Peshku i shën Pjetrit
Peshku i shën Pjetrit
NËSE vizitoni një restorant në breg të Detit të Galilesë në Izrael, mund të bëheni kureshtarë tek shihni në menu «peshku i shën Pjetrit». Kamerieri mund t’ju thotë se është një nga gatimet më të njohura, sidomos midis turistëve. Është shumë i shijshëm, nëse hahet sapo është skuqur. Por, përse lidhet me apostullin Pjetër?
Një ngjarje që përshkruhet në Bibël te Mateu 17:24-27 na jep përgjigjen. Aty mësojmë se kur po vizitonte qytetin e Kapernaumit pranë Detit të Galilesë, Pjetrin e pyetën nëse Jezui e paguante taksën e tempullit. Më pas, Jezui i shpjegoi se ai, si Biri i Perëndisë, nuk kishte ndonjë detyrim për ta paguar këtë taksë. Por, në mënyrë që të mos pengoheshin të tjerët, ai i tha Pjetrit të shkonte në det, të hidhte grepin, të merrte të parin peshk që do të dilte dhe të paguante taksën me monedhën që do të gjente në gojën e tij.
Emri «peshku i shën Pjetrit» është marrë nga kjo ngjarje e dokumentuar në Bibël. Por, çfarë lloj peshku kapi Pjetri?
Një det i pasur në peshq
Mendohet se nga afërsisht 20 lloje peshqish në Detin e Galilesë, vetëm rreth 10 prej tyre ka mundësi që të jenë lloji që kapi Pjetri. Këta dhjetë ndahen në tri grupe të rëndësishme nga ana tregtare.
Grupi më i madh quhet musht, që do të thotë «krehër» në arabisht, sepse pesë llojet e këtij grupi kanë një pendë kurrizore që ngjan si krehër. Një nga peshqit musht arrin një gjatësi prej afro 45 centimetrash dhe peshon rreth dy kilogramë.
Grupi i dytë është sardelja e Kineretit (e Detit të Galilesë), e cila ngjason me një harengë të vogël. Në kulmin e periudhës së shumimit të tyre çdo natë kapen shumë tonë sardele, duke arritur në afro një mijë tonë në vit. Që nga kohët e lashta e deri më sot kjo sardele ruhet duke u vënë në shëllirë.
Grupi i tretë është bini. Tri llojet e tij kanë mustaqe në cep të gojës, prandaj emri i tij bini në gjuhën semitike do të thotë «qime». Ushqehen me butakë, me kërmij dhe me peshq të vegjël. Bini kokëgjatë arrin gjatësinë prej rreth 75 centrimetrash dhe peshon më shumë se 7 kilogramë. Binët janë peshq me shumë mish dhe janë një gatim i zakonshëm për sabatet dhe festat judaike.
Peshku-mace, peshku më i madh në Detin e Galilesë, nuk përfshihet në tri grupet e rëndësishme nga ana tregtare. Ai arrin një gjatësi deri në 120 centimetra dhe peshon rreth 11 kilogramë. Por peshku-mace nuk ka luspa, kështu që ishte i papastër sipas Ligjit të Moisiut. (Levitiku 11:9-12) Prandaj nuk hahet nga judenjtë dhe nuk ka mundësi të jetë lloji i peshkut që kapi Pjetri.
Çfarë peshku kapi Pjetri?
Mirë, pra, mushti është peshku që pranohet rëndom si «peshku i shën Pjetrit» dhe shërbehet si i tillë në restorantet pranë Detit të Galilesë. Duke pasur relativisht pak hala të vogla, është pak a shumë e lehtë për t’u përgatitur dhe për t’u ngrënë. Por, a është vërtet ai peshku që kapi Pjetri?
Mendel Nuni, peshkatar që ka jetuar në bregun e Detit të Galilesë për më tepër se 50 vjet, është një specialist shumë i respektuar për sa u përket peshqve vendës. Ai thekson: «Mushti ushqehet me plankton dhe nuk e tërheq ndonjë ushqim tjetër. Prandaj kapet me rrjeta e jo me grep dhe filispanjë.» Kështu që ai nuk duket se është një nga kandidatët e mundshëm. Sardelja është një kandidate edhe më pak e mundshme, meqë është tepër e vogël për t’u cilësuar si peshku i shën Pjetrit.
Kjo e ngushton fushën e kërkimit te bini, të cilin disa e shohin si zgjedhjen më të mirë për emërtesën «peshku i shën Pjetrit». Nuni vërejti: «Peshkatarët [në Detin e Galilesë], që nga kohë që s’mbahen mend, kanë përdorur një grep me një sardele si karem për të peshkuar binët, të cilët janë grabitqarë dhe ushqehen në fundin e liqenit.» Ai përfundon se «është thuajse e sigurt që Pjetri ka kapur një bin».
Pse, atëherë, shërbehet mushti si «peshku i shën Pjetrit»? Nuni përgjigjet: «Mund të ketë vetëm një shpjegim për këtë ndryshim pështjellues të emrit. Ishte me leverdi për turizmin! . . . Ndërkohë që filluan të vinin shtegtarë nga krahina të largëta, pa dyshim dukej fitimprurëse për tregtinë që emri ‘peshku i shën Pjetrit’ t’i jepej mushtit, i cili shërbehej në restorantet e dikurshme përgjatë bregut të liqenit. Peshku më i përhapur dhe më i lehtë për t’u përgatitur kërkonte emrin më tërheqës për klientët.»
Ndërkohë që nuk mund të pohojmë me siguri absolute se ç’peshk ishte ai që kapi Pjetri, çfarëdo peshku që t’ju shërbehet si «peshku i shën Pjetrit» ka shumë të ngjarë të jetë një gatim tepër i shijshëm.
[Figura në faqen 19]
«Musht»
[Figura në faqen 19]
«Bini»
[Burimi i figurës në faqen 19]
Garo Nalbandian