Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Paqja botërore nuk është vetëm një ëndërr!

Paqja botërore nuk është vetëm një ëndërr!

Paqja botërore nuk është vetëm një ëndërr!

NËSE Alfred Nobeli do t’i hidhte një vështrim shekullit të kaluar, a do të ndihej optimist për të ardhmen e paqes në botë? Pa dyshim, ai do të ishte i lumtur të dinte që shumë veta janë përpjekur sinqerisht për t’i dhënë fund luftës. Megjithatë, do të përballej me një realitet të ashpër. Profesori Hju Tomas e përmbledh mirë këtë: «Shekulli i njëzetë, edhe pse në përgjithësi një shekull i përmirësimeve sociale dhe i interesit gjithnjë në rritje të qeverive për jetën e të varfërve, është karakterizuar nga mitralozët, tanket, avionët bombardues B-52, bombat bërthamore dhe, së fundi, nga raketat. Ai është dalluar për luftërat më gjakatare dhe më shkatërrimtare se ato të çdo periudhe tjetër.» Profesori Tomas shton: «Prandaj, nëse kjo epokë mund të përshkruhet apo jo si përparimtare, kjo është një çështje opinionesh.»

A duket më e mundshme paqja botërore tani që kemi hyrë në shekullin e 21-të? Aspak! Duke e hedhur fjalën për sulmet terroriste të 11 shtatorit 2001 në qytetin e Nju-Jorkut dhe në Uashington D.C., revista Newsweek thotë: «Në një botë ku avionët Boeing-767 mund të shndërrohen në raketa të komanduara, asgjë nuk duket e pamundur, e pakuptimtë ose, më e keqja nga të gjitha, e parandalueshme.»

Disa thonë se, që paqja botërore të bëhet një realitet, duhet të ndodhin dy gjëra. Së pari, duhet të ndodhin ndryshime rrënjësore në botëkuptimin dhe sjelljen e njerëzve dhe së dyti, të gjitha kombet duhet të bashkohen nën një qeveri të vetme. Bibla parashikon një kohë kur do të arrihet paqja, por jo përmes përpjekjeve të njerëzve. Psalmi 46:9 thotë për Krijuesin, Perëndinë Jehova: «Ai bën që të pushojnë luftërat deri në skajet e tokës.» Si do ta përmbushë Perëndia këtë? Me anë të Mbretërisë së tij, për të cilën shumë njerëz të sinqertë janë lutur vazhdimisht. Kjo Mbretëri nuk është një gjendje e pakuptueshme e zemrës, por një qeveri reale me anë të së cilës Perëndia do të vendosë paqen nga njëri skaj i tokës në tjetrin. Profeti i frymëzuar Isaia paratha se nënshtetasit e kësaj qeverie «nuk do të mësojnë më luftën». (Isaia 2:4) Me anë të një programi mbarëbotëror arsimimi, njerëzit do të mësojnë të jetojnë në paqe e në këtë mënyrë «do t’i farkëtojnë shpatat e tyre duke i kthyer në plugje dhe heshtat e tyre në drapinj».

Dëshmitarët e Jehovait po e bëjnë këtë që tani. Ata nuk pranojnë të marrin armët kundër të tjerëve, edhe pse u përkasin grupeve të shumta etnike dhe jetojnë në më shumë se 200 vende të ndryshme. Qëndrimi i tyre asnjanës në mes të një bote të rrënuar nga lufta, është një provë se paqja nuk është një utopi, por mund të bëhet e vërtetë.

A do të dëshironit të mësoni më shumë rreth kësaj shprese të bazuar në Bibël për paqe të vërtetë? Ju lutemi shkruajuni botuesve të kësaj reviste, duke përdorur adresën që është më afër jush, e cila është paraqitur në faqen 5, ose vihuni në kontakt me Dëshmitarët e Jehovait në zonën tuaj.