Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Të jesh nënë: Si të përballohet sfida?

Të jesh nënë: Si të përballohet sfida?

Të jesh nënë: Si të përballohet sfida?

Meqë fëmijët përfaqësojnë brezin e ardhshëm, atëherë gratë që i edukojnë ata, pra nënat, patjetër që meritojnë respekt, nderim dhe mbështetje. Ndonëse bota moderne e paraqet jetën e nënës në mënyra nga më të ndryshmet, Bibla pohon se fëmijët janë një bekim nga Perëndia dhe mund të jenë burim lumturie për prindërit. (Psalmi 127:3-5) Megjithëkëtë, Shkrimet nuk janë të verbra para realitetit të jetës së nënave. Bibla dokumenton shumë nga sfidat e jetës së tyre.

Vendimet e prindërve lidhur me të qenët nënë dhe me rritjen e fëmijëve kanë një ndikim të thellë e të qëndrueshëm në jetën e në karakterin e fëmijëve. Këto vendime duhet të merren me kujdes, pasi mund të sjellin ndryshime të mëdha në mënyrën e jetesës së prindërve. Ato përfshijnë pyetje të tilla, si: A duhet të shkojë nëna në punë? Nëse po, sa duhet të punojë? Kush do të kujdeset për fëmijët kur nëna është në punë? Përfundimisht, prindërit duhet të bëjnë atë që besojnë se është më e mira për fëmijët e tyre e që, është edhe e drejtë para Perëndisë.

Sidoqoftë nënat nuk duhet të ndihen të vetme në betejën për të marrë vendime të mençura. Ato mund të gjejnë ngushëllim të madh te fjalët e Isaisë 40:11, ku thuhet se Perëndia tregon interes të veçantë për nevojat e nënave me fëmijë të vegjël, të cilat ai ‘do t’i udhëheqë me kujdes’. Perëndia e shfaq këtë interes të thellë duke dhënë në Bibël një sërë udhëzimesh, të cilat mund ta bëjnë të gëzueshme dhe të sukseshme jetën si nënë.

Ji e arsyeshme: Të krishterët duhet të njihen për arsyetueshmërinë e tyre. (Filipianëve 4:5) Xhanet Penli, shkrimtare dhe nënë, e provoi vetë vlerën e këtij parimi. «E fillova jetën si nënë me shpresat më të mëdha,​—thotë ajo.​—Duhej të isha nëna më e mirë që kishte ekzistuar ndonjëherë. Lexoja të gjithë librat dhe dëgjoja të gjithë ekspertët. Por, në vend që të ndihesha e suksesshme dhe e aftë, u ndjeva e pazonja dhe e stresuar tej mase.» Ajo komenton se kur «përpiqesh të bësh atë që presin të tjerët dhe t’u përshtatesh disa modeleve ‘ideale’, të venitet entuziazmi. Gjithashtu, kjo përpjekje të sjell shqetësim e ndjenja faji».

Bëj thjeshtime: «Familjet rrezikojnë të humbasin gëzimet që u falin fëmijët dhe jeta familjare në këtë ritëm të ethshëm të jetës»,​—shkruhej në revistën Newsweek. Ja përse shumë nëna dëshirojnë me zjarr një jetë më të thjeshtë. Si mund ta arrish këtë? Së pari, përcakto përparësitë, duke u kushtuar vëmendje ‘gjërave më të rëndësishme’, duke përfshirë edhe kohën e kujdesin vetjak që u nevojitet fëmijëve të tu. (Filipianëve 1:10, 11) Së dyti, shqyrto mënyrën tënde të jetesës. Mund të të duhet të heqësh dorë nga veprimtari dhe zotërime që nuk janë vërtet të domosdoshme.

Cila është gjëja më e rëndësishme në jetën tënde? A është të kesh gjithçka njëherësh apo ndoshta disa synime mund të shtyhen për më vonë, ndërkohë që ndjek synime të tjera? Karolina, një nënë me të ardhura të pakta, tregon se si ia del mbanë: «Mbaj gjëra të thjeshta dhe pakësoj shpenzimet.» Gloria, nënë e tre fëmijëve, kujton: «Nuk kishim para për rroba të firmuara, por i bëja vetë rrobat për fëmijët dhe u thosha se këto ishin të veçanta, sepse nuk i kishte askush tjetër.»

Fjala e Perëndisë thotë se ai që «ruan aftësinë dalluese ka për të gjetur mirë». (Fjalët e urta 19:8, BR) Aftësia dalluese nevojitet për të vënë gjërat në radhën e duhur në vargun e pafund të pajisjeve, të veprimtarive të kohës së lirë dhe të modave, të cilat mbytin nënat dhe fëmijët. Xhuditi, një nënë nga Afrika e Jugut, thotë: «Vazhdimisht po bombardohemi me prodhime të reja, me teknologji më të mirë dhe me më shumë shërbime.» Ja se si e përballon këtë sfidë Anxhela nga Gjermania, një nënë me katër fëmijë: «Duhet të përcaktosh se çfarë është thelbësore dhe e dobishme për ty dhe t’i ndihmosh fëmijët që të bëjnë të njëjtën gjë.»

Bëj ndryshimet e mundshme: «Përdor logjikën dhe gjykimin e shëndoshë»,​—këshillon Bibla. (Fjalët e urta 3:21, Contemporary English Version) Nëse do ta lije punën, a mund të jetojë familja vetëm me të ardhurat e burrit? Që t’iu përgjigjesh më lehtë pyetjeve të tilla, llogarit se sa të ardhura mbeten nga rroga pasi të kesh zbritur taksat, paratë që paguan për mbajtjen e fëmijëve, shpenzimet për udhëtim, për veshmbathjen, për të ngrënat jashtë dhe shpenzimet shtesë. Gjithashtu, të ardhurave të burrit tënd mund t’u vihen taksa më të larta, nëse të ardhurat e përbashkëta ju vënë në një kategori me të ardhura më të larta. Mund të habitesh sa pak të ardhura që mbeten.

Disa punojnë më pak orë ose më afër shtëpisë, gjë që mund të nënkuptojë më pak para, por më shumë kohë me fëmijët. Nëse vendos të mos punosh më dhe nëse puna ishte e rëndësishme për ty, për sa i përket vlerësimit për veten dhe kënaqësisë që të jepte, mendo se si mund t‘i ruash këto gjëra të rëndësishme ndërkohë që rri në shtëpi.

Kërko ndihmë: Fjala e Perëndisë në mënyrë të përsëritur tregon se ‘një thirrje për ndihmë’ mund të sjellë rezultate. (Eksodi 2: 23, 24; Psalmi 34:15, BR) Të thërrasë për ndihmë për nënën nënkupton që duhet ta nxitë të shoqin që ta ndihmojë. Me bashkëpunimin e tij mund të jesh në gjendje të përcaktosh një mënyrë për t’i ndarë punët e shtëpisë, kështu do të kesh kohë për të plotësuar synimet që keni vendosur së bashku, si për shembull, të jesh në dispozicion të fëmijëve të tu. Nga ana tjetër, një nënë duhet të kërkojë një mënyrë për të gjetur mbështetje edhe te një grup njerëzish të tjerë, duke përfshirë të afërmit dhe miqtë e besuar, të cilët kanë interesa dhe synime të përbashkëta me të.

Shumë nëna gjejnë mbështetje të çmuar në kongregacionin e krishterë lokal të bashkëbesimtarëve. Maria, nënë e tre fëmijëve, e kuptoi se «të afrohesh me kongregacionin» është një nga mënyrat me të cilat «Perëndia na tregon dashurinë dhe dhembshurinë e tij dhe na tregon se ai interesohet për ne».

Lër kohë për çlodhje: Edhe Jezui, një njeri i përsosur me mjaft rezistencë, i ftoi dishepujt e tij të shkonin ‘veçmas në një vend të vetmuar dhe të pushonin pak’. (Marku 6: 30-32) Suksesi yt si nënë varet nga aftësia për të mbajtur drejtpeshimin gjatë periudhave të ngarkuara. Është e vërtetë se fëmijët kanë nevojë për ty, por kanë nevojë edhe që të jesh e lumtur dhe e kënaqur. Duhet të çlodhesh në një masë të arsyeshme.

Anxhela, e përmendur më sipër, ka një program për t’u çlodhur: «Lë mënjanë kohë në mëngjes kur është qetësi. Gjej të paktën një gjysmë ore për veten. Gjithashtu, rrimë së bashku me burrin një ose dy mbrëmje në javë kur fëmijët zakonisht duhet të jenë në ndonjë vend tjetër të shtëpisë, duke bërë diçka me qetësi. Kështu mund të kemi një orë për vete.»

Jepi përparësi gjendjes frymore: Është vënë re se sfidat e nënave rëndohen kur humbasin nga sytë qëllimin dhe kur nuk vendosen përparësitë. Familjet e krishtera ndiejnë lumturi kur punojnë së bashku për të vënë vullnetin e Perëndisë në vend të parë në jetën e tyre. Apostulli Pavël shkroi: «Devocioni hyjnor është i dobishëm për të gjitha gjërat, pasi mban premtimin e jetës së tashme dhe të asaj që do të vijë.» (1 Timoteut 4:8) Një familje që jeton me devocion hyjnor dhe ndjek udhëzimet e Perëndisë që janë në Bibël do të gjejë lumturi. Edhe nëse parimet biblike i zbaton vetëm njëri nga pjesëtarët e familjes, gjërat shkojnë më mirë sesa kur nuk i zbaton asnjëri.

Adela, një nënë e krishterë që punon në kohë të plotë, ka parë dobitë që vijnë nëse e ke mendjen të drejtuar nga gjërat frymore. Ajo thotë: «Në botimet biblike kemi me bollëk udhëzime dhe informacione që na mësojnë se çfarë po hasin fëmijët tanë dhe si mund t’i ndihmojmë ata. Dhe ia vlejnë të gjitha përpjekjet kur sheh që fëmijët e tu veprojnë sipas asaj me të cilën ti i ushqen frymësisht. Kur shikon gjëra të vogla pozitive në sjelljen dhe në mënyrën e tyre të të arsyetuarit, ti e kupton se po futin në mendje atë që u ke mësuar dhe se përpjekjet e tua po shpërblehen.» *

Po, është e mundur që t’ia dalësh mbanë me sukses në këtë garë vrapimi me pengesa​—të jesh nënë. Vetë Perëndia jep këtë siguri që na ngushëllon se përpjekjet e nënave të palodhura dhe vetëmohuese, të cilat besojnë tek ai nuk do të jenë të kota. Nënat që zhvillojnë një marrëdhënie personale me të mund të gjejnë lehtësim nga premtimi i tij për t’i ‘dhënë forcë të lodhurit.’​—Isaia 40:29.

[Shënimi]

^ par. 16 Dëshmitarët e Jehovait kanë nxjerrë një sërë botimesh biblike, të bëra për të stërvitur fëmijët. Këto përfshijnë librat: Libri im i tregimeve biblike, Të rinjtë pyesin: Përgjigje praktike dhe Sekreti i lumturisë familjare.

[Kutia në faqen 10]

Ndikimi i nënës

Si nënë, nganjëherë mund të pyesësh veten se sa ndikim ke në jetën e fëmijës tënd. Ka raste kur ndikimi i bashkëmoshatarëve, i mësuesve, i mjedisit, i lojërave në kompjuter dhe i muzikës mund të duket se ia kalon ndikimit tënd.

Shqyrto shembullin e Jokebedës, nënës së Moisiut. Ajo jetoi në kohë jashtëzakonisht të vështira dhe i kishte të kufizuara mundësitë për të kontrolluar atë që do t’i ndodhte të birit. Megjithatë, mundësitë që kishte i përdori për të modeluar zhvillimin e tij. Së pari, ushtroi besim me guxim, duke mos pranuar ta linte Moisiun që të vdiste. Perëndia e shpërbleu besimin e saj jo vetëm duke ia ruajtur jetën e foshnjës, por edhe duke i rregulluar rrethanat në një mënyrë që e lejonin Jokebedën të shërbente si taja dhe si nëna e tij.​—Eksodi 1:15, 16; 2:1-10.

Është e qartë se Jokebeda ndihmoi në modelimin e personalitetit të birit të saj. Fakti që Moisiu i rritur ndihej më afër hebrenjve dhe Perëndisë së tyre, pavarësisht nga lidhjet që kishte me familjen mbretërore në Egjipt, dëshmon për ndikimin që kishin pasur prindërit gjatë viteve të formimit të tij.​—Hebrenjve 11:24-26.

Si nënë, ti ndoshta ke më tepër mundësi se Jokebeda për të ndikuar te fëmija yt. A po përfiton nga vitet e pakta e të shkurtra të fëmijërisë së vogëlushit tënd për t’i dhënë mësime të perëndishme e të qëndrueshme? Apo po lejon që kultura e përhapur të ketë ndikimin mbizotërues në zhvillimin e fëmijës tënd?

[Figurat në faqen 10]

Përfshi të tjerët në punët e shtëpisë, lër kohë për vete dhe jepi përparësi gjendjes frymore