhduar të punojë deri më tani dhe unë vazhdoj të punoj»,—shpjegoi Jezui.—Gjoni 5:17; Mateu 12:42.
Megjithatë, tani për tani jetëgjatësia njerëzore është e kufizuar. (Psalmi 90:10) Por Krishti e dinte se jeta e përhershme në tokë do të gëzohej nën sundimin e Mbretërisë, për të cilën i mësoi të luteshin ithtarët e tij. Ja përse në Predikimin e tij të famshëm në Mal ai nxiti: «Vazhdoni, pra, të kërkoni më parë mbretërinë dhe drejtësinë [e Perëndisë] dhe të gjitha këto gjëra të tjera do t’ju shtohen.»—Mateu 6:9, 10, 33.
Lidhur me jetën nën sundimin e kësaj Mbretërie, Bibla premton: «Do të ndërtojnë shtëpi dhe do të banojnë në to, do të mbjellin vreshta dhe do të hanë frytin. Nuk do të ndërtojnë më që të banojë një tjetër, . . . të zgjedhurit e mi do të gëzojnë për një kohë të gjatë veprën e duarve të tyre.»—Isaia 65:21, 22.
Ç’perspektivë e mrekullueshme, të gëzojmë një jetë që zgjat pafundësisht e që përfshin punë shpërblyese e domethënëse! Një vlerësim serioz i gjendjes sonë mund të zbulojë se duhet të rishqyrtojmë disa veçori të punës që bëjmë sot. Kjo do të shmangë rreziqe të mundshme që mund të ndikojnë për keq në mundësinë që të gëzojmë «jetën e vërtetë»—jetën e ardhshme nën Mbretërinë e Perëndisë. (1 Timoteut 6:19) Prandaj, në punë ose në çfarëdo gjëje tjetër që bëjmë, le të tregojmë se kemi respekt për Atë që na dha jetën!—Kolosianëve 3:23.
[Figurat në faqet 8, 9]
Nën Mbretërinë e Perëndisë, njerëzit do të bëjnë një punë që është e sigurt dhe shpërblyese