Nga lexuesit tanë
Nga lexuesit tanë
Çrregullimi i stresit pas-traumatik (PTSD) Kur mora revistën Zgjohuni! të 22 gushtit 2001 (anglisht), me titull «Përballimi i stresit pas-traumatik» u befasova kaq shumë, saqë nuk pushoja dot së qari. Jam lutur vazhdimisht që Jehovai të më mësonte të përballoja PTSD-në. Mendoja se isha e pavlefshme dhe fillova të humbja respektin për veten. Sot mora përgjigjen e lutjeve të mia. Nuk mund ta shpreh dot me fjalë sesa shumë më kanë ndihmuar këta artikuj si frymësisht, ashtu edhe emocionalisht.
Ç. K., Japoni
Jam 40 vjeç dhe vuaj nga çrregullimi i stresit pas-traumatik për shkak të fëmijërisë sime. Artikujt tuaj u dhanë përgjigje lutjeve të mia. Më dhanë zemër dhe ishin pozitivë. Ju falënderoj për artikuj të tillë që pasqyrojnë gjykim të thellë. Vazhdoni të botoni artikuj të tillë!
R.D.M., Shtetet e Bashkuara
Dhembja që ndien kur jeton me këtë çrregullim dhe vuan prej tij është shumë e vështirë për t’u shprehur me fjalë. Babai im ishte i alkoolizuar dhe që në fëmijëri kam vuajtur nga zemërimi e nga dhuna e tij. Pësoja edhe abuzime seksuale. Isha e lumtur që ky artikull theksonte se ata që vuajnë nga PTSD-ja kanë prirjen të bëjnë veten me faj dhe kanë nevojë për shumë inkurajim. E falënderoj me përzemërsi Jehovain dhe të gjithëve ju për këta artikuj të mrekullueshëm!
Y. S., Japoni
Artikuj të tillë na ndihmojnë të përballojmë problemet emocionale, si dhe na forcojnë mendërisht me qëllim që të mund t’ia dalim mbanë. Ju lutem, vazhdoni të shkruani artikuj të tillë shumë të nevojshëm, të cilët na ndihmojnë të kuptojmë vetveten.
K. L., Shtetet e Bashkuara
U diagnostikova me PTSD, por e vetmja gjë që dija për këtë çrregullim ishte ndjenja e frikës se trauma do të ndodhë përsëri. Artikujt tuaj shpjeguan hollësi rreth simptomave. Fajësoja veten duke menduar se gjendja ime frymore kishte rënë shumë. Por më ndihmoi shumë fakti se duhet të mendojmë jo se si e shohim ne veten, por si na sheh Jehovai.
J. S., Japoni
E kisha të vështirë ta lexoja këtë material pasi s’më linin lotët. Për dy vitet e shkuara më është kujtuar trauma dhe makthi i natës kur gjyshi më vdiq në duar nga një infarkt. Pjesën më të madhe të kohës në mbledhjet e krishtere e kaloja duke qarë. Ky informacion më ka ndihmuar të kuptoj se përse e ndiej ende kaq shumë dhembjen. Tani e di se ku të drejtohem për ndihmë, tek Ati shumë i dashur qiellor e që kujdeset shumë dhe tek organizata e tij.
P. T., Australi
Pesë vjet më parë më vdiq bashkëshorti në një aksident automobilistik dhe një vit më vonë fillova të kisha simptoma të pazakonta fizike. Kur mora këtë artikull, e ndjeva menjëherë se ata që e kuptojnë më mirë çështjen janë Jehovai dhe organizata e tij. Më mjaftoi kjo ndjenjë për të më dhënë përsëri fuqinë e nevojshme për të vazhduar përpara. Falënderimet e përzemërta për gjithë punën që bëni!
A. K., Japoni
Leximi i Biblës Ju falënderoj nga thellësia e zemrës për artikullin me titull: «Të rinjtë pyesin . . . Si mund ta bëj më të kënaqshëm leximin e Biblës?» (22 gusht 2001, anglisht) Jam 17 vjeçe. Gjithnjë e kam lënë përgjysmë leximin e Biblës. Nganjëherë e ndërpritja leximin, thjesht sepse mendoja që isha shumë e zënë me punë. Herë të tjera mendoja se ajo që po lexoja nuk do të më sillte ndonjë dobi. Por të rinjtë që përmend artikulli gjejnë vërtet kënaqësi duke lexuar Biblën dhe nxjerrin dobi nga ky lexim. S’mund të mos më lindte dëshira për ta lexuar edhe unë. Tani dua të vazhdoj përpjekjet dhe të mos dorëzohem.
Y. T., Japoni