Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bankat e farërave​—Në garë kundër kohës

Bankat e farërave​—Në garë kundër kohës

Bankat e farërave​—Në garë kundër kohës

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRITANI

JETA jonë varet nga bimët. Ato janë burime ushqimi dhe veshjeje. Sigurojnë lëndë djegëse, materiale ndërtimi dhe ilaçe jetëshpëtuese. Edhe kafshët, zogjtë dhe insektet varen prej tyre. Megjithatë, sipas disa kërkuesve brenda 50 vjetëve të ardhshëm, një e katërta e bimëve në të gjithë botën rrezikojnë të zhduken. Një nga ata që janë në krye të garës kundër kohës është Projekti i Bankës së Farërave për Mijëvjeçarin.

E quajtur «Arka e Noesë për bimët» dhe «një dëftesë sigurimi për planetin», në ndërtesën që kushton 120 milionë dollarë, në Anglinë Jugore, do të ruhen qindra milionë farëra, disa prej llojeve që rrezikohen më shumë në botë.

Çfarë është një bankë farërash?

A keni depozituar ndonjëherë në bankë gjëra me vlerë për t’i ruajtur derisa t’ju nevojiten përsëri? Banka e farërave kryen një funksion të ngjashëm për bimët. Është një mënyrë e thjeshtë dhe ekonomike për të ruajtur çdo bimë me farë, që nga bimët më të vogla barishtore e deri te pemët më të larta. Pasi janë depozituar në këto banka, farërat nuk kanë nevojë për shumë kujdes. Shumica e tyre nuk zënë shumë vend. Një shishe e vogël prej qelqi mban një milion farëra orkidesh. Sa për llojet e tjera të shumta, një kavanoz i zakonshëm nxë aq farëra sa ka njerëz në një qytet. Pas një trajtimi të specializuar, këto bimë të ardhshme mund të ruhen të sigurta për dhjetëvjeçarë e madje për shekuj të tërë, shumë më gjatë sesa do të mbijetonin në natyrë.

Bankat e farërave nuk janë gjë e re, ndonëse në të kaluarën përdoreshin kryesisht për fitim. Në vitin 1974, shkencëtarët e Kopshteve Botanike Mbretërore në Kju, Londër, filluan të studionin se si të ruanin farëra bimësh të egra në filialin e tyre në pronën Wakehurst Place në fshatin Suseks. Pasi kishin depozituar 4.000 lloje nga e gjithë bota, shkencëtarët kuptuan se kishin nevojë për një ndërmarrje shumë më të madhe për të parandaluar zhdukjen e bimëve dhe të habitateve të tyre në mbarë tokën. Prandaj, në vitin 1998, në Kju filloi të ndërtohej një bankë farërash më e madhe në Wakehurst Place.

Arritja e synimeve

Synimi i parë, madje para përfundimit të ndërtimit, ishte që brenda vitit 2000 të viheshin në bankë farërat e të gjitha pemëve, drizave, bimëve barishtore, shkurreve dhe të luleve të egra të Britanisë. Nga 1.440 llojet e vendit, 317 lloje kërcënohen të zhduken. Tashmë Kju kishte 579 lloje në bankë dhe një skuadër me më shumë se 250 botanistë profesionistë dhe amatorë i ranë vendit kryq e tërthor për të gjetur pjesën tjetër të llojeve. Të apasionuarit u ngjitën nëpër male, zbritën nëpër shkëmbinj dhe ecën përmes ujërave akull të ftohta në kërkim të bimëve që gjenden me vështirësi. Me përjashtim të pak llojeve të rralla, të gjitha farërat e tjera u depozituan brenda afatit.

Që nga viti 2000, objektivi kryesor ka qenë që brenda vitit 2010 të mblidhet dhe të depozitohet një e dhjeta ose më shumë se 24.000 lloje të florës farëmbajtëse të botës, në veçanti ato të vendeve me klimë të thatë. Një e pesta e popullsisë së botës jeton në këto zona të nxehta e të thata dhe për të mbijetuar varet nga bimët. Sidoqoftë, çdo vit, zona të mëdha po kthehen në shkretëtira. Në disa vende ekspeditat për të mbledhur farërat nisën në fillim të vitit 1997 dhe rreth shkurtit të vitit 2001, mbledhësit e farërave të Kopshteve Mbretërore kishin mbledhur 300 milionë farëra nga 122 vende dhe kishin mbetur ende rreth 19.000 lloje për t’u vendosur në bankë.

Depozitimi i farërave

Kopshtarët dhe fermerët për një kohë të gjatë kanë mbledhur dhe kanë ruajtur farëra. Megjithatë, farërat që trajtohen në Bankën e Farërave për Mijëvjeçarin do të arrijnë një jetëgjatësi shumë më të madhe se ajo natyrale. Sekreti i kësaj gjëje qëndron në mënyrën se si i thajnë dhe i ngrijnë.

Pasi mblidhet një numër i mjaftueshëm farërash e veçohen nga materialet që i rrethojnë, para se të dërgohen në Britani, farërat vendosen për t’u tharë në qese prej letre a prej pëlhure ose edhe në shishe pijesh. Në të njëjtën kohë mbledhësit përgatitin mostra të thara e të konservuara të bimëve ekzistuese me qëllim që në Kju të identifikohen siç duhet. Vendndodhja e saktë se ku janë gjetur regjistrohet me anë të satelitëve të lundrimit.

Pasi mbërrijnë në Wakehurst Place, farërat kalojnë në dy faza tharjeje që janë jetësore ndërmjet të cilave bëhet një seancë pastrimi. Lihen për ca kohë në dy dhoma, ku dhoma e dytë e ka lagështirën relative më të ulët se e para dhe janë që të dyja më të thata se shumica e shkretëtirave. Kështu, përqindja e lagështirës te farërat pakësohet nga të paktën 50 për qind në rreth 5 për qind. Kjo gjë siguron se nuk do të dëmtohen kur të jenë të ngrira, si dhe i ngadalëson aq shumë proceset e tyre biologjike, sa të bien si në një gjendje letargjie, në të cilën mund të qëndrojnë për një kohë shumë të gjatë. Kur depozitohen në bankë, disa farëra analizohen me rreze iks, për të parë nëse janë të shëndetshme ose janë dëmtuar nga insektet. Një mostër tjetër shqyrtohet për të parë nëse do të mbijë. Në të vërtetë, çdo dhjetë vjet mostrat shkrihen e kthehen në jetë për të parë nëse janë ende të afta të mbijnë. Në rast se mbijnë më pak se 75 për qind e tyre, duhet të mblidhen farëra të tjera.

Njohuria rreth mënyrës se si reagojnë farërat ndaj ruajtjes për një kohë të gjatë dhe dijenia se si t’i bësh që të mbijnë më vonë janë fusha kryesore kërkimesh. Së fundi, farërat paketohen në enë hermetike prej qelqi dhe vihen në një nga dy frigoriferët me madhësinë e një dhome, të cilët ndodhen në një dhomë të madhe e të nëndheshme prej betoni. Në këtë vend, të stivosura me rregullsi nëpër rafte, farërat fillojnë gjumin e tyre të gjatë në një temperaturë minus 20 gradë Celsius.

A është i efektshëm ky proces? Në të vërtetë po. Disa vjet më parë, kur 3.000 farëra bimësh të ndryshme që ishin ruajtur për një dekadë të tërë u provuan, 94 për qind e tyre mbinë.

Disa lloje përbëjnë një problem. Farërat e tyre vdesin, nëse përqindja e lagështirës brenda farërave bie shumë. Shembuj të tillë janë farërat e disa lloje lisash Quercus, e kakaos Theobroma cacao dhe e pemës së kauçukut Hevea brasiliensis. Por duke i ngrirë, lagështira i vret këto farëra, pasi kur uji kthehet në akull zë më shumë vend dhe çan muret qelizore. Shkencëtarët po kërkojnë teknika për të kapërcyer këtë pengesë. Një zgjidhje e mundshme është të nxirret embrioni i farës, të thahet me shpejtësi dhe të ruhet në azot të lëngët në një temperaturë tepër të ulët.

Kush do të përfitojë?

Ashtu si një bankë financiare, Banka e Farërave për Mijëvjeçarin sjell përfitime. Disa mostra farërash përdoren për kërkime. Çereku i ilaçeve nxirret nga bimët, mirëpo katër të pestat e florës së të gjithë botës nuk janë studiuar ende. Çfarë ilaçesh të reja do të zbulohen ende? Një lloj buxhaku i zonës së Mesdheut Vicia faba jep një proteinë që merr pjesë në mpiksjen e gjakut, e cila ndihmon për të zbuluar sëmundje të rralla të gjakut të njeriut. Ka mundësi që të zbulohen edhe ushqime, lëndë djegëse ose fibra të reja.

Shkencëtarë nga vende të tjera qëndrojnë në këtë bankë ndërsa mësojnë rreth teknikave të ruajtjes së farërave dhe të mbirjes, me qëllim që të krijojnë banka farërash në vendin e tyre. Çdo vend që i siguron farëra bankës mban për vete një pjesë të madhe të tyre dhe përfiton njësoj nga çdo dobi që do të sjellin kërkimet.

Për të përmirësuar tokat e varfëruara dhe për të rritur rezervat e llojeve që rrezikohen shumë përdoren mostrat e farërave. Shpresohet që këto strategji për ruajtjen e farërave të ndihmojnë për të ndryshuar krejtësisht gjendjen e florës në botë, e cila po zhduket me të shpejtë dhe bashkë me të edhe shumë forma jete që varen nga ajo.

Si do të fitohet gara?

Askush nuk mund ta vërë në dyshim gjendjen e rrezikshme me të cilën përballet njerëzimi. Roxher Smithi, drejtues i repartit në Kju për ruajtjen e farërave, jep tri arsye për projektin: «Arsyeja e parë është përdorimi i drejtpërdrejtë. A e njohim aq mirë çdo bimë, saqë kur njëra zhduket të jemi të vetëdijshëm se ç’kemi humbur lidhur me aftësinë që kishte ajo për të na dhënë ushqim ose ilaçe? Arsyeja e dytë është zinxhiri i jetës. Përfytyroni sikur të gjitha llojet e botës formojnë një rrjetë, ku secili lloj është një nyjë e rrjetës. Sa nyja mund të hiqni para se ta shkatërroni rrjetën? Arsyeja më e fortë për këtë projekt është kujdesi për zinxhirin e jetës. Ç’të drejtë ka brezi i tanishëm t’u heqë brezave të ardhshëm perspektivat që kanë përpara, duke mos ua kaluar atyre po ato lloje që ai vetë i ka trashëguar?»

Sfidat për të ardhmen janë të vështira. Koordinatori i projektit Stiv Oltën thotë: «Mund t’i kesh të gjitha farërat e botës, por nëse këto farëra nuk kanë më mjedisin ku të mbillen, nuk ka kuptim që t’i ruash.» A do të jetë e mundur të shpëtojnë këto lloje që po zhduken, si edhe të kujdesemi dhe të jemi të përgjegjshëm për planetin tonë?

Përgjigjja ngushëlluese është po. Krijuesi premton: «Do të ketë një farë paqeje: hardhia do të japë frytin e vet, toka do të japë prodhimet e veta dhe qiejt do t’u japin vesën e tyre. Do t’i bëj ata të mbeturit nga ky popull të kenë zotërimin e të gjitha këtyre gjërave.»​—Zakaria 8:12.

[Kutia dhe figurat në faqen 25]

NJË NGA SHUMË

Kopshtet në Kju janë vetëm një nga 1.300 bankat e farërave rreth botës ku punohet pa u lodhur për të ruajtur farërat në frigoriferë të nëndheshëm. Stiv A. Eberharti, drejtues i Laboratorit Kombëtar për Ruajtjen e Farërave në Kolorado, e përshkruan këtë ndërtesë si një «vend kaq të sigurt për bimët, sa është Fort Noksi, depoja ku mbahet floriri në Amerikë».

[Figurat]

Projekti i Bankës së Farërave për Mijëvjeçarin

[Kutia në faqen 26]

RRËMOJNË NË FONDIN E GJENEVE

Një funksion i rëndësishëm i bankave të farërave është të mbledhin forma të ndryshme të një prodhimi bujqësor të afërta me të. Kjo gjë më pas siguron një fond gjenesh nga i cili mund të merren gjene kur luftohen shpërthimet e sëmundjeve të reja ose insektet e dëmshme që ndodhen në atë prodhim bujqësor. Duke përzgjedhur bimët që do të shumohen, shkencëtarët mund të përmirësojnë rendimentin, vlerat ushqimore, si dhe qëndresën e të mbjellave ndaj sëmundjeve dhe insekteve. Ky fond gjenetik po bëhet gjithnjë e më i rëndësishëm.

Në mbarë botën më shumë se 90 për qind e nevojave të njerëzve për kalori tani plotësohen nga vetëm 103 lloje bimësh dhe më shumë se gjysma e energjisë që konsumohet në mbarë globin vjen vetëm nga tri prodhime kryesore: orizi, gruri dhe misri. Pse kjo gjë është një problem?

Kur një prodhim i përhapur kudo është gjenetikisht i ngjashëm, bëhet i tëri njëherësh i prirur ndaj një sëmundjeje ose ndaj një insekti të vetëm. Shembulli më i famshëm i rrezikut të njëllojshmërisë gjenetike ndodhi në vitet 40 të shekullit të 19-të në Irlandë. Në atë kohë, prodhimi i patates u shkatërrua nga vrugu i patates Phytophthora infestans. Kjo kërpudhë shkaktoi atë që disa herë është quajtur Zija e Madhe dhe çoi në vdekjen e 750.000 njerëzve.

[Kutia në faqen 27]

SHUMËLLOJSHMËRIA NËN SULM

Dr. Piter Reivëni i paralajmëroi delegatët e Kongresit XVI Ndërkombëtar të Botanikës, që u mbajt në Shtetet e Bashkuara: «Deri në mesin e shekullit [të 21-të], mund të jenë zhdukur ose mund të jenë drejt zhdukjes të paktën 100.000 nga rreth 300.000 lloje që janë përllogaritur gjithsej.» Një raport nga Organizata e Kombeve të Bashkuara për Ushqimin dhe Bujqësinë (FAO) thotë se humbja e shumëllojshmërisë së prodhimeve ushqimore tashmë «është shumë e madhe». Kërcënimi kryesor për shumëllojshmërinë e bimëve vjen nga një burim i çuditshëm.

Raporti i FAO-s vërente: «Shkaku i sotëm kryesor i humbjes së shumëllojshmërisë gjenetike ka qenë përhapja e bujqësisë për qëllime tregtare. Pasoja kryesisht e paqëllimshme e futjes së varieteteve të reja në prodhimet bujqësore ka qenë zëvendësimi dhe zhdukja e varieteteve tradicionale bujqësore shumë të larmishme.»

Në vitin 1949, në Kinë përdoreshin afërsisht 10.000 varietete gruri. Sot janë ende në përdorim më pak se 1.000 të tilla. Në Shtetet e Bashkuara, gjatë 100 viteve të kaluara, janë zhdukur afërsisht 6.000 varietete mollësh, si edhe, me sa duket, 95 për qind e varieteteve të lakrës dhe 81 për qind e varieteteve të domates.

Edhe lufta shkakton zhdukjen e llojeve të bimëve bujqësore. Kur bujqërit i detyrojnë me forcë të largohen nga toka e tyre për shumë vjet edhe varietetet vendëse të bimëve bujqësore zhduken. Në revistën The UNESCO Courier thuhej: «Luftërat . . . kanë ndikuar në çdo vend në zonën bregdetare të Afrikës Perëndimore, zonë ku kultivohet një varietet i lashtë i orizit. Ky rajon është qendra kryesore për shumëllojshmërinë gjenetike të orizit afrikan Oryza glaberrima, i cili . . . tani mund të kryqëzohet me orizin aziatik, një nga prodhimet kryesore ushqimore në botë. Do të ketë pasoja mbarëbotërore, nëse ky . . . prodhim bujqësor afrikan i studiuar pak do të shkatërrohet nga luftërat rajonale.»

Më të sigurta se bankat e farërave

Xhon Tuksilli, një kërkues për Institutin Worldwatch, paralajmëroi: «Po bëhemi gjithnjë e më të aftë për të zhvendosur gjenet, por vetëm natyra mund t’i krijojë ato. Nëse një bimë që mbart një tipar të veçantë gjenetik zhduket, nuk ka mënyrë për ta kthyer mbrapsht.» Për këtë arsye, investohen miliona dollarë për t’i mbajtur farërat të sigurta në bankat e farërave.

Edhe më i sigurt është premtimi që ka bërë Krijuesi i këtyre farërave të krijuara në mënyrë të mrekullueshme, i cili shumë kohë më parë dha këtë siguri: «Deri sa të jetë toka nuk do të pushojnë kurrë së ekzistuari mbjellja [e farës, BR] dhe korrja.»​—Zanafilla 8:22.

[Figura në faqen 24]

Mbledhja e farërave në Burkina-Faso

[Figura në faqen 25]

Ruajtja në temperatura nën zero

[Figura në faqen 26]

Një botanist nga Kenia mëson se si të kontrollojë përqindjen e lagështirës së farërave

[Burimi i figurave në faqen 24]

Të gjitha fotot në faqet 24-27: Kopshtet Mbretërore Botanike, Kju