A duhet të presin të krishterët mbrojtje hyjnore?
Pikëpamja e Biblës
A duhet të presin të krishterët mbrojtje hyjnore?
Shpesh Bibla tregon për aftësinë e Perëndisë që t’i mbrojë adhuruesit e tij nga dëmtimet. Mbreti David tha: «Më çliro, o Zot, nga njerëzit e këqij; më mbro nga njerëzit e furishëm.» (Psalmi 140:1) Sot, shumë adhurues të Perëndisë që janë përballur me dhunën, krimin ose shkatërrimet natyrore, mezi kanë shpëtuar nga vdekja ose nga dëmtimet. Disa kanë pyetur veten nëse Perëndia në ato raste u kishte siguruar mbrojtje me anë të një mrekullie. Këtë e kanë bërë pasi ka raste të tjera kur njerëz me frikë Perëndie nuk kanë shpëtuar, por kanë përjetuar tragjedi të mëdha, e madje vdekje të dhunshme.
A I MBRON Perëndia Jehova disa individë nga dëmtimet e të tjerë jo? A duhet të presim me anë të ndonjë mrekullie të na bëhet një çlirim, nga dhuna dhe nga shkatërrimet e sotme?
Mbrojtje me anë të një mrekullie në tregimet e Biblës
Bibla përmban shumë tregime në të cilat Perëndia ka ndërhyrë me ndonjë mrekulli në dobi të adhuruesve të tij. (Isaia 38:1-8; Veprat 12:1-11; 16:25, 26) Gjithashtu Shkrimet tregojnë se si në raste të tjera shërbëtorët e Jehovait nuk u shpëtuan nga gjëmat. (1 Mbretërve 21:1-16; Veprat 12:1, 2; Hebrenjve 11:35-38) Është e qartë, pra, se Jehovai mund të vendosë të sigurojë mbrojtje për një arsye ose qëllim të veçantë kurdo që ai të zgjedhë. Prandaj, kur të krishterët si individë nuk shpëtohen nga sprovat, nuk duhet të nxjerrin përfundimin se Perëndia i ka braktisur. Duhet të pranojmë realitetin se gjëra të këqija do të ndodhin, madje do t’u ndodhin edhe shërbëtorëve besnikë të Jehovait. Përse është kështu?
Përse shërbëtorëve besnikë të Perëndisë u ndodhin gjëra të këqija?
Një arsye është se të gjithë kemi trashëguar mëkatin dhe papërsosmërinë nga Adami dhe Eva. Prandaj përballemi me mundësinë e dhembjes, vuajtjes dhe vdekjes. (Romakëve 5:12; 6:) Një arsye tjetër është se po jetojmë në ditët e fundit. Njerëzit në ditët tona Bibla i përshkruan si «pa përzemërsi të natyrshme, nuk do të jenë të gatshëm për asnjë marrëveshje, shpifës, pa vetëkontroll, të egër, pa dashuri për mirësinë». ( 232 Timoteut 3:1-5) Dëshmi e kësaj gjëje është përhapja e madhe e përdhunimeve, rrëmbimeve, vrasjeve dhe e krimeve të tjera mizore.
Shumë shërbëtorë besnikë të Perëndisë jetojnë dhe punojnë me njerëz të dhunshëm, e nganjëherë bëhen shënjestra e tyre. Mund ta gjejmë veten në një situatë kërcënuese për jetën thjesht sepse jemi në vendin e gabuar në çastin e gabuar. Për më tepër, përjetojmë të vërtetën e shprehur nga Solomoni kur tha se «të gjithëve gjërat u ndodhin sipas kohës dhe rastësisë».—Predikuesi 9:11.
Përveç kësaj, apostulli Pavël tha se të krishterët do të jenë objekt persekutimi, pasi adhurojnë Perëndinë. Ai tha: «Në fakt, të gjithë ata që dëshirojnë të jetojnë me devocion hyjnor në shoqëri me Krishtin Jezu, edhe do të persekutohen.» (2 Timoteut 3:12) Vitet e fundit kjo thënie ka dalë e vërtetë në disa vende.
Pra, edhe njerëzit me frikë Perëndie nuk janë të përjashtuar nga ndikimet e dhunës, krimit, shkatërrimeve natyrore ose vdekjeve të papritura. Satanai është përpjekur të hedhë akuzën se Jehovai vendos një mbrojtje rreth popullit të Tij, me qëllim që ata të bëjnë një jetë pa telashe. (Jobi 1:9, 10) Nuk është kështu. Megjithatë mund të jemi të sigurt se edhe atëherë kur nuk siguron çlirim me anë të ndonjë mrekullie nga një rrethanë, Jehovai e mbron vërtet popullin e tij.
Si e mbron sot Jehovai popullin e tij?
Me anë të Fjalës së tij Jehovai siguron udhëheqje hyjnore që e mbron popullin e tij. Gjendja frymore dhe njohuria biblike mund të na japin gjykim të mirë dhe mendje të shëndoshë, të cilat mund të na ndihmojnë të shmangim gabimet e panevojshme dhe të marrim vendime të mençura. (Psalmi 38:4; Fjalët e urta 3:21; 22:3) Për shembull, duke i vënë veshin këshillave të Biblës për moralin, lakminë, zemërimin dhe dhunën, të krishterët i kanë kursyer vetes shumë gjëma. Gjithashtu, duke mos pasur shoqëri të ngushtë me njerëz të këqinj, ka më pak të ngjarë të jemi atje ku mund të godasë gjëma, domethënë në vendin e gabuar në çastin e gabuar. (Psalmi 26:4, 5; Fjalët e urta 4:14) Ata që jetojnë sipas parimeve biblike gëzojnë një mënyrë më të mirë të jetuari, që shpesh sjell si pasojë një shëndet më të mirë mendor dhe fizik.
Edhe më ngushëlluese është të dimë që, edhe pse Perëndia lejon të ndodhin gjëra të këqija, ai do t’u japë adhuruesve të tij forcën e nevojshme që të kenë mundësi t’i durojnë. Apostulli Pavël na siguron: «Perëndia është i besueshëm dhe nuk do të lejojë që të tundoheni përtej asaj që mund të mbani, por bashkë me tundimin do të sigurojë edhe rrugëdaljen, me qëllim që të jeni në gjendje t’i qëndroni.» (1 Korintasve 10:13) Bibla premton edhe «fuqi përtej asaj që është normale» për të na ndihmuar të përballojmë gjëmat.—2 Korintasve 4:7.
Perëndia vepron në përputhje me vullnetin e tij
A duhet të shpresojnë të krishterët që Perëndia t’i shpëtojë me anë të një mrekullie në çdo shkatërrim që ndodh? Bibla nuk e mbështet një shpresë të tillë.
Sigurisht, Perëndia Jehova mund të vendosë që të ndërhyjë drejtpërsëdrejti në dobi të ndonjë shërbëtori të tij. E nëse dikush beson se ka shpëtuar nga një dëmtim me anë të një ndërhyrjeje hyjnore, nuk duhet kritikuar. Por kur Jehovai zgjedh të mos ndërhyjë, kjo nuk duhet të merret kurrë si shenjë e mospëlqimit të tij.
Le të kemi besim se cilado qoftë sprova ose situata që hasim, Jehovai do të sigurojë mbrojtje hyjnore për shërbëtorët e tij besnikë. Këtë mund ta bëjë duke e larguar situatën ose duke na forcuar që ta durojmë atë, ose, nëse vdesim, duke na ringjallur në jetën e përhershme në botën e tij të re.—Psalmi 37:10, 11, 29; Gjoni 5:28, 29.