Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Një vizitë në qytetin e arit të zi

Një vizitë në qytetin e arit të zi

Një vizitë në qytetin e arit të zi

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË BRAZIL

MUND të mos keni dëgjuar kurrë për qytetin brazilian Oru-Pretu, por në shekullin e 18-të popullsia e tij ishte tri herë më e madhe se ç’ishte ajo e Nju-Jorkut. Dikur të ardhurat e këtij qyteti siguruan fondet për rindërtimin e qytetit të Lisbonës, Portugali, të rrafshuar nga tërmeti. Në vitin 1980, Organizata e Kombeve të Bashkuara për Arsimin, Shkencën dhe Kulturën shtoi edhe Oru-Pretun në Listën e Trashëgimisë Botërore. Kjo listë tani përfshin gati 700 vende që shkëlqejnë në lidhje me vlerat natyrore e kulturore. Përse iu dha ky status Oru-Pretuit? Shqyrtoni historinë e këtij qyteti të pashoq.

Një pije e artë

Gjatë gjysmës së parë të shekullit të 17-të një mori me eksplorues portugezë, të quajtur bandeirantë, i ranë kryq e tërthor Brazilit në kërkim të tokave të reja, të skllevërve indianë dhe të arit. Një ekspeditë u fut kaq në brendësi, sa arriti deri në malin Itakolomi. Atje, Duarte Lopesi u afrua te një përrua që të shuante etjen. Mbushi pak ujë me tasin e tij të drunjtë dhe e piu. Atëherë ai vuri re guralecë të zinj në tas.

Lopesi ia shiti guralecët një miku, i cili ia dërgoi guvernatorit të Rio-de-Zhanejros, pasi dyshoi se ishin të çmuar. Duke i këqyrur guralecët, guvernatori pa se ato ishin prej ari të cilësisë më të lartë, i mbuluar nga një shtresë e hollë oksid hekuri. Por, nga vinte ky ar? Sapo Lopesi përshkroi Itakolomin filloi kërkimi. Më 1698, bandeiranti Antonio Dias de Oliveira gjeti malin prej nga vinte ari. Sa hap e mbyll sytë gjuetarët e arit u turrën të ngrinin një fushim afër vendit ku ishte bërë zbulimi që më vonë u quajt Vila-Rika. Brenda një kohe të shkurtër Vila-Rika kishte 80.000 banorë. Me kalimin e kohës u bë kryeqyteti i Mina-Zheraisit dhe u quajt Oru-Pretu që do të thotë «Ari i Zi».

Ari i zi skuqet

Ndërmjet viteve 1700 dhe 1820, kërkuesit e arit nxorën 1.200 tonë ar​—80 për qind e arit të prodhuar në mbarë botën në atë kohë. Por, ku shkoi gjithë ai ar? Ari i nxjerrë u derdh në kallëpe në Casa dos Contos ose Shtëpinë e Monedhave. Pas kësaj një e pesta e arit, taksa që ishte vendosur, përfundoi në arkën e thesarit të familjes mbretërore të Portugalisë.

Kolonët e kundërshtuan këtë taksë. Një prej tyre ishte Felipe dos Santosi, i cili ngriti minatorët, ushtarakët dhe anëtarët e kishës kundër Kurorës Portugeze. Por portugezët u kundërpërgjigjën. Më 1720 Dos Santosin e varën dhe trupin e tij e tërhoqën zvarrë kuajt nëpër rrugë. Minatorët u kthyen në miniera e taksat vazhduan të ngrihen.

Prapëseprapë, kjo ndërprerje e kryengritjes ishte vetëm e përkohshme. Më vonë, në të njëjtin shekull doli Zhoakim da Silva Ksavieri, me nofkën Tiradentes, që do të thotë «shkulësi i dhëmbëve», referim ky për një nga punët e tij. Ai bënte pjesë në një grup poetësh, juristësh dhe ushtarakësh nga Oru-Pretu që mblidheshin rregullisht në shtëpinë e Toledos, një prifti. Në fillim bisedat ishin më tepër tallje filozofike, por pastaj kalonin te politika e atyre ditëve. Më pas bisedat e tyre merrnin nota rebele kur grupi diskutonte me pëshpërima për kërkesat mbytëse të Kurorës Portugeze. Mbretëresha e Portugalisë, Dona Maria I, kishte paralajmëruar se kryengritësve do t’u pritej koka. Pavarësisht nga kjo, në vitin 1788, Tiradentesi, atëherë një nëntoger në ushtri, mori drejtimin në Inkonfidensia Mineira ose Kryengritjen e shtetit të Mina-Zheraisit.

Një spiun zbuloi emrat e komplotistëve. Ata i arrestuan njëri pas tjetrit dhe i internuan në Afrikë që të vdisnin atje. Tiradentesi u dergj në një qeli të lagësht në Rio-de-Zhanejro deri kur e varën dhe i prenë kokën, më 21 prill 1792. Koka e Tiradentes u ekspozua në një vend në sheshin e qytetit të Oru-Pretut dhe pjesët e trupit të tij të bërë katër copash i vunë në shtylla në anë të disa rrugëve. Për njëfarë kohe kjo shkurajoi çdo kryengritës të mundshëm. Megjithatë, tre dhjetëvjeçarë më vonë, në vitin 1822, Brazili fitoi pavarësinë, duke u shkëputur nga Portugalia.

Thesare të artit, historisë dhe fesë

Me kalimin e kohës rezervat e arit në Oru-Pretu shteruan dhe pastaj rëndësia e qytetit ra. Por qyteti ruajti disa objekte dhe kujtime të tjera të historisë së tij. Disa prej tyre gjenden me lehtësi në Muzeun Inkonfidensia që ndodhet në sheshin «Prasa Tiradentes». I përdorur më parë si ndërtesa e bashkisë dhe si burg, muzeu ruan të gjalla kujtimet e artit, të historisë dhe të ngjarjeve tragjike të qytetit.

Aty paraqitet edhe urdhri për dënimin me vdekje të Tiradentesit që nxori Dona Maria I dhe copa të trekëmbëshit që u përdor për ekzekutimin e tij. Eshtrat e disave prej komplotistëve, shokë të Tiradentesit, janë varrosur nën rrasa të mëdha guri, të rreshtuara si shtratet në një fjetore. Në një kat tjetër, në dhoma ruhen orendi të lashta, të kohës koloniale dhe të kohës perandorake.

Vendi ideal i xhevahireve

Një shëtitje në skajin e sipërm të sheshit «Prasa Tiradentes» të çon drejt një tjetër vendi thesaresh, Pallatit të Guvernatorit, ku strehoheshin guvernatorët dhe presidentët e shtetit. Tani aty mbahet Eskola de Minas, një shkollë për specializim në inxhinieri minierash, gjeologji dhe metalurgji. Muzeu i shkollës me madhështi paraqet një koleksion të jashtëzakonshëm me 20.000 mostra të 3.000 llojeve të ndryshme mineralesh, gurësh të çmuar, kristalesh dhe sigurisht, oru pretu, arin e zi.

Sot ari nuk gjendet më me bollëk. Prapëseprapë, në rajon vazhdojnë të nxirren smerald, akuamarin dhe topazin e verdhë. Gati 50 vjet më parë, arti i prerjes së xhevahireve njihej vetëm nga një grusht ekspertësh. Kurse sot ka një mori kërkuesish të pavarur xhevahiresh dhe dyqane gurësh të çmuar përreth Prasa Tiradentesit. Drejtuesit e këtyre dyqaneve jo vetëm që ju mësojnë se si t’i dalloni gurët e çmuar, por edhe ju njohin me ata që presin xhevahiret dhe me ata që i lëmojnë, të cilët punojnë në dhomat e pasme. Këta, nga ana e tyre, ju tregojnë me kënaqësi se si bëhet prerja. Ky gjest mikpritjeje pasqyron ndjenjën e krenarisë së atyre banorëve për faktin që jetojnë në këtë qytet me një histori mjaft tërheqëse.

Nëse keni ndër mend të vizitoni Brazilin, sigurohuni që në planet tuaja të udhëtimit të përfshihet një shëtitje nëqytetin piktoresk të Oru-Pretus.

[Harta në faqen 22]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Oru-Pretu

[Burimi]

Harta: Mountain High Maps® Copyright © 1997 Digital Wisdom, Inc.

[Figura në faqet 22, 23]

Kur hiqet oksidi i hekurit, gurët e zinj bëhen copëza ari

[Figura në faqen 23]

Oru-Pretu me malin Itakolomi në largësi

[Figura në faqen 24]

Muzeu Inkonfidensia, Prasa Tiradentes

[Figura në faqen 24]

Akuamarini, topazi i verdhë dhe smeraldi

[Burimi]

Xhevahiret: Brasil Gemas, Ouro Preto, MG