Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Ushqimet me vlera janë brenda mundësive tuaja

Ushqimet me vlera janë brenda mundësive tuaja

Ushqimet me vlera janë brenda mundësive tuaja

NGA NJË SHKRIMTAR I ZGJOHUNI! NË MEKSIKË

ANXHELIKA dhe familja e saj me dhjetë veta jetonin në një qytezë të vogël në shtetin e Oaksakës, në Meksikë. Ata ishin të varfër dhe ushqimi i tyre përbëhej nga misri, tortilat, bathët, salcat me spec djegës, orizi i ujshëm, buka e ëmbël dhe çaji. «Nuk hodhëm shumë shtat,​—thotë Anxhelika.​—Ishim imcakë dhe thatimë. Na zinin shpesh sëmundjet, si shqetësime me stomakun, parazitët dhe ftohja.»

Anxhelika dhe familja e saj vendosën të transferoheshin në qytetin e Meksikos, duke shpresuar të gjenin punë që do t’u jepte mundësinë të përmirësonin gjendjen ekonomike. Ajo mendon se ushqimi i tyre tani është shumë më i mirë, sepse përfshin qumësht, vezë, mish, ajkë, ca perime dhe një larmi ushqimesh të përpunuara. Por, a është bërë me të vërtetë më me vlera ushqimi i tyre?

Të ushqyerit e keq: Sa i përhapur është?

Në mbarë botën, rreth 800 milionë njerëz rrezikojnë të vdesin nga të ushqyerit e keq. Siç thotë Raporti Botëror për Shëndetin i vitit 1998 i Organizatës Botërore të Shëndetësisë (OBSH), afro 50 për qind e të gjitha vdekjeve te fëmijët nën moshën pesë vjeç lidhen me të ushqyerit e keq. Edhe ata që arrijnë të mbijetojnë shpesh kanë shëndet të dobët.

Në ekstremin tjetër, disa pohojnë se të paktën 800 milionë njerëz rrezikojnë të vdesin nga teprimet në të ngrënë. I ushqyeri pa baraspeshim mund të çojë në sëmundje kronike të tilla, si: dhjamosja, ateroskleroza, hipertensioni, diabeti, cirroza dhe lloje të ndryshme të kancerit. Duke e përmbledhur çështjen, OBSH-ja pohon: «Të ushqyerit e keq përfshin kështu një sërë problemesh të shumta. Në to futen: të ushqyerit e pamjaftueshëm, mungesa e lëndëve ushqyese të veçanta dhe mbiushqyerja. Në mbarë botën, të ushqyerit e keq i vret, i sakaton, i bën të paaftë e i verbon njerëzit, si edhe ngadalëson e dëmton zhvillimin e tyre në një shkallë mjaft të gjerë.»

Brenda të njëjtit vend, mund të ketë edhe ushqyerje të pamjaftueshme, edhe dhjamosje. Brenda së njëjtës familje, mund të ketë foshnja të ushqyera keq, si edhe të rritur me probleme kronike nga dhjamosja. Në disa raste i njëjti person që kur ishte fëmijë kishte mungesë ushqimi, kur rritet vuan nga dhjamosja. Kjo e fundit mund t’u ndodhë atyre që transferohen nga fshati në qytet.

Shumë njerëz nuk e kuptojnë lidhjen midis gjendjes së tyre shëndetësore dhe zakoneve në të ngrënë. Ndoshta kjo ndodh sepse ndikimi që ka ushqimi pa vlera në shëndetin e dikujt nuk shfaqet menjëherë. Megjithatë, ushqimi i shëndetshëm mund të parandalojë shumë sëmundje. Në të vërtetë, OBSH-ja llogarit se deri në 40 për qind e rasteve me kancer mund të parandaloheshin me anë të zakoneve më të mira në të ngrënë dhe të ushtrimeve. Por, si mund ta përmirësoni të ushqyerit?

Mënyra për ta përmirësuar të ushqyerit

Disa mendojnë se ushqimi ndahet në tri grupe kryesore. Te grupi i parë futen drithërat të tilla, si: misri, gruri, orizi, tërshëra, thekra, elbi e meli, e po ashtu edhe zhardhokë të tillë si patatja dhe jamsi. Këto janë të pasura në karbohidrate dhe sigurojnë energji të menjëhershme. Në grupin e dytë futen bishtajoret e tilla, si: fasulet, sojat, thjerrëzat, qiqrat, bathët e gjithashtu, edhe disa ushqime me prejardhje shtazore të tilla, si: mishi, peshku, vezët dhe qumështi e nënproduktet e tij. Këto janë burim proteinash, hekuri, zinku dhe një sërë vitaminash. Në grupin e tretë futen frutat dhe perimet. Këto sigurojnë vitaminat dhe mineralet e domosdoshme për jetën. Ato, gjithashtu, kanë fibra dhe sigurojnë energji e janë i vetmi burim natyror i vitaminës C.

Sipas dr. Hektor Burkesit, drejtor i të ushqyerit në Institutin Kombëtar të Shkencave Mjekësore dhe të Ushqimit «Salvador Subiran» (INCMNSZ) në Meksikë, një ushqim i shëndetshëm duhet të jetë e plotë, e mjaftueshme dhe e baraspeshuar. Ai sugjeron që «të përfshijmë të paktën një ushqim nga secili grup në çdo vakt dhe, për aq sa është e mundur, të përdoren ushqime të ndryshme brenda të njëjtit grup e po ashtu të ndryshojë edhe mënyra sesi përgatiten».

Shqyrtoni rastin e Marisë. Ajo dhe familja e saj jetonin në Atopiksko, një bashkësi fshatare në shtetin e Hidalgos, në Meksikë. Ishin shumë të varfër dhe ushqimi i tyre përbëhej kryesisht nga tortilat, fasulet, makaronat, orizi dhe specat djegës. Në ndryshim nga familja e Anxhelikës, që u përmend në hyrje të artikullit, ushqimi i tyre përfshinte edhe kunguj, kungulleshka të Abisinisë, kërpudha dhe barishte të tilla, si burdullakë dhe paspalistë, shumicën e të cilave i mblidhnin në fshat. Përpiqeshin të hanin fruta të stinës herë pas here. Përpjekjet e tyre u sollën një shëndet më të mirë.

Dr. Adolfo Shavesi, drejtues në një departament të INCMNSZ-së (Applied Nutrition and Nutritional Education Department) këshillon që prodhimet shtazore të përdoren si plotësues në një vakt dhe jo si baza e ushqimit. Për shembull, mund ta përgatitni një gjellë duke përdorur vetëm pak vezë të shoqëruara me patate, perime ose bishtaja. «Kjo është ajo që në [fushën e] të ushqyerit njihet si ‘zgjerimi’»,​—thotë dr. Shavesi. Sidoqoftë, jepet ky paralajmërim: lajini gjithmonë frutat dhe perimet me kujdes, sidomos ato që do të hahen të gjalla.

Një ushqim duhet, gjithashtu, të përshtatet për çdo individ dhe duhen marrë parasysh faktorë të tillë, si: mosha, seksi dhe mënyra e jetesës. Për të rriturit disa këshillojnë që të hanë dy racione fruta dhe (ose) perime në çdo vakt e të shtojnë përdorimin e drithërave integrale dhe bishtajoreve. Disa këshillojnë që ushqimet me origjinë shtazore të merren vetëm në racione të vogla në çdo vakt, duke u dhënë përparësi peshkut, mishit të pulës pa lëkurë dhe mishrave pa dhjamë. Gjithashtu, këshillohet që përdorimi i yndyrnave dhe i sheqernave të kufizohet.

Edhe ata që jetojnë në vendet në zhvillim dhe që janë prekur nga varfëria nganjëherë mund ta përmirësojnë të ushqyerit e tyre. Si? Duke zgjedhur ushqime me vlera ushqyese dhe duke i ndryshuar e kombinuar ato, si për shembull, të përziejnë drithërat dhe bishtajoret. Duke përdorur sasi të vogla mishi ose vezësh për t’ia shtuar vlerat ushqyese një gatimi. Duke përfituar nga bimët e gjelbra që rriten në zonën e tyre dhe nga frutat e stinës.

Krijuesi ynë bën që ‘toka të nxjerrë ushqim’ për kënaqësinë e njerëzimit. (Psalmi 104:14) Te Predikuesi (Eklisiastiu) 9:7, Bibla thotë: «Shko, ha me gëzim ushqimin tënd.» (BR) S’ka pikë dyshimi se duke qenë të drejtpeshuar dhe të matur, mund të nxjerrim dobi nga ushqimet e shijshme dhe me vlera ushqyese që ka siguruar Krijuesi.

[Figura në faqen 26]

GRUPI I PARË: drithërat dhe zhardhokët

[Figura në faqen 26]

GRUPI I DYTË: bishtajoret, mishi, peshku, vezët dhe qumështi e nënproduktet e tij

[Figura në faqen 26]

GRUPI I TRETË: frutat dhe perimet