Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Punët e shumta të nënave

Punët e shumta të nënave

Punët e shumta të nënave

4.50 Aleksi, djali i vogël, duke qarë e i përgjumur, ngjitet në krevat nga ana e Helenës, nënës së tij. Dy fëmijët e tjerë, Peni (5 vjeçe) e Xhoana (12 vjeçe), si edhe i shoqi, Niku, po flenë. Helena e merr në krahë Aleksin në krevatin e saj dhe i jep të pijë. Pas kësaj nuk e zë më gjumi.

5.45 Helena shkon në kuzhinë, duke ecur në majë të gishtave, bën kafenë dhe lexon.

6.15–7.20 Niku zgjohet nga gjumi. Helena zgjon Penin dhe Xhoanën, bën gati mëngjesin, bën disa punë shtëpie. Në orën 7.15, Niku niset për në punë dhe çon Xhoanën në shkollë. Vjen nëna e Helenës që të mbajë Aleksin.

7.30 Helena çon Penin në kopsht. Rruga që bën deri në punë i jep kohë të meditojë për realitetin e jetës së saj si nënë. «Është puna më e rëndë që kam pasur ndonjëherë»,​—thotë ajo.

8.10 Helena ka përpara një tavolinë të mbushur me punë për të bërë. Është e shqetësuar se mos ka mbetur prapë shtatzënë e kjo mund të nënkuptonte humbjen e punës. Familja ka nevojë për një rrogë më tepër.

10.43 Pasi Helena ul receptorin e telefonit​—ishte një telefonatë për fëmijët​—një shoqe pune, Nensi, e ngushëllon: «Po bën një punë shumë të mirë me ta.» Helenës i rrjedhin lot në faqe.

12.05 Helena ha shpejt e shpejt një sanduiç dhe bie në mendime për kohën kur nuk e kishte lindur vajzën e parë. Atëherë kishte bërë disa plane për kohën «e lirë». ‘Ç’gjë për të qeshur!’​—thotë në fund.

15.10 Pas disa telefonatave nga shtëpia për Aleksin lozonjar, Helena përmend lidhjen e veçantë që ka me vogëlushët e saj: «Është një lloj dashurie që nuk e kam pasur për asnjeri tjetër.» Kjo thellësi ndjenjash e ndihmoi të kalonte vështirësitë e papritura të fillimit.

17.10 Pasi merr me makinë nga shkolla Xhoanën, Helena kryen ca porosi. I telefonon Nikut dhe i kujton që është radha e tij të shkojë të marrë Penin nga kopshti.

18.00–19.30 Helena kthehet në shtëpi, e liron nënën e saj nga ‘puna për të mbajtur Aleksin’, bën punët e shtëpisë, përgatit darkën. Kur e pyesin për kërkesat që kanë fëmijët Helena psherëtin: «Një fëmijë nuk kërkon asgjë më tepër veç nënës së tij, të gjithën: krahët, trupin dhe qumështin e saj, si edhe ia heq gjumin nga sytë.»

20.30–22.00 Helena ndihmon Xhoanën me detyrat e shtëpisë dhe i jep të pijë Aleksit. Ndërkohë që Niku i lexon Penit për një gjysmë ore, Helena bën edhe ca punë shtëpie.

23.15 Pasi Peni dhe Xhoana kanë rënë në shtrat, Aleksi është ende zgjuar në krahët e së ëmës, por pastaj, më në fund, e zë gjumi. «Mendoj se duhet ta çojmë në shtrat»,​—i thotë Helena Nikut, i cili është i përgjumur.