Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
Burgim i përjetshëm në zgjua
«Bletët e Afrikës kanë shpikur një taktikë të çuditshme, por tepër të efektshme për t’u bërë ballë mysafirëve të paftuar,—thotë revista New Scientist.—I mbyllin ata në qeli brenda zgjojeve. Kjo masë ndëshkuese i mban nën kontroll parazitët dhe, nëse është e nevojshme, i jep kolonisë kohë për t’ia mbathur.» Kërkuesit «studiuan mënyrën se si bletët në Afrikën e Jugut mbrohen nga Aethina tumida, brumbulli i vogël i zgjoit, i cili është afro sa gjysma e një blete». Një nga kërkuesit, Peter Nojmani, e përshkruan brumbullin «të fortë si një tank». Prandaj e vetmja mbrojtje për bletët është që ta burgosin brumbullin. «Ndërkohë që disa nga bletët ndërtojnë burgun, të tjerat pareshtur ruajnë brumbujt që të mos ia mbathin»,—shpjegon Nojmani. Si lëndë të parë për këtë përdorin rrëshirën e drurëve, të cilën bletët e mbledhin vetë. Ndërtimi zgjat deri në katër ditë. Bletët me prejardhje evropiane, ku futen edhe bletët e Amerikës së Veriut, nuk kanë këtë taktikë sjelljeje. Kështu kur brumbulli, i cili u shfaq rastësisht në Shtetet e Bashkuara afro pesë vjet më parë, pushton një nga zgjojet e tyre, ky zgjua «shkatërrohet detyrimisht».
Kafshët regjistrojnë ndotjen
Zoologu Stiv Hopkin pohon se krimbat e tokës janë organizma idealë për të matur ndotjen e ajrit dhe të tokës. Këto gjallesa të thjeshta, që janë me bollëk dhe që nuk kushtojnë, bëjnë një punë më të mirë se pajisjet e sofistikuara të bëra nga njeriu. Midhja e zakonshme përdoret për të përcaktuar cilësinë e ujit. Aparati matës me midhje—një pajisje, e cila është e madhe sa një kovë dhe ka brenda tetë midhje të gjalla—ka treguar tashmë se është i efektshëm për të matur ndotjen në lumenjtë Ren dhe Danub. «Nëse përqendrimi i një ndotësi rritet me të shpejtë, midhjet e diktojnë»,—tha projektuesi i pajisjes, Kiz Kremëri. Midhjet reagojnë ndaj mijëra lëndëve kimike ndotëse, duke mbyllur guaskën, dhe kjo bën që në aparatin matës me midhje të jepet një sinjal alarmi. Siç raporton gazeta El País e Spanjës, epërsia më e madhe e këtyre aparateve është se matin ndikimin që ka ndotja tek organizmat e gjallë.
Fëmijë ushtarë
«Më tepër se 300.000 fëmijë, disa prej të cilëve vetëm 7 vjeç, po luftojnë si ushtarë në 41 vende përreth botës»,—thuhej në një njoftim të Associated Press. Shumica e tyre janë nga mosha 15 deri në 18 vjeç. Sipas Koalicionit për Ndalimin e Përdorimit të Fëmijëve si Ushtarë «jo vetëm që përdoren si luftëtarë në vijën e parë, por fëmijët përdoren edhe për të zbuluar minat tokësore dhe si spiunë, si hamaj e për qëllime prostitucioni». Shpesh atyre u jepet drogë për t’u hequr frikën. Një ushtar rebel 14-vjeçar nga Sierra-Leone tha se ata që nuk e pranojnë drogën i vrasin. Lidhur me pjesëmarrjen e tij në luftë, më 1999, kur ishte 15 vjeç, një i ri nga Afrika e Veriut tregoi: «I vendosnin të gjithë 15-vjeçarët dhe 16-vjeçarët në vijën e parë të frontit kur ushtria tërhiqej. Isha me 40 fëmijë të tjerë. Kisha 24 orë që po luftoja. Kur pashë se vetëm tre nga shokët e mi ishin gjallë, ika me vrap.» Raporti i Koalicionit pohonte se qeveritë i rekrutojnë fëmijët pikërisht për shkak të «cilësive të tyre fëminore: mund të mos kushtojnë shumë, mund të zëvendësohen lehtë, është më e thjeshtë t’i bësh të vrasin pa frikë dhe binden pa u menduar».
Rekord i ri në përkthimin e Biblës
«Pjesërisht ose e plotë, Bibla tani është në dispozicion gjithsej në 2.261 gjuhë, 28 gjuhë më shumë se 12 muaj më parë,—raporton Bible Society e Britanisë.—[Bibla] e plotë tani është në dispozicion në 383 gjuhë, 13 gjuhë më tepër se një vit më parë.» Vëllime të plota qoftë të Shkrimeve Hebraike, të quajtura ndryshe Dhiata e Vjetër, qoftë të Shkrimeve Greke, të quajtura edhe Dhiata e Re, tani janë në dispozicion në 987 gjuhë.
Një element i ri mbi peshë
Kimistët kanë «një njësi të re në tabelën e elementeve: hasiumin, një metal të rëndë»,—raporton gazeta gjermane Süddeutsche Zeitung. Shkencëtarët në Gesellschaft für Schwerionenforschung (Qendra e Kërkimeve për Jonet e Rënda) në Darmshtat të Gjermanisë, për herë të parë ia dolën mbanë të shkrijnë atomet e hasiumit me oksigjenin, duke formuar një përbërje kimike të re. I emërtuar sipas shtetit gjerman Hese, hasiumi nuk ndodhet në gjendje natyrore. Për herë të parë, u prodhua nga fizikanët bërthamorë në vitin 1984. Edhe hasiumi, edhe përbërja e re kimike e formuar prej tij janë radioaktivë, të paqëndrueshëm dhe jetëshkurtër e prandaj nuk kanë ndonjë vlerë praktike tani për tani.
Rreziqet nga transfuzioni i gjakut
«Sipas udhëzimeve të shoqatës së Shëndetësisë [të Uellsit të Ri Jugor], një në tri transfuzione gjaku që ishin bërë, nuk duheshin bërë,—raporton gazeta e Australisë Sidney Morning Herald.—Udhëzimet tregojnë se duhet bërë transfuzion gjaku nëse niveli i hemoglobinës së pacientit është shtatë ose më poshtë se kaq.» Dr. Ros Uillsoni, i cili drejtoi studimin për përdorimin e gjakut, shpjegoi se «nëse bën një transfuzion të panevojshëm mund ta vrasësh një pacient duke i shkaktuar pushim zemre». Sipas një studimi që dr. Uillsoni drejtoi gjashtë vjet më parë, «afro 18.000 [australianë] në vit vdisnin si pasojë e ndërlikimeve që vinin drejtpërdrejt nga trajtimi mjekësor që merrnin». Dr. Uillsoni këshillon që mjekët të kujtojnë udhëzimet mjekësore për transfuzionet e gjakut, sa herë që duan të bëjnë një transfuzion dhe, gjithashtu, të informohen pacientët për këto udhëzime në mënyrë që të mund ta pyesin vetë mjekun e tyre.
Dënime të rënda për pornografinë në Internet
«Gjykata e lartë penale e Gjermanisë shpalli . . . se të shpërndash pamje pornografike të fëmijëve nëpërmjet Internetit nuk ka asnjë ndryshim nga shpërndarja e materialeve të tilla në formë të shtypur, dhe kjo do të sjellë një dënim deri në 15 vjet burg»,—raporton Associated Press. Artikulli shpjegonte se «vendimi i Gjykatës Federale të Drejtësisë krijoi një precedent për Gjermaninë, e cila më parë nuk kishte asnjë normë ligjore të prerë për ndëshkimin e njerëzve që shpërndajnë pamje pornografike të fëmijëve nëpërmjet Internetit». Gjykata e lartë rrëzoi një vendim të gjykatës së shtetit sipas së cilit shpërndarja e këtyre pamjeve nëpërmjet Internetit nuk ishte një krim seksual aq i rëndë sa shpërndarja e këtyre materialeve në formë të shtypur.
Marihuana dhe zemra
«Rreziku për të pësuar infarkt në zemër gjatë orës së parë pasi kanë pirë drogën është pesë herë më i madh për ata përdorues të marihuanës që janë në moshë mesatare,—thotë gazeta Globe and Mail e Kanadasë në një artikull rreth një studimi të ri.—Pirja e marihuanës bën që të shtohen rrahjet e zemrës, shpesh duke i dyfishuar ato, ndërkohë që ndryshon tensionin e gjakut. . . . Gjithashtu, mund t’i hapë udhë një infarkti në zemër, pasi krijohet një trombozë që pengon rrjedhjen e gjakut për në muskulin e zemrës.» Dr. Harold Kalanti i Universitetit të Torontos tha: «Për njerëzit më të moshuar, shtimi i punës së zemrës do të jetë faktor rreziku për një infarkt në zemër.» Artikulli thotë se kokaina është madje edhe më e rrezikshme, sepse e shton afro 25 herë rrezikun për një infarkt në zemër gjatë orës së parë pas përdorimit.
Trëndafil, por me çfarë emri?
Për shkak të numrit të jashtëzakonshëm të bimëve të ndryshme që po kultivohen, është një sfidë e madhe t’u vësh emrin varieteteve të reja. «Tashmë, ka rreth 100.000 zambakë dite me emra të ndryshëm,—thotë gazeta The Wall Street Journal,—ka të paktën po aq trëndafila dhe më shumë se 14.000 gjeorgjina. Gjithë emrat dhe epitetet e dukshme poetike të tilla, si: bukuri, ngjyrë trëndafili, ëndje, ëndërr, lavdi, mbretëreshë, agim, perëndim, kadife, erëmirë, kënaqësi dhe magjepsje, janë përdorur dhe janë regjistruar pothuajse në të gjitha kombinimet e mundshme. Sot ata që u vënë emrat bimëve po detyrohen të gjejnë emra me më shumë fantazi,—ndonëse me standarde të ulëta—mjaft që të jenë tërheqëse për tregun.» Për shembull, «sot në dyqanet e luleve,—thotë The Wall Street Journal,—mund të blesh një shpatore Pitja Fantastike, një trëndafil Burrë i Vërtetë, një zambak Aba Daba Du, një zambak dite Sensacioni Primitiv ose një gjeorgjinë Kung Fu». Madje, duke paguar një shumë të mirë mund t’i vihet emri juaj një luleje. Një firmë në Kaliforni ju jep mundësinë t’i vini emrin një trëndafili për 10.000 dollarë, me kusht që emri të jetë me shije. Një firmë tjetër kërkon 75.000 dollarë, por shton edhe disa përfitime të tjera, duke përfshirë edhe një fundjavë në Los-Anxhelos.