Tensioni i lartë i gjakut: Parandalimi dhe mbajtja nën kontroll
Tensioni i lartë i gjakut: Parandalimi dhe mbajtja nën kontroll
NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL
MARIANA ishte e trembur! Krejt papritur nga hunda kishte filluar t’i rridhte gjak me vrull. «Mendoja se do të vdisja»,—kujton ajo. Një mjeke i bëri të ditur Marianës se gjakrrjedhjen nga hundët e kishte shkaktuar tensioni i lartë i gjakut (hipertensioni arterial). «Por unë ndihem shumë mirë»,—u përgjigj Mariana. «Shumë njerëz nuk e dinë se kanë tension të lartë gjaku, pasi nuk kanë asnjë simptomë»,—ia ktheu mjekja.
Ç’të themi për tensionin tuaj të gjakut? Mënyra juaj e jetesës, a mund të shkaktojë tension të lartë gjaku në të ardhmen? Çfarë mund të bëni për të mbajtur nën kontroll tensionin e gjakut? *
Tensioni i gjakut është forca që ushtron gjaku në muret e enëve të gjakut. Mund të matet duke përdorur një mëngëz llastiku që fryhet, e cila mbështillet rreth pjesës së sipërme të krahut dhe lidhet me një aparat që tregon tensionin. Aparati mund të tregojë dy numra. Për shembull: 120/80. Numri i parë quhet tension sistolik i gjakut, sepse tregon tensionin e gjakut gjatë tkurrjes së zemrës (sistolës). Numri i dytë quhet tension diastolik i gjakut, pasi tregon tensionin e gjakut kur zemra lëshohet (diastolë). Tensioni i gjakut matet në milimetra shtyllë mërkuri dhe mjekët i klasifikojnë pacientët si hipertensivë kur e kanë tensionin e gjakut më shumë se 140/90.
Çfarë e bën tensionin e gjakut të rritet? Përfytyroni sikur po ujitni kopshtin. Duke hapur rubinetin ose duke zvogëluar diametrin e zorrës së ujit, rritni presionin e ujit. E njëjta gjë ndodh me presionin ose tensionin e gjakut: rritja e shpejtësisë së rrjedhës së gjakut ose zvogëlimi i diametrit të brendshëm të enëve të gjakut, bën që tensioni i gjakut të ngrihet. Nga se shkaktohet tensioni i lartë i gjakut? Përfshihen shumë faktorë.
Faktorë që nuk mund t’i kontrolloni
Studiuesit kanë zbuluar se nëse një person ka të afërm me tension të lartë gjaku, mundësia që ai të vuajë nga kjo sëmundje është më e madhe. Statistikat tregojnë se rastet me tension të lartë janë më të shumta te binjakët identikë sesa te binjakët e ndryshëm. Një studim i referohet «përcaktimit të vendndodhjes së gjeneve përgjegjëse për tensionin e lartë arterial», pasi e gjitha kjo do të vërtetonte ekzistencën e një elementi trashëgimie që është përgjegjës për tensionin e lartë në gjak. Dihet gjithashtu se rreziku i një tensioni tepër të lartë gjaku rritet me kalimin e moshës dhe është më i madh midis meshkujve zezakë.
Faktorë që mund t’i kontrolloni
Kujdes me ushqimin! Kripa (natriumi) mund t’ua rritë tensionin e gjakut disa njerëzve, në veçanti atyre me diabet, atyre me tension tepër të lartë, të moshuarve dhe disa zezakëve. Yndyra e tepërt në gjak mund të krijojë depozita me kolesterol në muret e brendshme të enëve të gjakut (arterioskleroza), duke e zvogëluar kështu diametrin e tyre të brendshëm dhe duke rritur tensionin e gjakut. Njerëzit që janë
më shumë se 30 për qind mbi peshën e tyre ideale, rrezikohen të kenë tension të lartë gjaku. Studimet tregojnë se duke rritur konsumin e kaliumit dhe të kalciumit tensioni i gjakut mund të ulet.Pirja e duhanit shton rrezikun e arteriosklerozës, diabetit, infarktit në zemër dhe apopleksisë. Për këtë arsye, pirja e duhanit dhe tensioni i lartë i gjakut janë një kombinim i rrezikshëm që mund të çojë në sëmundje kardiovaskulare. Edhe pse dëshmitë janë kontradiktore, kafeina—që gjendet te kafeja, çaji dhe pijet e gazuara—si edhe stresi emocional e lodhja fizike mund ta rritin edhe tensionin e gjakut. Përveç kësaj, shkencëtarët e dinë se konsumimi i tepërt ose i vazhdueshëm i pijeve alkoolike dhe mungesa e aktivitetit fizik mund ta rritin tensionin e gjakut.
Mënyrë e shëndetshme jetese
Do të ishte e gabuar të presim që të kemi tension të lartë, e pastaj të marrim hapa pozitivë. Një mënyre të shëndetshme jetese duhet t’i kushtojmë vëmendje që në moshë të re. Duke treguar kujdes që tani, do të kemi si pasojë një cilësi më të mirë jete në të ardhmen.
Konsensusi i Tretë Brazilian për Hipertensionin Arterial përcaktoi ato ndryshime në mënyrën e jetesës që ndihmojnë të ulet tensioni arterial i gjakut. Ato janë një udhëzues i dobishëm për njerëzit me tension të lartë gjaku ose me tension normal.
Për ata që janë të dhjamosur, studiuesit kanë këshilluar një dietë të ekuilibruar me pak kalori, duke shmangur dietat e shpejta që «bëjnë mrekulli», ndërkohë që ndjekin një program me ushtrime fizike me masë. Sa për kripën, ata sugjeruan të konsumohej jo më shumë se gjashtë gramë ose një lugë çaji në ditë. * Në praktikë, kjo gjë nënkupton të pakësohet në minimum përdorimi i kripës gjatë përgatitjes së ushqimit, si dhe të përdoren sa më pak ushqime të konservuara, feta mishi të ftohtë e të gatuar, (sallam, proshutë, salsiçe, etj.) dhe ushqime të tymosura. Konsumimi i kripës mund të pakësohet edhe duke shmangur shtimin e kripës gjatë ngrënies, si dhe duke kontrolluar etiketat e ushqimeve të përpunuara për të parë se sa kripë kanë.
Konsensusi Brazilian sugjeroi gjithashtu që të *
rritet konsumimi i kaliumit, pasi mund të ketë «efekt kundër tensionit të lartë». Për këtë arsye, një dietë e shëndetshme duhet të përfshijë «ushqime që kanë pak natrium dhe që janë të pasura me kalium», si për shembull: bathët, perimet jeshile, bananet, pjeprat, karrotat, panxharët, domatet dhe portokallet. Gjithashtu, është e rëndësishme që alkoolin ta përdorni me masë. Disa studiues tregojnë se meshkujt që vuajnë nga tensioni i lartë nuk duhet të pinë më shumë se 30 mililitra alkool në ditë dhe gratë ose ata që janë me peshë të vogël trupore jo më shumë se 15 mililitra.Konsensusi Brazilian nxori përfundimin se ushtrimet e rregullta fizike e ulin tensionin e gjakut e në këtë mënyrë pakësojnë rrezikun e shfaqjes së tensionit të lartë arterial. Ushtrimet e përkora aerobike, si: ecja, çiklizmi dhe notimi për 30-45 minuta, tre deri pesë herë në javë, të bëjnë mirë. * Disa nga faktorët e tjerë që ndikojnë në një mënyrë më të shëndetshme jetese janë lënia e duhanit, mbajtja nën kontroll e yndyrave në gjak (kolesterolit dhe triglicerideve) dhe e diabetit, marrja e një sasie të mjaftueshme kalciumi e magnezi dhe mbajtja nën kontroll e lodhjes fizike dhe stresit emocional. Disa ilaçe mund të rritin tensionin e gjakut, si për shembull, dekongjestionuesit e hundës, kundëracidet e pasura me natrium, ilaçe që pakësojnë oreksin, qetësuesit për migrenën që përmbajnë kafeinë.
Sigurisht nëse keni tension të lartë arterial, mjeku juaj është i vetmi që mund t’ju japë këshilla lidhur me të ushqyerin dhe zakonet që keni, sipas nevojave tuaja. Gjithsesi, pavarësisht nga gjendja juaj, ndjekja e një stili të shëndetshëm jete që në moshë të re është gjithmonë i dobishëm, jo vetëm për ata që vuajnë nga tensioni i lartë, por për të gjithë pjesëtarët e familjes. Mariana, e përmendur në hyrje të artikullit, duhej të bënte ndryshime në mënyrën e jetesës. Tani merr ilaçe dhe bën një jetë normale pavarësisht nga problemi i saj shëndetësor. Po ju? Ndërsa pritni kohën kur të gjithë njerëzit do të kenë një jetë të shëndetshme dhe «asnjë banor . . . nuk do të thotë: ‘Unë jam i sëmurë’» mbajeni nën kontroll tensionin e gjakut.—Isaia 33:24.
[Shënimet]
^ par. 4 Zgjohuni! nuk përkrah ndonjë trajtim të veçantë, duke pranuar se në këtë fushë gjithkush duhet të marrë një vendim personal.
^ par. 15 Konsultohuni me mjekun tuaj për nevojat e përditshme për natrium dhe kalium, nëse vuani nga tensioni i lartë arterial ose nga sëmundje të zemrës, të mëlçisë a të veshkave dhe nëse merrni ilaçe.
^ par. 16 30 mililitra alkool janë baras me 60 mililitra pije të distiluar (uiski, vodka dhe të tjera), 240 mililitra verë ose 720 mililitra birrë.
^ par. 17 Diskutoni me mjekun tuaj për nevojën e një programi ushtrimesh.
[Kutia në faqen 22]
SI TË LUFTOHET TENSIONI I LARTË I GJAKUT
1. Masa që mund të ndihmojnë të mbani nën kontroll tensionin e lartë të gjakut
• Bini në peshë
• Pakësoni konsumimin e kripës
• Shtoni ushqimet e pasura me kalium
• Pakësoni konsumimin e pijeve alkoolike
• Bëni rregullisht ushtrime
2. Masa të tjera që mund të ndihmojnë të mbani nën kontroll tensionin e gjakut
• Kalcium dhe magnez shtesë
• Dietë vegjetariane e pasur me fibra
• Terapi kundër stresit
3. Masa që lidhen me këtë
• Lini duhanin
• Mbani nën kontroll nivelin e kolesterolit
• Mbani nën kontroll diabetin
• Shmangni ilaçet që mund të rritin tensionin e gjakut
[Shënimi]
Përshtatur nga Konsensusi i Tretë Brazilian për Hipertensionin Arterial—Revista Brasileira de Clínica & Terapêutica
[Figurat në faqen 23]
Ushtrimet e rregullta dhe një dietë e shëndetshme ndihmojnë për të parandaluar dhe mbajtur nën kontroll tensionin e lartë të gjakut