Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Bari​—Jo vetëm diçka e gjelbër nën këmbët tuaja

Bari​—Jo vetëm diçka e gjelbër nën këmbët tuaja

Bari​—Jo vetëm diçka e gjelbër nën këmbët tuaja

PËR disa ai është thjesht diçka e gjelbër jashtë shtëpisë që duhet kositur. Kurse për bujqit dhe lojtarët e futbollit ai është vendi i punës. Sa për fëmijët, ai është sheshi i përkryer i lojrave. Por a përfshin fjala bar vetëm barin e oborreve, fermave dhe fushave të lojës?

Nëse banoni në një pallat në qytet, mund të mendoni se nuk keni një lidhje të drejtpërdrejtë me barin. Megjithatë, pothuajse përditë të gjithë jemi duke përdorur ndonjë lloj bari ose bime barishtore dhe produktet e bëra prej tyre. Çfarë janë në thelb bimët barishtore? Si i përdorim ato?

Çfarë janë bimët barishtore?

Le t’u hedhim një vështrim më nga afër këtyre bimëve të thjeshta. Përveç bimëve që nga ana shkencore janë përcaktuar se bëjnë pjesë në familjen e graminoreve (Gramineae ose Poaceae), disa përfshijnë ndër bimët barishtore edhe truskën e xunkthin. Por mendohet se vetëm graminoret janë vërtet bimë barishtore. Bimët e kësaj familjeje zakonisht kanë disa veçori dalluese të përbashkëta. Vështroni mirë kërcellin e një bime që mendoni se është bimë barishtore.

A është i rrumbullakët dhe i zbrazët kërcelli dhe a ka nyja? A janë gjethet të gjata, të sheshta dhe të ngushta, ku duken dellëzime paralele dhe a dalin nga milli që mbështjell kërcellin? A dalin gjethet e njëpasnjëshme në anë të kundërta të kërcellit, duke krijuar dy radhë vertikale? A janë rrënjët si një rrjetë e ngatërruar me fije të imëta, në vend që të jetë një rrënjë kryesore me degëzime? A janë lulet, nëse mund të shihni ndonjë, të tilla që nuk bien në sy e të vogla, dhe a kanë lulesat formën e kallirit, viles ose melthit? Nëse jeni përgjigjur po, ndoshta ajo bimë bën pjesë në familjen e bimëve barishtore.

Ndonëse graminoret në pamje ngjajnë shumë me njëra-tjetrën, kjo familje ka një shumëllojshmëri marramendëse prej 8.000 deri në 10.000 llojesh. Lartësia e bimëve arrin nga rreth 2 centimetra deri në 40 metra te disa bambu. Bimët barishtore përbëjnë një pjesë të madhe të bimësisë që mbulon tokën. Dhe nuk është për t’u çuditur. Ato janë një nga grupet e bimëve në tokë që përshtaten më shumë, pasi rriten në zonat polare dhe në shkretëtirat, në pyjet tropikale të shiut dhe në shpatet e maleve të rrahura nga era. Hapësira të tëra me bimësi mbizotërohen nga bimët barishtore, si për shembull: stepat, livadhet në veri të Amerikës Latine, pampat e Argjentinës, preritë dhe savanat.

Një nga arsyet kryesore përse janë kaq të përhapura llojet e ndryshme të bimëve barishtore është se janë bimë të forta. Ndryshe nga shumë bimë të tjera, bimët barishtore nuk rriten te maja por në zonat e rritjes mbi nyjat. Në këtë mënyrë filizat e rinj mund të dalin nga kërcejtë duke u rritur horizontalisht mbi ose nën tokë. Kështu, kur kositet bari ose kur dhëmbët e lopës i këputin majat, bari vazhdon të rritet ndërsa shumë bimë të tjera nuk rriten më. Për këtë arsye kositjet e shpeshta ndihmojnë rritjen e barit duke ndaluar rritjen e bimëve të tjera dhe mund ta bëjnë barin përpara një shtëpie të dendur dhe të bukur.

Gjithashtu, te shumica e bimëve barishtore nëse kërcelli përkulet prej erës ose shkelet me këmbë, ai mund të drejtohet vetë duke u rritur më shpejt nga ana e kthyer drejt tokës. Për këto arsye bimët barishtore zakonisht e marrin shpejt veten pasi janë dëmtuar dhe kjo u jep epërsi ndaj bimëve të tjera në betejën për dritën e diellit. Dhe mund të jemi të kënaqur që bimët barishtore janë bimë kaq të forta. Në fund të fundit, ne varemi prej tyre.

Bimë të gjithanshme

Bimët barishtore nuk janë vetëm më me bollëk, por janë edhe familja më e rëndësishme e bimëve me lule në tokë. Një botanist tha se bimët barishtore janë baza e ushqimit tonë. Ato janë «si një pritë që e mbron njerëzimin nga uria». Përpiquni të kujtoni se çfarë hëngrët sot. A filluat me një tas me drithëra si meli, orizi, tërshëra ose melakuqi? Atëherë, keni ngrënë farëra bimësh barishtore. Apo ndoshta hëngrët një simite ose ndonjë lloj tjetër buke. Mielli i përdorur ishte bërë nga farërat e bimëve barishtore​—gruri, thekra, elbi dhe drithëra të tjerë janë që të gjitha bimë barishtore. Petëzat e pjekura të misrit (cornflakes) dhe pudingu i misrit si dhe tortijat me miell misri nuk bëjnë përjashtim. Edhe misri, siç mund ta keni kuptuar, është bimë barishtore. A hodhët sheqer në çajin apo kafenë tuaj? Më shumë se gjysma e sheqerit që prodhohet, nxirret nga kallami i sheqerit, një bimë barishtore. Edhe qumështi e djathi janë në njëfarë kuptimi bimë barishtore të përpunuara, sepse me to ushqehen zakonisht lopët, delet dhe dhitë.

Çfarë të themi për drekën tuaj? Makaronat dhe brumi i byrekut bëhen me miell gruri. Pulat dhe shpendët e tjerë shtëpiakë shpesh ushqehen me kokrra drithërash. Gjedhët ushqehen me lloj-lloj bimësh barishtore. Pra, në një masë të madhe, vezët, shpendët dhe mishi që hamë janë produkt i bimëve barishtore të përpunuara nga metabolizmi i kafshëve. Gjithashtu, mund të pini bimë barishtore. Përveç qumështit, shumë pije të njohura alkoolike bëhen nga bimët barishtore: birra, uiski, rumi, sakeja japoneze, kvasi i Evropës Lindore dhe shumë lloje vodkash.

Por mos u shqetësoni nëse ushqimi juaj i preferuar nuk u përmend. Thjesht që është e pamundur t’i radhitim të gjitha llojet e ushqimeve të bëra nga bimët barishtore. Sipas disa llogaritjeve, më shumë se gjysma e kalorive që marrin njerëzit në mbarë botën vijnë nga bimët barishtore. E s’është për t’u çuditur, sepse bimët barishtore mbulojnë deri në 70 për qind të të gjithë sipërfaqes së kultivuar të tokës!

Megjithatë, bimët barishtore nuk janë të dobishme vetëm si ushqim. Nëse shtëpia juaj i ka muret prej argjile dhe kashte, bimët barishtore u japin atyre forcën e nevojshme. Në anë të ndryshme të botës, çatitë janë të mbuluara me kashtën e bimëve barishtore. Në Azinë Juglindore bambuja përdoret për skelat e ndërtimit, për tubat, mobiliet, muret dhe në shumë përdorime të tjera. Rrogozat dhe shportat thuren me bimë barishtore dhe nga to sigurohet lënda e parë për ngjitëset dhe letrën. Të mos harrojmë rrobat. Shumica e kafshëve të cilave ne u marrim leshin dhe lëkurën ushqehen me bimë barishtore. Bima barishtore Arundo donax siguron kallamat për veglat frymore, siç është klarineta. Nuk është gjetur asnjë lëndë tjetër që mund të krahasohet me kallamin natyror për këtë qëllim.

Bimët barishtore mbulojnë dhe stolisin shumicën e tokës. Dhe sa pamje e bukur, e qetë dhe çlodhëse që është një livadh i gjelbër apo bari i mirëmbajtur i një shtëpie! Bimët barishtore janë ndër furnizuesit kryesorë të oksigjenit, sepse përbëjnë një sasi tepër të madhe të bimësisë së gjelbër. Gjithashtu, rrënjët e tyre të holla mbrojnë truallin nga gërryerjet. Duke patur parasysh se bimët barishtore janë të gjithanshme, nuk çuditemi kur mësojmë se përdorimi dhe kultivimi i tyre ka një histori të gjatë.

Historia e bimëve barishtore

Bimët barishtore përmenden për herë të parë në tregimin biblik të krijimit. Ditën e tretë të krijimit, Perëndia tha: «Le të qesë toka bar të gjelbër.» (Zanafilla 1:11, DSF) * Të gjitha qytetërimet më të mëdha vareshin nga disa lloje bimësh barishtore. Për shembull, egjiptianët, grekët dhe romakët kishin si ushqime bazë grurin dhe elbin; kinezët, melin dhe orizin; populli indas, grurin, elbin dhe melin; popujt maja, actek dhe inkas, kishin misrin. Dhe stepat e pafundme siguronin bimët barishtore që nevojiteshin për tagjinë e kuajve të trupave kalorëse mongole. Po, bimët barishtore kanë patur gjithmonë rëndësi të madhe për njerëzimin.

Herën tjetër që do të shihni një fushë me misër që valëvitet, një livadh me bar të harlisur, apo vetëm fijet e thjeshta të barit që rritet midis gurëve në trotuar, mund të ndaloni dhe të mendoni për këtë familje bimësh të mrekullueshme dhe kaq të gjithanshme. Gjithashtu mund të ndiheni të nxitur për të falënderuar Projektuesin e tyre të Madh, Perëndinë Jehova, ashtu si bëri psalmisti kur këndoi: «O Zot [Jehova, BR], Perëndia im, ti je jashtëzakonisht i madh. . . . Ai bën që të rritet bari për bagëtinë dhe bimësia në shërbim të njeriut, duke nxjerrë nga toka ushqimin e tij. . . Aleluja [Lëvdoni Jah, o njerëz, BR]!»​—Psalmi 104:1, 14, 31-35.

[Shënimi]

^ par. 17 Ka mundësi që shkrimtari i lashtë i këtij vargu nuk e bënte dallimin midis bimëve të ngjashme me bimët barishtore dhe atyre që sot konsiderohen vërtet të tilla.

[Diagrami dhe figurat në faqet 16, 17]

(Për tekstin e kompozuar, shiko botimin)

Struktura e bimëve barishtore

Format kryesore të lulesave te bimët barishtore

Kalli

Vile

Melth

Rrënjët fijezore

Kërcelli

Milli

Nyja

Gjethja

[Figurat në faqen 18]

A keni ngrënë sot bimë barishtore?

[Figura në faqen 18]

Apo keni pirë prej tyre?

[Figura në faqen 18]

Edhe mund të jetoni në një banesë të bërë me to

[Figura në faqen 18]

Edhe ato ushqehen me bimë barishtore