Një vështrim rreth botës
Një vështrim rreth botës
T’u shpëtojmë jetën të sapolindurve
Çdo vit katër milionë foshnja vdesin brenda muajit të parë të jetës. Këto vdekje të të sapolindurve «përbëjnë më shumë se 40 për qind të numrit të vdekjeve të fëmijëve nën moshën pesë vjeç»,—raportohet në revistën gjermane Bild der Wissenschaft. Çfarë mund të bëhet për të shpëtuar jetën e të sapolindurve? Në studimin «Gjendja e të sapolindurve në botë», këshillohen metoda ekonomike, si për shembull, foshnjat të mbahen ngrohtë dhe të ushqehen me qumështin e gjirit menjëherë pas lindjes. Kjo e fundit ndihmon për të fituar imunitet ndaj sëmundjeve. Vdekjet mund të parandalohen edhe duke përmirësuar shëndetin e grave shtatzëna. Shumë prej tyre rraskapiten në punë, nuk ushqehen mjaftueshëm dhe nuk e kanë marrë veten plotësisht nga një lindje e mëparshme. «Në vendet në zhvillim, ku ndodhin 98 për qind e vdekjeve të të sapolindurve», banorët vendas mund të ndjekin kurse për mamí. «Detyrat e tyre parësore do të ishin t’u jepnin grave shtatzëna udhëzime, të kujdeseshin për higjienën dhe të bënin vaksina»,—pohohet në këtë studim.
Faret po zhduken
«Ashtu si llamba elektrike zëvendësoi qiririn, fari i automatizuar ka zëvendësuar rojen sypatrembur të farit,—thuhet në gazetën Financial Post.—Duket se tani edhe ditët e farit të automatizuar janë të numëruara.» Një far modern lëshon dritë aq të fuqishme, saqë mund të shihet deri 32 kilometra larg në det dhe është i pajisur me një sirenë të automatizuar për kohë me mjegull, e cila i lajmëron marinarët se toka është afër. Por teknologjia satelitore u jep marinarëve mundësinë që të përcaktojnë me saktësi vendndodhjen e tyre. Tani anijet janë të pajisura me sisteme të përcaktimit të vendndodhjes, të cilët shërbejnë si sy për anijen kur ekuipazhi nuk mund të shohë se çfarë gjendet përpara. Majk Klemëns, administrator programi i Rojës Bregdetare Kanadeze në qytetin Sent-Xhon, Njufaundlend, thotë se sistemet e përcaktimit të vendndodhjes «mund t’i bëjnë faret të panevojshme. Asgjë nuk mund të krahasohet me [këto sisteme]. Nuk është e mundur të gjesh rrugën vetëm me anë të farit».
Gjuha e foshnjave
«Ashtu si foshnjat e prindërve që dëgjojnë fillojnë të belbëzojnë rreth moshës shtatë muajshe, . . . edhe fëmijët që rriten në një familje të shurdhrish belbëzojnë në heshtje me duar, duke imituar mënyrën kryesore të komunikimit të prindërve të tyre» megjithëse këta fëmijë mund të dëgjojnë,—thuhet në gazetën The Times të Londrës. Nga një kërkim i drejtuar nga profesoresha Laura Petito në Universitetin e Mekgillit në Monreal, Kanada, sugjerohet se foshnjat lindin me ndjeshmëri ndaj ritmeve dhe mjeteve gjuhësore që janë veçori e të gjitha gjuhëve, përfshirë edhe gjuhën e shenjave. Ajo thotë se foshnjat që mund të dëgjojnë, por të cilat kanë «prindër të shurdhër që përdorin gjuhën e shenjave, bëjnë një lloj të veçantë lëvizjeje me duart e tyre sipas një modeli të veçantë ritmesh, i cili dallohet nga lëvizjet e tjera të duarve. . . . Ky [është] belbëzim, por me duar». Foshnjat që shihnin prindërit e tyre duke përdorur gjuhën e shenjave bënin dy tipe lëvizjesh të duarve, kurse foshnjat prindërit e të cilave përdornin të folurin e zakonshëm bënin vetëm një tip lëvizjeje. Ekipi i kërkimit përdori një sistem regjistrimi të pozicioneve për të regjistruar lëvizjet e duarve të foshnjave kur ato ishin 6, 10 dhe 12-muajshe.
Botimi i rrotullave të Detit të Vdekur
«Më shumë se gjysmë shekulli pas gjetjes së rrotullave të Detit të Vdekur në shpellat e shkretëtirës judeje, studiuesit po kremtojnë botimin e pjesës së fundit të këtij teksti fetar 2.000-vjeçar»,—thuhet në revistën U.S. News & World Report. Botimi i serisë me 37 vëllime u njoftua nga profesori Emanuel Tov, i cili drejtoi ekipin e studiuesve që analizuan rrotullat. Merita për përfundimin e punës iu dha teknologjisë moderne, ku përfshihen fotografia dixhitale dhe skanerat multispektralë, të cilat u dhanë studiuesve mundësinë që të deshifronin shkrimet që ishin fshirë. Shkrimet e përkthyera nga gjuhët hebraike, aramaike, greke dhe latine, datojnë nga viti 250 p.e.s. deri në vitin 70 të e.s.
U bëjnë ballë pasigurive
Në gazetën Globe and Mail të Kanadasë raportohet se shitja e Biblave nga anëtarët e Shoqatës së Krishterë të Librashitësve e Kanadasë është rritur të paktën 30 për qind që nga sulmet terroriste në Shtetet e Bashkuara. Drejtoresha ekzekutive e shoqatës, Marlin Loglëni thotë: «Njerëzit po kërkojnë përgjigje. Në këtë gjë përfshihet frika. Në zemrat dhe mendjet e njerëzve gjenden shumë pyetje pa përgjigje.» Artikulli shton se edhe në libraritë më të vogla ka pasur «një rritje në shitjen e çdo gjëje me bazë fetare, që mund t’i ndihmojë njerëzit për të kuptuar ngjarjet tragjike». Sipas një profesoreshe të teologjisë në Universitetin e Torontos, një reagim i tillë është i zakonshëm. «Në kohëra pasigurie të madhe, njerëzit fillojnë të bëjnë pyetje fetare themelore» dhe «kërkimi i përgjigjeve në Bibël mund t’i ndihmojë ata»,—tha ajo.
SIDA—Shkaku kryesor i vdekjeve në Afrikën e Jugut
«SIDA është bërë shkaku kryesor i vdekjeve në Afrikën e Jugut dhe sidomos të rinjtë goditen rëndë prej saj»,—thuhet në gazetën The New York Times, ku komentohet rreth një studimi të Këshillit të Kërkimeve Mjekësore të Afrikës së Jugut. Kërkuesit kanë llogaritur se gjatë dhjetëvjeçarit të ardhshëm në Afrikën e Jugut, pesë deri në shtatë milionë njerëz do të vdesin nga SIDA. Gratë e reja rreth të 20-ave po vdesin në një përqindje më të madhe se gratë rreth të 60-ave. Artikulli shton se Afrika e Jugut «ka më shumë se çdo vend tjetër njerëz që dihet se janë infektuar me HIV, virusin që shkakton SIDA-n. Funksionarët shtetërorë thonë se një në nëntë afrikano-jugorë dhe një në katër të rritur [të moshave 30-34 vjeç], besohet se është i infektuar me HIV.»
Jetojnë në qytete
«Në vitin 1900 qytetet më të mëdha ishin Londra, Nju-Jorku, Parisi, Berlini dhe Çikagoja»,—vëren gazeta The Sunday Times e Londrës. Por sipas vlerësimeve të reja, «deri në vitin 2015 qytetet perëndimore do të kenë mbetur prapa. Tokioja, Bombeji, Lagosi, Daka në Bangladesh dhe San-Pauloja në Brazil do të jenë qytetet më të mëdha». Këta dhe 25 qytete të tjera do të kenë secili më shumë se 20 milionë banorë. Sidoqoftë, «llogaritjet tregojnë se deri në vitin 2015 Londra do ta humbasë vendin e saj si një nga 30 qytetet më të populluara dhe do të jetë i vetmi qytet kryesor ku popullsia do të jetë pakësuar»,—thotë gazeta Times. Rritja shpërthyese krijon shumë probleme. Profesori i sociologjisë në Universitetin e Pensilvanisë, SHBA, Dagllas Masi thotë: «Të varfrit do të përqendrohen gjithnjë e më shumë në lagjet e tyre që karakterizohen nga përqindja e lartë e krimeve, e dhunës dhe e trazirave shoqërore.» Tokioja, 26 milionë banorët e të cilit shumë shpejt pritet të bëhen 30 milionë, ka qenë në gjendje që ta përballojë rritjen e tij, sepse kjo ka qenë më e ngadaltë dhe Tokioja ka infrastrukturën e shërbimet e nevojshme. Sipas profesorit Masi, që nga koha e romakëve e deri në epokën e mbretëreshës angleze Viktoria, në qytete jetonte jo më shumë se 5 për qind e popullsisë botërore. Por ai mendon se deri në vitin 2015 në to do të jetojë 53 për qind e saj.
Lëreni duhanin njëherë e mirë
«Të gjithë duhanpirësit duhet të përpiqen që ta lënë duhanin. Nëse ia arrini, atëherë sigurohuni që të mos e filloni përsëri»,—paralajmëron profesor Bo Luenbaku, nga Instituti Kombëtar i Punës në Stokholm të Suedisë. Përse? Sepse ish-duhanpirësit që rifillojnë të pinë duhan mund të pësojnë një rënie më të shpejtë të funksionimit të mushkërive, sesa ata që nuk e lënë fare duhanin. Një studim dhjetëvjeçar i 1.116 burrave dhe grave të moshave 35 deri 68 vjeç, tregoi se ata që pinë duhan gjatë gjithë periudhës së studimit pësuan 3 për qind rënie në funksionimin e mushkërive, kurse ata që e lanë duhanin për më shumë se një vit, por pastaj e filluan përsëri, pësuan 5 për qind rënie. Profesori Luenbak paralajmëroi: «Rënia e funksionimit të mushkërive është shumë më e madhe në dy vitet e para pasi një ish-duhanpirës e ka filluar përsëri duhanin. Dhe ajo që humbasin duhanpirësit në funksionimin e mushkërive, nuk do t’u kthehet më kurrë.» Ata që ia arritën me sukses ta linin duhanin gjatë studimit dhjetëvjeçar pësuan vetëm 1 për qind rënie në veprimtarinë e mushkërive, siç raportohet në The Times të Londrës.