Të jesh nënë: Një garë vrapimi me pengesa
Të jesh nënë: Një garë vrapimi me pengesa
Të jesh nënë është një aventurë e ndërlikuar dhe e mrekullueshme. Nënat përjetojnë çaste të vyera gëzimi, të cilat nuk do t’i këmbenin as me gjithë botën. Megjithëkëtë, ndonjëherë disa nëna ndihen sikur janë në prag të një krize nervore. Helena e krahason jetën e saj si nënë me një vrapim me pengesa. Dhe duket sikur, me kalimin e kohës, pengesat bëhen më të shumta e më të larta.
Nënat mund të sakrifikojnë kohën e lirë dhe një pjesë të mirë të jetës shoqërore për t’u dhënë kujdesin e duhur fëmijëve të tyre. «Jam gjithnjë në gatishmëri,—thotë Esteri, nënë e pesë fëmijëve.—I kam këmbyer banjat çlodhëse me një dush të shpejtë dhe darkat romantike me ushqimin që ngrohet me mikrovalë. Më kanë mbetur udhëtime që s’i kam bërë, vende që s’i kam parë, gjëra që s’i kam bërë. Por rrobat i kam të lara dhe të palosura.»
Sigurisht shumë nëna do të flitnin edhe për çastet e pakrahasueshme të gëzimit që provojnë ndërsa rritin fëmijët. Esteri thotë: «Një buzëqeshje e rastësishme, një ‘faleminderit mami’ e ëmbël dhe përqafimet e ngrohta—këto janë karburanti që të shtyjnë të vazhdosh përpara.» *
Nënat punojnë jashtë shtëpisë
Një pengesë e madhe, e cila e ka ndërlikuar jetën e nënave, është se shumë prej tyre përballojnë përgjegjësitë e zakonshme familjare ndërkohë që për të mbështetur financiarisht familjen fillojnë një punë jashtë shtëpisë. Shumë nga këto nëna nuk kanë zgjedhur vetë të punojnë jashtë shtëpisë, por i shtyn nevoja. E dinë se po të rrinë në shtëpi, familjeve, e sidomos fëmijëve të tyre, do t’u mungojnë shumë gjëra. Pagat e tyre, edhe pse shpesh më të ulëta se ato të burrave që bëjnë një punë të ngjashme, kanë shumë rëndësi.
Për shembull, në San-Paulo të Brazilit, gratë përbëjnë 42 për qind të fuqisë punëtore. Njëra nga gazetat në atë vend i quante nënat që gjatë gjithë kohës merren vetëm me rritjen e fëmijëve një «lloj që rrezikon të zhduket». Në zonat fshatare të Afrikës është diçka e zakonshme të shohësh një nënë me një deng me dru mbi kokë dhe me fëmijën e lidhur me pëlhurë në shpinën e saj.
Një punë e lodhshme
Duke i shtuar pengesat, tregu i punës mund të kërkojë që nënat të kalojnë shumë orë në punë. E kërkesat mund të mos ndalen aty. Kur Maria, e cila jeton në Greqi, filloi një punë, punëdhënësi i kërkoi të firmoste një dokument në të cilin premtonte se për tre vjet nuk do të mbetej shtatzënë. Nëse mbetej shtatzënë, do t’i duhej të paguante një dëmshpërblim. Maria e firmosi dokumentin. Por rreth një vit e gjysmë më vonë mbeti shtatzënë. Atëherë punëdhënësi i tregoi dokumentin Marisë, e cila e çoi çështjen në gjyq për të kundërshtuar procedurën e firmës ku ishte punësuar dhe tani pret përfundimin.
Në raste më pak ekstreme se ky, punëdhënësit mund t’u bëjnë presion nënave që të kthehen në punë sa më shpejt të jetë e mundur pas lindjes së fëmijës. Zakonisht, edhe pasi rikthehen, nuk u bëhet asnjë ulje në orët e punës. Pra, nuk bëhet asnjë rregullim për to, duke pasur parasysh faktin që tani kanë përgjegjësi ndaj një fëmije shumë të vogël. Nuk kanë mundësi të marrin leje të zgjatur, pasi do të kenë vështirësi financiare. Nënave mund t’u duhet të përballojnë edhe mangësitë që kanë institucionet ku lënë fëmijët, si edhe asistencën e pamjaftueshme nga shteti.
Nga ana tjetër, ka disa nëna që nuk punojnë për nevoja financiare, por që të ndiejnë se kanë arritur diçka në jetë. Sandra vendosi të kthehej në punë pas lindjes së secilit nga dy fëmijët. Ajo sjell ndër mend se duke u gjendur vetëm në shtëpi me foshnjën, «ndonjëherë rrinte e vështronte nga dritarja dhe pyeste veten se çfarë po bënte pjesa tjetër e botës». Kurse disa nëna kërkojnë t’i largohen stresit të jetës familjare duke shkuar në punë. Daily Telegraph e Britanisë raportonte: «Disa prindër kërkojnë orë pune shtesë në mjedisin deri diku të qetë të punës. Kjo krijon një gjendje pa rrugëdalje, duke e zvogëluar më tepër kohën që kalojnë me fëmijët, të cilët bëhen më tepër indiferentë, të dhunshëm dhe rebelë.»
Pikërisht si një zhonglere
Nuk është e lehtë të baraspeshosh punën me familjen. Një nënë në Holandë, duke pasqyruar ndjenjat e shumë nënave, tha: «E lodhur, e lodhur, e lodhur. Madje, zgjohem e lodhur. Kur kthehem nga puna, jam e dërrmuar nga lodhja. Fëmijët kanë filluar të thonë ‘mami është gjithmonë e lodhur’ dhe kjo më bën të ndihem fajtore. Nuk dua ta humbas punën, por edhe dua të jem ajo nëna e shoqërueshme dhe që e bën gjithçka të mundur. Mirëpo nuk jam pasqyrimi i përsosmërisë, siç dua të jem.»
Ajo është një nga miliona nënat që punojnë, të cilat përqafuan idenë se mungesat e shpeshta mund të kompensohen pjesërisht me ‘kohën cilësore’ që kalojnë me fëmijët. Por panë se kjo ide nuk është e suksesshme. Sot shumë nëna thonë se në përpjekjet për të mbajtur si një zhonglere stresin e punës dhe përgjegjësitë familjare, ato mbeten të mbingarkuara me punë, tej mase të tendosura dhe jo të paguara sa duhet.
Kur gratë kalojnë shumë kohë larg fëmijëve të tyre, këta të fundit nuk marrin gjërat për të cilat kanë më shumë nevojë: kohën dhe vëmendjen e nënës. Fernanda A. Lima, një psikologe fëmijësh nga Brazili, thotë se askush nuk mund ta përmbushë aq mirë rolin e nënës, sa vetë nëna. «Dy vitet e para të jetës së një fëmije janë më vendimtaret,—thotë ajo.—Fëmija është ende tepër i vogël për të kuptuar përse nëna nuk është aty me të.» Një grua që zëvendëson figurën e nënës mund t’ia plotësojë disi nevojën fëmijës për nënën e tij, por nuk mund të zërë vendin e saj. «Foshnja e ndien se nuk po merr kujdesin e dashur të nënës»,—thotë Lima.
Kati, një nënë që punon në kohë të plotë dhe ka një vajzë të vogël tha: «Ndihesha tmerrësisht në faj, sikur po e braktisja [në çerdhe]. Është një gjë e rëndë të dish që po humbet rastin për të parë fëmijën tënd të rritet e të zhvillohet dhe është tepër e çuditshme të mendosh se fëmija yt do më shumë çerdhen sesa ty.» Një stjuardesë në Meksikë pranoi: «Pas ca kohësh fëmija yt nuk të njeh më e nuk të respekton, thjesht sepse nuk je ti që po e rrit. Ata e dinë që je ti nëna e tyre, por shumë shpejt parapëlqejnë të rrinë me gruan që kujdeset për ta.»
Nga ana tjetër, nënat që rrinë gjithë kohën në shtëpi për t’u kujdesur për fëmijët e tyre thonë se u duhet të durojnë përçmimin dhe përbuzjen e një shoqërie të prirur për të lartësuar punën që paguhet. Në disa shoqëri, të jesh grua shtëpiake nuk shihet më si një pozitë e nderuar, kështu që gratë ndihen nën presion për të pasur punën e tyre, edhe sikur të ardhurat shtesë të mos jenë të nevojshme.
Lihen të luftojnë vetëm
Pengesave të nënave u shtohet edhe ky fakt: e lodhur tërë ditën në punë, një nënë vjen në shtëpi, jo që të pushojë, por që të vazhdojë me punët e përditshme të shtëpisë. Nënat, bëjnë ose jo një punë jashtë shtëpisë, shpesh shihen si të vetmet që janë përgjegjëse për t’u kujdesur për shtëpinë dhe fëmijët.
Ndërkohë që gjithnjë e më shumë nëna po punojnë me orare të zgjatura, baballarët nuk i ndihmojnë gjithmonë. The Sunday Times e Londrës shkroi: «Britania është një komb që ka probleme me baballarët. Disa kërkime të reja tregojnë se burrat kalojnë vetëm 15 minuta në ditë me fëmijët e tyre. . . . Në përgjithësi burrave nuk u pëlqen të kalojnë kohë me familjet e tyre. . . . Në krahasim me këtë, nënat britanike që punojnë kalojnë 90 minuta në ditë me fëmijët.»
Disa burra ankohen se gratë e tyre e kanë të vështirë t’i lënë të tjerët që të bëjnë punët, sepse këmbëngulin që çdo gjë të bëhet ashtu siç e bëjnë ato zakonisht. «Përndryshe, ti e bën keq»,—thonë burrat. Është e qartë se një amvise të lodhur mund t’i duhet të bëjë ca lëshime për sa i përket mënyrës se si bëhen disa punë shtëpie, me qëllim që të përfitojë nga bashkëpunimi i të shoqit. Nga ana tjetër, burri nuk duhet ta përdorë këtë argument si një justifikim për të mos bërë asgjë.
Shtohen pengesat
Edhe zakonet e rrënjosura thellë mund t’i shtojnë pengesat. Në Japoni nga nënat pritet që të rritin fëmijët në mënyrë të ngjashme me bashkëmoshatarët e tyre. Nëse fëmijët e tjerë po marrin mësime për piano a për pikturë, një nënë ndihet e detyruar që edhe fëmijët e saj të bëjnë të njëjtën gjë. Shkollat ushtrojnë presion te prindërit që fëmijët të marrin pjesë në veprimtaritë jashtëshkollore si edhe fëmijët e tjerë. Nëse je ndryshe mund të ndodhë që fëmijët, mësuesit, prindërit e tjerë dhe të afërmit të të ngacmojnë. E njëjta gjë është e vërtetë edhe në vende të tjera.
Reklamat dhe nxitja për të blerë mund t’i shtyjnë fëmijët që të kërkojnë më shumë gjëra. Në vendet e zhvilluara nënat mund të mendojnë se duhet t’u sigurojnë fëmijëve atë që dëshirojnë, sepse shohin nënat e tjera që ua sigurojnë këto gjëra fëmijëve të tyre. Nëse nuk munden, mund të ndihen sikur kanë dështuar.
Ky diskutim për nënat në ditët tona nuk duhet të errësojë punën e miliona nënave të palodhura e vetëmohuese, të cilat bëjnë më të mirën e tyre për të përmbushur një nga përpjekjet më fisnike—atë të rritjes së brezave të ardhshëm të familjes njerëzore. Ky është një privilegj. Bibla thotë: «Fëmijët janë një bekim dhe një dhuratë nga ZOTI.» (Psalmi 127:3, Contemporary English Version) Miriami, nënë e dy fëmijëve, i përfaqëson më së miri nëna të tilla kur thotë: «Me gjithë sfidat, të jesh nënë ka gëzime të pakrahasueshme. Ne nënat kemi një ndjenjë kënaqësie kur shohim se fëmijët sillen sipas stërvitjes e disiplinës që u kemi dhënë dhe bëhen pjesëtarë të përgjegjshëm të shoqërisë.»
Çfarë mund t’i ndihmojë nënat që të gjejnë më shumë gëzim në dhuratën e tyre? Artikulli vijues do të sigurojë disa sugjerime praktike.
[Shënimi]
^ par. 4 Këta artikuj përqendrohen te nënat e martuara. Në të ardhmen Zgjohuni! do të trajtojë sfidat e nënave të vetme dhe të pamartuara.
[Kutia në faqen 6]
«Dita e nënës»
Varfëria e skajshme, mungesa e arsimimit, partnerët e papërgjegjshëm, keqtrajtimet e shpeshta dhe epidemia e SIDA-s i mundojnë nënat në Afrikën Jugore. Në një nga rastet e fundit kur u festua Dita e nënës, një gazetë e Afrikës së Jugut, The Citizen, raportonte: «Mijëra gra do të keqtrajtohen nga partnerët e tyre dhe disa do të humbasin jetën në Ditën e nënës.» Këto probleme bëjnë që çdo vit mijëra nëna në Afrikën e Jugut të braktisin foshnjat e tyre. Kohët e fundit, brenda një periudhe dyvjeçare, numri i foshnjave të braktisura u rrit me 25 për qind. Edhe më të dëshpëruara janë gratë që kryejnë vetëvrasje, numri i të cilave sa vjen e rritet. Kohët e fundit, një grua nga një zonë jashtëzakonisht e varfër i doli përpara një treni, duke i mbajtur të tre fëmijët e saj në krahë. Të gjithë vdiqën. Për të nxjerrë bukën e gojës, disa nëna i drejtohen prostitucionit dhe shesin droga ose i nxitin vajzat e tyre që të veprojnë kështu.
Nga Hong-Kongu raportohet se «disa nëna të reja i vrasin foshnjat e tyre kur i lindin ose e flakin foshnjën në një kazan plehrash, meqë nuk munden të përballojnë presionet». Gazeta South China Morning Post përmendte se në Hong-Kong, disa gra të reja të martuara «tani janë nën një stres kaq të madh [saqë] shëndeti i tyre mendor mund të keqësohet deri në atë shkallë sa të vrasin veten».
[Kutia në faqen 7]
Nënat në vende të ndryshme
Sa pak kohë!
❖ Një anketë në Hong-Kong tregoi se 60 për qind e nënave që punojnë nuk u kushtojnë fëmijëve atë që ato e quajnë kohë e mjaftueshme për ta. Dhe, gjatë ditëve të punës së prindërve, 20 për qind e fëmijëve deri në moshën trevjeçare jetojnë larg shtëpisë, zakonisht me gjyshërit.
❖ Gratë në Meksikë kalojnë afro 13 vjet të jetës duke u kujdesur për të paktën një fëmijë nën 5 vjeç.
Nënat dhe puna
❖ Në Irlandë 60 për qind e grave qëndrojnë në shtëpi që të kujdesen për fëmijët e tyre. Afro 40 për qind e grave në Greqi, Itali dhe Spanjë bëjnë të njëjtën gjë.
Ndihma në shtëpi
❖ Në Japoni, 80 për qind e grave shtëpiake thanë se dëshironin që një pjesëtar i familjes t’i ndihmonte për punët e shtëpisë, sidomos kur janë të sëmura.
❖ Në Holandë burrat kalojnë rreth 2 orë në ditë me fëmijët dhe 42 minuta duke bërë punët e shtëpisë. Gratë kalojnë rreth 3 orë me fëmijët dhe 1 orë e 42 minuta duke bërë punët e shtëpisë.
Nëna të stresuara
❖ Në Gjermani më shumë se 70 për qind e nënave ndihen të stresuara. Afro 51 për qind ankohen për dhembje që kanë të bëjnë me shtyllën kurrizore dhe disqet ndërruazore. Më shumë se një e treta janë vazhdimisht të lodhura dhe të shkurajuara. Pothuajse 30 për qind vuajnë nga dhembja e kokës ose nga migrena.
Nëna të keqtrajtuara
❖ Në Hong-Kong, 4 për qind e grave të anketuara thanë se i kishin keqtrajtuar gjatë shtatzënisë.
❖ Një anketë e bërë nga revista Focus në Gjermani tregoi se pothuajse 1 në 6 nëna pranoi se të paktën një herë fëmija i saj e ka sulmuar fizikisht.
[Figurat në faqen 7]
Të jesh nënë mund të jetë shumë stresuese, pasi shumë grave u duhet të baraspeshojnë punën dhe jetën familjare