Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Le të provojmë të shkruajmë me shkronja Hankule!

Le të provojmë të shkruajmë me shkronja Hankule!

Le të provojmë të shkruajmë me shkronja Hankule!

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË REPUBLIKËN E KORESË

SECILI NGA SISTEMET E SHKRIMIT TË BOTËS KA HISTORINË E TIJ, ZAKONISHT MJAFT TË LASHTË. MEGJITHËKËTË, NJË ALFABET U BË ME MJESHTËRI VETËM PESË SHEKUJ MË PARË DHE U HARTUA PËR T’U MËSUAR BRENDA NJË MËNGJESI TË VETËM. ËSHTË ALFABETI KOREAN I QUAJTUR HANKUL OSE HANGUL. HISTORIA E ZHVILLIMIT DHE E PËRDORIMIT TË TIJ ËSHTË SHUMË TËRHEQËSE.

PARA se të formohej hankuli, gjuha koreane nuk kishte një alfabet të sajin. Për më shumë se një mijë vjet, koreanët e arsimuar e shkruanin gjuhën e tyre duke përdorur shkronja kineze. Sidoqoftë, në rrjedhën e viteve, u bënë përpjekje të ndryshme për të shpikur një sistem shkrimi më të mirë. Por, meqë të gjitha këto sisteme bazoheshin te shkronjat kineze, vetëm njerëzit me shumë arsim mund t’i përdornin ato.

Alfabet me urdhër të mbretit

Në shekullin e 15-të të e.s. mbreti Sezhong i dinastisë koreane Ji filloi të vriste mendjen për sikletin e nënshtetasve të tij që nuk mund të lexonin e as të shkruanin. Shumica e tyre nuk kishin asnjë mënyrë tjetër si t’ua drejtonin ankesat autoriteteve, përveçse gojarisht. Ky problem e mundonte mbretin Sezhong, i cili ka namin e mirë se gjithnjë ua vinte veshin njerëzve të thjeshtë.

Prandaj mbreti Sezhong drejtoi punën për krijimin e një alfabeti që do t’i përshtatej gjuhës së folur koreane si dhe do të ishte i lehtë për t’u mësuar e për t’u përdorur. Përfundimi i këtij projekti u shpall më 1446. Në fillim të deklaratës së tij, mbreti Sezhong tha: «Duke qenë me prejardhje të huaj, shkronjat kineze nuk janë në gjendje të përfshijnë saktësisht kuptimet tipike për gjuhën koreane. Prandaj shumë njerëz të thjeshtë nuk kanë se si t’i shprehin mendimet dhe ndjenjat e tyre. I shtyrë nga keqardhja për vështirësitë e tyre, kam krijuar një sistem me 28 shkronja. Shkronjat mësohen shumë lehtë dhe dëshira ime e zjarrtë është që ato të përmirësojnë jetën e të gjithë njerëzve.»

Mjerisht disa dijetarë e kundërshtuan hankulin, pikërisht pse ishte kaq i lehtë për t’u mësuar. Me përçmim e quajtën atë amkul, që do të thotë «shkronja grash». Ata e përbuznin një sistem shenjash që mund të mësohej edhe nga gratë, të cilave në atë kohë nuk u mësohej të lexonin nëpër shkolla. Ky paragjykim ndaj hankulit vazhdoi për ca kohë në shtresën e lartë koreane. Në të vërtetë, kaluan më se 400 vjet para se qeveria koreane të shpallte se hankuli mund të përdorej në dokumentet zyrtare.

Hankuli dhe Bibla

Bibla luajti rol të rëndësishëm në historinë e hankulit. Ndonëse në Kore u sollën shumë botime fetare të shkruara me shkronja kineze, misionarët nuk sollën Bibla në gjuhën kineze, edhe pse kishte të tilla. Gjithsesi, në vitin 1887, Shkrimet e Krishtere Greke (Dhiata e Re) u përkthyen në gjuhën koreane dhe u botuan me alfabetin hankul në Shenian të Kinës. *

Më në fund, kishte një Bibël në gjuhën koreane që mund ta lexonte pothuajse kushdo, madje edhe gratë e fëmijët, të cilët nuk kishin pasur kurrë mundësi të mësonin shkronjat kineze. Sot ka të paktën tetë përkthime të Biblës në hankulin modern, duke përfshirë edhe Përkthimin Bota e Re të Shkrimeve të Shenjta.

Mësohet lehtë

Një nga dijetarët që ndihmoi në krijimin e alfabetit korean tha për hankulin: «I mençuri mund ta mësojë brenda një mëngjesi dhe madje edhe i pamençuri mund ta mësojë për dhjetë ditë.» Në të vërtetë, disa nga kundërshtarët e hershëm të hankulit me përçmim e quajtën këtë alfabet açimgul që do të thotë «shkronjat e mëngjesit». E shihnin hankulin si shumë të thjeshtë për ta, ngaqë mund të mësohej në një mëngjes të vetëm.

Sidoqoftë, lehtësia e mësimit të hankulit ka ndihmuar ta çrrënjosë thuajse plotësisht analfabetizmin në Kore. Në të vërtetë, shumica e fëmijëve koreanë në kohën kur hyjnë në shkollë e zotërojnë tashmë atë. Sepse hankuli i paraqet tingujt e gjuhës së folur koreane kaq me saktësi, saqë t’i shkruash në rregull, ashtu si i dëgjon nuk përbën asnjë sfidë.

Hankuli mund të përdoret edhe për të shkruar fjalë që nuk janë koreane. A do t’ju pëlqente ta provonit? Megjithëse tabelat shoqëruese nuk tregojnë të gjitha hollësitë, mund t’ju ndihmojnë të paktën të shkruani emrin tuaj me shkronjat hankule. Në këtë mënyrë mund të provoni drejtpërdrejt sa i shumanshëm është ky alfabet, që mund të mësohet brenda një mëngjesi.

[Shënimi]

^ par. 10 Bibla e parë e plotë në gjuhën koreane u botua më 1911.

[Kutia në faqen 13]

BASHKËTINGËLLORET DHE ZANORET E HANKULIT

BASHKËTINGËLLORET:

ㄱ (g,k)

ㄴ (n)

ㄷ (d,t)

ㄹ (r,l)

ㅁ (m)

ㅂ (b,p)

ㅅ (s)

ㅇ *

ㅈ (ç,xh)

ㅊ (ç)

ㅋ (k)

ㅌ (t)

ㅍ (p)

ㅎ (h)

ZANORET:

ㅏ (a)

ㅑ (ja)

ㅓ (o si te «poemë»)

ㅕ (jo)

ㅗ (o si tek «orë»)

ㅛ (jou)

ㅜ (u si tek «ujë»)

ㅠ (ju)

ㅡ (u si te «tunel»)

ㅣ (i)

SHEMBULL ZANORESH TË PËRBËRA

ㅓ (o) + ㅣ (i)  = ㅔ (e)

*Bashkëtingëllorja ㅇ është e pazëshme, përveçse kur del si bashkëtingëllore fundore dhe shqiptohet «ng».

Zanoret o (si te «poemë»), jo, dhe u (si te «tunel») shqiptohen me një buzëqeshje të lehtë, kurse o, jou, u, dhe ju thuhen me buzët e rrumbullakosura. Bashkëtingëlloret ç, k, t, dhe p shoqërohen nga tingulli h.

[Kutia në faqen 13]

SHKRIMI I FJALËVE KOREANE

Të gjitha rrokjet e gjuhës koreane përbëhen nga dy o tri pjesë: një tingull nistor, një tingull në mes (një a më shumë zanore) dhe zakonisht një tingull fundor. Fjalët përbëhen nga një ose më shumë rrokje. Çdo rrokje shkruhet brenda një kutie imagjinare, siç tregohet më poshtë. Tingulli nistor (një bashkëtingëllore ose shkronja ㅇ e pazëshme) shkruhet në krye ose sipër majtas. Nëse zanorja e mesit është me formë vertikale, ajo shkruhet në të djathtë të tingullit të parë, kurse zanoret me formë horizontale shkruhen poshtë tij. Shkronjat mund të bëhen edhe dyshe, duke shtuar sipër theksin dhe zanoret e përbëra mund të ngjishen dhe të shkruhen përkrah njëra-tjetrës. Nëse rrokja ka një bashkëtingëllore fundore, kjo gjithmonë vendoset poshtë. Në këtë mënyrë, me anë të hankulit mund të paraqiten mijëra rrokje të ndryshme.

SHEMBUJ:

ㅅ (s)  + ㅗ (o)  = 소 (so) lopë

ㅅ (s)  + ㅏ (a)  + ㅇ (ng)  = 상 (sang) çmim

ㄱ (k)  + ㅗ (o)  + ㅁ (m)  = 곰 (kom) ari

ㅁ (m)  + ㅗ (o)  + ㄱ (k)  = 목 (mok) qafë

ㅅ (s)  + ㅏ (a),

ㄹ (r)  + ㅏ (a)  + ㅇ (ng)  = 사랑 (sa-rang) dashuri

[Kutia dhe diagrami në faqen 14]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Alfabeti Korean

Në ditët e mbretit Sezhong, alfabeti hankul përbëhej nga 28 shkronja, 24 prej të cilave përdoren ende. Nga këto, 14 janë bashkëtingëllore dhe 10 janë zanore. Pesë bashkëtingëlloret themelore i ngjasojnë asaj pjese të gojës dhe të grykës që përdoret për t’i nyjëtuar: ㄱ (g, k), gjuha e harkuar që prek pjesën e prapme të qiellzës; ㄴ (n), maja e gjuhës e rrumbullakosur lart për të prekur pjesën e përparme të qiellzës; ㅁ (m), goja, siç shihet nga përpara; ㅅ (s), dhëmbët; ㅇ (ng), gryka e hapur. Këtyre bashkëtingëlloreve themelore u shtohen viza për të paraqitur bashkëtingëllore të tjera që lidhen me to, të cilat shqiptohen afërsisht me të njëjtin pozicion të gojës.

Zanoret me një pikë simbolizojnë kupën e qiellit (•),* ndërsa me një vizë horizontale tokën e rrafshët (ㅡ) dhe me një vizë vertikale një njeri në këmbë (ㅣ). Kjo u bë për të treguar zanoret që nyjëtohen me pozicionin e gjuhës para, në mes dhe prapa.

*Në hankulin modern kjo shkronjë nuk përdoret.

[Diagrami]

[Figura në faqen 13]

Mbreti Sezhong