Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Nga lexuesit tanë

Botuesi: Seria e artikujve në revistën Zgjohuni! me titull, «Jeta ia vlen të jetohet» (22 tetor 2001, anglisht) shkaktoi një reagim të madh te lexuesit. Kjo na sjell kënaqësi, sepse «Zgjohuni!» përpiqet të paraqesë informacione praktike me bazë biblike që do t’i ndihmojë njerëzit e të gjitha kombeve, racave dhe feve të përballojnë problemet e sotme.

Jam një lexuese nga shumë kohë e revistës Zgjohuni!, por asgjë nuk më ka prekur kaq shumë sa seria e artikujve në Zgjohuni! me titull «Jeta ia vlen të jetohet». Një vit më parë isha e pushtuar nga dëshpërimi dhe doja të vdisja. Këta artikuj më siguruan sërish se Perëndia i kupton dobësitë tona.

S. H., Japoni

Ndihesha thellësisht e dëshpëruar për shkak të sulmit kundër Kullave Binjake në Nju-Jork. Ndonjëherë mendoja dhe vetëvrasjen, por nuk e kisha pranuar kurrë faktin se tek unë kishte diçka që nuk shkonte. Do të kërkoj ndihmën për të cilën kam nevojë dhe do të ndjek sugjerimet që jepeshin në artikull.

M. M., Shtetet e Bashkuara

Për shkak të shëndetit të dobët, kisha menduar t’i jepja fund jetës. Fillova të flisja për këtë, ndonjëherë si me shaka, për të parë reagimin e të tjerëve. M’u mbushën sytë me lot kur lexova se Perëndia është gjithmonë gati të na dëgjojë dhe se kujdeset për ne. Kjo revistë e ka ndryshuar krejtësisht pikëpamjen time për jetën.

T.E.J., Kanada

Më është dashur të luftoj për vite me radhë me depresionin dhe kohët e fundit po mendoja seriozisht t’i jepja fund jetës. Teksa po bëhesha gati të dilja m’u kujtua se artikulli i fundit në serinë e revistës Zgjohuni! thoshte që të flitnim me dikë. Kështu që fola me bashkëshortin për atë që kisha ndër mend. Kjo vonesë më pengoi ta kryeja planin tim. Kjo seri më ndihmoi që të mos i jepja fund jetës!

M. B., Shtetet e Bashkuara

Disa javë përpara se të dilte kjo revistë, ndërsa kisha përpara një filxhan plot me tableta gjumi, gjendesha po në atë mëdyshje që përshkruhej në artikull: «T’i gëlltit apo jo?» Revista juaj më dha vendosmërinë që më duhej për të jetuar. Disa sëmundje ndikojnë në mendje deri në atë pikë saqë na bëjnë ta flakim tej dëshirën për të jetuar. Por është prekëse të shohësh se sa interesohet Perëndia për njerëzit që duket se e kanë humbur çmueshmërinë për dhuratën e jetës.

E. S., Itali

Ia tregova informacionin e këtyre artikujve edhe mjekut tim. I thashë se sa shumë më kishin ndihmuar. Këta artikuj më dhanë edhe një herë sigurinë se kam vlerë për Perëndinë, e kjo më motivon të jetoj. Lutem vazhdimisht që të shkruani më shumë artikuj si këta!

J. S., Shtetet e Bashkuara

Kisha përshtypjen se askush nuk më kuptonte, kështu që fillova të mendoja se do të ishte shumë më e lehtë po të vdisja. Por falë këtyre artikujve, arrita t’i kujtoja vetes se cila është gjëja më e rëndësishme në jetë. Nuk do të mendoj më për vdekjen.

M. M., Japoni

Gratë e keqtrajtuara Faleminderit për serinë e artikujve «Ndihmë për gratë e keqtrajtuara». (Nëntor 2001) Kur isha fëmijë shihja se si im atë e rrihte çdo ditë nënën time. Madje edhe unë me motrat e mia më të vogla u bëmë pre e sulmeve të tij. U rrita me një urrejtje të thellë për meshkujt. Megjithatë, me kalimin e kohës, filluam si familje të studionim Biblën me Dëshmitarët e Jehovait. Për babanë nuk ishte e lehtë ta ndryshonte mënyrën e sjelljes, por me ndihmën e Jehovait filloi të kuptonte se nuk do të mund t’i pëlqente Perëndisë po të keqtrajtonte krijesat e tij të dashura. Ndryshimet i bëri ngadalë, por tani ai është si një dele e butë. Mund ta dua me gjithë zemër.

G. B., Shtetet e Bashkuara