«Kujdes si i nënës kangur»: A është zgjidhja e një problemi kërcënues për jetën?
«Kujdes si i nënës kangur»: A është zgjidhja e një problemi kërcënues për jetën?
Në vitin 1979, në një spital në Bogota, Kolumbi, numri i foshnjave të lindura para kohe që mbijetonin ishte tepër i ulët. Për këtë arsye, një mjek kolumbian paraqiti një zgjidhje krejt të re—«kujdes si i nënës kangur».
Për mjekët është një sfidë mbajtja në jetë e foshnjave që lindin para kohe. Foshnjat që lindin me peshë të vogël, shpesh vendosen në mjedisin e ngrohtë të një inkubatori, ku qëndrojnë deri sa të shtojnë në peshë. Megjithatë, në vendet në zhvillim, ndërtesat e mbipopulluara, higjienizimi i dobët, si edhe mungesa e personelit dhe e pajisjeve mjekësore kanë çuar shpesh në transmetimin e infeksioneve të rrezikshme nga njëri mbartës te tjetri.
Një mjek në Kolumbi ka paraqitur një metodë që duket se e lehtëson këtë problem. Si funksionon ajo? Kur një foshnjë lind para kohe, për të tregohet kujdes, siç bëhet zakonisht, deri sa gjendja e saj të normalizohet. Ndërkohë nëna stërvitet si të kujdeset për fëmijën. Kur foshnja bëhet mjaft i shëndetshëm, nëna shërben si një inkubator i gjallë për të. Në ç’mënyrë? Duke e mbajtur foshnjën afër vetes, të mbështjellë vertikalisht midis gjinjve. I siguruar në këtë xhep, ngjashëm atij të kangurit, foshnja rri ngrohtë dhe mund të ushqehet me lehtësi me qumështin e së ëmës. Për këtë arsye, shpesh kjo metodë quhet kujdes si i nënës kangur.
Për këtë nuk nevojitet asnjë pajisje e kushtueshme. Nëna vesh një bluzë të përshtatshme ose një veshje të zakonshme me një rrip mesi. Kur foshnja fiton peshën e mjaftueshme, nëna bashkë me të voglin mund të kthehen në shtëpi. Megjithatë, shkojnë rregullisht në spital për t’u kontrolluar.
Eksperimentet paraprake tregojnë se ky kujdes si i nënës kangur është i efektshëm dhe i sigurt. Për më tepër, duket se krijon një lidhje më të ngushtë ndërmjet foshnjës dhe nënës. S’është për t’u habitur që kjo metodë është përshtatur për t’u përdorur në shumë vende. Në Meksikë, të afërmit stërviten për t’u bërë «etër kangur», «gjyshe kangur» e madje «motra kangur» për të ndihmuar kur nënës i nevojitet një periudhë pushimi. Mjekja Guadalupe Santos, e cila drejton një program «kujdes si i nënës kangur» në Meksikë, tha për Zgjohuni!: «Po e përdorim këtë metodë që nga viti 1992 dhe kemi vërejtur se është shumë e efektshme. Nevojiten më pak inkubatorë dhe një qëndrim më i shkurtër në spital.»