Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Pije freskuese nga një bimë ekzotike

Pije freskuese nga një bimë ekzotike

Pije freskuese nga një bimë ekzotike

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË NIGERI

A JU pëlqen një pije e ftohtë në një ditë të nxehtë? Shumë familje në Afrikën Perëndimore pëlqejnë një pije freskuese me ngjyrë të ndezur, me shije të këndshme, të shëndetshme dhe që nuk kushton shumë​—në të vërtetë, ajo bëhet nga një bimë. Pija quhet bisap dhe bima me lule nga e cila nxirret është hibisku tropikal. Kjo bimë mund të arrijë një lartësi prej dy a më shumë metrash. Rritet në rajone të ndryshme të botës, por veçanërisht në klima më të thata në vende të tilla, si: Nigeria, Mali dhe Senegali.

Ja si përgatitet bisapi

Në rreth një litër ujë hidhet një lugë gjelle me nënpetlat e bimës. Përzierja zihet derisa të valojë dhe pastaj lihet në qetësi për 15 deri 20 minuta. Nënpetlat kullohen dhe çaji mund të pihet i nxehtë ose i ftohtë, me ose pa sheqer. Sot duam të përgatitim një pije të ftohtë që do t’u pëlqejë fëmijëve, prandaj do t’i hedhim sheqer. Gjithashtu, disa familje e përgatitin pijen me aromë mendre ose vaniljeje. Bisapi i ftohtë me ngjyrë të kuqe të ndezur hidhet në qeska plastike të tejdukshme, të cilat më pas lidhen nyjë. Tani është gati për t’ua shpërndarë fëmijëve që mezi po e presin. Me gëzim ata e çajnë qeskën në një cep dhe kënaqen me pijen që u pëlqen aq shumë. Sigurisht, disa parapëlqejnë ta pinë në gotë.

Përveçse që ka shije të këndshme, bisapi thuhet se të bën mirë. Përmban kalcium, fosfor, hekur, vitaminë A e C dhe të tjera. Disa thonë se bisapi është gjithashtu një pastrues i lehtë, një diuretik dhe stimulues për mëlçinë. Sidoqoftë, sa të kënaqur jemi që përveçse është e bukur në pamje, kjo bimë na jep një pije freskuese e të shëndetme!

[Burimi i figurës në faqen 31]

Foto nga Kazuo Yamasaki