Po sikur të takoj dikë nga shkolla?
Të rinjtë pyesin . . .
Po sikur të takoj dikë nga shkolla?
«Ishte një torturë të shkoja në shkollë të hënën. Po të më kishte parë ndonjë nga shokët e mi, përgatitja disa histori të sajuara mirë. Për shembull, u thosha shokëve se kisha dalë për të mbledhur para për Partinë Laburiste.»—Xhejmsi, Angli.
«Në shkollë, ata që më kishin parë më tallnin. Presionet ishin shumë të forta.»—Debora, Brazil.
PËRSE këta të rinj kishin kaq frikë se mos i kishin parë shokët? A ishin përfshirë në ndonjë lloj veprimtarie të paligjshme? Përkundrazi, ishin përfshirë në veprën më të nderuar dhe më të rëndësishme që po bëhet sot në tokë. Ata po bënin veprën që urdhëroi Jezui kur tha: «Shkoni, pra, dhe bëni dishepuj nga njerëz të të gjitha kombeve, . . . duke u mësuar të zbatojnë të gjitha gjërat që ju kam urdhëruar.»—Mateu 28:19, 20.
Sipas një ankete Gallup në SHBA, më shumë se 90 për qind e adoleshentëve besojnë te Perëndia. Afro gjysma shkojnë në kishë çdo javë. Dhe, ndonëse shumë të rinj përfshihen në veprimtari të sponsorizuara nga kisha, si për shembull, të këndojnë në korin e kishës, pak prej tyre flasin për Perëndinë me shokët e shkollës. Megjithatë Dëshmitarët e Jehovait janë të njohur në mbarë botën për veprën e predikimit shtëpi më shtëpi. Mijëra të rinj Dëshmitarë marrin pjesë në këtë vepër.
Nëse je një i ri Dëshmitar, pa dyshim edhe ti tashmë merr pjesë në këtë vepër predikimi. Por kjo nuk do të thotë medoemos se e ke të lehtë të bësh kështu. Ashtu si të rinjtë e cituar në hyrje të artikullit, mendimi që mund të takosh një shok shkolle në derë mund të jetë turbullues për ty. «Një nga gjërat më të këqija që mund të ndodhte,—pranon një e re britanike me emrin Xheni,—ishte që ndonjë nga shoqet e shkollës të më shihte të veshur mirë, me fund, duke mbajtur një çantë shërbimi, pra, me një veshje shumë më elegante se në shkollë.»
Frika se mos takojnë një shok shkolle mund të jetë kaq e fortë, saqë disa të rinj të krishterë kanë përdorur dredhitë. Një i ri me emrin Lion thotë: «Njoh një të ri Dëshmitar, i cili vesh një xhaketë me kapuç kur është në predikim, kështu mund
të mbulojë fytyrën me të nëse has shokët e shkollës.» Kurse të rinj të tjerë thjesht e shmangin predikimin në lagje të caktuara. «Kujtoj që lutesha të mos predikonim në një rrugë të caktuar,—sjell ndër mend një i ri me emrin Sajmon,—sepse e dija që ishte plot me ata të shkollës sime.»Është normale të jesh si mbi gjemba nëse has dikë që të njeh, kur je në predikim. Sidoqoftë, duke lejuar që kjo frikë të të pushtojë vetëm mund të dëmtohesh. «Kisha një qëndrim kaq të keq ndaj predikimit,—pranon një e re gjermane me emrin Alisja,—saqë ky qëndrim pati ndikim negativ te gjendja ime frymore.»
Prapëseprapë, përse duhet të predikosh se s’bën—sidomos nëse e ke të vështirë ta bësh këtë? Si përgjigje, le të shqyrtojmë përse Perëndia ka vënë këtë detyrim për ty. Më pas, do të tregojmë se si, me përpjekje dhe me vendosmëri, mund ta mposhtësh frikën.
Detyrimi për të predikuar
Para së gjithash, mund të jetë një ndihmë të shqyrtosh faktin se nuk është një gjë e re ose e pazakontë ta ndash besimin me të tjerët. Që nga kohët e lashta, burrat dhe gratë me frikë Perëndie e kanë bërë këtë. Noeja, për shembull, njihet kryesisht si ndërtuesi i një arke të stërmadhe. (Zanafilla 6:14-16) Por, sipas 2 Pjetrit 2:5, ai ishte edhe një «predikues i drejtësisë». Noeja ndjeu detyrimin që t’i lajmëronte të tjerët për shkatërrimin.—Mateu 24:37-39.
Më vonë, ndonëse hebrenjve nuk u ishin dhënë urdhërime të veçanta që t’u predikonin johebrenjve, shumë veta e ndanë besimin e tyre me të tjerët. Në këtë mënyrë, një e huaj e quajtur Rutha arriti të mësonte për Jehovain. Mirënjohëse ndaj vjehrrës së saj hebreje, Naomit, Rutha i tha asaj: «Populli yt do të jetë populli im, Perëndia yt do të jetë edhe Perëndia im.» (Rutha 1:16) Më vonë, mbreti Solomon tregoi se shumë johebrenj do të arrinin të dëgjonin për ‘emrin e madh’ të Jehovait dhe do të adhuronin në tempullin e Tij.—1 Mbretërve 8:41, 42.
Tani, nëse këta shërbëtorë të lashtë të Perëndisë folën me të tjerët—edhe pse nuk kishin ndonjë urdhër të drejtpërdrejtë për ta bërë këtë—aq më tepër të krishterët sot duhet të ndihen të detyruar të predikojnë. Tek e fundit, ne kemi marrë një urdhër që të predikojmë ‘këtë lajm të mirë të mbretërisë’. (Mateu 24:14) Jemi si apostulli Pavël, në kuptimin që na është ngarkuar nevoja të shpallim këtë lajm të mirë. (1 Korintasve 9:16) Është në lojë shpëtimi ynë. Te Romakëve 10:9, 10 thuhet: «Po të shpallësh publikisht atë ‘fjalë në vetë gojën tënde’, se Jezui është Zotëri, . . . do të shpëtosh. Sepse me zemër dikush ushtron besim për drejtësi, por me gojë deklaron publikisht për shpëtim.»
Ku mund ta bësh atë ‘deklaratë publike’? Edhe pse predikimi joformal ka vendin e vet, shërbimi shtëpi më shtëpi është ende një nga mënyrat më të efektshme për të arritur të tjerët. (Veprat 5:42; 20:20) A përjashtohesh nga detyrimi për të marrë pjesë në këtë vepër, meqenëse je i ri? Jo. Bibla jep këtë urdhërim te Psalmi 148:12, 13: «Të rinj dhe vajza, pleq dhe fëmijë. Le të lëvdojnë emrin e Zotit.»
Sfida që t’u predikosh bashkëmoshatarëve
Duhet pranuar se mund të jetë e sikletshme dhe turbulluese të dalësh në shërbim dhe të takosh dikë që është në shkollë me ty. Fundja, është krejt e natyrshme të dëshirosh të jesh i pranuar nga të tjerët. Askush nuk dëshiron që ta ngacmojnë, ta tallin ose ta shajnë me fjalë. Dhe, siç shpjegoi një vajzë me emrin Tanja, «fëmijët në shkollë mund të jenë shumë mizorë». Kështu, mund të jetë e natyrshme të pyesësh veten se si do të sillen shokët e shkollës nëse të shohin të veshur mirë e me një Bibël në dorë. Është e trishtueshme të thuhet, por ka shumë mundësi që të të tallin. «Kisha një djalë në klasë që banonte në ndërtesën time,—kujton një i ri brazilian me emrin Felipe.—Ai thoshte ‘Ja ku na qenke me Biblën në dorë! Çfarë ke në atë çantë?’»
Zanafilla 21:9) Apostulli Pavël nuk e quajti këtë keqtrajtim një gjë të vogël. Te Galatasve 4:29, me të drejtë apostulli e quajti ‘persekutim’.
Nuk është për të qeshur kur je viktimë e një ngacmimi të tillë. Bibla na tregon se Isakun, birin e Abrahamit, e ngacmoi në mënyrë mizore gjysmëvëllai i tij, Ismaeli. (Në mënyrë të ngjashme, Jezui paralajmëroi se disa njerëz do të ishin armiqësorë kundrejt ithtarëve të tij. Ai tha: «Nëse bota ju urren, ju e dini se para se t’ju urrente ju, më urreu mua. Po të ishit pjesë e botës, bota do të tregonte përzemërsi për atë që është e vetja. E tani, ngaqë nuk jeni pjesë e botës, por unë ju kam zgjedhur nga bota, për këtë bota ju urren.»—Gjoni 15:18, 19.
Atëherë, si i krishterë duhet të jesh i përgatitur që të përballosh në njëfarë mase përndjekjen. (2 Timoteut 3:12) Edhe sikur të mos u thoshe kurrë asnjë fjalë për Biblën bashkëmoshatarëve të tu, disa përsëri mund të të përndjekin, thjesht sepse mban norma të larta sjelljeje dhe nuk bashkohesh me ta në sjellje të keqe. (1 Pjetrit 4:4) Megjithatë Jezui na jep këto fjalë ngushëlluese: «Të lumtur jeni ju, kur njerëzit ju poshtërojnë e ju persekutojnë dhe duke gënjyer thonë çdo lloj gjëje të ligë kundër jush për shkakun tim.» (Mateu 5:11). Si është e mundur që të të bëjë të lumtur tallja ose ngacmimi? Sepse e di që po i gëzon zemrën Jehovait. (Fjalët e urta 27:11) Dhe duke kënaqur Perëndinë, ke shpresën të marrësh shpërblimin e jetës së përhershme.—Luka 10:25-28.
Lumturisht, nuk ndodh që të gjithë, ose pjesa më e madhe, e shokëve të shkollës të jenë armiqësorë me ty nëse i takon në shërbim. Një e re britanike me emrin Anxhela na kujton: «Kur takon një shok shkolle në derë, shpesh ata janë më në siklet sesa ti.» Në të vërtetë, disa mund të jenë edhe kureshtarë rreth asaj që ke për t’u thënë. Gjithsesi, shumë të rinj të krishterë po gëzojnë sukses të madh duke u dëshmuar shokëve të shkollës. Artikulli i ardhshëm në këtë seri do të marrë në shqyrtim disa mënyra se si mund të bësh kështu edhe ti.
[Figura në faqen 21]
Shumë të rinj kanë frikë se mos takojnë ndonjë shok shkolle kur dalin në shërbim
[Figura në faqen 23]
Mos lejo kurrë që ngacmimi të bëjë që të të vijë turp për besimin tënd!