Nisma e saj u shpërblye
Nisma e saj u shpërblye
SHUMË TË RINJ MES DËSHMITARËVE TË JEHOVAIT lënë një shembull të shkëlqyer duke folur me guxim për besimin e tyre. Vëreni rastin e Stelës, një adoleshente nga Selaniku, Greqi. «Në një nga mbledhjet e krishtere,—thotë ajo,—u shqyrtuan se si të përdorim videokasetat tona për të ndihmuar të tjerët të njohin Jehovain. Mendova një mënyrë se si mund të përdorja videokasetën Dëshmitarët e Jehovait—Organizata pas emrit. Ditën tjetër fola me drejtorin e shkollës dhe i sugjerova që videokaseta të shfaqej në shkollë. Për habinë time ai nuk kishte asnjë kundërshtim, nëse mësuesit do të ishin të një mendjeje.
Më vonë, në të njëjtën ditë, drejtori më tha se videokaseta mund të shfaqej javën tjetër, por vetëm pas mësimit. U mërzita, pasi mendova se shokët e klasës nuk do ta sakrifikonin kohën e lirë për të parë videokasetën. Gjithsesi, ditën tjetër i ftova të gjithë që të merrnin pjesë. Jo vetëm pranuan, por ftuan edhe nxënës nga klasat e tjera. Për të parë videokasetën erdhën edhe gjashtë mësues, përfshirë një mësues të teologjisë.
Të gjithë treguan vëmendje të madhe. Më pas, drejtori më ftoi të zhvilloja një diskutim me pyetje dhe përgjigje. Shumë nxënësve u bëri përshtypje vepra vullnetare që kryhet në selinë botërore të Dëshmitarëve të Jehovait, siç tregohej në videokasetë. ‘Edhe pse nuk paguhen i kryejnë detyrat e tyre me gëzim’,—tha një nxënës.
U fola tërë të pranishmëve për botimet tona të bazuara në Bibël. Shpërndava gjithashtu fletushkën Lajmërim i Mbretërisë Nr. 36 ‘Mijëvjeçari i ri: Çfarë ruan e ardhmja për ju?’ Drejtori kërkoi kopje të tjera të fletushkës për t’ua dhënë mësuesve që nuk ishin të pranishëm.
Pas kësaj, shumë nxënës folën me miqtë e tyre për videokasetën. Isha e kënaqur që kisha shfrytëzuar këtë mundësi për të dhënë dëshmi. Shokët e klasës më respektojnë më shumë, por ajo që është më e rëndësishmja, respektojnë Perëndinë që unë adhuroj.»