Kalo te përmbajtja

Kalo te përmbajtja

Rilevimi: Çfarë është?

Rilevimi: Çfarë është?

Rilevimi: Çfarë është?

EGJIPTIANËT i quanin «ata që zgjatin litarët». Kush ishin ata? Ishin esnafët e lashtë që kishin përgjegjësinë për të ripiketuar ngastrat e tokave për qëllime tatimi, çdo vit pasi përmbyteshin brigjet e lumit Nil. Këta njerëz ishin pararendësit e profesionistëve të ditëve të sotme që quhen topografë.

Sot topografët mund të shihen shpesh përgjatë autostradave dhe në zbatimin e projekteve të ndërtimit. Megjithatë, ndoshta keni pyetur veten se çfarë është saktësisht rilevimi.

Në botimin Science and Technology Illustrated thuhet: «Rilevimi ka dy funksione kryesore.» Ato janë: «(1) mat çdo gjë që ekziston, regjistron se ku ndodhet, si dhe përdor të dhënat për të bërë një hartë ose përshkrim apo e kundërta dhe (2) vendos shenja treguese për të shënuar kufijtë ose drejton ndërtimet sipas këtij plani apo përshkrimi. Me anë të rilevimit përcaktohet ose tregohet vendndodhja e pikave në sipërfaqen e Tokës, nën sipërfaqen e saj ose edhe në njëfarë lartësie nga ajo».

Historia e rilevimit

Me sa duket, kopshti i Edenit ishte pjesa e parë e tokës, së cilës iu bë një përshkrim. Më tej Bibla tregon se topografët vepronin në Izrael, duke përcaktuar kufijtë e pronave dhe pronësinë. Në Fjalët e urta 22:28 thuhet: «Mos e luaj kufirin e vjetër, të vendosur nga etërit e tu.» Romakët madje kishin një perëndi që quhej Termini, i cili mbikëqyrte kufijtë dhe simbolizohej nga guri.

Ujësjellësit dhe rrugët romake, ku disa prej tyre janë ende, dëshmojnë për arritjet e habitshme të romakëve të lashtë në fushën e rilevimit. Topografët e lashtë, me anë të mjeteve të kufizuara, arritën disa rezultate mbresëlënëse. Rreth vitit 200 p.e.s., astronomi, matematikani dhe gjeografi grek Eratosteni llogariti perimetrin e tokës.

Rreth vitit 62 të e.s., Heroni i Aleksandrisë, paraqiti në librin e tij Dioptra se si zbatohej për rilevimet shkenca e gjeometrisë që fjalë për fjalë do të thotë «matjet e tokës». Dhe midis viteve 140 dhe 160 të e.s., Klaud Ptolemeu, duke ndjekur një metodë të themeluar nga Hiparku, regjistroi 8.000 vende të botës bashkë me gjerësitë dhe gjatësitë e tyre gjeografike.

Rreth shekullit të 18-të, familja e astronomit francez Kasini, për një periudhë prej më shumë se katër brezash drejtoi me sukses rilevimin e parë kombëtar shkencor të Francës dhe përgatiti La Carte de Cassini (Hartën e Kasinisë). Libri The Shape of the World (Forma e botës) shpjegon se «Franca mori drejtimin në hartografinë shkencore; më pas vinte Britania; dhe menjëherë pas saj shtetet austriake dhe gjermane. Në pjesën tjetër të Evropës rilevimet kombëtare u bënë të njohura gjatë dhjetëvjeçarëve të parë të shekullit të nëntëmbëdhjetë». Përtej Evropës, në vitin 1817, u ndërmor rilevimi i madh trigonometrik i Indisë për të plotësuar hartën e Indisë. Ai u drejtua nga Xhorxh Everesti, emri i të cilit iu dha malit më të lartë në botë.

Disa nga kushtet në të cilat punonin këta topografë të hershëm nuk ishin aspak të përsosura. Sipas Historical Records of the Survey of India (Regjistrimet historike të rilevimit të Indisë), në regjistrimet e bëra deri më 1861 tregohet se skuadrën që merrej me rilevimin e zunë ethet dhe thuhet se nga 70 veta mezi u kthye 1 në Angli. Topografët e tjerë i sulmuan kafshët e egra ose vuajtën nga uria e madhe. Megjithatë, njerëzit i tërhiqte puna në natyrë dhe pavarësia që deri diku u jepnin rilevimet.

Një grup indianësh, të njohur si Mësuesit, spikatën në histori për punën e tyre interesante në Nepal dhe në Tibet. Dekretet dhe traktatet i kishin ndaluar të huajt që të hynin në këto vende, kështu që për të hyrë këta topografë u maskuan si lama budistë ose priftërinj. Si përgatitje për punën e tyre të fshehtë, secili ishte stërvitur që të bënte saktësisht 2.000 hapa për çdo milje. Për të numëruar hapat e tyre dhe për të llogaritur largësinë përdorën një palë tespihe me njëqind rruaza.

Shumë individë, si për shembull ish-presidentët e SHBA-së Uashingtoni, Xhefersoni dhe Linkolni, u morën deri në një farë mase me rilevimet. Madje disa meritën për suksesin politik të Linkolnit ia japin pjesërisht punës së tij si topograf, e cila e afroi më shumë me bashkatdhetarët e tij.

Rilevimi sot

Llojet e rilevimit të tokës që zakonisht bëhen sot përreth nesh ndahen në tri kategori. E para, është rilevimi ligjor ose rilevim kadastre, i cili ka të bëjë me vendosjen e kufijve ligjorë të pronave. Kur duhet ndarë toka për ndërtimin e shtëpive ose kur qeveria do që të përcaktojë vendndodhjen e rrugëve të reja a të autostradave, topografët marrin pjesë në ndarjen e tokës dhe në vizatimin e skicave ligjore.

Një kategori tjetër rilevimi quhet rilevimi topografik. Ky përfshin matjen dhe përcaktimin e madhësisë, formës dhe të pjerrësisë së ngastrave të tokës, si dhe vendndodhjen e rrugëve, gardheve, pemëve, ndërtesave ekzistuese, ndërtesave publike dhe kështu me radhë. Inxhinierët e ndërtimit, arkitektët dhe profesionistë të tjerë i përdorin të dhënat e vendndodhjes së saktë të këtyre elementeve që janë në tokën ku do të bëhen ndërtimet, si dhe rrotull saj. Ky informacion u jep atyre mundësi që të vizatojnë planet në mënyrë të përshtatshme dhe në disa raste t’i përfshijnë këto elemente në vizatimet e tyre.

Pasi vizatimet, miratimet, planet e kështu me radhë janë gati që të fillojë një projekt ndërtimi, mbetet ende se ku do të vendoset me saktësi çdo gjë. Në këtë fazë një kalimtar shpesh do të shohë zbatimin e kategorisë së tretë të rilevimit, rilevimin e ndërtimit. Topografët u japin punëtorëve të ndërtimit të gjitha pikat e rëndësishme, vijat dhe shenjat e lartësive, që të sigurohen se të gjitha ndërtesat publike, rrugët dhe objektet e tjera gjenden pikërisht aty ku tregojnë planet.

Rilevimet e tokës të bëra në shkallë të vogël, e cila duhet të jetë me përmasa jo më shumë se 19 kilometra, quhen rilevime planimetrike. Megjithatë, për ato që bëhen në shkallë të madhe nevojitet rilevimi gjeodezik, i cili merr parasysh përkuljet e sipërfaqes së tokës. Zakonisht, ai është i lidhur me rrjetin gjeografik kombëtar të një vendi, i cili ka të bëjë me vijat e gjatësisë dhe të gjerësisë. * Kjo lloj pune kryhet me saktësinë e një niveli shumë të lartë.

Në rilevimet e sotme kanë filluar të përdoren, gjithashtu, satelitë të veçantë përmes të ashtuquajturave sisteme të përcaktimit të vendndodhjes në glob. Me anë të pajisjeve të lëvizshme topografët tani kanë mundësi që të përcaktojnë shpejt e me saktësi të madhe vendndodhjet në sipërfaqen e tokës. Llojet e tjera të rilevimit për të cilat zakonisht mund të mos jemi në dijeni janë: rilevimi stereofotografik, gjatë të cilit bëhen fotografi të truallit me aparate të veçanta fotografike që janë montuar te satelitët dhe rilevimi hidrografik, rilevim me anë të të cilit përcaktohen vijat bregdetare dhe thellësia e shtrati i lumenjve, liqeneve, oqeaneve dhe i objekteve të tjera ujore.

Përse janë të rëndësishme?

Për shembull, Ura Golden Gate në Kaliforni, SHBA, u përurua në vitin 1937. Asaj iu bë një rilevim i ri në vitin 1991 për të regjistruar vendndodhjen e saktë. Nëse ndodh një tërmet dhe ura lëviz, tani mund të llogariten tendosjet në urë dhe mund të bëhen ndreqje për të garantuar gjendjen e mirë të strukturës së saj dhe sigurinë publike. Në një shkallë më të vogël, u bënë rilevime në një qendër turistike për rrëshqitjen me ski në Vermont e cila punësoi topografë për të rritur sigurinë në pistat e rrëshqitjes dhe për të krijuar kushte rrëshqitjeje të nivelit botëror.

Po ashtu, duke përdorur të dhënat që merren nga rilevimet me anë të satelitit, ndryshimet në koren e tokës do të vëzhgohen edhe në Kinë me shpresën se mund të zvogëlohen pasojat e tërmeteve mbi popullsinë e atjeshme. * Veç këtyre, edhe nëse bëhet fjalë për shtëpinë tuaj, rrugët ku ecni me makinë, zyrën ku punoni, apo shkollën që ndiqni, ka të ngjarë që një topograf të ketë marrë pjesë në ndërtimin e tyre.

Topografët ndikojnë me të vërtetë në jetën tonë. Që nga përdorimi i litarëve dhe deri në përdorimin e satelitëve, ata janë përpjekur që t’i japin kuptim dhe të vënë rregull në botën tonë të ndërlikuar. Dhe derisa të vazhdojmë të ndërtojmë dhe të mësojmë për botën sipër dhe poshtë nesh, pa diskutim që do të kemi nevojë për topografët. Prandaj kur t’i shihni sërish topografët duke punuar anash rrugëve, do të kuptoni diçka më shumë mbi profesionin e tyre që kërkon saktësi.

[Shënimet]

^ par. 17 Për informacion të mëtejshëm rreth gjatësisë dhe gjerësisë gjeografike shih artikullin «Ato vija të përfytyruara e të dobishme» që gjendet në revistën Zgjohuni! të 8 marsit 1995, anglisht.

^ par. 21 Për informacion të mëtejshëm, shih artikullin «A jeni nën rrezikun e vullkaneve?» në revistën Zgjohuni! të 8 majit 1996, anglisht.

[Kutia dhe figura në faqen 22]

Instrumente të saktësisë së lartë

Matës elektronik i largësive​—Llogarit largësinë nga objekti duke lëshuar një rreze elektronike ose një sinjal impulsi që kthehet mbrapsht te pajisja nëpërmjet pasqyrave të veçanta, të cilat janë vendosur në pikën që duhet përcaktuar.

Teodolite dhe takiometra​—Një teodolit (në të majtë) mat këndet dhe ka një mikroskop ngjitur me të, i cili lejon që një sistem lentesh, pasqyrash të brendshme dhe prizmash të paraqesë nga brenda përmasat shumë të zmadhuara të këndit. Disa prej teodolitëve më të saktë mund të paraqesin kënde të vegjël gjysmë harku i cili është baras me pjesën e një rrethi të ndarë në 1.296.000 pjesë të barabarta. Takiometrat (në të djathtë) kanë gjithashtu aftësinë për të matur në mënyrë elektronike dhe për të regjistruar të dhënat e mbledhura në terren, përfshirë këndet, largësitë dhe përshkrimet e objekteve. Pas kësaj, informacioni mund të merret në zyrë dhe të hidhet në kompjuter për të bërë llogaritje dhe projekte.

[Figura në faqen 21]

Një nivelues i modelit të vjetër

[Figura në faqen 21]

«Ata që zgjatin litarët» në Egjipt ishin pararendësit e topografëve të ditëve të sotme

[Burimi]

Borromeo/Art Resource, NY