Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Zvarritja e punëve dhe shëndeti

«Zvarritja e punëve mund t’ju sëmurë»,​—thotë një studim i përmendur në gazetën Vancouver Sun. Në një konferencë të kohëve të fundit të Shoqatës Amerikane të Psikologëve, të mbajtur në Toronto, Kanada, u paraqit një studim i bërë me 200 studentë universitarë kanadezë në të cilin tregohej se «ata që i zvarritin punët duke i shtyrë gjërat për më vonë, e vënë veten nën një presion kaq të madh, saqë kanë më shumë sëmundje që lidhen me stresin, sesa të tjerët. . . . Me afrimin e ditës së provimit, niveli i stresit mes atyre që i zvarritin punët rritej shumë. Qëndrimi i tyre i shkujdesur zëvendësohej nga dhembje më të shpeshta të kokës, dhembje shpine, gripi, probleme me gjumin dhe alergji. Vuanin më shumë nga problemet me frymëmarrjen, infeksionet dhe migrena».

Një peshk që ngjitet në shkëmb

Revista Natural History raporton se një ekip iktiologësh brazilianë, shkencëtarë që studiojnë peshqit, kanë vëzhguar një lloj peshku shigjetë të Amerikës së Jugut. Ky peshk e ka zakon të ngjitet në një shkëmb të lagësht, të rrëshqitshëm e të lartë sa një ndërtesë me pesë kate, poshtë një ujëvare, edhe pse kjo duket e pamundur. «Kërkuesit kanë vëzhguar aftësitë që ka ky peshk 4 centimetra i gjatë për t’u ngjitur nëpër ujëvarë, në rrymat e rrëmbyeshme të ujërave të ëmbla të Espirito-Santos, në lindje të Brazilit.» Duke përdorur dy çiftet e pendëve të mëdha, peshqit shigjetë kapeshin në sipërfaqen e shkëmbit në fund të ujëvarës dhe ngjiteshin dalëngadalë në shkëmbin 15 metra të lartë, «me lëvizje të fuqishme anësore», duke pushuar me intervale të rregullta. Raportohet se «shkencëtarët mendojnë se kjo sjellje i ndihmon këta peshq të vazhdojnë ekzistencën e popullatave në pllajat e veçuara». Megjithatë, peshqit shigjetë nuk janë të vetmit peshq që kanë aftësi për t’u ngjitur në shkëmb; ka edhe lloje të tjera, përfshirë peshqit tropikalë të familjes Gobiidae dhe peshq që rriten në Azi të nënfamiljes Balitorinae.

Domate që durojnë kripën

«Me anë të inxhinierisë gjenetike, kërkuesit kanë prodhuar domaten e parë në botë që mund të rritet në ujërat e kripura, një përparim që mund të na ndihmojë të zgjidhim një nga problemet më të mëdha të bujqësisë»,​—thotë washingtonpost.com. Domatja që duron kripën është prodhuar nga kombinimi me një gjen që është marrë nga një bimë e familjes së lakrës. Gjeni që shtohet i jep mundësi bimës së domates «ta grumbullojë kripën në përbërësit e gjetheve, duke bërë që bima të lulëzojë edhe në tokat bujqësore, të cilat në të kundërt nuk do të ishin pjellore». Sipas raportit, «domatja e prodhuar me anë të inxhinierisë gjenetike mund të rritet në një tokë që ujitet, e cila është 50 herë më e kripur se normalisht». Shpresohet që bimë të tilla, të cilat durojnë kripën do të jenë në gjendje të rriten në ato toka që nuk ujiten rregullisht nga reshjet e shiut. Raporti shton se «domatet e modifikuara gjenetikisht (ose bimë të tjera që modifikohen për të duruar kripën) mund të përdoren edhe për të ripërtërirë tokat e dëmtuara, të cilat kanë përmbajtje shumë të madhe kripe, duke i thithur ato».

Fëmijë me prirje vetëvrasëse

The Guardian e Londrës raporton se telefonatat nga fëmijët me prirje vetëvrasëse në linjat e shërbimit telefonik për të ndihmuar fëmijët, të ngritura nga instituti bamirës britanik, u dyfishuan nga 346 në vitet 1990-1991 në 701 në vitet 1998-1999. «Dëshpërimi më i madh shkaktohej nga keqtrajtimet, nga ngacmimet seksuale dhe fizike, nga humbja e një njeriu të dashur dhe nga stresi i provimeve.» Sipas institutit bamirës «pikëpamja e përgjithshme se përpjekjet për vetëvrasje bëhen thjesht për të tërhequr vëmendjen është e rrezikshme. Nuk është e vërtetë se ata që flasin për vetëvrasjen në realitet nuk e bëjnë atë. Shumë fëmijë me prirje vetëvrasëse, të cilët kanë telefonuar në linjat e këtij shërbimi telefonik, kanë thënë se gjendja e tyre e dëshpëruar ishte rënduar, ngaqë u dukej se prindërit dhe kujdestarët nuk u tregonin kujdes». Pas një përpjekjeje të parë për të vrarë veten, «familjarët janë kaq të lehtësuar që fëmija i tyre ka mbijetuar, . . . saqë mendojnë se problemi është larguar. Më pas, mjerisht ndodh përsëri», zakonisht brenda disa muajsh pas përpjekjes së parë. Edhe pse numri i vajzave me prirje vetëvrasëse e kalon atë të djemve, duke qenë 4 me 1, djemtë kanë më shumë sukses në përpjekjet për të vrarë veten. Shumica e atyre që morën në telefon e që vranë veten ishin 13 deri 18 vjeç, kurse më i vogli ishte vetëm 6 vjeç.

Karrem për mushkonjat

Një firmë në Singapor po prodhon një pajisje për të asgjësuar mushkonjat pa përdorur insekticide. Është një kuti e zezë plastike 38 centimetra e lartë që «çliron nxehtësi dhe dioksid karboni pothuajse aq sa një trup njerëzor»,​—raporton The Economist e Londrës. Duke qenë se mushkonjat i gjejnë viktimat duke u orientuar nga nxehtësia që lëshon trupi dhe nga dioksidi i karbonit gjatë frymëmarrjes, kjo pajisje «i mashtron mushkonjat duke i bërë që të mendojnë se aty afër do të gjejnë ushqim». Kutia nxehet me rrymë elektrike dhe çliron dioksid karboni nga një bobinë e vogël. Insekti mashtrohet nga shkëlqimi i dritave e futet në një të çarë në kuti. Më pas një ventilator e shtyn poshtë në një pellg me ujë ku mushkonja mbytet. Pajisja mund të zërë në grackë 1.200 mushkonja brenda një nate dhe mund të modifikohet për të tërhequr mushkonjën e natës Anofele, e cila mbart mikrobin e malaries ose mushkonjën e ditës Aedes, mbartëse e etheve të verdha dhe sëmundjes së dengës. Një përparësi tjetër është se nuk vriten insektet e padëmshme siç janë fluturat.

Një nxitje për burrat që të hanë peshk

Disa kërkues nga Instituti Karolinska i Stokholmit thonë se për meshkujt që hanë në sasi të mëdha peshk të yndyrshëm, siç është salmoni, harenga dhe skumbria, ka dy ose tri herë më pak të ngjarë që të vuajnë nga kanceri i prostatës, sesa burrat që rrallëherë hanë peshk. Studimi 30-vjeçar i bërë te 6.272 burra mori parasysh edhe faktorët që e shtojnë rrezikun, siç është pirja e duhanit. Kërkuesit nxorën përfundimin se «acidet yndyrore të ashtuquajtura omega-3 [që gjenden veçanërisht në peshkun e yndyrshëm] me sa duket pengojnë zhvillimin e kancerit të prostatës». Raporti thotë se të njëjtat acide yndyrore «ulin edhe rrezikun e infarkteve». Prandaj, ekspertët i këshillojnë njerëzit të hanë peshk «një ose dy herë në javë».

Himet e orizit shpëtojnë pemë

Sipas gazetës El Comercio të Perusë himet e orizit, të përdorura si lëndë djegëse zëvendësuese në fabrikat e tullave në veri të Perusë, po ndihmojnë për të penguar zhdukjen e shumë pemëve të çiçibanozit ngaqë i pritnin për dru zjarri. Përdorimi i himeve të orizit, një produkt bujqësor i padobishëm, nga 21 prodhues tullash ka ndihmuar edhe që të mos çlirohet shumë dioksid karboni. Përveç kësaj, duke i suvatuar muret me një përzierje të përbërë nga rëra, argjila dhe melasa, të cilat përmirësojnë izolimin dhe pakësojnë humbjen e nxehtësisë, efektshmëria e furrave është rritur 15 për qind. Gjithashtu, po bëhen eksperimente për të futur në materialin e përzier të tullës hi nga himet e orizit. Kjo bëhet me shpresën për të bërë më të fortë produktin përfundimtar. Gjithashtu «ky përdorim i himeve të orizit pakëson gjithashtu ndotjen dhe problemet e depozitimit të produkteve të padobishme»,​—thotë El Comercio.

Shëndeti mendor dhe fëmijët

«Statistikat tregojnë se në moshën 11-vjeçare, një në pesë fëmijë do të ketë një problem mendor,​—thotë gazeta The Gazette e Monrealit, Kanada.​—Një shëndet i mirë mendor nënkupton baraspeshimin e fushave shoqërore, fizike, frymore dhe emocionale të jetës së një personi.» Sipas Sandi Brejit, koordinatore e arsimimit nëpër komunitete për Shoqatën Kanadeze të Shëndetit Mendor, për shëndetin mendor duhet të jemi po aq të interesuar sa jemi për shëndetin fizik. Breji thotë: «Nëse shëndetin mendor vazhdojmë ta lëmë të fundit në listën e përparësive, do të priremi të vuajmë nga depresioni, ankthi dhe stresi i tepërt.» Prindërve u jepet zemër që të jenë më të shkathët duke i mbajtur fëmijët të shëndetshëm mendërisht, gjë që mund ta bëjnë duke kaluar kohë me familjen dhe duke ngrënë së bashku. Sugjerime të tjera që i ndihmojnë të gjithë të vazhdojnë të kenë një shëndet të mirë mendor përfshijnë: të flenë mjaftueshëm, të hanë mirë, të jenë në formë të mirë fizike, të lënë mënjanë kohë për të bërë gjëra që u pëlqejnë, të kalojnë kohë me miqtë, të qeshin, të bëjnë punë vullnetare, të japin e të pranojnë lavdërime, të dëgjojnë me vëmendje të tjerët dhe të mos jenë tepër të rreptë me veten kur bëjnë gabime.

Kostoja e rëndë e peshkimit të tepërt

Sipas gazetës The Times të Londrës «një studim ka zbuluar se nga peshkimi i tepërt njerëzit kanë shkaktuar një katastrofë të plotë detare në një shkallë të tillë që nuk ishte përfytyruar kurrë më parë, pasi janë zhdukur mijëra lloje». Sipas projektit kërkimor, «efektshmëria e racës njerëzore për të gjuajtur kafshë të mëdha detare dhe molusqe, ka shkaktuar prishjen e zinxhirëve ushqimorë dhe ka shkatërruar ekosistemet në një shkallë të tillë, saqë detet kanë ndryshuar përgjithnjë». Raporti përmend faktin se në vitin 1607, kur kapiteni Xhon Smith lundroi në ujërat e gjirit Çesëpik, në bregdetin lindor të Shteteve të Bashkuara, një top ushtarak që ra nga anija në ujë «dukej qartë në më shumë se 9 metra thellësi». Për pastërtinë e dikurshme të këtyre ujërave kërkuesit ia jepnin meritën «shkëmbinjve të mëdhenj me goca deti [të cilat] çdo tri ditë filtronin gjithë ujin e gjirit, duke mbajtur nën kontroll sasinë e mikrobeve dhe të algave». Në atë kohë, në rajon «kishte shumë balena gri, delfinë, lopa deti, lundra lumi, breshka deti, aligatorë dhe blinj gjigantë». Tani gjiri është habitati i «vetëm një numri të vogël të llojeve» që jetonin dikur aty.