Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Një vështrim rreth botës

Kafshë të dhjamosura

«Dhjamosja është problemi kryesor shëndetësor që po prek qentë dhe macet,​—raportohet në gazetën The Globe and Mail të Kanadasë.​—Shkaqet janë po ato si te njerëzit, edhe te kafshët: zakone të këqija në të ngrënë dhe mungesë ushtrimesh.» Bërni Pukeji, i këshillit të Shoqatës Kanadeze të Mjekëve Veterinarë, fajëson të zotët e kafshëve shtëpiake për mënyrën e tyre të jetesës: «Ne nuk bëjmë ushtrime të mjaftueshme sepse jemi me ngut. Qeni nuk bën ushtrime të mjaftueshme sepse i zoti është me ngut. Ne kemi nevojë për ushqime që na kënaqin, kështu që edhe kafshët tona marrin ushqime të tilla.» Globe paralajmëron se «kafshët shtëpiake që janë mbipeshë rrezikojnë më tepër të sëmuren nga diabeti ose të preken nga sëmundjet e zemrës, tensioni i lartë i gjakut dhe artriti. . . . Ato ngordhin më shpejt se kafshët e shëndetshme». Kura veterinare për kafshët shtëpiake të dhjamosura zakonisht përfshin një dietë të kufizuar dhe, në rastin e qenve, më shumë ushtrime.

Acarim nga pushimet

«Nëse po bëni gati valixhet për javët më të bukura të vitit, kini kujdes»,​—paralajmërohet në gazetën e Hamburgut Die Welt. Grindjet dhe zënkat ua prishin pushimet shumë familjeve. Sipas një studimi gjerman «një në tri divorce është kërkuar pasi kanë kaluar pushimet së bashku». Përse? Një faktor mund të jetë ngaqë nuk janë mësuar të kenë afrimitet dhe të rrinë së bashku, e kjo bën që pjesëtarët e familjes t’i ngrenë nervat njëri-tjetrit. Që të shmanget ndonjë krizë, psikologët sugjerojnë të planifikohen pushimet që më përpara, duke qenë mjaft elastikë kur programohen veprimtaritë e përbashkëta, që t’u lihet vend dëshirave të secilit. «Pritjet e mëdha e të tepruara ndikojnë [në gjendjen e rëndë gjatë pushimeve],​—pohohet në Die Welt.​—Meqë viti ka njëmbëdhjetë muaj punë dhe rutinë të përditshme, pritet që tri-katër javë pushime t’u plotësojnë gjithçka që s’e kishin bërë dot gjatë pjesës tjetër të vitit.»

Shtohen fëmijët jashtë martese

Në gazetën gjermane Westdeutsche Allgemeine Zeitung raportohet se sipas Eurostatit, një agjenci evropiane statistikash, tani 1 në 4 foshnja në vendet e Bashkimit Evropian lind jashtë martese. Në vitin 1980 raporti ishte më pak se 1 në 10 fëmijë. Përqindjen më të ulët në numrin e lindjeve të fëmijëve jashtë martese​—4 për qind​—e ka Greqia. Nga ana tjetër e medaljes, në Suedi më shumë se gjysma e të gjitha lindjeve janë jashtë martese. Irlanda ka parë ndryshimin më të madh. Numri i fëmijëve të lindur jashtë martese në atë vend u rrit nga vetëm 5 për qind në vitin 1980 në 31,8 për qind në 2000-shin. Këto rritje domethënëse «tregojnë se tek evropianët ka ndodhur një ndryshim i theksuar në qëndrimin ndaj martesës dhe familjes»,​—pohon artikulli.

Grerëzat ndërtojnë me magnete

«Grerëzat janë mjeshtre ndërtimi. Ato përdorin diçka të ngjashme me niveluesin e muratorit për t’u siguruar që foletë nuk anojnë në njërin krah.»​—pohohet në gazetën e Londrës The Daily Telegraph. Një skuadër shkencëtarësh nga Universiteti i Tel-Avivit në Izrael, të cilët studiuan grerëzat orientale, zbuluan se këto insekte ngjitin një kristal të vogël magnetik në çatinë e çdo dhomëze gjashtëkëndshe të huallit. Ky kristal e ka diametrin sa një të qindtat e centimetrit dhe përmban titan, hekur dhe oksigjen. «Foletë e grerëzave zakonisht ndërtohen nga shtresa hojesh horizontale, që mbahen nga struktura vertikale»,​—pohon artikulli. Nuk dihet ende se si funksionojnë këto magnete, por me sa duket «rrjeti i kristaleve i ndihmon insektet që të orientohen në errësirë dhe siguron që foleja e grerëzave të mos jetë e anuar në mënyrë të rrezikshme. Tani po bëhet një studim për të zbuluar nëse edhe lloje të tjera grerëzash ose edhe bletët përdorin të njëjtën teknikë».

Gratë e reja dhe osteoporoza

Siç paralajmërohet në gazetën japoneze Asahi Shimbun, gjithnjë e më shumë gra të reja po e vënë veten në rrezik që të preken më pas në jetë nga osteoporoza. Kjo ngaqë e teprojnë duke mbajtur dieta. Nga osteoporoza, një sëmundje që prek shumë gra të moshuara, densiteti i kockave bie kaq shumë, saqë kockat thyhen lehtësisht. Formimi i kockave te gratë lidhet ngushtë me hormonet femërore. Me fillimin e menstruacioneve, masa kockore rritet me të shpejtë dhe arrin maksimumin rreth moshës 20-vjeçare, para se të fillojë të bjerë rreth moshës 40-vjeçare. «Sa më i lartë të jetë maksimumi që arrin masa kockore, madje edhe nëse ulet më pas, aq më shumë kohë do të duhet për të arritur në pikën që kockat thyhen lehtë»,​—shpjegon profesoresha Ikuko Ezava e Universitetit të Grave të Japonisë. Prandaj ajo shton: «Është shumë e rëndësishme që deri në moshën 20-vjeçare të arrihet masa kockore më e madhe e mundshme.» Prapëseprapë, gratë e reja nuk shqetësohen shumë për osteoporozën. «Në përgjithësi, ato nuk marrin ushqim të mjaftueshëm,​—thotë Ezava.​—Në veçanti, mungesa e kalciumit dhe mungesa e ushtrimeve ndikojnë drejtpërdrejt te kockat.»

Lumturi dhe shëndet te të 100-tat

Sipas një artikulli në gazetën Yomiuri Shimbun, «80 për qind e njerëzve mbi 100 vjeç ndihen të shëndetshëm dhe ndihen mirë çdo ditë». Numri i njëqindvjeçarëve në Japoni si fillim kaloi shifrën 1.000 më 1981 dhe arriti 13.000 në vitin 2000. Kohët e fundit Shoqata Japoneze e Shëndetësisë dhe Qëndrueshmërisë bëri një anketë me më shumë se 1.900 njëqindvjeçarë. Me sa duket, ky është studimi më i madh i bërë ndonjëherë për «cilësinë e jetës» së të moshuarve mbi 100 vjeç. Gazeta raportonte se «më tepër burra, 43,6 për qind, në krahasim me gratë, 25,8 për qind, thonë se ‘kanë një qëllim në jetë’». Shumica e njëqindvjeçarëve midis qëllimeve të jetës së tyre përmendën «familjen», «jetën e gjatë» dhe «pasjen e shëndetit të mirë e të një jete të lumtur». Prandaj në Yomiuri Shimbun këshillohet që «pasja e një qëllimi në jetë çon në jetë të gjatë».

Jetojnë vetëm

Një regjistrim i kohëve të fundit zbuloi se tani në Francë 1 në 8 persona jetojnë vetëm. Siç raportohet në të përditshmen franceze Le Monde, ky raport është dy herë më i madh sesa ishte 30 vjet më parë. Statistikat përfshijnë si të rinjtë që nuk kanë ende një partner, po ashtu edhe të moshuarit. Më shumë janë gratë që jetojnë vetëm sesa burrat. Artikulli thekson se «sa më e lartë të jetë pozita shoqërore e një gruaje, aq më shumë ka të ngjarë që ajo të jetojë më vete». Regjistrimi zbulon edhe se, që nga 1990-a, ka pasur një rritje 22 për qind në numrin e familjeve me prindër të vetëm dhe një rritje 16 për qind në numrin e çifteve pa fëmijë. «Gjithsej tani ka më shumë çifte pa fëmijë dhe njerëz që jetojnë vetëm, sesa familje me fëmijë»,​—përfundon artikulli.

Adoleshentë aktivë seksualisht

Në gazetën The Guardian të Londrës thuhet se një raport nga Instituti Britanik i Çështjeve Familjare tregon që adoleshentët «ka dy herë më shumë mundësi që të kenë pasur marrëdhënie seksuale, nëse prindërit e tyre ishin ndarë ose nëse prindërit bashkëjetonin në vend që të ishin të martuar». Një e katërta e 13-vjeçarëve aktivë seksualisht kishin pasur të paktën katër partnerë dhe 1 në 5 adoleshentë ishin të dehur kur humbën virgjërinë e tyre. Raporti thekson nevojën për «t’i dhënë rëndësi të madhe martesës si forma ideale e njësisë familjare për rritjen e fëmijëve». Problemet lindin kur ka ‘marrëdhënie të dobëta midis prindërve e adoleshentëve, kontakte të rralla dhe mbikëqyrje të pamjaftueshme’. Raporti përfundon: «Në rast se prindërit e adoleshentëve nuk do të fillojnë të ndihen më tepër përgjegjës për sjelljen e fëmijëve të tyre, numri i adoleshentëve që kanë marrëdhënie seksuale nuk do të ulet dhe shtatzënitë e sëmundjet e transmetuara seksualisht do të vazhdojnë të shtohen.»

Shoferë të përgjumur

Siç raportohet në revistën Fleet Maintenance & Safety Report, specialistët në fushën e gjumit së bashku me ekspertët e sigurisë rrugore po këshillojnë shoferët që të mos i japin makinës kur janë të rraskapitur. Megjithëse studiuesit në fushën e gjumit këshillojnë të paktën tetë orë gjumë çdo natë, studimet tregojnë se shumë njerëz përpiqen t’ia dalin me shumë më pak orë gjumë. Anketat, gjithashtu, tregojnë se, në krahasim me grupmoshat e tjera shoferët midis moshës 19 dhe 29 vjeç, janë më të prirur t’i japin makinës kur janë të përgjumur dhe të rritin shpejtësinë kur u vjen gjumë. «Edhe alkooli e shton rrezikun që t’i zërë gjumi në timon»,​—pohohet në raport. Deivid Uillis, president i Fondacionit për Sigurinë Rrugore i Shoqatës Automobilistike Amerikane, vë në dukje se ndezja e radios ose ulja e xhamit të dritares nuk të mban zgjuar, por pak dremitje mund të ndihmojë që të kalojë përgjumja. Uillis thekson: «Ilaçi i vetëm për përgjumjen është të flesh.»