Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Shqetësimi Dua të shpreh falënderimet e mia për artikullin «Të rinjtë pyesin . . . Si t’ia bëj që të mos shqetësohem kaq shumë?» (22 shtator 2001, anglisht) Jam 17 vjeçe dhe çdo ditë pyes veten se si do të më vejë jeta pasi të mbaroj shkollën e mesme. Përpiqem të mos flas për shqetësimet e mia, sepse nuk dua t’i bezdis të tjerët, kështu që vuaj përbrenda. Artikulli më ndihmoi të kuptoja se sa e rëndësishme është të flas me mamanë time, si edhe me vëllezër të pjekur e motra të pjekura në kongregacion.

L. R., Shtetet e Bashkuara

Jam 17 vjeçe. Shpesh shqetësohem për shëndetin e mamasë, për detyrat e shkollës dhe për punët e shtëpisë. Në mbledhjet e krishtere mamaja gjithmonë ma bën me shenjë kur jepen këshilla lidhur me shqetësimin. Prandaj i vlerësova sugjerimet praktike të artikullit për ta organizuar kohën duke pasur parasysh përparësitë, si edhe për t’i bërë punët e mërzitshme në vend që t’i shtyj për më vonë. Ju falënderoj për këtë artikull.

H. H., Shtetet e Bashkuara

Si baba dhe si plak i krishterë, e shoh që të rinjtë tanë janë të shqetësuar për të ardhmen. Këshilla juaj për të folur me prindërit dhe për t’i përballuar problemet menjëherë është e mirë. Ju falënderoj për kujdesin tuaj të vazhdueshëm ndaj të rinjve.

R. H., Kanada

Adoleshentë me depresion Si detyrë shkolle duhej të shkruaja një ese rreth një çështjeje shoqërore, të cilën do ta zgjidhja vetë e që të ishte e përshtatshme për adoleshentët. Përdora serinë e artikujve kryesorë në revistën e shtatorit 2001, me titull «Ndihmë për adoleshentët me depresion». Në zonën ku banoj ka shumë adoleshentë me depresion. Edhe në të kaluarën e kam përdorur revistën Zgjohuni! për detyra të tjera në shkollë dhe kam marrë nota shumë të mira.

S. H., Australi

Kur ishte adoleshent, djali ynë kaloi një infeksion në zemër dhe në tru. Sëmundja arriti të kurohej, por rreziku më i madh, depresioni që shoqërohej me të, nuk u dallua. Djali ynë kreu vetëvrasje. Edhe pse tashmë është shumë vonë, sidoqoftë, kjo seri artikujsh na ndihmoi shumë për të kuptuar problemin e tij. Ju jemi mirënjohës që u trajtua kjo temë dhe që treguat një përkujdesje të tillë të dashur për të rinjtë.

G. dhe G. R., Gjermani

Ka raste kur ndihem vërtet e dëshpëruar dhe filloj të mendoj se nuk kam asnjë vlerë. Më ka ardhur turp të flas për ndjenjat e mia me prindërit e mi të krishterë ose me pleqtë e kongregacionit. Megjithatë, u ndjeva shumë e lehtësuar kur lexova fjalinë që thoshte: «Nuk është faji yt për këtë sëmundje.» Dhe e kuptova përsëri që nuk jam e vetme.

H. T., Japoni

Një vështrim rreth botës Po ju shkruaj që t’ju përgëzoj për vizatimet shumë humoristike në rubrikën «Një vështrim rreth botës». Më ndihmojnë të kujtoj temën e lajmeve që ilustrojnë dhe mbi të gjitha më bëjnë të vë buzën në gaz. Vazhdoni me punën tuaj të shkëlqyer!

A.I.P.B., Spanjë

Kalendari i majave Mendoj se kam gjetur një gabim në artikullin «Majat: Dje dhe sot». (shtator, 2001) Figura që gjendet në kutinë «Kalendari i majave», në të vërtetë është kalendari actek i diellit. Më saktë, është pjesa qendrore e kalendarit, që paraqet perëndinë-diell të actekëve.

R. S., Shtetet e Bashkuara

Zgjohuni! përgjigjet: Duket se lexuesi ynë ka të drejtë. Me sa duket, fotografia ishte etiketuar pasaktësisht nga shoqëria tregtare që na e dha. Mjerisht gabimi nuk ishte kapur para se revista të shkonte për shtypje. Ju kërkojmë ndjesë për pasaktësinë.