Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Supermarketet​—Atje ku shkrihet biznesi me kënaqësinë

Supermarketet​—Atje ku shkrihet biznesi me kënaqësinë

Supermarketet​—Atje ku shkrihet biznesi me kënaqësinë

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË AUSTRALI

TË BËJNË pazar duket se njerëzve edhe u pëlqen, edhe e kanë inat. Megjithatë, kjo punë dikur angari sot për shumë veta është bërë mjaft tërheqëse nga shfaqja e supermarketeve.

Nocioni i supermarketit nuk është i ri. Në shumë drejtime përngjan me pazarin, një qendër edhe e tregtisë, edhe e thashethemeve. Në vitin 1859 tregtari francez Aristid Busiko ndihmoi të modifikohej nocioni i pazarit duke hapur një mapo. Në të mund të shiteshin një sërë mallrash. Mapot u përhapën me shpejtësi nëpër Evropë dhe në Shtetet e Bashkuara.

Midis atyre që përfituan nga kjo ide ishte Frenk Uluërthi. Aty nga marsi i vitit 1912, afro 600 dyqane mbanin emrin e tij. Me kalimin e kohës, ideja për të vendosur në një vend të vetëm mapot dhe dyqanet ku shiten mallra specifike dalëngadalë bëri të lindin supermarketet e sotme të famshme. Duke folur në përgjithësi, supermarketet kanë dalë një biznes fitimprurës për shitësit me pakicë, duke pasur një xhiro vjetore prej 200 miliona dollarësh.

Një synim kryesor i organizimit të tyre është që blerësit të ndihen rehat. Një mënyrë për të arritur këtë është duke u hapur oreksin me ushqime të këndshme. Restorantet dhe dyqanet fast-food japin garancinë se ka më shumë mundësi që blerësit e lumtur e të kënaqur të qëndrojnë më gjatë brenda e të blejnë. Një tjetër psikologji themelore për të nxitur blerjen është që t’u bëhet thirrje dëshirave të njerëzve më tepër sesa nevojave të tyre. Një gazetë pohonte se një supermarket është një vend «ku një amvisë që jeton në periferi mund të soditë luksin përmes një bote ‘pasqyrash’, me ajër të kondicionuar, nën dritën e neonit, ku miliona dollarë në vlerë mallrash ekspozohen para saj​—banketi përrallor i shoqërisë së konsumit».

Sigurisht, hapi tjetër është që dëshira të kthehet në blerje. Një mënyrë e efektshme për t’ia dalë mbanë kësaj është që blerja të bëhet e këndshme! Reklamuesit përpiqen të mos tërheqin vetëm klientë të njërit seks. Prapëseprapë, siç u tregua më sipër, gratë janë shënjestra kryesore. Që në fillim, administratorët e supermarketeve dhe reklamuesit konkurronin kush e kush t’i tërhiqte më shumë gratë, duke përfshirë edhe nënat me fëmijë. Në të vërtetë, institucionet për kujdesjen e fëmijëve, mjediset ku zbaviten të rinjtë, kinematë dhe sallat e lojërave me kompjuter u japin mundësinë klientëve jo vetëm të bëjnë pazarin, por edhe të bisedojnë e të mblidhen nëpër supermarkete. Edhe kafenetë krijojnë një atmosferë çlodhëse për t’u takuar e për të pushuar. Për blerësit që kanë shpirt sportiv, një supermarket australian ka një fushë akulli për patinazh, kurse në një tjetër mund të bësh një lojë me birila.

Supermarketet duket se janë shumë tërheqëse edhe për të rinjtë. «Kam shumë miq që vijnë këtu,​—thotë një i ri.​—Çdo herë që vij këtu, mund të has dikë që njoh. . . . Ja, te kjo tavolina këtu është vendi ynë.» Por edhe shumë të moshuar kënaqen duke shkuar rregullisht në supermarkete. «Vij këtu për shoqërinë,​—thotë një grua 86-vjeçare.​—Ky është vendi më miqësor që njoh. . . . Jeta ime do të ishte e mjerë pa të.»

Nga ana tjetër, shumë blerës besojnë se supermarketi i përshtatet përshkrimit që i bëhet në librin Shelf Life si «një makinë shitjeje». Madje gazeta The Humanist shkon më tej dhe e përshkruan supermarketin si «atë pjesë të kulturës sonë që e mat vlerën e qenieve njerëzore vetëm me atë që kanë në kuletë». Sigurisht, në një atmosferë të tillë duhet të ruhet drejtpeshimi, për të mos rënë në grackën e materializmit.​—Mateu 6:19-21.

Grackat e blerjes

Disa i shmangin supermarketet, sepse i shqetëson prania e shumë njerëzve në një vend të ngushtë. Dhe, nuk ka dyshim që disa supermarkete mbushen vërtet përplot me njerëz, sidomos gjatë fundjavëve. Për shembull, në një supermarket në Sidnei të Australisë ka gjithsej gati 19 milionë vizitorë çdo vit​—aq sa është tërë popullsia e Australisë. Sidoqoftë, turmat nuk acarojnë vetëm blerësit. Dhe problemi i vjedhjeve nëpër dyqane duket se rritet kur supermarketet frekuentohen nga një numër i madh të rinjsh. Kështu, revista SundayLife! pohon: «Një nga dilemat shoqërore më të mëdha të sjelljes në supermarkete është se si t’u bësh ballë kaq shumë të rinjve që mblidhen aty.»

Një dilemë tjetër për disa shitës është se si të përballojnë çmimin e qirasë që ngrihet vazhdimisht. «Kjo po bën që disa biznese të falimentojnë»,​—u ankua një nga këta shitës. Revista Forbes shprehet kështu: «Supermarketet mund të stolisen gjithë salltanete dhe mund të merren shitës më të modës, por kjo kushton.» Artikulli madje parashikon një rënie të mundshme të shitjes me pakicë në supermarketet e Amerikës​—një lajm shqetësues ky për 1.900 supermarketet lokale të këtij vendi. «Klientët e tyre po pakësohen gjithnjë e më shumë»,​—pohon artikulli.

Çfarë ruan e ardhmja për këta viganë të shitjes? Ashtu si shumë fusha të jetës, edhe kjo mbetet ende për t’u parë. Por një gjë duket e sigurt: njerëzve gjithmonë do t’u pëlqejë që të gjejnë një vend ku mund të shkrihet biznesi me kënaqësinë.